Kërkohet reagim ndërkombëtar ndaj Serbisë për koreografinë kundër Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas thirrjes së tifozëve të klubit futbollistik serb “Crvena Zvezda” që ushtria serbe të kthehet në Kosovë, thirrje kjo që u bë përgjatë ndeshjes miqësore me klubin italian, Fiorentina.

Në një pankartë shkruhej “Kur do të kthehet ushtria në Kosovë”, për të cilën Bislimi thotë se u bë në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku sipas tij, tifozët e njohur si “Delije” shpesh pëçojnë mesazhet që kreu i shtetit serb “nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.

“E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiq ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën”, ka shkruar zëvendëskryeministri Bislimi në Twitter.

Heqja e yllit në mozaikun “Shqipëria”, reagon kritiku Muharremi: Diktatura moderne

Nga Ilir Muharremi

Arti përfaqëson kulturën, etnografinë, shkencën, historinë, ndonëse në formë më pamore, më bindëse dhe në disa faza edhe më të sakta sesa shkencat e përmendura. Gjithkund në botë restaurohen veprat e artit. Ato nuk ndryshohen, nuk ju hiqen simbolet, format, ose me tendencë të ndonjë propagande kohore, në shenjë revolte ndaj ish sistemeve të fshihen simbolet. Marrim “Guernikën” e Pablo Picasso. Piktura është një vepër e fuqishme e një dokumentimi historik dhe proteste politike. Në të majtën e largët, një grua që mban fëmijën e saj të vdekur klith; sytë e saj rrëshqasin poshtë fytyrës së saj në formën e lotëve dhe koka e saj që përkulet nga prapa në mënyrë të panatyrshme duke i bëre jehonë foshnjës së saj. Posht është e pranishme statuja e një ushtari, por ai është i paaftë për të mbrojtur gruan dhe fëmijën. Trupi i tij i thyer shtrihet në copa, krahu i tij duke shtrënguar një shpatë të copëtuar si shenjë e mundjes përfundimtare. Maja e shpatës së tij takohet me këmbën e gruas, ndërsa ajo përpiqet që t’i shpëtojë shkatërrimit. Por këmba tjetër e saj shfaqet e rrënjëzuar në vend, e kyçur në cepin e kanavacës edhe ndërsa ajo shtriqet për ta lëvizur atë. Një viktimë tjetër shfaqet pas kësaj figure të shtrembër, duke rënë pashmangshëm si flakët që vërtiten rrotull saj, edhe ajo po ashtu ka ngecur në skenën e saj të pashpresë. Secila nga këto figura në kufi të pikturës janë të kurthëzuara në mënyrë të tmerrshme, duke i dhënë veprës një kuptim therës klaustrofobie. Madhësia e pikturës vetëm sa i thekson më shumë mizoritë e jetës që na paraqiten në pikturë. Ashtu si vetë bombardimi i Guernica-s, piktura e Picasso-s është e mbushur me shkatërrim. Por fshehur pas këtij kaosi të supozuar, janë të skalitura me kujdes skena dhe simbole, të cilat mbajnë me vete sulmin shumëplanësh të pikturës mbi fashizmin. Çka dua të them me këtë analizë formash, simbolesh? Kjo vepër restaurohet, asnjë vijë më e hollë nuk i hiqet, edhe pse rrethanat e sotme kanë ndryshuar në raport me veprën.

Atëherë marrim analizën e mozaikut “Shqipëria” të vendosur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ka dy vite që vepra ju ka nënshtruar restaurimit. Është hequr ylli nga mozaiku, pastaj është eleminuar edhe libri i punëtorit që mbante në dorë. A është vepruar saktë dhe drejtë? Natyrisht që jo. Dikush do reagonte se kemi hequr nga  ish-komunizmi, jemi shkatërruar në palcë. Kjo është e vërtetë. Por fakti historik përmes veprës prezanton pasqyrën e saktë të kohës, pa eufori dhe tendenca. Nuk fshihet e shkuara. Ari është nën shërbim të së shkuarës në këtë rast vet ky mozaik i shërbeu dhe pasqyroi periudhën e diktaturës. Pse të hiqej? Në çdo shtet normal e kaluara ruhet dhe shteti kujdeset veçanërisht për veprat e artit. Jetojmë në një diktaturë moderne ngaqë veprojmë sikurse diktatura e së shkuarës. Vet Enveri i fshinte ata që nuk i duheshin. Në një sqarim thuhej se ylli i kuq pas shpinës së personazhit kryesor pra zonjës me xhubletë është hequr në vitin 1993, pasi në atë kohë erdhi demokracia në Shqipëri. Dihet kjo vepër u vendos 42 vjet më parë mu me yllin e kuq me pesë cepa.

