Sot mbahet ligjërata e dytë e Seminarit të Antropologjisë, me Nora Visoka-Weller

Më 21 nëntor 2019, në kuadër të Seminarit të Antropologjisë, në Departamentin e Antropologjisë do të ligjërojë Nora Visoka-Weller, doktorante në Departamentin e Arkeologjisë, Universiteti i Cambridge-it (Mbretëria e Bashkuar), thuhet në një njoftim të këtij departamenti në Facebook.

Hulumtimi i saj fokusohet në praktikat më të mira të mbrojtjes, ruajtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore, me theks në mjediset shoqërore të vendeve postkonfliktuale. Hulumtimi i saj më i fundit “Trashëgimia atrocitare dhe statusi i të masakruarve: rasti i Kosovës 1998-1999” (2019) heton vendet e historisë dhe trashëgimisë së errët, varrezat masive dhe mbetjet njerëzore nga masakrat, kundruall nocionit të trashëgimisë kulturore.

Më parë, Visoka – Weller ka punuar si hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, në Afrikën e Jugut. Ajo punoi si këshilltare e Kombeve të Bashkuara mbi kontrollin e armëve dhe zhvillimin shoqëror në vendet postkonfliktuale në Shqipëri, Qipro, Lindje të Mesme dhe disa pjesë të Afrikës Jugore.

Ajo mori vlerësime nga Departamenti i Shtetit (SHBA) dhe Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo është nominuar për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017″ nga Global Women’s Network London.

Nora Visoka – Weller ka kryer studimet në drejtësi në Kolegjin “Lucy Cavendish”, në Universitetin e Cambridge-it, trashëgiminë arkeologjike dhe muzetë në “Selwyn College”, Universitetin e Cambridge-it, transformimin i konflikteve në Vermont (SHBA). Specializimi i saj ligjor është në ligjet mbi artin nga Instituti Sotheby’s në Los Angeles (CA).

Kjo ligjeratë mbahet sot në ora 16.00 në sallën 5 në katin përdhesë në Fakultetin Filozofik. / KultPlus.com

Dua Lipa mban ligjëratë në Universitetin e Kembrixhit, kërkon të thyhen normat gjinore

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa mbrëmë është rikthyer në Instagram me pyetjen “A ju kam munguar?”, shkruan KultPlus.

Ky rikthim erdhi pas disa ditëve prej kur Lipa kishte fshirë të gjitha postimet nga Instagrami.

Ajo ka vazhduar me publikime sot, ku pas videos se mbrëmshme, ajo sot ka publikuar fotografi nga fjalimi që ka mbajtur në Universitetin e Kembrixhit.

Gjatë këtij fjalimi, Dua foli rreth asaj se çfarë e bën të pëlqyer një grua të re në industrinë e muzikës dhe rreth thyerjes së normave gjinore.

Poshtë këtyre fotografive ajo ka shkruar:

“Të hënën isha në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit për ta mbajtur një fjalim në lidhje me atë se çfarë të bën të pëlqyer si grua e re në industrinë e muzikës, veçanërisht në medie dhe medie sociale. Po ashtu diskutuam rreth asaj se çfarë mund të bëjmë për ta bërë ndryshimin e mirëpritur si shoqëri për t’i thyer normat gjinore. Prindërit e mi ishin të lumtur që më në fund unë ia dola mbanë”. / KultPlus.com

Arkitektë botërorë ligjërojnë në Festivalin e Arkitekturës

Ka nisur aktivitetet njëri ndër organizimet më të mëdha të arkitekturës në Kosovë, “Kosovo Architecture Festival”.

Edicioni i shtatë i këtij festivali këtë vit ka paraqitur programin e larmishëm, ku do të ligjërojnë emra të njohur të arkitektëve botërorë.

Jeffrey Shumaker, Marcus Fairs, Jessica Bizzoni, Celine Baumann dhe Dean Lah janë vetëm disa nga arkitektët të cilët eksperiencën dhe sfidat e arkitekturës do t’ua paraqesin të gjithë arkitektdashësve në Kosovë.

Ditën e enjte në kinemanë “Armata” është mbajtur punëtoria e parë e këtij aktiviteti. Jessica Bizzoni, artiste e përkushtuar për mjedisin e ndërtuar, teknologjinë dhe përdorimin e hapësirës, që pasqyron sjelljet bashkëkohore të jetës së përditshme, në punëtorinë e zhvilluar ka folur për “Diellin Elektrik”.

