Festë në sheshin “Xhorxh Bush”, ftohen qytetarët për pjesëmarrje

Qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës janë të ftuar që të festojnë 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në sheshin “Xhorsh Bush”, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, është bërë e ditur se në këtë festë do të interpretohen këngë nga Dren Abazi dhe grupi i njohur “Asgjë sikur Dielli”

“Sonte duke filluar nga ora 18:00 ejani të festojmë së bashku 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në sheshin “Xhorxh Bush”, shkruhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. /KultPlus.com

Dren Abazi lanson brend të veshjeve ‘drenabazi brand”, përfshinë veshje për femra dhe meshkuj

Këngëtari i njohur Dren Abazi ka projektuar edhe brendin e tij të veshjeve, brend që do të lansohet sonte në ora 18:00, shkruan KultPlus.

“drenabazi brand” është brendi i këngëtarit, i cili është brend ekskluziv për femra dhe meshkuj, dhe varësisht prej stinëve, do të plotësohet dhe përditësohet.

“Të gjitha materialet, aksesoret dhe lënda e parë vijnë nga Evropa, sikurse:  Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania dhe prodhimi bëhet në SAM sports wear, me bazë në Tiranë, fabrikë e specializuar për veshje sportive dhe jo vetëm.

Brendi i Dren Abazit tashmë ka edhe faqen zyrtare, faqe që do të lansohet sonte ku edhe keni rast të shihni të gjitha produktet që sjell ky brend.

KultPlus ju sjell linkun e brendit për të parë produktet e para që do të lansohen në këtë faqe./ KultPlus.com

Dren Abazi dhe Orkestra Simfonike e Shkodrës me koncert unik, Spahia: Natë magjike

Në sheshin para bashkisë Shkodër u zhvillua mbrëmjen e djeshme një koncert i veçantë, ku qytetarë të shumtë shijuan ritmet e muzikës.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili së bashku me familjen e tij shijuan këtë mbrëmje të veçantë artistike. 

“Përjetuam një natë magjike nën interpretimin e formacionit të Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe artistit Dren Abazi, në një nga koncertet më unike që është realizuar ndonjëherë në Shqipëri”, u shpreh ai.

“Mbi 90 artistë në një skenë të hapur dhe një publik që kishte tejmbushur sheshin përpara bashkisë Shkodër, dëshmuan edhe njëherë tjetër se arti dhe kultura në qytetin tonë i kanë rrënjët e forta dhe që aq bukur tradita ju trashëgohet brezave”, shkroi Bardhi, në një postim  në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto të koncertit. / atsh / KultPlus.com

Gati për Festivalin e madh të muzikës në Bruksel, Kosovën e përfaqëson Dren Abazi

Këngëtari i njohur Dren Abazi bashkë me Zig Zag Orchestra do të ngjitet në skenën e Balkan Trafik Festival që do të mbahet në Bruksel dhe që përfshinë një numër të madh të artistëve, shkruan KultPlus.

Balkan Trafik Festival mbahet në Bruksel dhe me mbrëmjet koncertale do të nisë sonte, kurse Dren Abazi do të ngjitet në skenë më 29 prill.

Ndërkohë vet Dren Abazi që përfaqëson Kosovën në këtë festival për të tretën herë, brenda dhjetë viteve të fundit ka thënë për KultPlus se ky festival është një ndër festivalet që po ndërton ura mes popujve të Ballkanit, gjë që nuk e arrin politika.

“Ky është një prej festivaleve më të mëdhenj evropian, me qendër në Bruksel. Çdo vit ky festival mirëpret emrat më të mëdhenj evropian dhe botëror, të world music, jazzit dhe subzhanreve të tyre”.

Ndërkohë ky festival që ka në fokus Ballkanin dhe zakonisht fton artistët prominent nga rajoni i Ballkanit edhe këtë vit ka një listë të përzgjedhur të artistëve.

Dren Abazi ka thënë për KultPlus se bashkë më grupin e tij do të performojnë të shtunën, në ora 20:00 në sheshin ikonik të Brukselit“ De Brouckere”.

Përpos Dren Abazit, në skenën e Balkan Trafic Festiavl do të prezantohen edhe artistët nga Shqipëria: Josif Shukallari e Gjovalin Quintet.

Të gjithë ata që dëshirojnë të përcjellin këtë koncert mund të sigurojnë biletat në

https://www.balkantrafik.com/get-your-ticket/?fbclid=IwAR1DCirSiwYuyBsyxesuqLGE3E4SqflqzDE5AignmQ5xRfgWUAz03fINwaM



Me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, Dren Abazi sjell këngën “Ndoshta” (VIDEO)

Me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, çka edhe e karakterizon, artisti Dren Abazi ka sjell këngën e re të titulluar “Ndoshta”, shkruan KultPlus.

“Ndoshta” vjen e thurur nga një tekst i ndjeshëm që përshkruan një dashuri që sjell shumë pikëpyetje e hamendëson për atë që po ndodhë mes çiftit.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip i cili e sjell edhe më fuqishëm gjithë kuptimin e këtij projekti mjaft tërheqës për veshin dhe syrin.

Me tekst dhe muzikë të Dren Abazit dhe si vokal përcjellës nga Eneda Tarifa e cila i bën një thyerje të lezetshme këngës, “Ndoshta” ka marrë dritën jeshile nga publiku qysh në minutat e parë të lansimit dhe po vijon suksesshëm rrugën ë saj.

Dren Abazi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët për këtë projekt duke e shpërndarë edhe këngën për ndjekësit e tij.

“Më poshtë e keni kangën e re, bashkë me video.
Faleminderit Sergio HD për punen e palodhshme në studio, bashkë me Jeris Kaso.
Falenderim special Eneda Tarifa, që i dha kangës hijeshi me zërin e bukur në backvocale dhe Enver Muhamedi – Enka për bassin e tij të rrallë.
Samer Agolli për këshillat e tij të vlefshme.
Rita Krasniqi dhe Noar Aveny për ndihmën dhe punën fantastike në video, Zana Berìsha dhe gjithë të tjerët që kontribuan në realizimin e kësaj videoje”, shkruan Abazi. / KultPlus.com

Suksesshëm shënohet edicioni i pestë i konkursit poetik “KultStrofa”, çmimi i parë shkon në Tiranë

Uranik Emini
Fotografitë: Nok Selmani

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në një vijë me emocionet e mëdha u eksploruan fuqitë e jashtëzakonshme të poezisë. Të pranishmit e mbledhur për të përcjellur nga afër konkursin mbarëkombëtar të poezisë të organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”, u bënë dëshmitarë të asaj se poezia nuk ka një përkufizim të saktë – asnjë të vërtetë të përgjithshme që vlen për të gjitha poezitë, por ndjesitë që vijnë prej saj janë diçka që nuk mund të kontrollohen, as të përkufizohen, por vetëm të shijohen e përjetohen, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të pestë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja Vlora Merovci.