Mozaiku në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar me sipërfaqe rreth 31 metra katrorë u ndërtua në vitin 1981 nga 5 artistë, Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Edhe pse iu përshtat artit të frymëzuar nga realizmi socialist, autorët ndër vite kanë theksuar se mozaiku duket të qëndrojë për vlera artistike dhe kujtesën historike në këtë muze. / KultPlus.com

Besiana Kadare reagon ndaj Ben Blushit: Bisedë e rëndomtë private në një kafene, e publikoi pa dijeninë e tim ati

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare ka reaguar pas publikimit të një bisede në formë interviste nga Ben Blushi me babain e saj dhe botuesen e tij Alda Bardhyli.

Pas zërave të shumtë ditët e fundit mbi këtë bisedë të publikuar në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Besiana Kadare shkruan se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e të atit, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, Alda Bardhyli.

Sipas saj, Blushi ka abuzuar me besimin që iu akordua dhe e quan një gjest imoral dhe të paligjshëm.

Postimi i plotë i Besiana Kadaresë:

Duke qenë se plot miq e të njohur më kanë pyetur këto ditë nëse Kadareja vërtetë i ka dhënë një intervistë Ben Blushit, dua të sqaroj publikisht se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, A. Bardhyli.

Kohë më pas, Ben Blushi e ka publikuar bisedën në formë “interviste”, pa marre pëlqimin e bashkëbiseduesit, duke abuzuar kështu me besimin që iu akordua dhe me “kurajën” e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete të paditura. Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm.
Fatkeqësisht është bërë praktikë tashmë që gjithfarë njerëzish shpresojnë të bëjnë publicitet, duke u përpjekur të shfrytëzojnë në forma të ndryshme figurën e Kadaresë dhe kontaktin me të. Duke pasur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane. / KultPlus.com

Reagimi i 40 organizatave: Manastiri i Deçanit në rrezik, pasqyrim i rrejshëm i realitetit

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë reagojnë ndaj vendimit të “Europa Nostras”.

Pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë, me tendencë për ta paraqitur vendin si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit, është cilësuar përfshirja e tij në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” për vitin 2021. Të premten, “Europa Nostras” i është adresuar reagimi i nënshkruar nga 40 organizata të shoqërisë civile të Kosovës.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës Future for Religious Heritage, ‘një organizatë laike, joprofitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifikuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”, shkruhet ndër të tjerash në këtë reagim. Është nismuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij”, e para organizatë vendore e cila reagoi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Europa Nostra” publikoi listën preliminare me “12 Monumentet e Rrezikuara të Evropës” dhe paralajmëroi listën përfundimtare me 7 sosh, të publikuar të enjten e kaluar.

Sipas reagimit, të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë, të cilat për qëllime politike tashmë është dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës.

“Është tepër shqetësuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshilldhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020, është i bazuar në këto të dhëna të paverifikuara dhe të rreme. Në dokumentin e publikuar thuhet se Manastiri i Deçanit ka qenë cak ‘i një përpjekjeje të ISIS-it në vitin 2016’, që i referohet një incidenti me grafite të shkruara në përkrahje të ISIS-it, në një mur periferik, por që autorët nuk janë identifikuar asnjëherë. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë deri më tash nuk kanë të dhëna për një prezencë të organizatës ekstremiste ISIS në Kosovë dhe të asnjë aktiviteti të izoluar të kësaj organizate në Manastirin e Deçanit”, shkruhet në reagim.

