10 fakte interesante nga jeta e Pablo Pikasos

Më 25 tetor 1881 lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vdiq më 8 prill në vitin 1973).

Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre origjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës.

Bashkë me Georges Braque e themeloi Kubizmin. Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë.

Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.

Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha. Në vitet e parë të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës.

Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Pikaso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva. Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste.

U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë. Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme. Jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17-vjeçaren Maria Therese Walter. Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955.

Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Pikasos. Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë. Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer.

Gjatë luftërave ai mbajti një qëndrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë. Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qenët pacifist.

Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50 mijë.

Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo–shqiptare.

Pikaso është pagëzuar Pablo Diego Jose Francisco de Paula Juan Nepomuceon Maria de los Remedios Cipriano de la Santisima Trinidad Martyr Patricio Clito Ruíz y Picasso, sipas disa të afërmve të tij. Emri Pikaso i vjen nga e ëma, Maria Pikaso y Lopez. Babai quhet Jose Ruiz Blasco.

2- Ai lindi më herët

Pikaso pati një lindje kaq të vështirë dhe ishte një bebe kaq e dobët kur lindi, sa mamia mendoi se mos kishte lindur para kohe. Ajo e la në tavolinë që të kujdesej nëna e tij. Ishte xhaxhai i tij që i vuri emrin Don Salvador, që e shpëtoi. Ai thotë: “Doktorët në atë kohë i thanë se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli shumë mirë. I fryva duhan në fytyrë dhe menjëherë ai reagoi”.

3- Fjala e parë: laps

Pikaso duket se ka lindur artist. Fjala e parë ishte laps, “piz”, shkurtimi në spanjisht. Babai i tij, Ruiz, një profesor arti dhe artist, e arsimoi në këtë fushë duke filluar nga mosha 7 vjeçare. Ruiz u zotua se do të hiqte dorë nga piktura, pasi në moshën 13-vjeçare, Pikaso ia kishte kaluar për mjeshtëri.

4- Vizatimi i parë i Pablos

Në moshën 9-vjeçare, Pikaso përfundoi pikturën e parë, “Le Picador”, një burrë që kalëronte një dem. Piktura e parë në moshë madhore quhet “First Communion, ku portretizohet babai, nëna dhe motra e vogël, të gjunjëzuar në altar. Pikaso ishte 15 vjeç kur e përfundoi.

5- Pikaso ishte nxënës i tmerrshëm

Për këtë nuk ka dyshim, Pikaso ishte brilant, nga ana artistike. Ai ishte shumë vite më para se shokët e klasës, edhe pse ishin katër ose pesë vite më të vjetër se ai. Por Pikaso shpesh sillej keq dhe dënohej. Atë e nxirrnin nga klasa dhe e linin të ulur në stol në fund të klasës.

6- Puna e parë e Pikasos

Pikaso e nënshkroi kontratën e parë në Paris me një shitës arti, Pere Menach, i cili ra dakord ta paguante 150 franka në muaj (750 dollarë sot).

7- A e grabiti Pikaso Mona Lizën?

Në të vërtetë, jo, por në vitin 1911, kur Mona Liza u grabit nga muzeu i Luvrit, policia mori shokun e Pikasos, poetin Guillaume Apollinare, në polici. Apollinaire i vuri gishtin Pikasos si të dyshuar, kështu policia e mori në pyetje edhe atë. Të dy më vonë u liruan.

8-Kubizmi: Plot me kuba të vegjël

Në vitin 1009, Pikaso dhe artisti francez, Georges Braque, themeluan lëvizjen e artit, kubizmin. Në të vërtetë, ishte kritiku francez i artit, Louis Vauxcelles, që fillimisht e quajti “kuba të çuditshëm”, pasi vuri re se Pikaso dhe Braque pikturonin piktura “plot me kube të vegjël.

9- Pikaso ishte Don Zhuan

Duke qenë se ishte artist i njohur, Pikaso kishte shumë sukses me vajzat. Në të vërtetë pati shumë të dashura. Ja një liste e shkurtër e më të njohurave. Fernande Olivier, Marcelle Humbert, Marie-Thérèse Walter, Dora Maar, Françoise Gilot.