“Përgjatë këtyre viteve, për pesë edicione ka kaluar numri i mbi një mijë poezive që kanë arritë ne adresë të KultPlus, e që e dëshmon edhe më fuqishëm se “KultStrofa” është gara poetike me e adhuruar ndër poetet”, thotë Merovci.

Sipas saj, ky edicion i ka mbledhur mbi 200 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Ndërkohë ju kujtojmë se përgjatë edicioneve të shkuara, fitues të KultStrofa kanë dalë: Ragip Syla, Arjola Zadrima, Merita Bërdica dhe Gentiana Bajrami Atashi”, shton tutje ajo.

Më pas, për një fjalë rasti është ftuar edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh se të bësh një konkurs të tillë është një emocion shumë i madh.

“Është një emocion i madh që të shënojmë edicionin e pestë të KultStrofës e që po shkon çdo vit duke u bërë edhe më i rëndësishëm për gjithë komunitetin e poetëve në nivel mbarëkombëtar. Jam e nderuar për një juri kaq të mirë dhe profesionale që ka bashkëpunuar aq ngushtë për përzgjedhjen e 10 finalistëve. Dua të them diçka për KultStrofën. Unë që 2 muaj jam duke menduar aq gjatë sa jam shterruar se çka të them, pra është një emocion i madh që t’i mbledhim poetët e të gjitha trevave”.

Kult(Plus)ura thyen të gjitha barrierat

Pajaziti thotë tutje se përgjatë gjithë edicioneve të KultStrofës, poetë nga trevat shqiptare janë bërë bashkë dhe është dëshmuar se kultura nuk ka pasur kufi asnjëherë.

“Ne i kemi në 4 vite, dy poetë nga Shqipëria, e dy nga Kosova, që do të thotë se KultStrofa i ka thyer të gjitha barrierat. Kultura dihet se kufi nuk ka pasur asnjëherë, e këtë gjë po vazhdon ta dëshmoj e vazhdoj KultStrofa. Edhe finalistët e këtij edicioni janë nga Ulqini, Shkodra, Tirana, Prishtina, e me të vërtet është një emocion shumë i mirë dhe shumë i madh. KultStrofën nuk do të mund ta bëja vetë, pa stafin e KultPlusit. Po besoj shumë në shijën e Ornelës, Agut dhe Drenit, që do t’i dëgjoni e shijoni poezitë e natës së sotme, duke ju uruar kështu një mbrëmje shumë të mirë”, përfundon ajo.

Gjatë leximit të poezive, për një fjalë rasti është ftuar edhe njëri ndër anëtarët e jurisë, këngëtari i njohur, Dren Abazi, i cili tha se është një kënaqësi e madhe për të qenë aty.

“Është një kënaqësi që të jem mes jush. Nuk e shoh veten as si shkrimtar dhe si poet jo se jo. Meqenëse më ka ftuar Ardiana, dua të them se unë përpos që i kompozoj këngët, i shkruaj edhe tekstet. I kam lexuar të gjithë poezitë dhe mendoj që është kompetencë më e madhe e Agut dhe Ornelës që të flasin për poezitë. Kanë qenë diku 117 poezi dhe ka qenë vështirë që t’i zgjedhim më të mirat, por besoj që ia kemi arritur qëllimit”, tha ai.

Po ashtu, anëtari tjetër i jurisë së këtij konkursi, profesori Ag Apolloni, shpjegoi procesin e përzgjedhjes, derisa tha se gjithë poezitë e ardhura në adresë të KultPlus, sipas tij, janë fituese.

“KultPlusi është një platformë që na bën bashkë edhe kur jemi të gjithë bashkë tek shpija, sepse na bën që ta klikojmë së bashku. Në këtë konkurs kanë aplikuar mbi 200 poezi, por siç tha Dreni, kemi përzgjedhur për vlerësim 117, sepse disa janë diskualifikuar në momentin që janë pa se janë të publikuara. Në mesin e këtyre poezive kemi gjetur një top 10 dhe mandej tre fituesit. Unë mendoj se fitues kanë qenë të gjithë pjesëmarrësit, sepse na kanë dhënë një kënaqësi të leximit, por ashtu e do natyra, që disa të zgjedhen në mesin e të tjerave”, thotë Apolloni.

Në anën tjetër, kryetarja e jurisë për edicionin e pestë të KultStrofës, Ornela Vorpsi, tregon se u ndje shumë e befasuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë, kur pranoi ftesën për të qenë pjesë e këtij edicioni.

“Kur Ardiana më ftoi, unë u preka jashtë mase sepse e di që të gjithë jemi shqiptarë, por të më thërras mua nga Shqipëria u befasova shumë dhe për këtë arsye erdha pasi nuk jam shumë njeri i dashuruar pas udhëtimeve, jam në punën time. I lexova poezitë me kujdes dhe vëmendje. Diçka që më preku dhe që ndoshta ndryshon nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë është se ndjeva një dimension jashtë mase patriotik te ju, që neve na mungon. Domethënë ishin nga poezitë ku kishte dashuri universale, por ajo e patriotizmit më preku jashtë mase. Në Shqipëri ne e kemi humbur këtë dimension”, shpjegon ajo.

Tutje, Vorpsi thotë se të shkruash poezi në ditët e sotme, marrë parasysh në epokën teknologjike që po jetojmë, është një akt rezistence në vete.

“Të shkruash poezi sot është një akt rezistence, sepse siç e dijmë të gjithë jemi në një epokë tjetër, asaj të teknologjisë dhe ku qejfet janë më të kollajta në telefon e tablet dhe poezia është tamam si një formë rezistence e një arti që mundohet të jetoj sërish. Kjo më pëlqen jashtë mase. Për mua të gjithë 117 janë fituese dhe saherë që hiqja ndonjë për të arritur në një dhjetëshe dhe treshe finale, më dhimbte zemra. Kështu që, i falënderoj të gjithë poetët që vazhdojnë këtë rrugë shumë të vështirë dhe i uroj gjithë të mirat. Falënderoj edhe Ardianën për këtë mbrëmjë që na dhuron dhe për ftesën që ma bëri”, thotë në fund kryetarja e jurisë, Vorpsi.

Emocionet janë pjesë e secilit njeri, e kur bëhet fjalë te poezia, kjo e fundit di të hy thellë në shpirtin e njeriut dhe të zgjojë ato emocione të cilat ne shpesh herë mendojmë se kishin vdekur dhe nuk kanë qenë kurrë aty.

Ndërkaq, finalistët e shpallur të këtij edicioni janë: Donika Berishaj, Eneida Gjonbalaj, Fatbardha Hasi, Argëzon Sulejmani, Zhaneta Barxhaj, Amina Kaja, Irsa Ruçi, Urim Dullovi, Fjolla Gashi dhe Ermira Alia.

