‘Zbritje atje ku ndodhte diskriminimi’

Romani më i ri i Ibrahim Kadriut “Zbritje në dekada”, botim i “Faik Konicës” (2023) me temë nga koha e mbretërisë, të mbretit Aleksandër të Serbisë.

Në serinë e romaneve të botuara deri më sot, të autorit Ibrahim Kadriu, romani “Zbritje në dekada” i botuar kohë më parë, përkatësisht romani më i ri, paraqet vazhdimësi të të ndodhurave historike në mesin tonë, kur shqiptarët i kishin të kufizuara mundësitë e zhvillimit normal. Ishte ajo kohë e mbretërisë SKS, kur shqiptarëve nuk iu lejohej mësimi, ose kur fëmijët shqiptarë ishin të shtrënguar të mësonin lutjet fetare përmendsh në gjuhën arabe, duke mos kuptuar fare se çfarë ishte ai mësim. Edhe në këtë shkrim autori është shërbyer me mjaft dëshmi të kohës, natyrisht duke i shpërfaqur ato përmes pasazheve fiktive të cilat i ndihmojnë lëndës romanore të ketë përmbajtje të kapshme dhe tërheqëse.  

Në roman parakalojnë shumë personazhe, të cilat janë portretizuar efektshëm dhe si të tilla, qoftë përmes tragjikes, apo edhe përmes humorit – përvetësohen lehtë nga lexuesi. Në epiqendër të ngjarjeve që shtrohen me një dinamikë mjaft tërheqëse, del në pah edhe Medreseja e Shkupit, e cila, për ironi të kohës, mban emrin e mbretit të Serbisë, Aleksandrit, duke qenë e vetmja qendër ku shqiptarëve iu mundësohej të arsimoheshin për t’u bërë hoxhallarë. Ka në të edhe personazhe reale, siç është rasti i Zenel Hajdinit, studentit të mëvonshëm në Beograd, i vrarë nga çetnikët.  

Ky roman me përmbajtje atraktive zbret atje, në kohë, kur në ambientet shqiptare bëheshin diskriminime; përmban edhe shumë të dhëna dokumentare të cilat e bëjnë tërheqës për lexim. Janë në shënjestër raportet kontradiktore shoqërore, të njerëzve viktimë të ideologjisë së shtetit serb antishqiptar dhe të ngarkesave me përmbajtje të doktrinave fetare (islamike) si shtytje nga politika shoviniste  serbe e cila, edhe përmes ndikimit të fesë islame – synonte realizimin e qëllimeve hegjemoniste. Edhe në këtë roman autori nxjerr mbi sipërfaqe individë të maskuar, me misione të caktuara për qëllime meskine, duke shfrytëzuar prapambeturin e shqiptarëve të cilëve  ua kanë pamundësuar çdo lëvizje që do t’i çonte drejt zhvillimit dhe emancipimit. 

Romani “Zbritje në dekada” rrumbullakohet në tri pjesë, përkatësisht në 209 faqe.  /KultPlus.com

Simpozium shkencor për portretin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu në Universitetin e Tetovës

Nën organizimin e Shoqatës për Kulturë e Shkencë “Ars Albanica”, në Amfiteatrin 2 të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt dje simpozium shkencor “Gjurmë në kohë” për portretin letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Hapja e Simpoziumit nisi me një fjalë përshëndetëse nga prof. Zeqirja Rexhepi – kryetari i Shoqatës “Ars Albanica” për të vazhduar tutje me prof. Kushtrim Ahmeti – Rektor i Universitetit të Tetovës, prof. Berton Sulejmani – Dekani i Fakultetit Filologjik – Universiteti i Tetovës.

Me punimin e saj “Jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit Ibrahim Kadriu”, më pas u paraqit Kaltrina Sadiki. Tutje u lexua një fragment nga romani “Kroi i ilaçit”.

Ndërsa prof. Zeqir Kadriu u paraqit me kumtesën “Shenjëzim në kohë në romanin “Përtej binarëve” të Ibrahim Kadriut, për të vazhduar tutje me prof. Anton Nikë Berisha me “Rreth disa veçantive të poezisë së Ibrahim Kadriut”, Prend Buzhala me kumtesën “Letërsia për fëmijë e Ibrahim Kadriut”, Adelina Xhaferi paraqiti “Interpretim i poezisë “Babai im”.

Leximet u ndërprenë për vazhduar me muzikë, ku Benjamin Menga në violinë dhe Erza Shefiti në flaute dhanë disa çaste të këndshme muzikore.

Simpoziumi vazhdoi me kumtesën e prof. Berton Sulejmani – “Disa veçori sintaksore në romanin “Kapërcimi i ujit të madh” të Ibrahim Kadriut”, prof. Salajdin Salihu me “Veçoritë poetike në veprën e Ibrahim Kadriut”, prof. Zejnepe Alili Rexhepi prezantoi “Historia e dy të burgosurve shqiptarë, viktima të ideologjive politike, në romanin “Ata dy të burgjeve” të Ibrahim Kadriut, Alejna Hasani me fragment nga romani “Ata dy të burgjeve”.

Për të thyer atmosferën e leximeve, ky organizim vazhdoi edhe njëherë me interpretim muzikor nga Benjamin Menga (violinë) dhe Erza Shefiti (flautë) e për të ja lënë radhën Altina Sulemanit për interpretimin e poezisë “Atdheu”.

Krejt për fund pati një fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti nga kolegë, miq dhe lexues të veprës letrare, artistike të shkrimtarit.

