Reagimi i 40 organizatave: Manastiri i Deçanit në rrezik, pasqyrim i rrejshëm i realitetit

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë reagojnë ndaj vendimit të “Europa Nostras”.

Pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë, me tendencë për ta paraqitur vendin si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit, është cilësuar përfshirja e tij në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” për vitin 2021. Të premten, “Europa Nostras” i është adresuar reagimi i nënshkruar nga 40 organizata të shoqërisë civile të Kosovës.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës Future for Religious Heritage, ‘një organizatë laike, joprofitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifikuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”, shkruhet ndër të tjerash në këtë reagim. Është nismuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij”, e para organizatë vendore e cila reagoi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Europa Nostra” publikoi listën preliminare me “12 Monumentet e Rrezikuara të Evropës” dhe paralajmëroi listën përfundimtare me 7 sosh, të publikuar të enjten e kaluar.

Sipas reagimit, të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë, të cilat për qëllime politike tashmë është dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës.

“Është tepër shqetësuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshilldhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020, është i bazuar në këto të dhëna të paverifikuara dhe të rreme. Në dokumentin e publikuar thuhet se Manastiri i Deçanit ka qenë cak ‘i një përpjekjeje të ISIS-it në vitin 2016’, që i referohet një incidenti me grafite të shkruara në përkrahje të ISIS-it, në një mur periferik, por që autorët nuk janë identifikuar asnjëherë. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë deri më tash nuk kanë të dhëna për një prezencë të organizatës ekstremiste ISIS në Kosovë dhe të asnjë aktiviteti të izoluar të kësaj organizate në Manastirin e Deçanit”, shkruhet në reagim.

Se “Europa Nostra” bazohej në dokumente të institucioneve serbe i ishte konfirmuar KOHËS edhe nga vetë përfaqësues të kësaj organizate qysh në fund të vitit të kaluar. Ishte bërë e ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për “Listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara” është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage” dhe se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan–Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë, në vitin 2018, për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.

E, sipas reagimit të organizatave, të dhënat zyrtare përkundrazi “tregojnë që ambienti rreth Manastirit të Deçanit është i sigurt dhe paqësor dhe për vite me radhë nuk është raportuar për ndonjë incident me motive etnike ose fetare”.

“Më tej, arsyetimi i përzgjedhjes së Manastirit të Deçanit në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’ bazohet edhe në, siç thuhet, ‘rrezikun që vjen nga plani i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin’ e, siç thuhet, ‘autostradës’ ndërkombëtare që lidh Komunën e Deçanit me Komunën e Plavës (Mali i Zi). Organizata CHwB, Kosova përmes një letre të dërguar më datë 17 dhjetor 2020, e ka informuar Bordin e ‘Europa Nostra’ dhe Panelin Këshilldhënës se Qeveria e Kosovës dhe Autoritetet e Manastirit të Deçanit tashmë kanë arritur një ujdi që rruga ndërkombëtare do të ndërtohet jashtë hapësirës së Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Është për të ardhur keq që ky fakt nuk është marrë parasysh gjatë vlerësimit të nominimit”, shkruhet në reagim. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë i kanë shkruar “Europa Nostras” se janë të shokuara edhe me faktin që në deklaratën e publikuar nga Paneli Këshilldhënës, çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore përmendet në kontekst të, siç thuhet, “bisedimeve për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Konsiderojmë që kjo fjali forcon tutje bindjen tonë se ‘Europa Nostra’ është duke i shërbyer Qeverisë së Serbisë, e cila ka për qëllim rikthimin e çështjes së trashëgimisë kulturore në tryezë të bisedimeve, me qëllime të hapura për ta ndarë trashëgiminë kulturore me status të ‘eksterritorialitetit’. Ne jemi të bindur se kjo tendencë është në kundërshtim me aspiratat e Kosovës për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike”, vijon tutje reagimi. Për organizatat e nënshkruara, trashëgimia kulturore në Kosovë është trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë atë është e rrezikshme dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Europa Nostras” i kërkohet ta rishikojë vendimin e vet, duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Po ashtu, i bëhet thirrje për një vizitë në Kosovë “për t’u takuar me të gjithë hisedarët dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”.

“Kjo do ta bënte punën e ‘Europa Nostras’ kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile, mbetemi të shqetësuara dhe të brengosura për efektet negative të vendimit të ‘Europa Nostra’, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes të komuniteteve në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit. / KultPlus.com