Në mungesën fizike të tri autoreve finaliste, qe studentja e letërsisë Edlira Musliu ajo që interpretoi këndshëm poezinë “Histori e humbur” nga Eneida Gjonbalaj dhe poezinë e Ermira Alia “Frymë nën frymë”. Ndërsa, moderatorja Vlora Merovci e interpretoi poezinë e Irsa Ruçit, “Kur zoti puthi tokën”.

Vargjet e secilës poezi po kumbonin në atmosferën e mrekullueshme përpara të pranishmëve, derisa në fund erdhi edhe momenti i së vërtetës, ai i shpalljes së fituesve të çmimit “KultStrofa”. Fillimisht, u bë ndarja e mirënjohjëve për poetët: Donika Berishaj, Irsa Ruçi, Eneida Gjonabala,j Urim Dullovi, Amina Kaja, Argëzon Sulejmani, Fjolla Gashi.

Çmimi i tretë shkoi për poezinë “Frymë nën frymë” nga autorja shkodrane, Ermira Alia, derisa këtë çmim e ndau anëtari i jurisë, Dren Abazi.

Ndërkaq, vendin e dytë e ndau profesori Ag Apolloni, çmimi ky i cili shkoi për poezinë “Me dashtë” nga Fatbardha Hasi.

Autorja Zhaneta Barxhaj me poezinë “Hija”, mori çmimin e parë të edicionit të pestë të konkursit poetik “KultStrofa”. Ornela Vorpsi e bëri edhe ndarjen e çmimit, duke shpjeguar edhe arsyen pse kjo e fundit, sipas jurisë, mori çmimin kryesor.

“Kishte një gjuhë shqipe jashtë mase të pastër. Diçka që më bëri përshtypje në poezitë ishin fjalët e huazara nga gjuhët tjera. Por, kur shkruhet e punohet në një gjuhë sikurse të atdhuet edhe një gjuhë tjetër, sigurisht lëvrohet. Të huazosh fjalë totalisht të huaja s’më pëlqeu shumë, por në rastin e fitueses kemi një gjuhë shqipe të lëvëruar mjaftë mase bukur”, tha Vorpsi në dakordim me anëtarët e tjerë të jurisë.

Po ashtu fituesja e vendit të parë, Zhaneta Barxhaj theksoi se kjo është hera e parë që ajo po merr pjesë në një konkurs të tillë, derisa thotë se është munduar që në të gjithë krijmtarinë e saj t’i qëndrojë besnike gjuhës shqipe.

“Kur mora pjesë në këtë konkurs, ia thashë edhe Ardianës se unë thjeshtë e pava si një njoftim dhe vendosa të aplikoj. Kjo është hera e parë që unë marr pjesë në një konkurs të poezisë edhe pse kam lëvruar gjatë. Për mua poezia nuk ka fitues, sepse ajo është një ndjenjë dhe ne nuk mund të vlerësojmë ndjenjat dhe për mua të gjithë poetët janë fitues. Më preku Ornela me fjalët e saj, sepse unë në të gjithë krijimtarinë time jam munduar që t’i qëndroj besnike shqipes, t’i risjellë ato fjalë të cilat i kemi humbur, qoftë edhe për shkak të internetit dhe hapësirave tjera. Në qoftë se unë kam arritur ta ruaj të pastër gjuhën shqipe, është çmimi më i madh për mua”, tha ajo, derisa pranoi me shumë emocione çmimin e parë.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës, dhe kjo mirënjohje iu dha gazetares Era Berisha.

“Në fakt ne tradicionalisht e kemi që ky tubim të shënojë pak edhe fundvitin dhe në mesin e mirënjohjeve dhe çmimeve tjera, është koha të rikthejmë kokën pak brenda KultPlus-it, që edhe pa qenë këtu e klikoni në shtëpi. Çdo vit e vlerësojmë dikë që ka punuar pak më shumë dhe ma me përkushtim. E kemi një vajzë shumë të re dhe e cila ka një energji të papame dhe një përshkrim që ndodhë në një të ardhme, edhe mund të shndërrohet në një romanciere shumë të mirë. Era e ka një performancë të shkëlqyer për këtë vit”, thotë Pajaziti.

Krejt në fund, u krijua një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi që shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme për të gjithë të pranishmit që patën mundësi të përhumbeshin pas artit që e posedon poezia.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Ndërkaq, kjo mbrëmje kishte sponsor Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Francës në Kosovë Hotel Nartel dhe Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

Nesër mbahet mbrëmja finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Nesër, më 16 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet nata finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Ky konkurs i cili ndër vite ka sjellë prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer poezitë më të mira, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Dhjetë poezitë finaliste tashmë janë përzgjedhur nga juria profesionale e cila është e përbërë nga: Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, Ag Apolloni dhe Dren Abazi, ndërsa në mbrëmjes e 16 dhjetorit, juria do të shpallë edhe tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, njëherit drejtoresha e KultPlus, është shprehur se “KultStrofa” është një prej konkurseve më serioze dhe më të vlerësuara të poezisë, andaj janë kujdesur që edhe këtë vit të sjellin një edicion që e dëshmon këtë gjë.

“KultStrofa vazhdon të jetë një prej konkurseve më prestigjioze dhe më serioze sa i përket poezisë. Kështu kanë vlerësuar shumë poetë të njohur për këtë konkurs, e këtë e dëshmon edhe prurja e shumë poezive në edicionet paraprake poashtu edhe këtë vit. Këtë konkurs e bën të veçantë edhe përzgjedhja e jurisë profesionale, ku çdo vit kemi pas kujdes të përzgjedhim emra të njohur të botës letrare. Edhe këtë vit kemi emra të fuqishëm të letërsisë dhe një prej tekstshkruesve më të dashur për publikun”, shprehet Pajaziti.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, këtë vit mbështete nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komuna e Prishtinës, Ambasada e Francës në Kosovë, Hotel Nartel. / KultPlus.com

Kjo është juria profesionale e edicionit të pestë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë hapur thirrjen për edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”.

Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e rijnë dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. 

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, Ag Apolloni dhe Dren Abazi.

KultStrofa, konkursi i cili ndër vite ka sjell prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, njëherit themeluesja e KultPlus, është shprehur se “KultStrofa” është një prej konkurseve më serioze dhe më të vlerësuara të poezisë, andaj janë kujdesur që edhe këtë vit të sjellin një edicion që e dëshmon këtë gjë.

