Kampionia e botës, Sophie Sorschag, do të “fluturojë” për Kosovën

Komiteti Olimpik i Kosovës njofton se kampionia e botës, Sophie Sorschag, do ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Federata Skitare e Kosovës.

Postimi i plotë nga KOK:

“Kampionia e botës, Sophie Sorschag, do të “fluturojë” për Kosovë.

Një lajm i bujshëm ka ardhur nga Federata Skitare e Kosovës (FSK).

FSK ka arritur marrëveshje me skitaren e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, e cila Tani e tutje do ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare.

24-vjeçarja është kampione bote me Austrinë në ekipore për vitin 2021, ndërsa vitin e kaluar mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.

Marrëveshja mes drejtuesve të FSK-së, kryetarit Milaim Kelmendi e nënkryetarit Bujar Turjaka dhe ekipit të Sorschag, u arrit sot në Ljubljanë të Sllovenisë.

I urojmë shumë fat e suksese Sorschagut në fanellën e Kosovës”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

KOK fiton çmim për dokumentarin “Kosova e Artë” në Kampionatin Botëror të Filmit Sportiv në Itali

Komiteti Olimpik i Kosovës ka fituar një nga çmimet që janë ndarë në edicionin e 40-të të Kampionatit Botëror të Filmit Sportiv, të organizuar për pesë ditë në Milano të Italisë.

KOK-ut iu nda çmimi “Mention D’Honneur” në kategorinë “Shpirti Olimpik”.

Dokumentari i dedikohet rrugëtimit të dy kampioneve tona olimpike Tokio 2020, xhudisteve Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Çmimin, autorit të dokumentarit, Kushtrim Krasniqi, ia ndau presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kinemasë Sportive Televizive (FICTS), Franco Ascani.

Rreth 300 mysafirë ishin të pranishëm në ceremoni, mes tyre edhe personalitete të larta nga Komiteti Olimpik i Italisë, Ministria e Sportit të Italisë, drejtues të Federatave Ndërkombëtare, medalistë olimpikë, ish futbollistë të mirënjohur, regjisorë, producentë, etj.

Me një video mesazh të pranishmit i përshëndeti edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

140 filma (dolumentarë) sportivë nga mbi 100 shtete kishin aplikuar për çmime./ KultPlus.com

Komiteti Paralimpik i Kosovës anëtarësohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Pritjeve të shumta u ka ardhur fundi. Edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC).

Lajmin e ka konfirmuar për Komitetin Olimpik të Kosovës, presidentja e KPK-së, Njomza Emini. Sipas saj, është Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim.

“Bordi Ekzekutiv i IPC na ka pranuar me të drejta të plota. Nuk ka pasur asnjë votë kundër ose abstenim. Është lajm i shumëpritur, nga i cili do të përfitojnë më së shumti paralimpistët”, ka deklaruar Emini.

KOK ka siguruar edhe mesazhin e urimit të presidentit të IPC-së, Andrew Parsons, dëruar KPK-së. “Të dashur paralimpistë të Kosovës, mirë se vini në familjen paralimpike ndërkombëtare. Është privilegj për neve t’ju kemi anëtar. Ne ju mirëpresim në Lojërat Paralimpike Paris 2024. Do të jetë mahnitëse të shohim flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LP Paris 2024”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Parsons.

Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.

“Urojmë dhe besojmë që edhe përfaqësimi juaj ndërkombëtarë do t’i sjell Kosovës medalje të shumta, dhe pse jo edhe nga debutimi në Lojërat Paralimpike Paris 2024”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com