Kontributi i Simone de Beauvoir për të drejtat e grave

“Ne nuk lindim gra, ne bëhemi të tilla”.

Filozofja, shkrimtarja, intelektualja dhe eseistja franceze, Simon dë Bovuar (Simone De Beauvoir) është një nga figurat kryesore sa i përket lëvizjes feministe, simboli i erës së re, themeluesja e konceptit të gruas moderne të shekullit XX, e cila jetoi dhe veproi si e tillë, e lirë dhe e pavarur në krijimtari dhe në zgjedhjet jetësore.

Lindi më 9 janar 1908 në një familje të pasur, frekuentoi shkollat më të mira, ku u diplomua për filozofi në Francë dhe vdiq më 14 prill 1986.

Është e pashmangshme: nuk mund të flitet për feminizmin, pa përfunduar së foluri për Simon dë Bovuar. Filozofja, shkrimtarja, mësuesja dhe eseistja franceze, Simon dë Bovuar është një nga figurat kryesore të lëvizjes feministe, marrë shtysë gjatë një proteste studentore në maj të vitit 1968, edhe pse përkushtimi i saj, sa i përket kërkesës për të drejtat e grave, kishte filluar disa vite më parë.

Ajo vuri themelet e feminizmit modern, nismëtarja e mendimit filozofik ekzistencialist. Në të vërtetë, në vitin 1949, ajo publikon veprën “Seksi i dytë”, një vepër madhore në mbarë botën, në të cilën shkrimtarja trajton në tërësinë e saj temën e lëvizjes feministe, duke analizuar dhe duke folur, për herë të parë, për argumente që, për epokën, konsideroheshin mirëfilli tabu të vërteta, të tilla si aborti, seksualiteti, prostitucioni dhe mëmësia.

E drejtpërdrejtë dhe provokuese, Simon dë Bovuar përqendrohet veçanërisht në atë çfarë përfaqëson vërtet roli i gruas në gjirin e shoqërisë, një rol që e shihte në varësinë e burrit, inferiore në çdo aspekt të sajin.

Qëllimi i vërtetë i autores është t’u tregojë grave realitetin dukshëm brutal të gjendjes në të cilën ato ndodhen, për t’i bërë ato të kuptojnë rëndësinë e një shoqërie, në të cilën gruaja të jetë e lirë të bëjë shumë më tepër: jo vetëm nënë dhe grua, por një qenie njerëzore pajisur me atë pavarësi dhe liri zgjedhjeje të qenësishme tek seksi mashkull.

Pavarësisht faktit se, rreth viteve dyzet dhe pesëdhjetë, njihej rëndom si “E madhja Sartre”, për shkak të lidhjes së mirënjohur me shkrimtarin Zhan Pol Sartrë, Simon dë Bovuar, ishte gjithmonë në gjendje të shpërthente dhe të ndriçonte me shkëlqimin e saj, aq sa zgjedhjet jetësore dhe qëndrimet e saj të hapura, bërën që të largohej përgjithmonë nga familja borgjeze, për të cilën flet në librin “Kujtimet e një vajze të mbarë” (1958).

Një bashkim sa intensiv dhe pasionant, aq edhe i lirë dhe i qëndrueshëm, ai me Zhan Pol Sartrin, ushqyer nga dashuria për letërsinë dhe dëshira për pavarësi, ka qenë gjithmonë një nga pikëpamjet kardinale të mendimit të saj.

Një grua bote, botë të cilën e përshkoi dhe e bëri të sajën, një botë pa rregulla: në fakt, ajo kishte gjetur mundësinë të thoshte, se rregulli i saj i vetëm ishte liria.

Që nga viti 1974, do të kryesojë Ligën e të Drejtave të Grave, një shoqatë e angazhuar për informimin e grave për të drejtat e tyre dhe që, një vit më pas, do të çonte në krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet kundër grave.

Në të njëjtën mënyrë, gjithmonë në ato vite, gjithashtu do të lindë edhe “Choisir” (“Zgjidh”), një shoqatë në mbrojtje të grave të akuzuara për krimin e abortit (që, në Francë, deri në vitet njëzet, dënohej me dënim me vdekje).