Për ta përmbyllur në mënyrë ceremoniale, në fund u bë edhe ndarja e pllaketës për shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu i cili më pas mori fjalën për të përshëndetur dhe falënderuar të gjithë ata që organizuan këtë simpozium në nderim të veprës së tij dhe gjithë lexuesit e saj. / KultPlus.com

Ibrahim Kadriu, shkrimtari më i përkthyer i Kosovës

Sabit Rrustemi

Njëri nga romansierët më në zë të Kosovës, Ibrahim Kadriu, gjatë katër muajve të këtij viti, ka përjetuar një sukses të madh në fushën e letërsisë. Pesë romane të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.

“Kroi i ilaçit”, përmes përkthyesit Baki Ymeri, është botuar në gjuhën rumune, nga Shtëpia botuese ” Amanda Edit Verlag”,

“Kapërcimi i ujit të madh”, tash nën titullin “Rruga e vdekjes”, është përkthyer në gjuhën frënge nga Mustafë Jashari dhe është botuar nga “Editions Baudelaire”, në Paris

Po në Paris dhe nga i njëjti përkthyes, u botua dhe romani “Gloria në mes”, ( Titulli frangjisht, “Gloria au milieu”, përmes botuesit “Verone”.

Ishte ky përkthimi i dytë i këtij romani në gjuhë të huaj.

Pjesa e parë e këtij viti vazhdon dhe me përkthimin e dy romaneve tjera të Ibrahim Kadriut.

“Misioni rus”, gjithashtu përjetoi përkthimin e dytë në gjuhë të huaj, tash në Turqi, përmes botuesit “International publishigk” në Stamboll.

E, romani “Pjella e dreqit, “kapercen oqeanin Atlantik” dhe falë përkthyesit Avni Spahiu, botohet në SHBA, përkatësisht në Hjuston të Teksasit, nga botuesi “Jalifat publishing”.

Deri më tash, krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut, në gjuhë të huaja regjistron gjitsejt 20 botime. Prej këtyre, vetëm pas vitit 2000 e këndej, 18 botime duke e bërë këtë shkrimtar të rryer e tejet frytdhënës, shkrimtarin më të përkthyer të Kosovës, po edhe njërin nga shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë, pas Kadaresë.

Për kurreshtarët dhe njohësit e letërsisë, po e publikojmë listën e plotë të veptave të këtij shkrimtari që janë përkthyer në gjuhë të huaja, deri më sot.

Lista e deritashme e veprave të Ibrahim Kadriut të botuara deri më tash në gjuhë të huaja:

1. “Koprena vremena” (Veli i kohës, poezi) serbokroatisht, përkthyes Mirko Gashi, botuar më 1984

2. “Lekovit izvor”, roman (Kroi i ilaçit) serbokroatisht, përkthyes Vehap Shita, botuar 1987

3. “Na ramas timp pentru sarbatori”, poezi rumanisht (S’mbet kohë për kremte, përkthyes Baki Zmeri, Bukuresht 2005.

4. “Dreni dhe Drenusha”, libër ilustracion shqip-norvegjisht, 10. 000 ekzemplarë, përkthyes Ermir Pulaha, 2005

5. “Narod je kriv” (Populli është fajtor) në gjuhën malazeze, përkthyes: Ismet Markoviq-Plavnik, 2013,

6. “Gloria ortada” (Gloria në mes) Stamboll, roman turqisht, përkthyes Vahit Ergin (2014)

7. “Tempo incenerito nelle puçille” (poezi italisht) përkthyese Albana Alia, botues “Pelegrini” – Kozenca, (2015)

8. “Klemenos horos (Kohë e vjedhur) poezi greqisht, përkthyes Iljaz Bobaj, Patra, Greqi (2017)

9. “Korsningar” (Udhëkryqe) poezi suedisht, përkthyes Hamit Gurguri, botues “Erik-Hans”, Boras, Suedi (2019),

10. “Përtej binarëve” (roman arabisht), përkthyes Ibrahim Fadlallahu Oman- Jordani, (2020),

11. “Mission russe” roman (frëngjisht), përkthyes Mustafë Jashari, botues Editions Baudelaire, Paris 2021,

12. “La mort d’Anila” (Vdekja e Anilës) roman frëngjisht, përkthyes Mustafë Jashari, botues St. Honore, Paris, 2021

13. “Au dela des rails” roman frëngjisht (Përtej binarëve) përkthyes Mustafë Jashari, botues St. Honore, Paris 2021

14. “Canele cu cratita (Qeni me tenxhere) rumanisht përkthyes Baki Ymeri, botues Amanda Edit, Bukuresht, 2021.

15. “La progenture du diable” (Pjella e dreqit) roman frengjisht, përkthyes Mustafë Jashari, botues “St. Honore”, Paris, 2022,

16. “Izvorul Tamaduiri” (Kroi i ilaçit), roman rumanisht, përkthyes Baki Ymeri, botues: “Amanda Edit Verlag” 2023,

17. “Le chemin de la mort” (Rruga e vdekjes, botimi shqip: “Kapërcimi i ujit të madh”, për Tivarin) roman frëngjisht, përkthyes Mustafë Jashari, botues “ Editions Baudelaire”, Paris 2023.

18. “Gloria au milieu” (Gloria në mes) roman frëngjisht, përkthyes Mustafë Jashari, botues “Verone” Paris, 2023,

19. “Rus misyonu” (Misioni rus), roman, turqisht, botues: International publishigk, Stamboll, 2023.