Se “Europa Nostra” bazohej në dokumente të institucioneve serbe i ishte konfirmuar KOHËS edhe nga vetë përfaqësues të kësaj organizate qysh në fund të vitit të kaluar. Ishte bërë e ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për “Listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara” është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage” dhe se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan–Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë, në vitin 2018, për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.

E, sipas reagimit të organizatave, të dhënat zyrtare përkundrazi “tregojnë që ambienti rreth Manastirit të Deçanit është i sigurt dhe paqësor dhe për vite me radhë nuk është raportuar për ndonjë incident me motive etnike ose fetare”.

“Më tej, arsyetimi i përzgjedhjes së Manastirit të Deçanit në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’ bazohet edhe në, siç thuhet, ‘rrezikun që vjen nga plani i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin’ e, siç thuhet, ‘autostradës’ ndërkombëtare që lidh Komunën e Deçanit me Komunën e Plavës (Mali i Zi). Organizata CHwB, Kosova përmes një letre të dërguar më datë 17 dhjetor 2020, e ka informuar Bordin e ‘Europa Nostra’ dhe Panelin Këshilldhënës se Qeveria e Kosovës dhe Autoritetet e Manastirit të Deçanit tashmë kanë arritur një ujdi që rruga ndërkombëtare do të ndërtohet jashtë hapësirës së Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Është për të ardhur keq që ky fakt nuk është marrë parasysh gjatë vlerësimit të nominimit”, shkruhet në reagim. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë i kanë shkruar “Europa Nostras” se janë të shokuara edhe me faktin që në deklaratën e publikuar nga Paneli Këshilldhënës, çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore përmendet në kontekst të, siç thuhet, “bisedimeve për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Konsiderojmë që kjo fjali forcon tutje bindjen tonë se ‘Europa Nostra’ është duke i shërbyer Qeverisë së Serbisë, e cila ka për qëllim rikthimin e çështjes së trashëgimisë kulturore në tryezë të bisedimeve, me qëllime të hapura për ta ndarë trashëgiminë kulturore me status të ‘eksterritorialitetit’. Ne jemi të bindur se kjo tendencë është në kundërshtim me aspiratat e Kosovës për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike”, vijon tutje reagimi. Për organizatat e nënshkruara, trashëgimia kulturore në Kosovë është trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë atë është e rrezikshme dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Europa Nostras” i kërkohet ta rishikojë vendimin e vet, duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Po ashtu, i bëhet thirrje për një vizitë në Kosovë “për t’u takuar me të gjithë hisedarët dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”.

“Kjo do ta bënte punën e ‘Europa Nostras’ kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile, mbetemi të shqetësuara dhe të brengosura për efektet negative të vendimit të ‘Europa Nostra’, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes të komuniteteve në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit. / KultPlus.com

‘Radio Kosova’ nuk e emetoi rrëfimin e gruas serbe që ishte dhunuar gjatë luftës, reagon ‘Integra’

Kundër censurës së bërë nga ‘Radio Kosova’ ndaj transmetimit të audio dramave të bazuara në rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur nga lufta.

Ballafaqimi me të kaluarën e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut është sfidë për shoqëritë që kalojnë tranzicione politike dhe shoqërore.

Është proces afatgjatë, i cili përgjithësisht përfshin një numër aktorësh dhe mekanizmash të ndryshëm me jo vetëm perceptime të ndryshme për të kaluarën, por edhe vizione të ndryshme për të ardhmen. Parimi kryesor i ballafaqimit me të kaluarën ka të bëjë me vendosjen e viktimave civile të luftës në qendër të procesit.

Në Kosovë, me përfundimin e luftës, 6063 persona janë raportuar të pagjetur, ndërsa aktualisht numri i të pagjeturve është 1638 – nga mosha, gjini dhe etni të ndryshme. Ndonëse më shumë se 70% e rasteve të raportuara për të pagjetur janë evidentuar, identifikuar dhe mbetjet trupore u janë dorëzuar familjarëve për (ri)varrim, kryerësit e veprave kriminale mbeten akoma të lirë, gjersa drejtësia dhe llogaridhënia mbeten procese për tu dëshiruar. Kjo, më tej, bën që të dihet fare pak për rrethanat e zhdukjes, çfarë ka ndodhur me të pagjeturit dhe çfarë mund të bëhet më shumë për zbulimin e krimeve të lidhura me këto raste.