Një pjesë e projektit të saj “Electric Sun” është ekspozuar në Itali, në Gjermani dhe në lokacione të ndryshme në Antwerp.

Punëtoria ka ngjallur interesim e debat, studentët e arkitekturës shtruan vazhdimisht pyetje rreth çështjeve preokupuese të temës.

Bizzoni, e cila në Prishtinë po qëndron në kuadër të Festivalit të Arkitekturës, ka folur për ndikimin e dritës elektrike në kohën tonë, si dhe përdorimin e saj, theks të veçantë i ka drejtuar edhe mënyrës sesi i përshtaten banorët e Prishtinës dritës artificiale. Ky interesim ka çuar në studim Bizzonin, ajo ka bërë një analizë, ku sipas studimeve kryeqytetasit nuk po dalin të jenë shumë dashamirë të dritës artificiale. “Ne analizuam edhe si sillen njerëzit në errësirë. Nëse ata ecin gjatë dritës artificiale ose preferojnë të qëndrojnë në errësirë. Ajo çfarë kuptuam është se në bulevardin kryesor njerëzit preferojnë të qëndrojnë më shumë në errësirë, bile-bile shumica prej tyre”, u shpreh ajo.

Pjesë tjetër fokusi ishte edhe rëndësia e madhe që ka laramania e ngjyrave.

Sipas Bizzonit, laramania do të mundë të krijonte një identitet të caktuar për Prishtinën, i cili nuk ishte menduar të krijohej më parë. “Një tjetër gjë që e analizuam në Prishtinë janë edhe ngjyrat e dritës, sepse ngjyra dhe rrezatimi krijojnë një atmosferë të caktuar dhe në këtë mënyrë krijohet edhe identiteti i qytetit. Kur filloni të luani me më shumë ngjyra ju mund të krijoni një identitet, i cili nuk ishte planifikuar më parë të krijohet”, theksoi ajo.

Sipas studiueses, në kontrast me Kosovën holandezët e preferojnë më shumë dritën elektrike. Kjo për shkak se Bizzoni përmendi edhe shtëpitë e gjelbra në Venlo të Holandës, që përdorin dritë artificiale. Sipas saj, ato janë tejet të ndriçuara dhe mund të shihen nga një largësi prej 10 deri në 20 kilometrash.

Jessica Bizzoni ka përmendur edhe disa nga rreziqet e përzgjedhjes së gabuar të ngjyrave te drita artificiale. Ajo ka theksuar se një formë shumë e zakonshme ndaj së cilës i ekspozohemi më shumë rrezikut ndaj dritës artificiale është edhe drita e kaltër nëpër ekrane të telefonit ose të kompjuterit.

Artistja 29-vjeçare nga Italia ka përmendur dy ngjyra të tjera alternative, të cilat do të mund ta zëvendësonin ngjyrën e kaltër. “Ekziston aplikacioni i cili e bllokon ngjyrën e kaltër në telefon. Ekrani i telefonit dhe i kompjuterit emeton ngjyrën e kaltër. Ngjyra e kaltër në këto pajisje nuk është e mirë për njerëzit, veçanërisht gjatë natës. Tashmë është një opsion për ta shmangur emetimin e ngjyrës së kaltër. Opsioni është që të bëhet ekrani i verdhë ose ngjyrë portokalli, sepse kur përcillet ngjyra e kaltër gjatë natës balanca në mes srotoninës dhe melatonins nuk është më stabile dhe nuk prodhojmë më serotonin, për këtë arsye duhet t’i mbajmë gjithmonë larg vetes”, vlerësoi ajo.

Rikujtojmë se “Electric Sun” është pjesë e projektit “Inhabit the artificial night scape” dhe është ekspozuar ndër të tjera edhe gjatë Equilibrio Sottiles në “Fotografica 2018”, e kuruar nga Denis Curti dhe në Muajin Evropian të Fotografisë në Berlin, në vitin 2018.

Në vrazhdën e aktiviteteve Festivali i Arkitekturës do të vazhdojë ligjëratat e punëtoritë edhe me Robert Potokarin, i cili është fitues i 19 çmimeve të para në garat publike. Në vitin 2015 Potokar ka fituar titullin profesor në Universitetin e Mariborit.