20. “Devil’s offspring” (Pjella e dreqit) anglisht, përkthyes Avni Spahiu, botues: “Jalifat publishing”, Hjuston, Teksas, 2023

Ky numër i veprave të Ibrahim Kadrirut në gjuhë të huaja, sa vjen e po rritet, duke e afirmuar më tej letërsinë shqiptare në shumë vende e gjuhë të botës./ KultPlus.com

60 vjet krijimtari, mbahet mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun që fokusoi kompletin me dhjetë vepra

Një ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore, Ibrahim Kadriu në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të krijimtarisë, sjell kompletin me dhjetë vepra të botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, me ç’rast mbrëmë është mbajtur edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery, kushtuar këtij kompleti që me patjetër zë vend të merituar në sfondin e letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave për të cilat kanë diskutuar: studiuesi dhe profesori Anton Nikë Berisha, shkrimtari Nazmi Rrahmani, përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri si dhe vetë shkrimtari Ibrahim Kadriu.

Kjo mbrëmje e veçantë letrare që u shoqërua nga të pranishmit që zunë vendin e tyre qysh me fillim në orën 19:00, u karakterizua nga diskutime që morën kahje të ndryshme por me plot mallëngjim.

Fillimisht, qe shkrimtari Nazmi Rrahmani ai i cili e nisi mbrëmjen duke kujtuar kohën kur Rilindja qe në një kohë të vështirë si dhe rreth romanit të parë të Kadriut, “Kroi i ilaçit”.

“Romanin e parë që e ka botuar Ibrahimi, ka kaluar nga unë vetë. ‘Kroi i ilaçit’ ka kaluar nëpër redaksinë e botimeve të Rilindjes. Romani është më karakteristik si fillim i veprimtarisë së autorit por edhe si moment që mban edhe një vulë të kohës për arsye se romani është dorëzuar në Rilindje në një kohë politikisht të vështirë e të rëndë kur edhe Rilindja si shumë institucione tjera të kulturës, akuzohej për ngjalljen e irredentizmit në vitin 1981, pra qe një kohë kur Kosova përjetoi vështirësi të veçantë. Romani u botua një vit më vonë dhe u vlerësua nga shumë. Romani e ka bërë rrugëtimin e vetë”, thotë ai.

Tutje, studiuesi dhe profesori Anton Nikë Berisha vuri fokusin tek poezitë e Kadriut, të cilat sipas tij kanë qenë të nevojshme që të jenë pjesë e këtij kompleti.

“Ballafaqimi im i parë me romanin e parë të tij ka qenë si njëfarë lloj çelësi për hyrjen në krijimtarinë e tij. Dua të them se libri ndonjëherë na jep atë për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm për rolin që ka dhe kjo pasuri e librit nuk shprehet asnjëherë në të njëjtën mënyrë. Një komplet ndonjëherë edhe mund të hap një rrugë e të bëj një kthesë. Ibrahimi qysh nga fillimi është përcaktuar për letërsi dhe tash vazhdon ende të merret me të. Në romanet e tij të këtij kompleti e gjejmë një shpalosje të plagëve herë të fshehura e herë të drejtpërdrejta, por gjithmonë të shprehura përmes një rrëfimi. Unë kam këmbëngulë që vëllimi i parë i këtij kompleti të filloj me poezi sepse me ‘Netët e Karadakut’ që botohet në vitin 1968, kemi një botë poetike që vazhdon e pasurohet. E unë këtë e kam përcjell më shumë”, shpalos Berisha.

Sipas tij, do të ishte një mangësi, nëse në atë komplet të mos kishte diçka nga poezia e tij. Dhe pikërisht tek poezia, për të, ka diçka që përkujton mendime të autorëve të huaj dhe njerëzve tanë.

“Poezia ‘Të jesh shkrimtar’ nga Ibrahimi të fut në botën e artit të fjalës, letërsisë dhe misterit. Letërsia e ka një gjë të rëndësishme sepse është një lloj zinxhiri që krijon diçka dhe i hap dyert ndaj diçkaje tjetër dhe ndryshe nuk do të mund të kuptoheshin këto romane që i ka shkruar Ibrahimi por mund të kuptohen kur mbaron njërën e pastaj vazhdon tjetrën dhe hyn në një botë tjetër ku ballafaqohesh me vetveten. Kompleti është një fat i realitetit dhe kështu jemi përbrenda një letërsie që banë jetë intensive dhe kjo ka peshë te lexuesi”, përfundon ai.

Ndërkohë, përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri tregoi për përkthimet e romaneve të Kadriut në gjuhën frënge, e që sipas tij, janë tejet cilësore.

“Ibrahimi është tejet i lexuar dhe dyshoj të ketë shkrimtar më të lexuar se ai. “Misioni rus” më ka nxitur të bëj vetë kërkime për të hulumtuar historinë e manastirit. E shoh krijimtarinë e Ibrahimit dhe mendoj se botimet e librave të tij në frëngjisht janë të një cilësie që është aktualisht e rrallë për letërsinë shqiptare të botuar jashtë trojeve tona sepse ato janë botuar në Francë nga shtëpi botuese serioze”, thotë Sidheri.

Krejt në fund, qe shkrimtari Ibrahim Kadriu ai i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke falënderuar fillimisht gazetën KultPlus për iniciativën që të takohen mbrëmë me rastin e botimit të kompletit, pastaj Nazmi Rrahmanin, redaktorin e tij të përhershëm, Anton Berishën që ka qenë krahu i tij i djathtë i tij, Elvi Sidherin për moderimin si dhe djalin e tij që e ka krijuar dizajnin e mrekullueshëm të kompletit.

“Jam përpjek që zgjedhjen e romaneve ta bëj të tillë që të përfshijë ato që më së shumti kanë lënë përshtypje, ato që më së shumti janë lexuar dhe për të cilat është shkruar më së shumti. Kujtoj që është bë një përzgjedhje e bukur, jo që e kam bërë vetë, por kështu më është thënë edhe nga të tjerët”, përfundon Kadriu.