Të shtyrë nga kjo dhe nga rëndësia që çështja e personave të pagjetur të aktualizohet dhe të adresohet nga mekanizmat për ballafaqim me të kaluarën, në vitin 2019, Integra, forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur kanë publikuar librin e kujtimeve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që shpalosë rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Bazuar në këtë libër, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me angazhimin e shumë artistëve profesionistë, Integra me partnerët e njëjtë dhe me mbështetje nga institucione të ndryshme, kanë realizuar ciklin prej 10 audio dramave me po të njëjtin titull “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes kolektive dhe njohjen publike të vuajtjeve me të cilat familjarët e personave të pagjetur ballafaqohen tash e më shumë se 20 vjet.

Pas finalizimit të prodhimit të audio dramave “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, në mirëkuptim dhe në dakordim reciprok, Integra dhe Radio Kosova kishin arritur marrëveshje që cikli 10 episodësh i audio dramave të transmetohej në Radio Kosova, pa kompenzim, duke konsideruar rëndësinë që premiera e këtij prodhimi t’i ofrohej transmetuesit publik, i cili, pëveç tjerash ka për mision informimin e drejtë dhe të paanshëm.

Fillimet e bashkëpunimit me Radio Kosova ishin korrekte, duke u marrë vesh për aspekte teknike të promovimit, të transmetimit dhe të ritransmetimit të audio dramave. Me pajtim dy-palësh, premiera e episodit të parë të audio dramave u transmetua me datë 14 dhjetor 2020, duke u ritransmetuar ditën e nesërme. Episodi i dytë u transmetua me 21 dhjetor 2020 dhe që bazohej në rrëfimin e një gruaje serbe nga Shtërpca për burrin e saj të pagjetur si pasojë e luftës.

Me ta kuptuar që ky episod i dedikohej rrëfimit të një familjareje serbe, Radio Kosova, në mënyrë arbitrare, pa paralajmërim, nuk e transmeton reprizën të planifikuar për datë 22 dhjetor 2020, ora 20:10.

Pas veprimeve të tilla, Integra thërret takim urgjent me drejtuesit e Radio Kosovës, të cilët të mllefosur e të nervozuar shprehen që nuk janë të pajtimit që të transmetojnë përmbajtje të bazuara në rrëfimet e familjarëve të viktimave jo-shqiptare, përkundër faktit që të 10 episodet e audio dramave i kanë poseduar paraprakisht.

Duke marrë për shkas që 3 audio drama nga cikli 10 episodesh bazohen në rrëfime të familjarëve jo-shqiptare, Radio Kosova me vendim të prerë refuzon transmetimin e tyre, duke detyruar palën tjetër (Integra) të ndërpresë bashkëpunimin me automatizëm.

Vendimi për censurimin e audio dramave të bazuara në rrëfime të famijarëve të të pagjeturve nga lufta, na zë në shok e të shqetësuar, duke na lënë të kuptojmë së në Kosovë vazhdon të ushqehet e të mirëmbahet diskursi publik etnocentrik në raport me të kaluarën e luftës, ku dominon narrativë e njëtrajtshme dhe e politizuar.

Me këtë veprim, Radio Kosova si institucion publik, i financuar nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, me dy këmbë shkelë mbi të drejtën elementare të përfaqësueseve të viktimave civile të luftës, duke ua mohuar të drejtën për t’u shprehur, për të ditur, dhe për pjesëmarrje në ndërtimin e kujtesës kolektive. Me këtë qasje Radio Kosova, po ashtu, ka shkelur një nga parimet kyçe të demokracisë – lirinë e shprehjes. Mohimet, censurimet apo interpretimet tjera të së vërtetës i shohim si përpjekje për pengimin e proceseve të ballafaqimit me të kaluarën, thellimin e çarjeve dhe antagonizmave etnike, dhe shtrembërimin e kujtesës të së kaluarës.

Ky pozicionim i Radio Kosovës është jo etik dhe dhimbshëm karshi familjarëve të personave të pagjetur, të cilët, përkundër dallimeve, kanë mbledhur forcën që të bashkëpunojnë dhe ti artikulojnë kërkesat e tyre përmes Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur.