Celine Baumann, arkitekte e peizazhit me bazë në Zvicër, do të paraqitet me ligjëratë para publikut kosovar. Ligjërata do të paraqesë studimin më të fundit të studios, duke vënë në pyetje nocionet e gjithëpërfshirjes, barazinë gjinore dhe sociale. Hulumtimi i saj është i bazuar në një qasje praktike për të diskutuar çështjet shoqërore brenda praktikës arkitekturore, ka për qëllim të vërë në pyetje vendin e individit në sferën publike.

Dean Lah ka themeluar zyrën arkitektonike “Enota”, ku punon si arkitekt dhe partner. Jeffrey Shumaker udhëheq konsullencën e tij “URBANscape” që nga viti 2002, ai punon në krijimin e ambienteve të mira për të jetuar, punuar e studiuar dhe këtë festival do të mbajë punëtori të veçantë për arkitektët e rinj.

Festivali i Arkitekturës partnerë ka kinemanë “Armata”, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Inovation Centre Kosovo” dhe “Dezeen”./Zeri

Ministri Gashi mbajti ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik

Nën organizimin e Organizatës Studentore Reforma dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mbajti një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Tema të cilën ministri Gashi e ka trajtuar para studentëve, ishte: Trashëgimia Kulturore e Kosovës dhe UNESCO.

Në kuadër të kësaj, ministri Gashi fillimisht shpalosi aktivitetet që Ministria të cilën ai e drejton, është duke bërë në aspektin e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të cilat pasqyrojnë vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Si hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi, ministri Gashi e cilësoi përgatitjen e draft Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit. Ndërsa gjatë diskutimit të çështjes së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ministri Gashi tha se “është duke u bërë një punë e madhe në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive tona në mënyrë që në vitin 2019, Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”.

“Në koordinim edhe me dikasteret tjera që ndërlidhen me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, siç janë: Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, jemi duke u angazhuar maksimalisht si në aspektin e përmbushjes së obligimeve tona ndërinstitucionale, po ashtu edhe në aspektin e lobimit tek vendet anëtare të UNESCO-s në mënyrë që të arrihet një përkrahje sa më e madhe dhe Kosova të kaloj me sukses procesin e votimit që do të mbahet në vitin 2019 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”, tha ministri Gashi.

Në përfundim të ligjëratës së tij, ministri Gashi ju dha hapësirë edhe studentëve të pranishëm që me komentet apo pyetjet e tyre të jenë pjesë aktive e kësaj ligjërate. Studentët, duke e vlerësuar si të suksesshme punën e ministrit Gashi, përmes pyetjeve të tyre, arritën të ngrinin për diskutim shumë çështje të rëndësishme dhe me interes rreth Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Gjatë kësaj ligjërate, nga studentët, ministrit ju kërkua që të përkrahet ideja që brenda hapësirave të kampusit universitar të bëhet një muze në të cilin do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, gjë të cilën ministri Gashi e mirëpriti dhe u zotua se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të jap maksimumin në mbështetje të realizimit të kësaj ideje shumë të qëlluar.

Në mbyllje të kësaj ligjërate, organizatorët e falënderuan ministrin për ligjëratën dhe duke qenë mirënjohës për punën që po bënë, ata inkurajuan ministrin që të vazhdoj edhe më fuqishëm në angazhimet e tij në të mirë të studentëve dhe rinisë në përgjithësi./KultPlus.com

Përparim Rama: Pata menduar që është mirë ta bëjmë një Park të Memorialëve

Alberina Haxhijaj

Arkitekti Përparim Rama ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për të diskutuar me studentët dhe të pranishmit rreth temës “Përtej Memorialëve”, duke vënë në fokus projektin e tij për kompleksin memorial “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Ai fillimisht kujtoi momentin kur si i vogël shëtiste rreth Fakultetit Filozofik, ku edhe u mbajt diskutimi. Po ashtu kur kalonte kohë edhe afër Bibliotekës Kombëtare, ndërtesë kjo që ka ndikuar që ai të bëhet arkitekt.

Arkitekti Përparim Rama, këshilloi studentët që ajo që ka më shumë rëndësi është lidhshmëria që krijojnë njerëzit me ndërtesat dhe ndikim që kanë këto të fundit të njerëzit. Prezantuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në vitin 2012 tha se interaksioni me hapësira është një ndër elementet kyçe te secili projekt që ai e bënë.