Të pranishmit, të emocionuar nga kujtimet dhe mendimet e shaplosura vazhduan bisedat rreth letërsisë nën shoqërimin e melodive shqipe brenda hapësirës së KultPlus Caffe Gallery.

Kjo mbrëmje është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte. / KultPlus.com

Sonte në KultPlus Caffe Gallery, mbrëmje letrare me Ibrahim Kadriun

Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.

“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com

Mbrëmje letrare me Ibrahim Kadriun në KultPlus Caffe Gallery

Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.


“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com

Shekujt e Andaluzisë

Ibrahim Kadriu

“Islami në Andaluzi”, libër i autorit Ahmad Thomson i përkthyer nga anglishtja nga Ejup Ramadani

Andaluzia paraqet një territor të gjerë në Gadishullin Iberik, një ambient të veçantë me mrekulli natyrore, e cila nëpër shekuj ishte arenë gjakderdhjesh, por që sot shquhet me gjurmët e shumta nga e kaluara e bujshme që është temë në librin e Ahmad Thomson-it, një libër shumë interesant për tetë shekuj të dominimit islam në ato anë. Autori Ahmad Thomson , i lindur më 1950 në Zambi, (tash është avokat për bamirësi në Londër) është autor i një serie të librave historikë siç janë: “Bërja e historisë”, “Rendi i ardhshëm botëror”, “Udhëtimi i vështirë”, etj. Me librin “Islami në Andaluzi”, të mbështetur në një vistër librash historikë për atë pjesë të botës, ka sjellë aq shumë argumente që dëshmojnë për jetën tetë shekullore, përkatësisht për konfliktet në vazhdimësi mes katolicizmit dhe islamizmit, duke përfunduar me ndjekjen e tërësishme të komunitetit islam të cilët, për aq shekuj të qëndrimit në Spanjë, arritën një zhvillimi proporcional në shumë fusha, duke ambientuar tërë rajonin në frymën islame, ndërkaq ai rajon përfshinte thuaja tërë Spanjën, por edhe një pjesë të Francës jugore. Emblemat e asaj kohe, siç janë kështjella Alhambra në Granadë, apo xhamia e njohur në Kordovë e ngritur në vitin 786, që edhe sot ruajnë sharmin dhe shkëlqimin që nuk i humbi me shekuj të tërë, flasin bindshëm për kulturën dhe artin arkitektonik të atyre shekujve të dominimit arab në ato vise.

Rrëfimet në këtë libër fillimisht shtrihen sikur te “Një mijë e një net”, meqë faktet historike kombinohen me dëshmitë e bashkëkohësve të ngjarjeve, përmes të cilave krijohen imazhe, mbase nxisin që vepra të lexohet si letërsi. Kësaj i ka ndihmuar shumë edhe përkthimi me kompetencë i Ejup Ramadanit i cili, deri sot, ka përkthyer disa vepra nga arabishtja në mesin e të cilave është edhe romani “Rrëfimi i një nate” i nobelistit egjiptian Nexhib Mahfuz.

Te “Islami në Andaluzi” kemi të bëjmë me shëtitje nëpër shekuj, deri te fundi dominues i arabëve në Gadishullin Iberik. Libri merr formën përmes luftërave në vazhdimësi, ku jetët njerëzorë llogariten me një çmim shumë të ulët me vrasje të ndërsjellë me çka formohet bindja se çdo pëllëmbë e tokës së Andaluzisë është larë me gjak. Kur numri i të vrarëve (në një luftë të vetme) fjala vjen, arrin edhe në gjashtëqind mijë, mund të merren me mend humbjet e

dy taborëve (islamë e katolikë) nëpër shekuj. Në libër flitet (fillimisht) për arritjen e arabëve, në atë pjesë të botës; për depërtimin e tyre në atë hapësirë të Gadishullit Iberik, duke imponuar rrethanat e reja të jetës, duke përhap islamizmin gjithandej për të vazhduar asisoj tetë shekuj, deri në rebelimin e vendorëve të shtyrë nga kisha katolike. Sipas librit rebelimi vinte në shprehje përmes inkuizicionit që adresën likuiduese e kishte te arabët dhe hebrenjtë, domethënë te dy popuj që, për aq shekuj, e kishin mbajtur dhe ngritur Antaluzinë.