Ne i bëjmë thirrje institucioneve vendore, spektrit politik, mediave, aktivistëve të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë me urgjencë për këtë censurë të Radio Kosovës, sepse me një qasje të tillë të transmetuesit publik ne konsiderojmë që pamundësohet një proces i shëndoshë i ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, mohohet e drejta e viktimave dhe familjarëve të tyre për drejtësi, dhe rrezikohen parimet themelore të demokracisë. / KultPlus.com

Reagon Shoqata “Trojet e Arbrit”, deklaratën e Halil Matoshit për figurën e Skënderbeut e vlerëson skandaloze

Shoqata “Trojet e Arbrit” si financuese e projektit kombëtar të Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ne Prizren, njofton opinionin e gjerë shqiptar se ne kemi vepruar karshi çdo rregullore dhe vendimi është marrë nga Asambleja Komunale e Prizrenit për vendosjen e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren.

Deklarata skandaloze e zv.ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit se duhet të hiqet Monumenti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren qon në një përplasje fizike në mes të shqiptarëve që nuk dihet se ku do ti vjen fundi.Kjo nuk është hera e parë që ky zv.minister i Kultursë, Rinisë dhe Sportit është duke e denigruar figurën e heroit më të madh shqiptar të të gjithë shekujve Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.Ai para disa vitesh po njashtu ka bërë thirrje qe të hiqet edhe Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë.Shoqata”Trojet e Arbrit” fton Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin si dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajn si propozues i këtij zv.ministri që vjen nga AAK-ja që urgjentisht mbrenda një jave të shkarkohet zv.ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Halil Matoshi.

Matoshi me deklaratën e tij luftënxitëse dhe përqarëse ka fyer dinjitetin moral dhe atdhetar të 10 milion shqiptarëve(10.000.000) që kanë për heroin tonë.Të krahasosh një projekt gjithëkombtar që është kryer me të gjitha procedurat ligjore, me një punë të një firme private është e turpshme për një zv.minister.Shoqata “Trojet e Arbrit” do të pret një javë që ky propozim i yni të realizohet.Pas një jave do të fillojmë me procedurat ndërkombëtare dhe do të njoftojmë Qeverinë Gjermane në Berlin si dhe Qeverinë e Bashkimit Evropian për veprimet skandaloze që është duke i bërë ky zv.ministëri lidhur me figurën me të madhe kombëtare Gjergj Kastriotin -Skënderbeun.Nëse zoti Matoshi nuk e don figurën e Gjergj Kastriotit dhe e don atë të sulltan Muratit është çështje e tij,dhe mund ta mbaj në zemrën dhe në shpirtin e tij, por asesi ai nuk mund të bëj një thirrje të tillë në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës.Personat e tillë i sjellin hije të keqe Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe mbledhin frikë e panik deri në një konfrontim fizik në mes të rrymave perëndimore dhe atyre lindore në Kosovë.Është e drejtë e tij të mendoj për një orientim lindor por tani Kosova dhe tërë shqiptarët e kanë zgjedhur rrugën e tyre drejt perëndimit.Monumenti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren do të qëndroj gjatë gjithë shekujve deri sa te ekzistoj shqiptaria dhe nuk ka djalë nane që do ta ketë mundësinë që ta tërheq nga Prizreni.

Ne emër të shoqatës “Trojet e Arbrit” reagon Mr.sc.Nue Oroshi kryetar/ KultPlus.com

Reagon Asociacioni i Arkitektëve: Ndërtimi i Sallës Koncertale, duhet t’i paraprijë një studimi të hollësishëm urb-arkitektonik

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka reaguar ndaj njoftimit nga Komuna e Prishtinës, lidhur me shpalljen e Konkurseve Ndërkombëtare për Sallën Koncertale, Shkollën e Muzikës, Sallën e Sporteve dhe Spitalit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook shoqata ka kërkuar që të bëhet respektimi i pozitës së arkitektit në procesin e hartimit të detyrës projektuese, shpalljes së konkursit, përzgjedhjes së projekteve, si dhe përcjelljes së realizimit të tyre.

