Ekspozita për Nënën Terezë, përgjigje ndaj atyre që duan t’i përvetësojnë figurat kombëtare shqiptare

Është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente për të shenjtën Nënë Tereza, e titulluar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespodenca”, me ç’rast është vlerësuar edhe si përgjigje ndaj atyre që duan të përvetësojnë figurat kombëtare të popullit shqiptar.

Kështu ka thënë drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani. Ai njëherësh ka theksuar se fotografitë dhe letërkëmbimet e ekspozuara në fund do t’i dhurohen Ipeshkvisë së Kosovës, përcjell kp.

“Më 26 gusht të vitit të kaluar u përpilua kjo ekspozitë dhe rezultoi që për herë të parë t’i jepet përgjigje atyre që cenojnë dhe dëshirojnë të përvetësojnë figura të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza… që lidhen drejtpërdrejt edhe me identitetin tonë shqiptar”, tha ai.

Sekretari i Institutit të Historisë në Prishtinë, Gjon Berisha ka vlerësuar ekspozitën si një ngjarje të veçantë kushtuar njeriut të përbotshëm Nënës Terezë.

“Kjo ekspozitë e cila organizohet për nder të një ndër personaliteteve kryesore shqiptare Nënës Terezë.. është një ngjarje mjaft e rëndësishme për një njeri të përbotshëm, i cili nuk kishte ushtarë, nuk kishte armatë dhe para, dhe arriti të pushtojë botën… përmes një vepre mjaft të madhe, dashurisë… Kjo ekspozitë është një pikë ujë në oqeanin e madh të veprës së Nënës Terezë, e cila arriti ta sfidojë botën dhe arriti të prek edhe zemrat e personaliteteve të mëdha”, tha ai.

Në fjalën e tij të rastit, Vikar Gjeneral i Kishës Katolike të Kosovës, Don Lush Gjergji është ndalur tek një fotografi e Nënë Terezës ku dëshmohet fakti se ajo ka ndjekur mësime në gjuhën shqipe, e mbajtja e librit në dorë, dëshmon edhe dëshirën e saj për të lexuar.

“Nëna Terezë vet më ka thënë se 8 vite i kam kryer në gjuhën shqipe, por ju e dini se dokumentet tona shpeshherë i han nëntoka ose lufta, ose bombardimet, ose pakujdesi, ose hajnia e dikujt… Por deshi Zoti që kjo fotografi ta ketë në prapavijë dërrasën e zezë, dhe në dërrasë të zezë sikur të kishte dashur Zoti të shkruante: Shkolla katolike shqiptare ‘Zemra e Krishtit’, dhe viti shkollor 1922-1923, dhe e kemi Nënën Terezë e vetmja… me libër në dorë”, tha ai.

Në fund ai bëri ftesë që të lexohen materialet e publikuara në mënyrë që të kuptohet qartë shtegtimi dhe rëndësia e këtij shtegtimi të Nënës Terezë, që sipas tij lidhi mbarë globin.

“Nuk është një ekspozitë e cila duhet vetëm të kalohet dhe shikohet. Kisha thënë, ndaluni pak dhe lexoni atë që është paraqitur, dhe do ta keni shumë të qartë lidhjen Prizren-Shkup, Shkup-Zagreb, Zagreb-Irlandë, Irlandë-Kalkutë dhe Kalkutë e botë. Ky ishte shtegtimi i saj, ajo ishte shtegtarja e mbarë njerëzimit dhe ajo dëshmoi fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë”, tha ai.

Ekspozita do të jetë e hapur për disa ditë në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ndërsa është organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në bashkë-organizim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Ipeshkvinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com