Makinat retro, atmosferë vintage e muzikë në sheshin ‘Skënderbej’

Atmosferë festive e vintage, muzikë dhe zhurma e makinave të vjetra iu rikthye Tiranës në këto ditë të fundit të prillit, ndërsa nostalgjikët kanë mbushur sheshin “Skënderbej” ku po ekspozohen mjetet historike.

Makinat, një ndërthurje e bukur e traditës, bashkëkohores dhe të vjetrës, janë vizituar nga qytetarë të shumtë që fiksuan në telefonat e tyre fotografi para këtyre makinave.

Sheshi “Skënderbej” dukej si një ekspozitë e hapur ku makinat historike të japin ndjesinë se po jeton në një tjetër periudhë kohe.

Qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” shprehën nostalgjinë dhe kuriozitetin e tyre për këto makina. Makinat retro kanë ngjallur nostalgjinë e më të vjetërve dhe kuriozitetin e më të rinjve.

Eskpozimi i mjeteve retro u organizua ndërsa mbahet në Tiranë simpoziumi “Bashkëpunim dhe partneritet me Qeverinë dhe institucionet e tjera”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania, në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA).

Përzgjedhja e Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, vjen pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA, në nëntor 2022./atsh/KultPlus.com

Oldtimerfest për herë të 17-të në Prizren

Edicioni i 17-të i Oldtimerfest do të mbahet me datën 16-19 Korrik 2022 në Prizren, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion do të ketë pjesëmarrës të klubeve nga Kosova, Shqipëria, Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia si dhe mysafirë special nga Italia dhe Franca.

Kjo ngjarje mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

“Oldtimer-Fest” ekspozoi automjetet klasike në qytetin e Prizrenit

Oldtimer Club Prizren ka organizuar dje edicionin e 15-të të automjeteve klasike “Oldtimer-Fest 2020”.

Automjetet klasike janë ekspozuar në qendër të qytetit, përkatësisht në “Sheshin e Lidhjes”, nga ora 11:00 deri në orën 16:00.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në Facebook ka theksuar bukurinë e këtij organizimi.

“Sa bukur paska qenë dje në Prizren organizimi i përbashkët i RETRO Albania dhe OLDTIMER Kosova”, ka shkrua Rama. / KultPlus.com