“KultStrofa vazhdon të jetë një prej konkurseve më prestigjioze dhe më serioze sa i përket poezisë. Kështu kanë vlerësuar shumë poetë të njohur për këtë konkurs, e këtë e dëshmon edhe prurja e shumë poezive në edicionet paraprake. Poashtu këtë konkurs e bën të veçantë edhe përzgjedhja e jurisë profesionale, ku çdo vit kemi pas kujdes të përzgjedhim emra të njohur të botës letrare. Edhe këtë vit kemi emra të fuqishëm të letërsisë dhe një prej tekstshkruesve më të dashur për publikun”, shprehet Pajaziti.

Njoftojmë që konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e rijnë dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Pajaziti ka bërë të ditur gjithashtu se  në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë www.kultplus.com.

Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 20 nëntor 2022. / KultPlus.com

Dren Abazi – artisti i radhës që do të performojë në Sunny Hill Tirana

Sunny Hill do të mbahet për herë të parë edhe në Tiranë, më datat 26, 27 dhe 28 gusht, shkruan KultPlus.

Festivali Sunny Hill ka bërë të ditur se pas “Fedezit”, këngëtari i radhës që do të performojë aty është edhe Dren Abazi.

“Jemi shumë të emocionuar pasi Dren Abazi bashkohet me Sunny Hill për të na lënë të mahnitur me meloditë e tij autentike dhe energjinë xhaz”, thuhet në postimin zyrtar të Sunny Hill.

Dren Abazi kishte njoftuar para dy javëve se do të jetë në Sunny Hill në Tiranë, gjatë një paraqitje në televizion. /KultPlus.com

Dren Abazi risjell këngën ‘Nuk të harroj’ në nderim të Violeta Rexhepagiqit

Këngëtari i mirënjohur kosovar, Dren Abazi, ka risjellë këngën ‘Nuk të harroj’, kënduar për herë të parë ngë Violeta Rexhepagiqi, përcjell KultPlus.

Ky ripërpunim i këngës ‘Nuk të harroj’ nga Abazi vjen pikërisht në 2 vjetorin e vdekjes së këngëtares.

“Dedikuar kujtimit të përjetshëm të Violeta Rexhepagiqit, në dy vjetorin e ikjes së saj.

Nuk të harroj…”, ka shkruar Abazi në Facebook./ KultPlus.com

Dren Abazi publikon këngën ‘Në sytë e tu’ (VIDEO) 




Pak minuta më parë, Dren Abazi ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin “Në sytë e tu”, këngë kjo që vjen pikërisht në ditëlindjen e tij të 37-të, shkruan KultPlus.

Ai njihet për zërin e tij të veçantë dhe tekstet që i flasin dashurisë shumë më ndryshe nga tekstet që jemi mësuar t’i dëgjojmë zakonisht.

“Në sytë e tu”, këngë kjo me videoklip që qysh në sekondat e parë, tërheq shikuesin pas ekranit me meloditë dhe tekstin unik aq bukur të shkruar. 

Si çdo herë, Abazi apo ndryshe i njohur si ’Mbreti i natës’ edhe kësaj here arriti që të hyj në zemrën e publikut me karizmën dhe veçantinë që ai e sjell nëpërmjet muzikës së njohur të tij.

Kjo këngë që vjen një ditë përpara ditës së dashurisë, duket se do të bëhet shumë shpejt pjesë e listës së këngëve të të shumë dashuruarve dhe jo vetëm.

Teksti, muzika dhe orkestrimi i këngës është realizuar nga vetë këngëtari, ndërkaq inçizimi është bërë nga Samer Agolli kurse miksimi është bërë nga Samer Agolli dhe Genc Salihu.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e plotë të këngës:

NË SYTË E TU

Ajo si dritë e bardhë mes reve

Që shëndrin nëpër qiell

Me zjarrin e saj ajo shkrinë dhe akujt

Që s’i shkrinë dot as ky diell.

Ajo nuk flet, ajo vec hesht

S’ka forcë te qesh por buzëqesh

Kur ajo ambël natën fle

Flenë yjet, deti, qielli me re

Në net’ e bukra e pa zhurmë,

Ti mu m’ëndërro

Më rrëmbej me zjarrin që digjet në sytë e tu

Sytë e tu

Kur m’shohin mu

Sytë e tu

Unë s’e di çfarë shije ka sot grimi

Që është fshirë, e lagë me lot

I ngrirë është në fytyrën e saj gëzimi

Dhe unë pikëllimin e ndjej sot

Ajo nuk flet, ajo vec hesht

S’ka forcë te qesh por buzëqesh

Kur ajo ambël natën fle

Flenë yjet, deti, qielli me re

Në net’ e bukra e pa zhurmë,

Ti mu m’ëndërro

Më rrëmbej me zjarrin që digjet në sytë e tu

Sytë e tu

Kur m’shohin mu

Sytë e tu

Në Sytë e Tu / KultPlus.com

Sharmante, melankolike dhe e parezistueshme, muzika e Dren Abazit ngre veprën në nivelin e artistikes së mirëfilltë

Era Berisha

Një përhumbje e mprehtë, dinamike dhe e pa shfrenuar që vjedhurazi lëmon tërësisht secilën kockë të qenies njerëzore duke përqafuar zjarret e ndezura në kujtesën tonë si një flakërim i heshtur, do të përshkruhej kështu ndjesia personale që vijon kur sekondat e para të këngëve të veçanta të Dren Abazit, thumbojnë me ndjeshmërinë dhe brishtësinë e tyre. Por, për të arritur dhe qëndruar në pikën ku shkrirja e tekstit dhe melodive furishëm kaplon dëgjuesin në imtësinë gërshetuese, duhet të përballohet me vështirësinë më të madhe të një artisti përgjatë viteve në skenë, e që një e tillë mbetet; të qënurit vetvetja. E këtë dhe jo vetëm, më së miri e rrëfen këngëtari dhe kompozitori, Dren Abazi, në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

Krijimtaria muzikore e tij vallëzon në mesin e notave të lehta e gazmore të instrumenteve frymore diversive por vrapon shpejt edhe tek notat e rënda të kitarës, fuqia e së cilave godet gjithmonë në mënyrën më të përkryer e në kohën e duhur, duke përfunduar kështu në një kreshendo intensive të tingujve joshëse që papritmas zgjon tërqethet e njeriut të cilat tashmë janë të njohura me muzikën e Abazit. Ndërkohë, meloditë e drejtpërdrejta dhe melankolike përçojnë diçka shumë ndryshe nga e zakonshmja; një zhytje të thellë misterioze në drejtim të kryeveprave artistike, qasja e së cilave anon drejt poetikës eksplicite.

Në anën tjetër, videot muzikore janë disa nga videot më të mahnitshme që keni parë ndonjëherë. Sigurisht të menduara bukur e që ngjasojnë me copëza filmike, çdo klip është punuar sa në një mënyrë tejet elegante po aq edhe kinematografike. Ndonëse jo të identifikuara drejtpërdrejt në imazhet e vazhdueshme të klipeve, portrete të një bote të dominuar nga dashuria, epshi, trishtimi, dhembshuria dhe argëtimi, janë këto veçoritë e veçanta që shpalosen lehtësisht nën reflektimin vështrues të syve të krijuesit, shkruan KultPlus.