10- Makina e Pikasos

Kjo nuk është me saktësi makina e tij, por e ka një histori. Para tre vitesh, mekaniku Andy Saunders nga Dorset, Angli, e konvertoi makinën e tij “Citroen 2CV” në një vepër arti të frymëzuar nga Pablo Pikaso. Saunders e quajti makinën “Picasso’s Citroen”, sepse dukej më e bukur nga sa ishte fillimisht. / KultPlus.com

Edhe tetë vepra të tjera të Pikasos për dashamirët e pikturës

Tetë vepra të tjera të Pablo Picasso-s kanë mbërritur në muzeun që mban emrin e tij, në zemër të Parisit dhe që strehon koleksionin më të rëndësishëm botëror të veprave të piktorit të madh.

Dhurimi i veprave u bë nga vajza e tij, Maya.

Njëra nga veprat, bardhezi, nga viti 1938, u paraqit në shtyp në prani të ministres franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot dhe ministrit të Ekonomisë, Bruno Le Maire.

E titulluar “Fëmija me lëpirëse i ulur nën një karrige”, vepra kubiste përfaqëson me siguri Maya-n fëmijë, e fshehur nën mobilie, si për të shprehur një parandjenjë ogurzezë, atë të luftës botërore që ishte gati të shpërthente, siç shpjegohet edhe nga një nip i artistit, Olivier Widmaier Picasso.

Koleksioni përfshin gjashtë piktura dhe dy statuja, njëra prej të cilave, “Venus del Gas”, e krijuar nga Picasso në 1945 dhe një tjetër, polineziane, tipike për skulpturat antropomorfike të ishujve Marquesas të shekullit XIX, të cilin artisti e mbajti me xhelozi në studion e tij, së bashku me një libër skicash.

Më e vjetra nga pikturat në koleksion është një portret klasik i babait të Picasso-s, “Don Jose Ruiz”, gjithashtu piktor, i datës 1895.

Më e fundit, një vepër kubiste, “Koka e një njeriu”, e bërë nga Picasso në verën e vitit 1971.

Pranë saj është “Studio për një muzikante mandoline”, bardh e zi në vaj, një portret i Emilie Marguerite Walter (e quajtur “Mémé”), vjehrra e Picasso-s, një vepër e realizuar në vaj dhe laps në kanavacë.

Pastaj, “El Bobo”, vepër në vaj, e frymëzuar nga Nano i Velasquez dhe i vitit 1959, si edhe një album që përfshin disa studime për “Déjeuner sur l’Herbe”, e frymëzuar nga vepra e famshme e Edouard Manet.

Tetë veprat do të paraqiten në tërësi për publikun në prill 2022./ /ervo/KultPlus.com

Miqësia e fotografit shqiptar, Gjon Mili me piktorin e njohur, Pablo Pikaso

Kur Gjon Mili mbërriti për herë të parë në studion e Pikasos, ndjeu sesi drita që ishte gjithnjë bashkudhëtarja e tij u zhduk menjëherë sapo tablotë e mëdha shpërndarë kudo në hapësirën e madhe u shfaqën para tij. Ishte viti 1948 dhe fotografit shqiptar nuk i ishte dashur shumë të gjente studion e artistit në Vallauris, në Francën e Jugut, ku Pikaso ishte vendosur për të punuar.

Me sy ai kërkoi çelësin e dritës dhe kur nuk e gjeti shkoi tek dritarja dhe e hapi. Një dritë e lehtë çau dalëngadalë errësirën dhe subjektet në tablotë e pikturuara sikur morën një tjetër kuptim. I veshur thjesht me pantallona të shkurtra, siç ishte duke punuar, Mili iu lut mjeshtrit të vendoste duart kryq dhe të shikonte nga aparati i tij. Një mori shkrepjesh do të ktheheshin në fotot më të mira të realizuara për Pikason gjatë gjithë jetës së tij.

Në vazon me lule mbi tryezën e drunjtë, Mili këputi një lule dhe ia vendosi mjeshtrit lehtë në kokë. Njeriu që i kishte dhënë aq jetë luleve, tashmë ishte i gjithi nën fuqinë e saj. Por eksperimenti që më pas do të ndikonte dhe në pikturat e realizuara nga Pikaso ishte drita. Si fotograf novator, Mili e kishte zbuluar dritën si një element që i jepte një tjetër fuqi imazheve. Duke ia treguar Pikasos, ky i fundit do të mahnitej nga forca e saj, duke e derdhur më pas në ngjyra.

