Në Prishtinë do të ndërtohet obelisk në kujtim të viktimave të COVID-19

Komuna e Prishtinës ka ndarë një lokacion për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në shenjë nderimi të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.

Ata që vdiqën nga COVID-19 në Kosovë do të mund të kujtohen çdo herë, nëpërmjet një simboli që pritët të ndërtohet në nderim të tyre.

Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm e Komunës së Prishtinës ka shqyrtuar kërkesën, drejtuar Kryetarit të Komunës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë (Oda e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, Oda e Infermierëve dhe Oda e Fizioterapeutëve) të Kosovës, për vendosjen e obeliskut në shenjë mirënjohje për profesionistët shëndetësorë dhe në nderim të atyre që kanë ndërruar jetë nga virusi COVID-19.

Kjo drejtori sipas kërkesës së lartcekur nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës dhe në bashkëpunim me zyrtarët e kësaj drejtorie, ka identifikuar lokacionin e kërkuar për vendosjen e këtij obelisku, i cili gjendet në kuadër të Planit rregullues urban “Prishtina e Re – Zona Perëndim” i miratuar me Vendimin e KK të Prishtinës,01. nr.35-186850, dt. 02.10.2013, sipas të cilit kjo zonë është paraparë të jetë për infrastrukturë rrugore.

“Lokacioni i kërkuar/propozuar shtrihet në pjesë të parcelës kadastrale,nr.2723-0, ZK Prishtinë, në pronësi – Pronë shoqërore, KK Prishtinë. Është propozuar që obelisku në fjalë të vendoset në hyrjen kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, andaj në aspektin e planifikimit nuk paraqet ndonjë pengesë për caktimin e lokacionit sipas kërkesës nga Odat e Profesionistëve Shëndetësorë të Kosovës”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës, të cilin e ka parë lajmi.net, e i cili do të miratohet edhe në Asamble.

Sipas këtij vendimi, bazuar në gjendjen faktike, konstatohet se hapësira ku do të vendoset obelisku është pjesë e infrastrukturës rrugore, përkatësisht sipërfaqe e gjelbëruar, andaj gjatë vendosjes së tij duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë ambientit. Propozohet që të vendoset në madhësi, formë dhe material të përcaktuar sipas kërkesës së parashtruar (gjerësi 2.5 m dhe gjatësi 10 m). / KultPlus.com

Obelisku për mjekë do vendoset tek “Rrethi i Spitalit”

Oda e Mjekëve të Kosovës ka vendosur që për të gjithë mantel-bardhët e rënë në front të pandemisë të iu ngrihet një obelisk si shenjë kujtimi dhe falënderimi për ta.

Ky monument ka për qëllim që të përfshijë edhe sakrificën dhe punën e profesionistëve shëndetësorë  që janë ende gjallë, por të cilët kanë kontribuar për sistemin shëndetësor brenda këtyre dy dekadave.

Këtë ide e kanë mbështetur edhe odat e lëmive të tjera të mantel-bardhëve.

Ky projekt së shpejti pritet të hidhet në proces të tenderimit.

OMK veçse e ka menduar lokacionin se ku do të mund të vendoset ky monument.

Është vendi i ashtuquajtur “Rrethi i Spitalit”, hapësirë kjo që gjendet në afërsi të qendrës spitalore, ku për këtë duhet miratimi i asamblesë komunale të Prishtinës. /kk/ KultPlus.com