Përmes punimit “Nusja”, artistja Blerta Syla-Surroi kërkonte ‘martesë’ me BE-në (FOTO)

Bujar Meholli

9 Maji, e njohur si Dita e Evropës çdo vit është shënuar me lloj-lloj aktivitetesh dhe mesazhe që artistët shqiptarë kanë dashur t’i përçojnë, shkruan KultPlus.

Artistët kosovarë, duke qenë se Kosova ngeli vend i izoluar në mes të Evropës, çdoherë kanë shfaqur tendencën që përmes veprave artistike t’ia bëjnë me dije Evropës se populli shqiptar është evropian dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë me popujt e tjerë të kontinentit.

Artistja e njohur Blerta Syla-Surroi ka publikuar sot në rrjetin social Facebok një punim të sajin mjaft interesant të vitit 2005 të titulluar “Nusja”, në të cilën ajo shfaqet e veshur si nuse me vello teksa mban flamurin e Evropës të varur poshtë.

Për KultPlus artistja tregon se si u frymëzua për ta realizuar këtë punim, i cili ishte pjesë e ekspozitës kolektive “Arti modern i kohës” në Galerinë e Arteve të Kosovës.

Ajo thotë se ndiente nevojën e të shprehurit nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës.

“Si qytetare e këtij vendi dhe si artiste  ndjeja nevojë të shprehesha nëpërmjet artit për të ardhmen e Kosovës”, thekson ajo duke vazhduar:

“Ideja apo dëshira ka qenë e thjeshtë. Të jemi shtet i pavarur dhe të jemi pjesë e integrimeve evropiane. Pra, të lidhim ‘martesë’ me  BE-në. Ishte pyetje dhe preokupim i përhershëm e ardhmja e Kosovës. Kështu më lindi ideja e krijimit të këtij punimi, në të cilin dëshiroja ta gërshetoja traditën dhe modernen”.

Megjithatë, pasi kanë kaluar 15 vjet nga punimi i Syla-Surroit, Kosova vazhdon të mbetet e izoluar, megjithëse populli kosovar konsiderohet si më pro evropiani në rajon.

“Imagjinoni ku jemi sot 15 vjet më vonë dhe ende presim ‘mësit’ politik”, shprehet ajo për këtë paradoks.

Shumë artistë shqiptarë tashmë kanë ‘pushtuar’ skenat evropiane dhe botërore, duke dëshmuar se nga një popull siç jemi ne mund të dalin emra të shquar qoftë në art, kulturë, sport apo shkencë. Andaj porta e BE-së duhet të hapet për popullin shqiptar. /KultPlus.com

Historia e fotografisë ku nusja qan e tmerruar

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qenë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik.

Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.”.

Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.

Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator./ KultPlus.com