Pamje nga Alhambra që edhe sot e ruan shkëlqimin arkitektonik /KultPlus.com

Dënimet

Nga Ibrahim Kadriu

Dënimet

Për shkak se nuk e kishte kuptuar realitetin shoqëror, Ruhon Kusha kishte pësuar duke u përballur tri herë me dënimet me burg. Pse? Shpjegimi nga një mik i tij ishte siç vijon më poshtë, siç rrëfeu A,.Gj:
…Ai ishte problematik se tregonte barsoleta. Kështu ia komunikuan, si problematik, atë ditë kur në gjykatore u gjend para drejtësisë. Në pyetjen e gjykatësit se a ishte e vërtetë se tregonte barsoleta dhe nga ato barsoleta njerëzit qeshnin? Përgjigja ishte pohuese, sepse ai vërtetë kurdo që i binte rasti të bisedonte me ndokënd, e thoshte ndonjë barsoletë. Kënaqej kur njerëzit kënaqeshin dhe nga ato barsoleta qeshnin. Ai kishte pyetur në gjykatore se a ka ndonjë qëndrim kundër qeshjes së njerëzve, a mos kishte abuzuar me qeshjet e tyre. Çka ka armiqësore?
Përgjigja ishte e shkurtër: – Ke bërë veprim kundërligjor.
– A është e kundërligjshme qeshja: kishte pyetur prapë ai.
-Kundërligjore janë përmbajtjet, i ishin përgjigjur. Ti, për shembull,- i kishin thënë- dhe atë që e thoshin kërkonin të futej në procesverbal, ke bërë humor me emrat kinezë. A është e vërtetë?
–Jo, sepse unë ashtu i kam kuptuar emrat kinezë, se kur iu duhet ndonjë emër, marrin shtyllën e gardhit dhe e fusin furishëm në tokë. Varësisht nga vendi ku e fusin ndërron edhe onomatopeja: herë çuk, herë kërr, herë fuçke, herë tank, nëse toka është gurinë. Këto efekte të futjes së shtyllës në tokë i përdorim për emra njerëzish.Ti ke bërë humor me miqtë tanë, prandaj ky kolegj i gjykatores të dënon me dy vjet heqje lirie.
Pas dy vjetësh del në liri. Kishte vërejtur shumë ndryshime, ndër ato që më së shumti u binte në sy, ishte mungesa e kinezëve rrugëve dhe shesheve të qytetit, mbase, siç i thanë, ishin larguar edhe nga uzinat. Ruhon Kusha nga gëzimi që nuk do të abuzohej më për shkak të tyre, vazhdoi të tregojë barsoleta tjera. Në një shoqëri kafeneje, ai tha:
-Më falni burra, por nuk po mundem të hesht. E kam dëgjuar një barsoletë interesante për kohën e pasluftës. Fjala është për një ushtrim të mëngjesit ku kishin dalë civilë edhe ushtarakë. Më vete i kishin edhe gomarët dhe gomaricat, që iu shërbenin për bartje, atëherë kur nuk kishte makina. Në një lëndinë, derisa bënin gjimnastikë një gomar i kërcen gomaricës. Fill pas atij akti, që u shfaq botërisht, u mor vesh se gomari kishte qenë i një ish ballisti, kurse gomarica e një anëtari të partisë komuniste. Gomarin pastaj e dënojnë me pushkatim, si të papërgjegjshëm sepse e kishte ngacmuar gomaricën e komunistit.
Të gjithë qeshin, kurse njëri prej tyre largohet më herët nga shoqëria dhe merret vesh se e kishte denoncuar dhe, pa vonesë, ia kishin lidhur duart Ruhon Kushës. E dërgojnë në gjykatore ku, me procedurë të shkurtër, e dënojnë dy vjet të tjera, pa të drejtë ankese.
Kalojnë edhe ata dy vite dhe Ruhan Kushën e lëshojnë. Kishin ndodhur ndryshime, më i madhi i kënaqësisë kishte vdekur. Ruhani hetonte një frymëmarrje tjetër fare, ndonëse prapë kishin mbetur reflekset politike të së kaluarës. Edhe pas katër vjetësh të kaluara në burg për shkak të dy barsoletave, Ruhani vazhdonte të krijonte atmosferë hareje me barsoletat e tij. Një barsoletë që e kishte dëgjuar në burg i kujtohej më së miri, prandaj gjeti rastin ta rrëfente:
-Kur arrin më i madhi i kënaqësisë sonë në atë dynja, e kishin pyetur se me kënd, nga liderët e vdekur, do të dëshironte ta ndante dhomën. Ia përmenden Stalini. Reagon ashpër. Fill pas Stalitni ia përmendin Titon. Gjithashtu reagon ashpër, bile edhe duke e sharte këtë të fundit. E shëtisin korridorit ku ishin të vendosur autoritetet politike e shtetërore dhe, në shëtitje e sipër, ndalen te dera ku shkruante se brenda ishte Indira Gandi. E pyetën:
-A dëshiron këtu, me Indirën?
-Po, po, reagon shpejt i madhi i kënaqësisë sonë.
E fusin brenda. Qëndrojnë përballë njëri tjetrit duke u marrë vesh me gjeste. I madhi i kënaqësisë sonë e shikon ëmbël Indiren. Me gjeste ia bën me dije se i pëlqente, derisa e shikonte në gjoks, duke ia bërë me dije se ia dëshironte zemrën. Indira ia kthen shpejt: – Atë ia kam dhënë popullit Domethënë e refuzon. Por Indira edhe ajo dëshiron ta provokojë. E shikon mes këmbëve, kurse i madhi i kënaqësisë sonë i thotë: – Atë ia kam dhënë popullit tim.
Menjëherë pasi e denoncuan për këtë barsoletë Ruhani u gjend me duar të lidhura në gjykatore, ku e dënuan edhe me dy vjet heqje lirie. /KultPlus.com

“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Kadriu: Rëndësinë e librit vetëm injoranti nuk e kupton

Era Berisha

“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti i ri i krijuar për herë të parë nën organizimin e ’PEN Qendra’, po vazhdon të sjell debat pas debati brenda hapësirës në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u mbajt edhe një debat tjetër i radhës nëpërmjet të cilit u diskutua një raport mjaft i veçantë në kulturën tonë shqiptare, për të shënuar kështu natën e tretë me radhë, shkruan KultPlus.

Të pranishmit fillimisht zunë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër debatin rreth temës “Libri, leximi dhe biblioteka”, ku të pranishëm në panel për të diskutuar më gjerë në një anë studimore, ishin: shkrimtari Ibrahim Kadriu, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha si dhe moderator i debatit, Binak Kelmendi.  

Si gjithmonë, ishte një numër i vogël i publikut që çdo herë bëhet pjesë e këtyre aktiviteteve kulturore të cilat shtyjnë që të krijohet një interes e një kujdes më i shtuar ndaj jo vetëm shkrimtarëve por edhe ndaj librit në veçanti. Andaj, edhe këto ngjarje janë ato në të cilat i pranishmi ndjehet tejet i lirë që të futet brenda debatit të krijuar nga pjesëmarrësit në panel.