Por ajo që bie më shumë në sy në këto këngë nuk është teknika e Abazit, e shkëlqyeshme siç është, aq sa kompozimet mjeshtërore të tij të cilat ngërthejnë në vete një kompleksitet të padeshifruar, një prekshmëri të ngadaltë e të errët, një shkathtësi që emocionalisht të zapton në një përjetësi tingujsh dhe jo vetëm. Abazi me krijimin e një atmosfere përhumbëse, interpreton tekste të cilat përndjekin çdo enigmë që dridhet brenda shpirtit njerëzor e të cilat njëkohësisht na lejojnë të bredhim pas kërkimit vetjak të domethënieve të fshehura kur edhe grimcat më të vogla të tyre arrijnë të prekin diçka në sipërfaqen e realitetit tonë. Si një gjëegjëzë unike, Dren Abazi, çdo herë troket dhe sjell ajrin romantik përmes një gjithësie melodish e katastrofë tingujsh që pamëshirshëm plaçkitin zemrën e njeriut në një magjepsje të pakrahasueshme dhe krejtësisht origjinale.

Asgjë nuk e zgjon frikën time nga pranimi i emocioneve të papërpunuara më fort sesa të kujtohem për to në çdo krijim artistik që dëgjoj dhe shoh. Sidomos në muzikë. Pastaj, gjithmonë përpiqem të kuptoj atë që të tjerët e kanë shprehur tashmë me fjalë, me muzikë dhe praninë e tyre. I tillë është rasti me Dren Abazin dhe muzikën e tij e cila njihet jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri por edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

I lindur në Prishtinë, në një shtëpi ku muzika ka frymuar pothuajse tërë kohën, ai kësaj radhe ka shpalosur momente, çaste e edhe shkëputur mendime nga rrugëtimi i karrierës së tij muzikore që ka nisur qysh në fëmijëri e që ende zhurmshëm vazhdon gjallërimin e tij edhe sot e kësaj dite. Duke lënë anash momentet e pakta e jo të bukura të këtij rrugëtimi, janë pikërisht gjurmët e lumturisë, shpresës, dëshirave dhe dashurisë, ato të cilat po gumëzhinin brenda folesë së shpirtit të tij artistik e kjo portretizohej qysh në nisjen e kësaj interviste.

I rritur nga një baba muzikant i cili ishte i njohur për interpretimin në kitarë gjatë viteve të 80-ta, tingujt e atij instrumenti ishin shoqëruesit e parë muzikorë që ishin futur thellë në hapat e parë drejt pasionit për muzikën në përgjithësi. Ndërsa, momentet serioze kur ai ka tentuar të provojë diçka në muzikë ose qoftë edhe një interpretim në kitarë, ishin përgjatë fillimit të shkollës së mesme ku pikërisht në vitin e parë ai pati fatin që në klasë të takojë disa shokë të cilët po ashtu janë marrë me muzikë. Kështu, formimi i një bendi do të shënonte nisjen e një historie jashtëzakonisht tërheqëse.

Një këngëtar, meloditë dhe aranzhimet muzikore e të cilit në përgjithësi nënshtrohen ndaj teksteve të tij, natyrisht se posedon edhe një përgjegjësi të madhe duke pasur parasysh se 12 vite në skenë konsiderohen një kohëzgjatje që nuk mund të shpërfillet për një artist, me ç’rast ajo më e madhja për të do të ishte të qënurit shumë korrekt, dhurimi i asaj se çfarë publiku e pret nga ai dhe pse jo, edhe të tejkalimi i pritshmërive të tij.

Për procesin e të shkruarit të një teksti, fillimin dhe shënimin e fundit të tij, për Abazin duket se në ndihmë vjen ekzistenca e një fjale që: në art, muzikë dhe pikturë dhe në shumë sfera tjera të artit dhe të krijuarit, gjëja më e rëndësishme për të ditur është kur është mjaftueshëm. Pra, kur duhesh të ndalesh, dhe nëse e din këtë atëherë ke arritur të bësh diçka.

Mënyra klasike e të krijuarit dhe frymëzuarit kur p.sh. një personi papritmas i vjen një muzë e inspirimit dhe ai person nis të shkruaj diçka në ato momente, për të konsiderohet një besim jo shumë i duhur pasi që ai beson se shkrimi, krijimi i një kënge apo poezie është proces i njëjtë si me çdo punë tjetër. Bindja e vetvetes në mënyrë të vazhdueshme që duhet të shkruash diçka si njëfarë tentimi i vazhdueshëm për të krijuar, derisa arrihet një produkt i kënaqshëm për vete, është pikërisht ajo se çfarë e shtyn këngëtarin të vazhdojë krijimet e tij e sidomos tekstin; pjesa që vazhdon të jetë më e vështira për të.

“Shija është diçka që nuk diskutohet por unë e kam shumë më të vështirë ti shkruaj tekstet sesa të kompozojë meloditë muzikore që i shoqërojnë tekstet. Andaj edhe jam shumë kërkues në këtë aspekt”, thekson ai.

Ndërsa, kur flasim për tre komponentët kryesorë siç janë: muzika, teksti dhe ritmi, atëherë një melodi e varfër me një tekst të mirë është konsideruar si një këngë jo e mirë për arsye se është melodia ajo që tërheq gjithmonë njeriun e është pikërisht muzika që në fund të ditës nuk është ajo që njeh as gjuhë as komb e as religjion. Për këngëtarin, muzika mbetet diçka universale dhe që edhe shkenctarisht është e vërtetuar se muzika është gjuha e parë e njerëzve para se ata të fillonin të flisnin. Por, kompromisi mes tre elementeve e sidomos mes tekstit dhe vijës melodike, mendohet të jetë gjithmonë prezent.

Është posaçërisht dhuntia e tij lirike që e ngre veprën në nivelin e artistikes së mirëfilltë por se cilat janë cilësitë primare që e formojnë një artist i cili arrin një nivel të tillë, e tregon vetë Abazi.

“Mendoj që gjëja më e vështirë dhe njëkohësisht primare tek një artist është krijimi i identitetit të tij artistik. Në momentin kur dikush të dëgjon në radio dhe të identifikon lehtësisht atëherë nuk ka aspak rëndësi nëse i ke pëlqyer ose jo, e atëherë ti si artist ke arritur të dallohesh nga të tjerët me origjinalitetin tënd”, thotë Abazi.