Veçse jo vetëm libra dhe përleshje: Simon dë Bovuar bëri që zëri i saj të dëgjohej edhe nëpërmjet revistave të shumta, ndër të tjera “Les Temps Modernes” dhe “J’accuse”, në të cilat do të flasë respektivisht për praninë e seksizmit në fushat politike dhe gazetareske, si dhe për të drejtat e grave të pamartuara.

Ende në temën e martesës, filozofja franceze çoi para një nga betejat më të vështira dhe më të rëndësishme në historinë e feminizmit: atë në lidhje me divorcin, e cila konsiderohej po ashtu një vepër penale, krim veçanërisht i neveritshëm nëse kryhej nga një grua, aq sa konsiderohej në të njëjtën kohë si braktisje e vërtetë e çatisë bashkëshortore.

Pikërisht për këto arsye, por jo vetëm, edhe për shumë arsye të tjera do të mbahet mend Simon dë Bovuar: për faktin se qe në gjendje të ngrinte zërin në favor të grave, për faktin që pati guximin të bënte t’i dëgjohej zëri dhe që, mbi të gjitha, vuri theksin në çështje të sikletshme dhe të padëshirueshme.

‘Sonte të dua kaq shumë’, letra e shkrimtares, më e bukura për dashurinë

I dashur! Dua të vazhdoj të shkruaj shumë gjëra të parëndësishme, por po më vjen gjumi. Gjumi nuk është më i fortë se dashuria; në të vërtetë, është një tjetër mënyrë për të ndjerë dashurinë e dikujt: të tulatesh mes batanijesh e të bësh sikur në vend të datës 28 shkurt, është 28 prill. Tani do të mbyll sytë, do të strukem në krahët e tu dhe do të fle me faqen pas supit tënd. Nelson, të dua shumë! Jam e jotja, më puth i dashur! Në fakt, nuk ka nevojë që gjërat t’i shkruash. Ti e di, Nelson, apo jo? Mos harro!

Nga Simone De BEAUVOIR

Natën e mirë, shpirt,

Sonte të dua kaq shumë, mes të gjitha atyre netëve që të dua aq shumë. Është natë e mirë, thuajse e butë (netët e bukura e të mjegullta më bëjnë gjithnjë të mendoj për ty, nuk e di pse). Parisi ishte i bukur, në një mënyrë të fshehtë e të trishtë. Kalova një ditë të bukur sepse shkova në një ekspozitë të mrekullueshme pikture. Ke dëgjuar ndonjëherë për Paul Klee? Ishte gjysmë gjerman, gjysmë zviceran dhe vdiq në vitin 1940. Ka bërë pikturat më poetike dhe tërheqëse që kam parë ndonjëherë. E njihja pak edhe më përpara, por për të nuk ka patur shumë ekspozita, sepse gjatë luftës ishte i ndaluar nga gjermanët si autor dekadent e të tjera me radhë. Sot ishin më shumë se njëqind vepra: një jetë e tërë, një njeri i tërë. Janë piktura vërtet magjepsëse, ndonjëherë abstrakte, ndonjëherë irreale. Por gjithsesi, kur del e shikon natën e vërtetë, mendon: po, është si në pikturë. E njëjta bukuri, i njëjti humor, i njëjti trishtim dhe gëzim në dritat e kuqe dhe të gjelbra të natës së vërtetë dhe në pikturat irreale me ngjyrat e mrekullueshme. Pra, sonte ndihem mirë. Mendoj se është një goxha kriter për letërsi apo art, kur të bën të ndihesh mjaft mirë që e ke shijuar. Këtë cilësi të çmuar e kanë edhe librat e tu dhe ti, pikërisht këtë kërkon nga një burrë ose grua, apo jo? Vetëm që të ndjesh: pra, bota ia vlen që është bërë, sepse shumë gjëra mund të ndodhin në të: kjo pikturë, ky libër, kjo dashuri, kjo buzëqeshje.