“Libri, leximi dhe biblioteka”, është tema e radhës e shtjelluar e që e njëjta është konsideruar se zgjon një interes brenda raportit të tyre mes vete. Libri, leximi dhe biblioteka gjithmonë gërshetohen mes vete qoftë në esencë apo edhe jashtë saj, por që gjithmonë lidhen diku në një vendtakim të përbashkët. E kjo ndërlidhje është ajo ngecja që është krijuar sot në mesin tonë ndaj këtyre tri shtyllave e që po vazhdon të sjell probleme nga më të ndryshmet, nga të cilat edhe nuk po gjendet asnjë zgjidhje.

Gjithashtu, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.

Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi i cili para të pranishmëve prezantoi të ftuarit në panel.

“Për temën e paraparë për sot do të flasin dy persona që janë të ndërlidhur me biblioteka, për shkak se Engjëll është drejtor i bibliotekës por para se të flasim për bibliotekën, duhet të flasim pak për librin, ku si autor i shumë librave e lexues i pasionuar, do të flasë Ibrahim Kadriu”, thotë Kelmendi.

Fillimisht në këtë ngjarje për të folur nga një anë studimore për sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë sot, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka treguar rreth mungesës së konsideratës shoqërore ndaj librit.

“Kur është fjala te libri, është e tepërt që, me këtë rast, të merrem me rëndësinë, meqë rëndësinë e librit vetëm injoranti nuk e kupton, por do i qasemi gjendjes së tij momentale. Njësoj si para njëzet vjetësh edhe sot shtyhet me të njëjtat plagë të pa shëruara, i lënë në mundësitë individuale të atyre që shkruajnë, të botimit mbase edhe të shpërndarjes. Për librin nuk ka konsideratë shoqërore (sistemore); është lënë si mall i pa etiketuar, për shitje në kontrabandë ku të gjithë përfitojnë përveç autorëve. Kjo ndodh për shkak se praktikisht libri nuk nderohet ashtu siç e ka edhe vlerën”, thotë Kadriu.

Sipas tij, është marrë parasysh edhe konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës ku u jepet përparësi botuesve për konkurrim, e jo autorëve. Pra, përherë janë bërë vërejtjet nga autorët të cilët nga botuesit, në rast se e fitojnë konkursin, si shpërblim marrin një sasi të vogël librash që do t’iu mbetnin në shtëpi. Por që, prapë botuesit janë ata të cilët do të përfitonin edhe kur një sasi librash blihen nga Ministria për t’iu dhuruar bibliotekave.

“Autorët mbesin më të goditurit. Vetëm njëherë, mbaj në mend, Ministria i ka shpërblyer autorët në një rast të konkursit të tillë. Por ai rast është i vetmuar, ndërsa ka ardhure në shprehje atëherë kur shkrimtari i nderuar, i ndjeri Rifat Kukaj, futet në zyrën e Ministrit dhe i thotë: po qe se nuk i paguani autorët me të cilat kanë fituar botuesit në konkurs, që nesër do të organizoj protestë dhe shkrimtarët do të vijnë që t’ua nxjerrin kolltukët në shesh. Të nesërmen, vërtetë, nuk pat nevojë për kurrfarë rebelimi. Nga Ministria i thirren autorët (në mesin e të cilëve kam qenë edhe unë) dhe ua ka ofruar t’i nënshkruanin kontratat për pagesë të honorarit. Sipas kësaj – duhet të bëhemi të gjithë si Rifat Kukaj dhe t’i nxisim të bëjnë aso rregulloresh ku autorët nuk do të ngelnin të anashkaluar”, shpalos Kadriu.

Për të, krahas fatit të librave, po ashtu është marrë parasysh edhe leximi i tyre; mungesa e shprehisë për lexim, shprehi kjo e cila duhet të fillojë nga shtytja që prindërit duhet t’i kenë ndaj fëmijëve të tyre. Pra, shprehia varet nga edukata që fëmijët marrin në familje. Ai thotë fëmijët, meqë në moshën më të re ata duhet të kenë shoqëri me librin, kurse përgjegjësinë të krijimit të shprehisë, ose të mos krijimit – u takon kryekëput prindërve, por edhe kuadrit arsimor. Natyrisht konsiderohet se kjo varet nga mosekzistimi i asaj shprehie te një pjesë e konsiderueshme e prindërve, prandaj edhe fëmijët e tyre në këtë aspekt mbesin të çalë.

“Është fakti se dikur ekzistonte lista e lekturës shkollore, por ajo listë nuk ekziston më, dhe mirë që nuk e ekziston si e tillë, por, megjithëkëtë i takon Ministrisë së Arsimit të bëjë listat e librave me prioritete për moshat e caktuara të nxënësve, që do të ishte një ndihmesë e madhe orientuese, por jo detyruese. Me sa jam i njoftuar Ministria e Arsimit në Shqipëri e ka regjistrin e tillë të librave të preferuese, jo nga aspekti ideologjik, por nga vlerat artistike. E sa për bibliotekat mund të thuhet se ato funksionojnë varësisht nga serioziteti veprues në komunat ku ato eksitojnë, por është e vërteta se, shumica nga bibliotekat, në fondin e tyre kanë vetëm botime të hershme nga ato me të cilat janë furnizuar atëherë kur ekzistonte marrëveshja me botuesit dhe kur, në nivel komunash, ishin edhe fondet e posaçme për sigurimin e librave për bibliotekë. Vërtetë, edhe tash Ministria e Kulturës bën një lloj furnizimi vetëm me atë sasi të paktë që i blenë nga botuesit, por ato nuk plotësojnë nevojën furnizuese të akëcilës bibliotekë”, përfundon Kadriu.

