Edhe një regjisor kosovar nisë rrugëtimin e tij në politikë

Nismës Socialdemokrate nga sot i është bashkuar edhe regjisori i njohur, Ben Apolloni. Në mjediset e selisë qendrore, mirëseardhje z. Apolloni i kanë uruar kryetari Limaj, sekretari Sherifi dhe kryetari i degës sonë në Kaçanik, Agim Çaka. 


Kryetari Limaj falënderoi regjisorin e njohur që ka zgjedhur Nismën Socialdemokrate për ta dhënë kontributin e tij profesional. Ai tha se Nisma i ka dyert të hapura për të gjithë ata që vlerësojnë se mund ta japin kontributin e tyre në shërbim të vendit. 

“Te Nisma Socialdemokrate ju do ta keni gjithë hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme. Nisma është parti e cila u rri afër njerëzve. Ne po tregojmë shembull se si qeveriset, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal”, tha Limaj.

Ndërsa regjisori Ben Apolloni, u shpreh për KultPlus se nuk është i kënaqur me vendin dhe se individët e zgjedhur në pozita nuk kanë shumë njohuri për vlerën e artit, andaj me synimin se do të ndryshoj për të mirë dhe do të ngrit vetëdijen qytetare dhe qeveritare për kulturë ka marrë vendimin përkatës së vetëm përmes politikës idetë e tij mund të shndërrohen veprime me rezultate të domosdoshme.

“Po, pas një kohe të gjatë që kam analizuar situatën në Kosovë, kam ardhur në përfundim që nuk mund të qëndrojmë  anash.  Ne të gjithë merremi me politikë (jemi qenie politike ka thënë Aristoteli), por këtu tek ne vetëm duke u angazhuar nëpër parti politike mund edhe t’i imponosh idetë tua. Unë nuk jam i kënaqur me gjendjen e vendit tim dhe dua ta ndryshoj. Këtë nuk kam mundur ta bëj përmes artit sepse njerëzit nëpër pozita nuk e dinë rëndësinë e artit, të kulturës dhe kam ardhur në përfundim që shtetin tonë të krijuar me shumë mund, ta marrim në dorë vetë, ne njerëzit që lexojmë, që shohim filma, që dëgjojmë muzikë… Shkurt e shqip ky vend ka nevojë për njerëz që mendojnë dhe veprojnë mirë dhe unë ketë gjë e bëj tërë kohën”.

Ben Apolloni ka mbaruar studimet për regji teatri dhe master për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë për dy vjet anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (mars 2011 – shtator 2013) dhe nga janari deri në qershor 2016, zv/kryeredaktor e më pas kryeredaktor i revistës “Plisi” në Cyrih të Zvicrës, deri në shtator 2016. Ka realizuar disa filma të shkurtër si regjisor e skenarist, të shpërblyer me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe disa shfaqje nëpër teatro të ndryshme në Kosovë e Maqedoni./KultPlus.com