Sipas tij, mungesa e konkurrencës fatkeqësisht krijon gjithmonë njëfarë invaliditeti për arsye se personi ndjehet i rehatshëm në zonën e komfortit që është krijuar. Por përkundrazi, ai mendon se ka shumë artistë të rinj që kanë filluar të eksplorojnë dhe të dalin pak nga vijat standarde të krijimit të muzikës, si p.sh. futja e instrumenteve frymore në krijimet e tyre, gjë që nuk ka qenë shumë e zakonshme por që shpreson se gjeneratat e reja do e ndjekin.

“Njeriu gjatë gjithë kohës është i ndikuar nga influenca të ndryshme edhe normalisht është shija ajo që me kalimin e kohës, ndryshon. Njeriu lind me një sasi të caktuar të talentit dhe asnjëherë nuk mundesh me qenë më i talentuar me kalimin e kohës. Talenti nuk është diçka që shtohet sepse talenti mbetet i njëjtë. Nëse ke sadopak talent, aq do të kesh tërë jetën dhe anasjelltas. Andaj, është shija ajo që neve na ndryshon dhe që varet edhe nga ndikimet që i posedon. Kështu që tash momentalisht unë dëgjoj shumë muzikë klasike sepse muzika klasike është ajo që më pëlqen dhe që unë e dëgjoj”, shpalos Abazi.

Për të, Leonard Cohen është njëri ndër artistët e shumtë që ai preferon, jo vetëm si këngëtar por edhe si poet. Leximi i poezive të tij dhe inspirimi nga këngët e tij shumë të bukura shihet se janë pothuajse një domosdoshmëri artistike. E kënga e titulluar ‘I‘m your man’ konsiderohet kënga më e preferuar e tij e sidomos për tekstin që ajo posedon.

“Gjëja më keqe në këtë profesion/punë, është në qoftë se performimi fillon të shndërrohet në diçka rutinore. Kam dëshirë që gjithmonë ti ik rutinës dhe pse ndonjëherë është e pamundshme por sidoqoftë unë mund të them që momentet më të lumtura të ditës dhe të jetës unë i përjetoj në skenë dhe ajo është dashuria ime më e madhe. Do të doja shumë që këtë punë ta bëj deri në fund të jetës. Por edhe publiku e luan një rol të rëndësishëm e kjo është një farë ‘bumerang’. Nëse publiku është i zjarrtë atëherë ajo energji të bën edhe ty më të zjarrtë. Nëse publiku është i heshtur atëherë ajo ndikon domosdoshmërisht edhe në performancën time. Por, dëshira ime për të performuar është gjithmonë e njëjtë”, thotë Abazi.

Në mesin e rrëfimit të tij, ai tregon se disa prej koncerteve që kanë lënë mbresa të pashlyeshme përgjatë këtyre viteve në skenë, janë koncertet e 10 vjetorit të tij dhe promovimit të albumit të fundit ‘Mes yjesh’, të cilat u shoqëruan me një turne koncertesh në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë. Këto koncerte konsiderohen vërtetë koncerte mirë të realizuara dhe pikërisht në Tiranë kanë qenë koncertet ku biletat janë shitur në një kohë rekord. Kurse, koncertin që ai do e veçonte më së shumti do të ishte koncerti në Prishtinë në muajin korrik të vitit 2019.

“Këngët që po të kisha mundësi, do i kthehesha edhe një herë për ti rikrijuar janë në fakt shumë prej tyre. Këtë ndjesi e kam shumë shpesh kur i dëgjoj këngët e mia dhe i ridëgjoj përsëri. Shumica e këngëve kanë të bëjnë me shijen e njeriut që ndryshon tërë kohën dhe zakonisht mendoj se do të mund ti këndoja më mirë sepse unë e kam një të ‘metë’ për arsye se kur i shkruaj këngët, i incizoj menjëherë dhe zakonisht mendoj që incizimi i parë, është më i miri por pastaj dyshimet vijnë më së shumti në orkestrim për mundësinë e të ndryshuarit diçka. Pra, jo diçka radikale”, thotë Abazi.

Tutje, edhe pse një zgjedhje e vështirë, ai shpalos edhe disa nga këngët e preferua të tij e që konsiderohen të jenë: ‘Mbreti i natës’, ‘Zjarr e akull’ dhe ‘Kur je me mu’, por kjo përzgjedhje bazohet tërësisht në ndjesinë që publiku i dhuron atij kur ai i këndon ato këngë. E në fakt, kënga që ka kaluar të gjitha pritshmëritë e tij dhe që shumë shpejt ka marrë statusin e ‘hitit’ dhe që shpesh kërkohet nëpër koncerte është kënga ‘Zjarr e akull’, dhe pse kjo është një prej këngëve të tija të fundit.

Duke pasur parasysh se muzika e një artisti të mirëfilltë që duket se kompleton qenien e të qënurit i tillë, është e vështirë për tu përshkruar vetëm në tre fjalë të vetme, është Abazi ai që e mbështjellë muzikën e tij në këto tre fjalë: sharmante, melankolike dhe e parezistueshme.

“Normalisht ekziston gjithmonë rreziku prej asaj që quhet ‘përsëritja e vetvetes’ por sidoqoftë në një këndvështrim tjetër, përsëritja e vetvetes është krijimi i stilit tënd, pati thënë Alfred Hitchcock. Kur njeriu e përsërit veten do të thotë se ai ka krijuar stilin e tij. Unë besoj që ky është vetëm fillimi akoma. Gjërat më të mira besoj që do të vijnë me kohën dhe për mua përmbushja më e madhe si artist në jetë do të ishte kohëzgjatja sa më e madhe në skenë”, thotë Abazi.

Kohët moderne kanë sjell shumë artistë që teknologjinë e kanë afër vetes në çdo sekondë, dhe kjo automatikisht shtyn që këngët e tilla të zbulohen vështirë nga gjeneratat e reja, por kjo tek Abazi dukshëm vërehet se nuk ndodh. Ai me një kënaqësi të madhe tregoi se gëzohet shumë kur në koncertet e tij sheh një publik të gjeneratës të re dhe kjo e bën të ndihet jashtëzakonisht mirë. Po ashtu, ai konsideron se ka një publik nga çdo gjeneratë duke pasur parasysh se p.sh. në koncertin e Gërmisë në Prishtinë ka ardhur një zonjë dikur rreth të 70-ave, pikërisht nga Turqia për koncertin e tij. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe në Shqipëri ku njerëzit vinin nga Italia. Tek koncertet e tij, publiku është padyshim i përzier dhe mund të gjesh çdo lloj gjenerate.

Ndërsa, kur u pyet se a do të dëshironte që të kujtohej përgjithmonë si ‘mbreti i natës’, ai përgjigjet se ai është një etiketim që ia kanë lënë njerëzit nga kënga e tij dhe nuk është që atij i pengon. Por, nuk është edhe diçka që atë e ekzalton.

