Koncerti i parë i Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën drejtimin e Elda Laros

Në skenën e teatrit “Migjeni”, është rikthyer Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin artistik të Elda Laros.

Në koncertin e titullar “From West to East”, performoi edhe sopranoja e mirënjohur Ana Naqe, e cila, nën dirigjimin e Elda Laros dhe orkestrës simfonike, solli për publikun shkodran një repertor të zgjedhur me vepra të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Kjo ishte e para herë që Orkestra Simfonike e Shkodrës performoi, drejtuar nga Elda Laro.

Drejtuesja artistike e Orkestrës Simfonike të Shkodrës, tha për mediet se, do të vijojnë përgatitjet për të sjellë në skenën shkodrane emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, të cilët do të performojnë krah orkestrës simfonike të qytetit.

Ky koncert i Orkestrës Simfonike të Shkodrës solli për publikun emocione të veçanta dhe duke dëshmuar edhe një herë potencialin e madh artistik të Shkodrës. Orkestra simfonike e Shkodrës ka si synim të kthehet në një pikë referimi për artin dhe muzikën klasike në vend duke sjellë vepra dhe artistë të njohur të vendit dhe ndërkombëtarë./atsh/KultPlus.com

Dren Abazi dhe Orkestra Simfonike e Shkodrës me koncert unik, Spahia: Natë magjike

Në sheshin para bashkisë Shkodër u zhvillua mbrëmjen e djeshme një koncert i veçantë, ku qytetarë të shumtë shijuan ritmet e muzikës.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili së bashku me familjen e tij shijuan këtë mbrëmje të veçantë artistike. 

“Përjetuam një natë magjike nën interpretimin e formacionit të Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe artistit Dren Abazi, në një nga koncertet më unike që është realizuar ndonjëherë në Shqipëri”, u shpreh ai.

“Mbi 90 artistë në një skenë të hapur dhe një publik që kishte tejmbushur sheshin përpara bashkisë Shkodër, dëshmuan edhe njëherë tjetër se arti dhe kultura në qytetin tonë i kanë rrënjët e forta dhe që aq bukur tradita ju trashëgohet brezave”, shkroi Bardhi, në një postim  në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto të koncertit. / atsh / KultPlus.com