Pikaso dallohej për tendencën për të shtyrë kufijtë e vetes dhe kur Mili i tregoi rrugën për të pikturuar përmes dritës, ai pranoi menjëherë. Vizatimet e dritës shfaqin Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij, apo gruan plot forma tek “Ëndërrimtarja”. Për të krijuar efektin hipnotizues, Pikaso mbante në dorë një elektrik të vogël të cilin e lëvizte në një dhomë të errët. Për fotot u përdorën dy aparate, njëri për të kapur pamjen ballore dhe tjetri atë anësore. Duke lënë objektivin të hapur, Mili kapi vijat e dritës si vorbulla në hapësirë. Tridhjetë fotografi janë realizuar me Pikason duke vizatuar me dritë. Nga viti 1948 deri në vitin 1967, për dy dekada, Pikaso dhe Mili do të kishin një miqësi të veçantë. Askush si Mili nuk do të mund futej thellë në psikikën e artistit dhe për ta dhënë këtë psikikë përmes fotove 

të rralla. Mili dhe Pikaso më shumë se miq ishin dhe dy artistë që sipas kritikës u influencuan nga arti i tyre. Kur Mili e vizitoi Pikason sërish në Vallauris, ai jetonte me Françoise Gilot, e dashura e tij prej dhjetë vitesh me të cilën kishte një djalë, Claude. Në kopshtin e shtëpisë së tyre, Mili ka realizuar një set fotosh të gruas së dashuruar me djalin. Por ajo çfarë i bën fotot e Milit të veçanta është karakteri që ai u jep atyre. Njohës i mirë i Pikasos, ai mundohet të vendosë në çdo fotografi detaje të cilat janë në thelb dhe arti i piktorit. Interesante janë dhe fotot ku Pikaso shfaqet me maskën e një gomari, të cilën Mili e gjeti në studion e tij kur e vizitoi në vitin 1967. Në atë kohë Pikaso sapo kishte dalë nga dëshpërimi i thellë që e pushtoi pas ndarjes me muzën e tij të vetme, Françoise. Ai jetonte me gruan e dytë, Jacqueline Roque, dhe ky kolazh fotosh ku trupi i Pikasos shfaqet i zhytur nën portretin e një gomari, është një alegori e madhe për të shkuarën. Takimi i Milit me Pikason ishte një ngjarje e madhe për revistën “Life” dhe në vitin 1968 kryeredaktori i revistës, George P. Hunt, shkroi një shkrim special për këtë. Fotot e realizuara nga Mili për Pikason vijojnë të jenë si një libër për të lexuar mendjen e artistit, që shumë pak foli për vete, por vetëm pikturoi. Një nga fotografitë që vijon të ekspozohet në galeritë më të njohura të artit është ajo me titull “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Në vitin 1952, në Paris, Mili hapi një ekspozitë kushtuar Pikasos. Në albumin biografik të Pikasos, fotot e artistit shqiptar zënë një pjesë të madhe të hapësirës. Emri i Gjon Milit renditet në morinë e fotografëve më të njohur botëror. Ai nuk e mohoi asnjëherë origjinën e tij shqiptare dhe pse ishte vetëm 5 vjeç kur e la Shqipërinë. Për 15 vjet, ai punoi në revistën e njohur “Life” dhe fotot e realizuara prej tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fondit të kësaj reviste, e cila herë pas here i risjell në vëmendjen e publikut, për të kujtuar një ikonë të fotografisë botërore, e cila kërkonte t’i shikonte gjërat përmes dritës… Fotot e publikuara me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Pikasos janë ndër më të rrallat në jetën e artistit dhe e sjellin atë në momente të ndryshme të jetës, në një stil që nuk ndryshon shumë nga ai i pikturave të tij… /albertvataj/ KultPlus.com

Shitet në ankand për 103.4 milionë dollarë piktura e Pikasos

Piktura e Pablo Picasso “Gruaja e ulur në dritare” (Marie-Thérèse)’ u shit dje për 103.4 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga shtëpia e njohur e ankandit “Christie’s” në Nju Jork.

Vepra prej 1.46 x 1.14 metra, e pikturuar në vitin 1932, e kishte bazën për 90 milionë dollarë dhe arriti në 103.4 milionë dollarë pas një beteje midis koleksionistëve që zgjati mbi 19 minuta.

Kjo pikturë, e cila përfaqëson të dashurën dhe muzën e artistit Picasso, Marie-Thérèse Walter, gati dyfishoi vlerësimin fillestar të siguruar nga Christie’s, me gati 55 milionë dollarë më shumë.

Pronari i mëparshëm i pikturës e bleu atë tetë vjet më parë për rreth 44.8 milionë dollarë. / KultPlus.com