“Unë para se gjithash jam një kitarist dhe shumë vonë kam filluar të këndoj sepse nuk e kam menduar fare që ndonjëherë mund të këndoj e ta shoh veten si një këngëtar. Kam qenë kitarist i pasionuar dhe kam kaluar orë të tëra në adoleshencë duke studiuar kitarën e ndoshta edhe prej faktit që babai im ka qenë një i tillë. Sot nuk do të mund të shihja veten vetëm në kitare. Është figura më komplete e një muzikanti kur ai edhe këndon. P.sh. Eric Clapton, është njëri nga kitaristët më të mirë në botë, por prapëseprapë ai është edhe një këngëtar. Andaj, nuk e shoh sot të ndarë këndimin prej kitarës, ashtu si s’do të mund të performoja vetëm në këndim”, shpalos Abazi.

Sipas tij, ka shumë shkrimtarë të mirë të teksteve por ai beson që secili kantautor ndjehet më rehat me tekstet e tij. ‘’Jo’’, është fjalë e madhe por përsëri ai ndjen veten shumë më rehat kur shkruan vetë.

“Normalisht që në rrugëtimin tim ka shumë momente të bukura dhe më pak të bukura por unë si Dren jam i prirë që më shumti ti mbaj mend vetëm momentet e bukura dhe kam qejf që të shoh përpara dhe të eci përpara, qoftë edhe në drejtim të gabuar, por thjesht të eci para. Nëse do të filloja përsëri nga pika e parë, asgjë hiç nuk do të bëja ndryshe. Gjithçka do të ishte njëjtë. Mbase nuk do i kisha bërë gabimet e njëjta por do i kisha bërë të tjera besoj”, thekson ai.

Kështu, krejt në fund ai shpalos edhe planet e tij për të ardhmen e në veçanti tregon edhe për projektin e tij të radhës e që do të vjen shumë shpejt.

“Gjithmonë duhet që artisti të jetë në hap me krijimet e reja e për të publikuar videoklipe sepse ndodhemi në një kohë të bombarduar me shumë artist të rinj dhe është pothuajse sikur një makineri shumë agresive. Kështu që nëse ndalojmë, humbim gjithçka. Për momentin, unë veçse kam mbaruar gati këngën e re dhe klipi është bërë gati. Videoklipi është xhiruar në një pjesë në Milano nga regjisori Gerti Ibra që jeton atje dhe me një aktore të njohur italiane që ai normalisht e ka kontaktuar sepse e ka njohur. Xhirimet i kam parë dhe më kanë pëlqyer shumë, ndërsa videospoti është në proces e sipër të editimit. Ndërkohë, unë akoma se kam mbaruar këngën sepse po ballafaqohem me një metodë të çuditshme me të cilën për herë të parë po punoj kështu por është diçka me të cilën po përshtatem lehtë”, tregon tutje Abazi.

Tutje, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që fansat e tij do e dëgjonin ndonjëherë, atëherë ajo mendohet të jetë: Ndiqini ëndrrat tuaja, punoni fort për to dhe mos u dorëzoni para vështirësive që ju dalin para. Ndërkohë, janë pikërisht pendesat që ndonjëherë fusin rrënjët brenda karrierës artistike të një personi por për Abazin duket se nuk ekziston asnjë e tillë.

Pas kësaj interviste që u shoqërua nën prezencën e seriozitetit, rikujtimeve, buzëqeshjeve dhe natyrisht origjinalitetit, intervista përgjatë plot 50 minutave mbajti zgjuar kuriozitetin dhe përfundoi me një dakordim se titujt janë pikërisht ato të cilat shënojnë fundin e një krijimi artistik, qoftë ajo në këngë, poezi apo çfarëdo lloj krijimi tjetër që hyn në gamën e artit.

Fotografitë: Xhemile Hysenaj / KultPlus.com

Sonte në qytetin e Mitrovicës festohet me tingujt e muzikës

Sonte në qytetin e Mitrovicës, pas mbarimit të programit edukativ, nën motin “Ndrite qytetin” festohet me tingujt e muzikës.

Në kuadër të masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK nga data 20 gusht – 1 shtator 2021, hyrja në ambientet e hapura (në këtë rast, hapësira e hapur- qendra sportive Fatime Xhaka) ku mbahet Green Fest 11, për të gjithë ata që duan të marrin pjesë, do të vijoj duke preznatuar në hyrje një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit (së paku një dozë);

Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Programi:

Dren Abazi & Zig zag Orchestra

E shtunë (21.09.2021)

Jericho

Uran B

E diele (22.09.2021)

Shega – bend arbëreshë nga Italia

Eugent Bushpepa

Dj Wise

Green Fest është ngjarja më e madhe kulturore në qytetin e Mitrovicës, që organizohet për njëmbëdhjetë vite me radhë nga organizata kulturore 7Arte. / KultPlus.com

Dren Abazi publikon këngën ‘Hana’ (VIDEO)

Dren Abazi ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin ”Hana”.

Abazi njihet për zërin e tij të veçantë dhe tekstet që i flasin dashurisë shumë më ndryshe nga tekstet që jemi mësuar t’i dëgjojmë kohët e fundit, shkruan KultPlus.

Teksti, muzika dhe orkestrimi i këngës është realizuar nga vetë këngëtari, ndërkaq orkestrimi frymor nga Brikel Guga, kurse inçizimi dhe miksimi është bërë nga Samer Agolli.

Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e plotë të këngës.

Sonte nuk po flija as andrra nuk po shihja
Shpirti më tha: pi
Në shtratin e vjetër i kthyer n’krahun tjetër
Nuk do gjesh lumtuni

A thu çdo rrugë që di unë më çon prapë te ti
Sa vera do kalojnë, sa gjatë do mbajmë mëri

Sepse ti e di shumë mirë, asgjë tjetër veç t’vërtetën
Hape zemrën tande t’lirë dhe asnjëherë s’do jesh më vetëm

Ref: Hana, sonte është natë me hanë
Gjithçka du është të të kem ty pranë
Gotat shkojnë e vijnë, por kambët mbajnë
Hana, hana, hanë

Edhe kjo marrëzia, më ndjekë pas si hija
Do që t’ngremë dolli
Nata flet me vepër, unë pa gojë kam mbetur
Ma jep tënden ti
. / KultPlus.com

Pas 10 vitesh, Dren Abazi i dhuron Prishtinës një koncert nën yje

Rrona Jaka

Nën yjet e parkut të Gërmisë, është promovuar albumi i  ri i këngëtarit Dren Abazi.

I veshur në të bardhë e më kitarë të kuqe, Abazi e ka shndërruar në festë këtë koncert, duke na dhuruar disa këngë të jashtëzakonshme, që të kujtojnë dashuritë më të zjarrta si dhe trishtimet më të thella. – shkruan Kultplus.

“Po shënojmë dhjetëvjetorin e Zig Zak Orkestrës dhe po e promovoj albumin e ri, me këtë koncert për realizimin e të cilit, kanë kontriubuar shumë njerëz” –  ka thënë Dren Abazi për Kultplus.