Ata kanë shtuar se projektet duhet të paraqesin vizion për kryeqytetin, meqë bëhet fjalë për objekte të interesit publik. Shoqata ka ofruar gatishmërinë e tyre profesionale për tërë procesin.

Ndërkaq për Sallën Koncetrale që pritet të adoptohet në objektin e Gërmisë, shoqata ka shkruar se duhet të bëhet një studim i hollësishëm i lokacionit.

Shoqata krejt në fund ka shtuar edhe mendimin kritik të arkitektit Sali Spahiu i cili ndër të tjera ka thënë se që nga paslufta në Kosovë janë bërë shumë lëshime që do të na kushtojnë./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/aakorg/posts/1043743236067031?tn=K-R

“Të shkarkohet prorektorja dhe të hetohen ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës”

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.

Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:

“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com

QRTK reagon rreth rrënimit të shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren

Tani kur po afrohemi fundit të vitit kalendarik 2017 dhe të gjithë jemi duke bërë vlerësimin e arritjeve dhe sfidave që na përcollën gjatë këtij viti, rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren shkaktoi një dis-balans duke e njollosur rezultatet e punimeve të kryera sivjet, e që nuk janë të pakta.

Përveç tjerash ky vit ishte edhe viti jubilar i institucionit tonë ku kohë më parë kemi shënuar 50 vjetorin e themelimit, me disa aktivitete modeste për shkak të angazhimit të madh që ka pasur institucioni ynë në përmbushjen e planifikimeve dhe objektivave programore. Vetëm sektori i arkitekturës gjatë vitit 2017 ka bërë ndërhyrje restauruese – konservuese në 20 objekte të ndryshme krahas punëve tjera si rivlerësimi, inventarizim dhe propozimi i objekteve të tjera për mbrojtje të përkohshme, hartimi i projekteve për ndërhyrje, shqyrtimi i lëndëve investive nga palët dhe institucionet, mbikëqyrje, konsultime me palë të ndryshme, etj.

Ky vit jubilar u përmbyll me aktivitete rekorde në krahasim me 18 vitet e kaluara. Shkatërrimi i shtëpisë së familjes Myftiu, këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dha një goditje të rëndë bindjes sonë se jemi duke përparuar në vetëdijesimin e opinionit dhe institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si vlerë universale e njerëzimit. Shtëpia e familes Myftiu është vlerësuar si monument kulture me numrin unik 507 dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2017-2018. Ndërtesa është inventarizuar, janë evidentuar vlerat e saj arkitektonike – estetike, historike, shoqërore dhe shkencore. Është bërë edhe rilevimi i gjendjes ekzistuese dhe ka qenë e propozuar për ndërhyrje restauruese gjatë këtij viti. Fatkeqësisht pronarët nuk kanë pranuar të bëhet ndërhyrja, duke u arsyetuar se ndërtesa është pronë e disa trashëgimtarëve, dhe nuk po arrijnë një marrëveshje të brendshme për të lejuar restaurimin e ndërtesës. Përkundër faktit që janë njoftuar rreth obligimeve dhe detyrimeve të pronarëve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Ligjit (Nr.02/L-88) të Trashëgimisë Kulturore, nuk kemi arritur t’i bindim për të lejuar ndërhyrjen.

Kjo situatë e palakmueshme është paraqitur në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, me ç’rast kemi kërkuar që të ndërmerren hapat konkrete ndaj pronarëve për pengimin e ndërhyrjeve restauruese, bazuar në dispozitat ligjore. Duke menduar që ndërmarrja e veprimeve ligjore do të parandalojë rrënimin e qëllimshëm të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e pronarëve tjerë. Po ashtu është kërkuar të ndërmerren masa ligjore ndaj shkatërruesve të këtij aseti shumë të rëndësishëm kulturo-historik që përveç humbjes së monumentit kanë krijuar një imazh të shëmtuar për qytetin, respektivisht për Kosovën që nuk mund të kujdesej për trashëgiminë e vet kulturore.

Ne si Qendër Rajonale e Trashëgimisë Kulturore vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive tona për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë të përbashkët kulturore./ KultPlus.com