Pas një ndërprerjeje të panaireve të librit nëpër botë për shkak të koronavirusit, të mërkurën e 4 nëntorit është hapur edicioni i 39-të i Panarit Ndërkombëtar të Librit në Sharje të Emirateve të Bashkuara Arabe, në prani të shumë mysafirëve të botës dhe ambasadorëve të shteteve pjesëmarrësve.
Sivjet dallohet edicioni i 39-të, që do të vazhdojë deri më 14 nëntor, me pjesëmarrjen e 397 botuesve nga të gjitha kontinentet e botës, si dhe me ardhjen e 37 shkrimtarëve e ekspertëve që do të diskutojnë në disa tema që kanë të bëjnë me fatin e librit në kohën e COVID-19, me perspektivën e botimit elektronik të librit e tema të tjera.
Në këtë panair prezantohet botimi arab i romanit të shkrimtarit nga Kosova, Ibrahim Kadriu, “Përtej binarëve” që u përkthye në arabisht nga Ibrahim Fadlulla dhe u botua sivjet nga shtëpia botuese jordaneze “Al-An” dhe Instituti për Studime Orientale në Prishtinë. Sipas drejtorit të Institutit, Muhamed Mufaku, romani “Përtej binarëve” u botua në Amman gjatë prillit dhe u prit mirë, por tani po prezantohet për herë të parë në këtë panair ndërkombëtar të librit, i cili konsiderohet ndër pesë panairet më të vizituara në botën arabe.
“Përtej binarëve” i botuar në shqip në vitin 2016 nga shtëpia botuese “Pena”, paraqet realitetin e ri të krijuar jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin pas ndryshimeve të njëpasnjëshme me rënien e regjimeve komuniste dhe me paraqitjen e euforisë nacionaliste deri tek ajo fetare në vendet e Lindjes së Mesme. Aty paraqiten rrëfime se si është promovuar radikalizmi islamik me thirrje për xhihad. Personazhet e Kadriut shpalosin anën organizative dhe emocionale të atyre që janë nisur për xhihad. Romani përfshin skenat e nxitjes së të rinjve duke zgjedhur rrugën ilegale përmes Shqipërisë, pastaj nga atje nëpër Turqi, e deri te “Shteti Islamik” në Siri, ku gjejnë një realitet krejtësisht të paparashikuar. Në disa kapituj paraqiten traumat dhe vështirësitë e tyre deri te sakrifikimi për të shpëtuar nga toka e xhihadit dhe për t’u kthyer në atdhe.
Pllakat për librin “Përtej binarëve” në Panairin e Ndërkombëtar të Librit në Sharje të Emirateve të Bashkuara Arabe./ KultPlus.com