Me këngë të reja e të vjetra festa është bërë gjithnjë e më madhështore. Trumbetat dhe kitara rrisnin adrenalinën teksa publiku nuk zinte vend në karriget e tyre.

Teksa i gjithë publiku i është bërë BackVocal, Abazi ka kënduar këngë të vjetra me të cilat të gjithë jemi rritur si: “O moj ti me sytë e zi”, “Jorgjica”, “I dehur jam” e shumë e shumë të tjera.

I pyetur nga KultPlus se si e ka zgjedhur titullin e albumit, Dren Abazi është përgjigjur gjithë gaz.

“Ky album mban titullin e këngës më të panjohur, ndoshta ishte një tendencë për t’i dhënë pak më shumë hapësirë kësaj kënge.”

Ndonëse këngët e reja ishin ende të panjohura për publikun këngët si “Mbreti i natës”, “Lamtumirë” e “Pa frymë” janë kënduar thuajse Acapella, ku zëri entuziast i audiencës dominonte mbi muzikën.

“Sonte qenka shumë më nxehtë, s’po bjen shi, po edhe në raftë le ta mirëpresim” ka thënë Abazi teksa e ka ftuar të gjithë audiencën që të kënaqen me koncertin e shumëpritur.

Ai nuk ka harruar t’i falënderojë përzemërsisht të githë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për realizimin e këtij koncerti madhështor.

“Në këto momente emocioni, dua t’i përmend të gjithë e t’i falënderoj përzemërsisht por ndoshta e harroj ndokënd. Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e madhe të Komunë së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe gjithë sponsorëve të tjerë.” ka sqaruar Dren Abazi

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët më të suksesshëm dhe më të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërkaq përmes këtij koncerti sonte u rikthye fuqishëm në Prishtinë pas disa viteve./KultPlus.com

Dren Abazi rikthehet fuqishëm në Prishtinë me koncert recital

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët e suksesshem dhe të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërsa më vonë si Dren Abazi. Pas disa viteve rikthehet fuqishem në Prishtinë me një koncert recital, shkruan KultPlus.

Me albumin e fundit ‘Mes Yjesh’ bëri jehonë në rajon dhe u konsiderua si një artist që prek magjinë e skenës.

Ketë lajm e ka bërë të ditur vetë këngëtari përmes një postimi në rrjetin social Facebook:

Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë, me një koncert recital të shumëpritur për mua.
Albumi “Mes Yjesh” (me orkester të madhe), 10 vjetori i ZZO-së dhe shumë surpriza të tjera, në një natë shumë speciale për të gjithë ne.
12 Korrik, amfiteatri i Germisë,ora 20:00
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundshme pa mbështetjen e madhe nga Komuna e Prishtinës,Ministria e Kultures KS ,Ministria e Kultures Al,dhe gjithë sponsoret e tjerë.

Biletat mund ti gjeni nga dita e martë, në cdo pikë të Rave Travel, Kiosku informativ në Sheshin Zahir Pajaziti ,Sound Effect në Albi Mall si dhe në “Dit e Nat”, “Miqt”, “Soma book station” , Prishtinë.

Në Tiranë biletat i gjeni vetëm te Radio.
Biletat në Maqedoni i gjeni online në :

https://mktickets.mk/
https://www.karti.com.mk/

Afiche design: Eduina Jaupi/KultPlus.com

Me koncertin e tij recital “Mes Yjesh”, Dren Abazi ‘ndezi’ Shkupin (VIDEO)

Dren Abazi këngëtari i mirënjohur nga Kosova dërgoi në Shkup koncertin e tij “Mes Yjesh” për të promovuar njëherazi albumin e tij më të njëjtin titull dhe për të festuar 10 vjetorin e karrierës së tij muzikore, përcjell KultPlus.

Në sallën e Teatrit Popullor të Maqedonisë, i shoqëruar edhe nga Zig Zag Orkestra, ai dhuroi emocione të mëdha për publikun i cili mbushi sallën plot për të ndjekur këngë të reja dhe të vjetra të këngëtarit.

Ndërsa nuk mungonin edhe këngët qytetare të cilat erdhën të përpunuar me stilin e veçantë të këngëtarit dhe të orkestrës.

Këngëtari Dren Abazi është shprehur entuziast për këtë koncert gjersa u sqaroi të pranishmëve më shumë mbi koncertin dhe albumin e tij.

“Jam shumë i lumtur që kam realizuar një nga dëshirat e mia e që ka qenë të sjellë një koncert recital këtu në Shkup”, është shprehur ai për TV 21 të Maqedonisë./KultPlus.com

Dren Abazi me Zig Zag Orchestra me koncert në Teatrin Popullor të Maqedonisë

Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra ka rezervuar datat për një koncert të madh në Shkup, shkruan KultPlus.

Pas paraqitjes në Tiranë, Dren Abazi me koncertin “Mes Yjesh” do të paraqitet në Teatrin Popullor të Maqedonisë. Ky koncert do të mbahet më 15 prill, dhe fillon në ora 20:30. /KultPlus.com

Kërkesat e shumta për koncertin recital të Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestrës, e shtyjnë këngëtarin të sjellë një të dytë (FOTO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Deri më sot është menduar që të jetë vetëm një koncert më 28 dhjetor, por, jo.

Për shkak të kërkesave të shumta dhe dëshirën e madhe të këngëtarit për të mos zhgënjyer asnjë fans të tij, ai dhe Zig Zag Orchestra, do të performojnë në një koncert të dytë në Tiranë.
“Më 29 Dhjetor, vetëm një ditë pas koncertit të parë, do të ngjitemi sërish në skenën e Katedrales Ortodokse, për të përjetuar një tjetër natë magjike pranë jush, mes yjesh!”, ka njoftuar vetë Dren Abazi.

Të dy koncertet do të mbahen në sallën e Kishës Ortodokse, njëri më 28 dhe tjetri më 29 dhjetor me fillim nga ora 20:00.
Biletat e natës së dytë do të mund t’i gjeni shumë shpejt vetëm te Radio Bar, në Tiranë./ KultPlus.com

Dren Abazi e Zig Zag Orchestra me koncert recital në Tiranë, shënon dhjetë vjetorin e themelimit(VIDEO)

“Mes Yjesh”, titullohet albumi i Zig Zag Orchestra që do të prezantohet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Vetë Dren Abazi ka njoftuar se ky koncert është koncert recital dhe do të përcillet me orkestër të madhe. Ai këtë koncert e ka quajtur, ndoshta si më të rëndësishmin deri më tani, kurse ka falenderuar Bashkinë e Tiranës për mbështetje. Koncerti do të mbahet në sallën e Kishës Ortodokse dhe nisë në ora 20:00, më 28 dhjetor/KultPlus.com