Rritje e numrit të vizitorëve, muzeu ‘Onufri’ i hapur edhe ditëve të hëna

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat njoftoi se Muzeu Ikonografik “Onufri” do të qëndrojë i hapur edhe ditëve të hëna deri në fillimin e sezonit zyrtar veror.

Ky vendim është marrë duke parë numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve në këtë muze, por edhe në objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në qytetin e Beratit.

Ditëve të hëna “Onufri” do të mikpresë vizitorët në orarin 09:00-14:00.

Muzeu Ikonografik “Onufri“ ndodhet në brendësi të kalasë së Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e katedrales “Fjetja e Shën Marisë“. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1797, por mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Sipas të dhënave historike, katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur ambientet e komuniteteve fetare i kaluan në administrim shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. /atsh/ KultPlus.com

Del numri i ri i revistës ‘Jeta e Re’

Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një in memoriam për Ismail Kadarenë, shkrimtarin tonë me famë.

Kështu, në një hapësirë prej 70 faqesh botohen me këtë rast dy shkrime studimore për veprën e Kadaresë: “Arti i dhembjes universale” i Ibrahim Rugovës dhe “Kronika dhe fragmente” (Për romanet e Kadaresë ) i James Wood-it. Rubrika vazhdon me prozat “Tri këngë zie për Kosovën”, “Vdekja e gruas ruse” dhe  “Dosja e Orfeut”, për të përfuanduar me një cikël poezish të përzgjedhura.

Ndërkaq, në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Kukulla” i Ibrahim Kadriut, “Stacioni i autobusit” dhe  “Mashtrimi” të Ibrahim Berishës, “E pabëra” i Arif Kutleshit, “Topthqimesh” i Margaret Atwood, “Dera e gjelbër” i O.Henry-it dhe “Martiri” i Pero Chiara-s.

Me nga një cikël poezish vijnë Rexhep Ferri, Alket Çani, Qerim Raqi, Tomas Transtromer, Izet Sarajliq, Julia Hartwig dhe Ivano Ferrari, kurse në rubrikën Intervista këtë herë është botuesi dhe shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Pas absolutizmit  të realitetit”  të Hans Blumenberg-ut, për të vazhduar me “Nga studiuese e letërsisë në krijuese e letërsisë” të Floresha Dados, “Udhëtimi lirik i Sali Bashotës në Matanë dashurisë është një lumë” të Serafina Lajçit, “Proza konceptuale” (Mbi prozën “Anonim Wor(l)d” të R. Murteza Shalës) të Halim Halimit, “ Transformimi i modaliteve kulturore dhe zhanrore në romanin bashkëkohor” (për romanin “Vdekja e Omerit” të Adil Ollurit) të Leonora Hajres, “Dritarja e Martin Shkrelit”: retrospektivë mbi fatin e individit dhe qenësinë e një kombi” i Rrezarta Morinës.

Në rubrikën Recensione paraqiten Abdullah Rexhepi me “Kontributi i Sami Frashërit për gjuhën turke”, Kastriot Kurti me “Momenti prusian” dhe Laura Ferizi Haradinaj me “Një vështrim mbi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Qerim Raqi, E. Gjerqeku e A. Shkreli, Azem Qazimi, Ilir Breca, Ingrid Orgocka, Arben Idrizi dhe Alfred Beka.