Komiteti Paralimpik i Kosovës anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Pritjeve të shumta u ka ardhur fundi. Edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC).

Lajmin e ka konfirmuar për Komitetin Olimpik të Kosovës, presidentja e KPK-së, Njomza Emini. Sipas saj, është Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim.

“Bordi Ekzekutiv i IPC na ka pranuar me të drejta të plota. Nuk ka pasur asnjë votë kundër ose abstenim. Është lajm i shumëpritur, nga i cili do të përfitojnë më së shumti paralimpistët”, ka deklaruar Emini.

KOK ka siguruar edhe mesazhin e urimit të presidentit të IPC-së, Andrew Parsons, dëruar KPK-së. “Të dashur paralimpistë të Kosovës, mirë se vini në familjen paralimpike ndërkombëtare. Është privilegj për neve t’ju kemi anëtar. Ne ju mirëpresim në Lojërat Paralimpike Paris 2024. Do të jetë mahnitëse të shohim flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LP Paris 2024”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Parsons.

Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.

“Urojmë dhe besojmë që edhe përfaqësimi juaj ndërkombëtarë do t’i sjell Kosovës medalje të shumta, dhe pse jo edhe nga debutimi në Lojërat Paralimpike Paris 2024”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Përfundon edicioni i sivjetëm i Akademisë për Lidership, iu dedikua fuqizimit të vajzave dhe grave

Ky projekt i është dedikuar fuqizimit të vajzave dhe grave, për t’i përgatitur ato me sa më shumë njohuri për vendimmarrje, si dhe pjesëmarrje në jetën publike.

Drejtorja Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, znj. Njomza Emini, në prezencë të Ambasadorit gjerman, z. Joern Rohde, kryetarit të Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovëz, z. Skender Krasniqi, Ambasadores findlandeze, znj.Pia Stjernval, Ambasadores kroate, Danijela Barisiq, si dhe ministrit të Infrastrukturës, z. Arban Abrashi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe i falënderoi ata për prezencën e tyre në këtë ngjarje shumë domethënëse për vajzat e Akademisë, duke dëshmuar përkrahje për këtë kategori.

Ndër të tjera, znj. Emini tha: “A ka përfunduar misioni jonë me përfundimin e projektit?- Jo. Sepse, ne vetëm sa kemi filluar një rrugëtim të gjatë drejt arritjes së barazisë gjinore, rrugë në të cilën kemi shumë punë dhe duhet përkushtim i veçantë. Se a do të arrijmë të përmbushim objektivat tona, kjo varet shumë nga puna dhe mundi jonë i vazhdueshëm, dedikim të cilin duhet të vazhdojmë si në ditën e parë që kemi filluar”.

Ajo theksoi se krahas përgatitjes për lidership dhe tema të ngjashme, me rëndësi thelbësore ka qenë edhe mundësia për zhvillim profesional dhe punë praktike në institucione, organizata e biznese tjera, të cilat u kanë ofruar mundësi vajzave që kanë qenë pjesë e projektit, të kryejnë punë praktike administrative.

Andaj, me këtë rast falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Grupin e Grave Deputete, Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Komunën e Kamenicës, Kosovapressin, Komitetin Olimpik të Kosovës, Bankën TEB, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe Klan Kosovën, për mundësinë që u kanë ofruar vajzave për kryerjen e praktikës profesionale në këto struktura”, është shprehur znj.Emini.

Ndërsa, Ambasadorin gjerman dhe kryetari i Bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, falënderuan znj. Emini për organizimin, duke deklaruar mbështetje të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave në Kosovë, drejt përmirësimit të nivelit të pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. / KultPlus.com

Lansohet projekti ”Akademia e Udhëheqjes – Fuqizimi i grave dhe vajzave për proceset e vendimmarrjes”

Forumi për Lidership dhe Demokraci ka lansuar projektin ”Akademia e Udhëheqjes – Fuqizimi i grave dhe vajzave për proceset e vendimmarrjes”, projekt i mbështetur nga Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Kosovë – GIZ.

Njomza Emini, në cilësinë e themelueses së Forumit për Lidership dhe Demokraci, shpalli të hapur këtë projekt në prezencë të përfaqësuesve diplomatikë, pjesëmarrësve nga shoqëria civile dhe institucionet vendore, mediet dhe përfituesve, gra dhe vajza, të këtij projekti.

Ajo u shpreh e lumtur për lansimin e këtij forumi, i cili do t’i shërbejë barazisë gjinore në vend, ndërkaq falënderoi përzemërsisht të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme.

Në fjalën e tij, Ambasadori Gjerman në Kosovë, Christin Heldt, inkurajoi pjesëmarrëset për ngritjen e tyre profesionale, duke theksuar se barazia gjinore është parakusht për zhvillimin e shoqërisë në Kosovë.

Gjithashtu, në cilësinë e panelistësve, mbi sfidat që hasin gratë dhe vajzat në përfshirjen e tyre në vendimmarrje në Kosovë, pikëpamjet dhe përjetimet e tyre i ndanë edhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëv, denosje, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati dhe Merita Limani, hulumtuese për çështje gjinore.

Pjesëmarrësit u dakorduan për vazhdimin e aktiviteteve të ngjashme nga ana e Forumit për Lidership dhe Demokraci, që roli i vajzave dhe grave të jetë edhe më tepër i pranishëm në shoqëri, sidomos në funksione vendimmarrëse./KultPlus.com