Ndërsa, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha, foli rreth shpërqendrimeve të ndryshme që konsiderohen si faktorë dominant në relacionin mes librit dhe lexuesit, e ku njeriu konsumohet nga informacione të shpejta.                    

“Kjo temë, e ngreh për debat të vazhdueshëm relacionin në mes librit dhe lexuesit, nga shpërqendrimet me vrull që po i bëhet kësaj marrëdhënie, nga faktorë dominant, e që vijnë nga dinamika e jetës, nga elektronika, apo ekrani, ku sipas studiuesve, njeriu po konsumohet prej informacioneve të shpejta. Pastaj sikur po mjaftohet prej copëzave të cituara të librave. Dhe, po hamendet se po shërbehet nga bibliotekat digjitale, duke iu dorëzuar rastësisë, “ jep çka të japish”, apo, “kap çka të kapish”. Nuk do mend, se nuk duhet injoruar informacionet elektronike, pasi që e ka ndryshuar jetën, ngase ekziston edhe libri digjital, edhe bibliotekat digjitale edhe përdoruesi i tyre që është lexuesi i rregullt, bile i varur nga elektronika”, thotë Berisha.

Sipas tij, psikologjia e besimit të fjalës së shkrimtarit bartë gjenialitetin dhe magjinë për mendimin e mençur, e më së miri kjo bëhet në libër. Pra, libri fizik, mbetet më i besuari deri me tani. Pastaj është më praktik dhe bartet kudo. Ndërsa, konsiderohet se etimologjia e fuqisë së fjalës, ka invencion në zhvillimin e ideve kur temat pikin nganjëherë prej qiellit, e nganjëherë personazhi i provokon idetë, prej të cilave dalin libra që lexuesit i duhen në kohën e duhur.

“Është shkrimtari ai që dhuron një libër të mirë dhe përmirëson mënyrën sa të lexojmë sot. Është shkrimtari ai që imponon lexueshmërinë. Disa nga lexuesit në bibliotekë na thanë, janë shkrimtarët ata që na mbajnë gjallë, sepse, komunikojë me personazhet deri në librin tjetër. Përfytyrimin e imazhit, shkrimtarit me lexuesin, e paraqet në komunikim me librin, njëri dërgues i mesazhit dhe tjetri pranues i mesazhit. Lexuesi lexon për veten, e jo për interesat që e shndërrojnë atë në detyrime, sikur lexova një ese nga Margaret Atvord, kur thotë se “Gjithmonë ka mjaft shkrimtarë, veprat e të cilëve kanë arritur – krejt dukshëm – lexuesin e gabuar. Një recensë e keqe është si plumbi pas qafe, thotë ajo”, shpalos Berisha.

Për Berishën, gjatë kohës së pandemisë është bërë një vrojtim se çka kërkohej më së shumti ato ditë të mbyllura nga lexuesit ku sipas tij nuk kanë mjaftuar librat psikologjikë aq u kërkuan. Pastaj, kërkoheshin romane, bile konsiderohet se për dhjetë vjet nuk janë lexuar më shumë romane sa atyre ditëve.

“Bibliotekat nuk janë depo të librit, as thjesht vetëm një objekt ku ruhet libri. Bibliotekat janë burim i informimit për të gjithë, koncept i mësimit për tërë jetën, por në koherencë, me një rol për situata të reja sipas trendit të ri, ku jep mundësi ndryshe të edukimit formal për ta krijuar po ashtu një shoqëri inkluzive e cila ofron mundësi në pjesëmarrje kualitative në mësim, edukim, sipas nevojave dhe interesit. Sot, nëpër botë bibliotekën e shohin me perspektivë edhe në mbështetje të demokracisë dhe qytetarisë, në zhvillim e gjuhësor”, përfundon Berisha.

Kështu krejt në fund, biseda u zgjerua edhe më shumë me bashkëngjitjen e Avni Spahiut, shkrimtarit dhe profesorit në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota dhe shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, të cilët së bashku me të pranishmit bisedën e zgjeruan tutje me mendime dhe analiza të ndryshme personale për të krijuar kështu një atmosferë të qetë por serioze mes tyre. E gjitha kjo u zhvillua nën prezencës e ngrohtësisë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe pikturave të artistit Sadri Morina, ekspozita e të cilit ende po vazhdon të qëndrojë e hapur për admiruesit.

Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.

Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar tri tema si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, leximi dhe biblioteka. / KultPlus.com

Qasje librit më të ri të Mal Berishës ‘Ambasador i pushtetit të butë’, botuar vitin e kaluar

Ibrahim Kadriu

Mal Berisha, diplomat me karrierë, i cili misionin e diplomatit e kreu  në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, në Irlandën e Veriut dhe në Republikën e Irlandës, duke e arritur një përvojë të jashtëzakonshme të përfaqësimit të shtetit shqiptar, por në një mënyrë edhe të realitetit të Kosovës, vitin e kaluar e botoi librin reprezentativ “Ambasador i pushtetit të butë”, që në fakt iu bashkohet librave të tjerë të tij, siç janë: “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, studim i plotë i artikujve të  botuar në revistë n National Geographic Magazine, të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej më se 100 vjet (2007); “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008); “Amerikani Charles Telford Erickson, një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).”Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933″ (dhjetor 2014), “Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015. Gjithashtu ka përkthyer librat: “Naltësimi i Iskanderit, shkruar nga Benjamin Disraeli, 1833, botuar nga Shtëpia Botuese “KOHA”, Prishtinë, 2018, “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë dhe “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri. Pos angazhimit në diplomaci (ishte edhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll) një kohë iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) si dhe në Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, ndërkaq në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë dhe pas kryerjes së këtij mandati, në Shqipëri u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prej nga, pastaj, me dinjitet kryen detyrën e ambasadorit në Londër.