Këtë element ai e ka përfshirë edhe në memorialin Adem Jashari projektin e të cilit ai e ka realizuar në vitin 2012 mirëpo që ishte refuzuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Ideja kyçe e memorialit është që përveçse restaurimit dhe konservimit vizitorët të mund të afrohen sa më afër ngjarjes dhe mënyrës sesia ajo ka ndodhur. Pikërisht për faktin se tashmë ekzistojnë edhe mënyra të ndryshme teknologjike të cilat ne mundemi me i shfrytëzuar për të sjellë një përjetim sa më real afër vizitorëve”, u shpreh ai duke diskutuar për elementet që përbente projekti i tij më në detaje.

Në këtë diskutimi është folur edhe për ndërtimin e memorialëve nga ana e familjes diçka e cila është konsideruar një temë shumë e ndjeshme.

“Memorialët të cilat janë ndërtuar kryesisht në hapësira publike, rrugë, sheshe, apo edhe nëpër vende të tjera lënë ndikim te shoqëria. Në qoftë se nuk janë të menduara mirë lënë ndikimi negative edhe pse ato nuk janë ndërtuar me asnjë prapavijë pas tyre. Pata menduar që do të ishte mirë që të bëjmë një park të memorialëve ku mblidhen këto dhe në një mënyrë të ju ofrojmë strehim, një shpi, pra mos të i lëmë nëpër rrugë. Pra një vend ku do të mbroheshin institucionalisht dhe tregimi do të rrëfehej në atë mënyrë që të mos krijojë ndikim negativ”, tha Rama.

Sipas tij ndërtimi i memorialëve në hapësira publike është bërë pikërisht pas çlirimit kur ka ndodhur një vakum në sistemin shtetëror, kështu njerëzit e kanë konsideruar hapësirën publike si të tyren.

Profesoresha Linda Gusia e cila e kishte ftuar arkitektin Përparim Rama për këtë ligjëratë u shpreh se pjesa më e dhimbshme kur kemi të bëjmë me kujtesën kolektive sa i përket periudhës së luftës është zhdukja e anës humanitare te ngjarjet të cilat kanë lidhje me luftën.

“Kur kam vizituar shtëpinë e Jasharajve pas sulmit ka pasur shumë bredha e gëzhoja, pastaj gjësendet që i kanë lënë nëpër shpi anëtarët, e që të gjitha këto sot janë largu. Ajo që më shqetëson në përgjithësi të kumtesa e luftës është një gati dehumanizim. Në këtë procesin e heroizmit po i dehumanizojmë, po e zhveshim prej elementit njerëzor ngjarje”, tha ajo duke treguar se çfarëdo kujtimi që do i bëhet këtij memoriali duhet që të ketë në vete aspektin familjarë duke përfshirë gratë dhe fëmijët e kësaj familje.

Kujtojmë se projektin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e ka fituar kompania sllovene “AG-Inzineering”, e që kosto e tyre ka dalë 6 milionë euro, si parashikim për punën që do zgjaste 2 vite. Shuma e njëjtë që ishte ofruar nga arkitekti Rama për projektin e tij./ KultPlus.com

GKK sjellë ligjëratë lidhur me teknikat e përdorura nga çifti Todorov

Galeria Kombëtar e Kosovës sjellë sot ligjëratë mbi teknikat e përdorura nga çifti i artistëve Todorov, të cilët do të flasin mbi inovacionet me materiale të letrës dhe skulpturat elementare, ekspozitë e cila u hap mbrëmë në GKK, shkruan KultPlus.

Todor Todorovi do të prezentoi “Skulptura elementare”, teoria dhe praktika nga e cila paraqet një vështrim të ri mbi skulpturën bashkëkohore dhe lidhjen e saj me elementet natyrore. Daniela Todorova do të flas për “Inovacionet në letër” duke përfshirë kontributin e artit në letër përmes Sofje Letër Art Festit në Jetën Kulturore Evropiane.


Projekti Inovacion në Letër do të zhvillohet nën patronazhin e Sh.T.Z.. Nedyalcho Danchev Dimitrov, Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë dhe do të shënojë Presidencën e Bullgarisë të Këshillit të Evropës.
Kjo ligjeratë mbahet sot, më 25 Prill 2018 në GKK , duke filluar nga ora 17:00./ KultPlus.com