“Ngjitëse”, filmi që sjell kontradiktat e realitetit të kohës

Suada Qorraj

Ndonëse numri i të papunëve në qytet dita ditës rritej, thirrjeve për punë që tashmë kishin zënë çdo mur, e skutë të po këtij qyteti nuk ju përgjigjej askush. Historia e këtij filmi ka dy personazhe, me një kontradiktë që i bënë bashkë. Një djalë i ri që quhej Toni punësohet nga Simoni, ky i fundit menaxher ndërtimi, për të ngjitur reklama pune në tërë qytetin. Por, për pakënaqësinë e Simon dhe hutimin e Toni, askush nuk u përgjigjet këtyre reklamave.

Në ditët e ngrohta e të freskëta të qershorit, në vendin ku fshihet e bukura dhe historia, pra pikërisht në qytetin e Shkodrës, filluan xhirimet e dokufiction “Ngjitëse”, i cili për herë të parë është shfaqur në e sivjetëm të Dokufestit.

I vetmi objektiv që i bashkon është gjetja e punëtorëve, ata janë shumë të ndryshëm nga njëri tjetri. Toni, një personazh i nënshtruar që nuk i thotë jo punës kurse Simoni me qëllimin e vetëm që të ruaj imazhin e tij përpara të tjerëve, ndjek Tonin gjersa ai ngjit posterat, ngase nuk i beson Tonit e as punës që ai bën.

Regjisori i këtij filmi Ardit Sadiku në një intervistë për KultPlus ka thënë se inspirimi i tij erdhi atëherë kur ai ngjiste vet postera teksa punonte për filmin e metrazhit të gjatë “Takim në Ajër”. Sipas tij teksa ai ngjiste postera njerëzit e shikonin me habi duke e pyetur madje se edhe cili është shpërblimi që ai merr.

“Jam inspiruar duke ngjitur vetë postera për filmin tim të fundit me metrazh të gjatë “Takim në Ajër”. Njerëzit më shikonin me habi dhe kureshtje, disa më pyesnin për kë punoni si dhe çfarë shpërblimi merrni. Gjatë pandemisë u rrit papunësia dhe më pëlqeu ideja “Kërkojmë Punëtorë” në poster”, ka deklaruar ai.

Sadiku ka treguar se nuk mban mend vështirësitë që ka kaluar në rrugën e krijimit të këtij filmi, por ai ka theksuar se filmi është xhiruar pa një skenar, në mënyrë rastësorë dhe të improvizuar.

“Fotografia principale ka zgjatur më pak se dy ditë, dhe finalizuar më pak se tre javë. Filmin e xhiruam pa skenar por e kisha të qartë se çfarë do xhironim, ka pasur improvizime si me personazhet ashtu dhe me kamera, sfida kam hasur si me çdo film por zakonisht i harroj vështirësitë sapo mbarojnë xhirimet”, ka deklaruar regjisori.

Krejt në fund Ardit Sadiku ka thënë se ai dëshiron që ta ftoj audiencën në diçka më të besueshme, si në personazhe ashtu në ngjarjet që zhvillohen në film, ngase në këtë mënyrë edhe mesazhi depërton më lehtë. Sipas tij mesazhi që ky dokumentar përcjellë dhe që mbase mund të duket thënie naive, është pikërisht fakti se atëherë kur ti do diçka duhet që me ngulm ta arrish. / KultPlus.com