Sot mbahet ligjërata e dytë e Seminarit të Antropologjisë, me Nora Visoka-Weller

Më 21 nëntor 2019, në kuadër të Seminarit të Antropologjisë, në Departamentin e Antropologjisë do të ligjërojë Nora Visoka-Weller, doktorante në Departamentin e Arkeologjisë, Universiteti i Cambridge-it (Mbretëria e Bashkuar), thuhet në një njoftim të këtij departamenti në Facebook.

Hulumtimi i saj fokusohet në praktikat më të mira të mbrojtjes, ruajtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore, me theks në mjediset shoqërore të vendeve postkonfliktuale. Hulumtimi i saj më i fundit “Trashëgimia atrocitare dhe statusi i të masakruarve: rasti i Kosovës 1998-1999” (2019) heton vendet e historisë dhe trashëgimisë së errët, varrezat masive dhe mbetjet njerëzore nga masakrat, kundruall nocionit të trashëgimisë kulturore.

Më parë, Visoka – Weller ka punuar si hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, në Afrikën e Jugut. Ajo punoi si këshilltare e Kombeve të Bashkuara mbi kontrollin e armëve dhe zhvillimin shoqëror në vendet postkonfliktuale në Shqipëri, Qipro, Lindje të Mesme dhe disa pjesë të Afrikës Jugore.

Ajo mori vlerësime nga Departamenti i Shtetit (SHBA) dhe Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo është nominuar për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017″ nga Global Women’s Network London.

Nora Visoka – Weller ka kryer studimet në drejtësi në Kolegjin “Lucy Cavendish”, në Universitetin e Cambridge-it, trashëgiminë arkeologjike dhe muzetë në “Selwyn College”, Universitetin e Cambridge-it, transformimin i konflikteve në Vermont (SHBA). Specializimi i saj ligjor është në ligjet mbi artin nga Instituti Sotheby’s në Los Angeles (CA).

Kjo ligjeratë mbahet sot në ora 16.00 në sallën 5 në katin përdhesë në Fakultetin Filozofik. / KultPlus.com