Hëngra drekë me një mësues nga Kolumbia dhe gruan e tij. Nuk më bënë të ndihesha mirë, nuk e bënë këtë botë që t’ia vlesh të jetosh. Por, u treguan shumë të mirë me mua në Nju Jork dhe ndjeva kënaqësi kur i takova dhe u fola për Amerikën. Ata më rrëfyen për shkrimtarin Capote, për të cilin më tregove edhe ti dhe më dhuruan një nga librat e tij. Jam kureshtare, por pak mosbesuese. Po ty, të pëlqen?

Tani në Francë kemi xhaz të mrekullueshëm, por zhvillohet në Nicë. Dëgjoj ndopak aty-këtu në radio. Të mërkurën tjetër pasdite, do të takojmë Armstrongun, do të pimë me të dhe negrot për të cilët nuk kuptove dot asgjë dhe në darkë do të shkojmë e ta dëgjojmë në “Salle Pleyel”, që për ne është si “Carnegie Hall”. Vendet janë tmerrësisht të shtrenjta dhe do të jetë jashtëzakonisht bukur, por unë kam pak dyshime. Druaj se do të jetë pak false, jo e vërtetë, por do të të tregoj. Miku im i vjetër, djali i ri me korno, është në Nicë si reporter dhe duket entuziast. I vetmi xhaz që është zgjedhur si francez në Nicë, është xhazi i tij  i vogël, ai që luan nëpër qilarë ku ndonjëherë (rrallë) shkoja edhe unë. Për këtë pati shumë frikë, debate dhe zemërim. Xhazi profesional është shumë i keq, por ky xhaz i vogël amator është i mirë. Këtë të riun me korno nuk e shoh më; është vërtet për të ardhur keq, por iu rrit mendja nga suksesi sipërfaqësor. Libri me të cilin mashtroi ka bërë shumë jehonë pastaj nxori të tjerë në të njëjtën mënyrë, me shumë gjëra të pahijshme, duke u shtirur sikur gjoja ishin libra amerikanë. Bëri shumë parà, por nuk do t’ia dijë për gjë tjetër: mjaftojnë paratë dhe emri në faqen e parë të gazetave. Është shumë e keqe mënyra me të cilën llastohen tani të rinjtë në Francë, ose kur shqetësohen për politikën, ose kur nuk duan t’ia dinë për të, si në rastin e këtij djaloshi.

Ndodhi diçka e pazakontë: të thashë që manifesti ynë politik qe një dështim, por dy ditë më parë nënshkruam një tjetër të këtij lloji; nuk e vramë shumë mendjen për të, sepse dukej po aq i pashpresë sa i pari. Pastaj e çuditshme, pati shumë sukses, të gjitha gazetat po flasin për të dhe që ta firmosnin erdhën socialistët, madje deputetët komunistë dhe u përgatitën takime të mëdha e të tjera. Të shohim si do të shkojnë gjërat. Ishte kaq e papritur, por e këndshme. Takuam një mik të vjetër, i cili dikur ishte miku ynë i ngushtë dhe tani është anëtar i RPF-së (për de Golin). Ishte e çuditshme, sepse ai vetë e kuptoi që e gjithë kjo punë qelbej dhe u mundua të na bindte se nuk binte erë, por e dinte fare mirë. Më bëhet qejfi për fitoren e vogël të shkrimtarit Wallace. Është mjaft domethënëse, apo jo? Mos vallë, sepse leksioni që mbajte qe shumë i mirë?

I dashur! Dua të vazhdoj të shkruaj shumë gjëra të parëndësishme, por po më vjen gjumi. Gjumi nuk është më i fortë se dashuria; në të vërtetë, është një tjetër mënyrë për të ndjerë dashurinë e dikujt: të tulatesh mes batanijesh e të bësh sikur në vend të datës 28 shkurt, është 28 prill. Tani do të mbyll sytë, do të strukem në krahët e tu dhe do të fle me faqen pas supit tënd. Nelson, të dua shumë! Jam e jotja, më puth i dashur! Në fakt, nuk ka nevojë që gjërat t’i shkruash. Ti e di, Nelson, apo jo? Mos harro!

(Nga Libri ” Një dashuri Transanlantike”)