Libri “Ambasador i pushtetit të butë”, me përgatitje solide (me 540 faqe të formatit të madh) vjen si një dhuratë e shkëlqyer për çdo kategori lexuesish, e posaçërisht për kuadrot diplomatike të cilët do të njihen më afër për mundësitë e arritjeve të suksesshme në planin e njohjes të shtetit dhe njerëzve me merita kulturore dhe historike të popullit shqiptar pavarësisht ambienteve gjeografike ku jetojnë. Njohuritë e Mal Berishës, të shtruar në këtë botim të vlefshëm, kanë gjerësi dhe thellësi; vijnë si referenca të njohësit me përpikëri të rrethanave kulturore dhe historike të shqiptarëve kudo qofshin ata, vijnë si mesazhe për të kuptuar esencën e realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve me botën dhe, anasjelltas, të botëkuptimeve të botës për shqiptarët. Duke qenë i orientuar në ballafaqimin me botën, Mal Berisha shpalon kujtesën historike, sidomos të autorëve të huaj, dhe i ofron si përmbajtje ekskluzive me të cilat, përkundër intrigave të fqinjëve, shqiptarëve iu jepet mandati i njerëzve me virtyte të jashtëzakonshme. Sipas këtij libri duket se autori i ka dhënë vetit detyrë të qëndrojë gatitu para çdo vlere kombëtare të cilat, me gjuhë të zgjedhur, i ka mbushur faqet e këtij libri të rrallë.

Duke përshkruar rolin e diplomatit në përfaqësimin e shtetit dhe të popullit që i takon, Mal Berisha ka gjetur kohë të mjaftueshme t’i qaset edhe problemeve jetike të Kosovës, sikur duke pasur detyrë primare në punën e tij. Kjo vërehet që nga gjallërimi i përfaqësisë së Kosovës në Turqi, përkatësisht në Stamboll, gjithnjë duke i ndenjur pranë përfaqësuesit të Kosovës Enver Talit, e deri te marrja e drejtpërdrejtë me çështje të Kosovës përmes Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Diogardin në krye, në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” , në Misionin e Kombeve të Bashkuara e deri te individët nga Kosova që kanë bërë emër në botë, siç është aktori Bekim Fehmiu, këngëtarja Rita Ora, e tj. Me gjitha këto angazhime, të cilat i mbushin faqet e këtij libri, shpesh me përballje të peripecive të papritura, Mal Berisha ofrohet si portret i njeriut që me mendje e shpirt i përkushtohet kombëtares, shpesh si vetëmohues, siç janë rastet e ngritjes së përmendoreve të Skënderbeut në Londër dhe në fshatin arbëresh Munxhufuni të rajonit Muize të Italisë. Me pak fjalë mund të thuhet se ky libër është një abetare e shkëlqyeshme jo veç për diplomatët, por edhe për të tjerët të cilët brenda faqeve të këtij libri do të gjejnë diapazonin e gjerë të njohurive të autorit mbi çdo gjë shqiptare. /KultPlus.com

Përkthehen në frëngjisht dy veprat e Ibrahim Kadriut

Shtëpia botuese ‘St Honorè’ në Paris, më 15 tetor nxori në gjuhën frënge romanin “Vdekja e Anilës” të shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriut, ndërkaq më 9 nëntor 2021, shtëpia botuese, ‘Edition Baudelaire’ në Lyon botoi në gjuhën frënge romanin “Misioni rus”, përcjell KultPlus.

Me rastin e botimit edhe në gjuhen frënge, më poshtë gjeni rezymenë e këtyre dy veprave të cilat në gjuhen shqipe janë pritur jashtëzakonisht mirë.

“ VDEKJA E ANILES” (LA MORT D’ANILA), është një roman përtej çdo pritjeje, e sidomos për gjeneratat që nuk e kanë përjetuar sistemin monist.

Ky roman paraqet kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste ku secila lëvizja përqendrohej, studiohej dhe ndiqej nga organet e shtetit (policor), ku atmosfera e hidhur politike krijonte marrëdhënie njerëzore, kur në sistemin e përgjimit vëllai akuzon vllanë… Anila, një gjimnaziste, e bukur, e qete, është viktimë e një atmosfere policore nën pretendimet sipas të cilave ajo lexon libra të ndaluar nga sistemi. Anila, e gjetur e vdekur afër një lumi, përkatësisht e mbërthyer në degët e shelgut të zbritur gjer në sipërfaqen e ujit,   ndikon në personazhet të karaktereve të ndryshme… Në vendngjarje shfaqet Gani Shyti, një gjimnazist, i cili kishte detyrë të veçantë nga ana e Sigurimit, për të ofruar libra të ndaluar për studentët dhe denoncimin e tyre.

Ngjarja zhvillohet me një dinamikë plot kthesa, kur dyshimi bie mbi Gani Shytin, por, pasi u gjetë një kufomë e një emigranti afgan, Gani Shyti u shpallë i vdekur duke e identifikuar me kufomën e gjetur. Varrimi i “tij” u zhvillua, për ta fshehur pastaj në Beograd ku do të trajnohej si oficer policor profesionist e vrasës.

Romani MISIONI RUS (MISSION RUSSE), është frymëzuar nga ngjarjet reale të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe. Romani dëshmon përfshirjen e misionarëve rusë në ushtrinë serbe. Ky roman mbështetet në ngjarje të vërteta të kohës, përkatësisht të pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe në krye me gjeneralin Bozhidar Jankoviq, më 1912 dhe për depërtimin e ushtrisë serbe në Shqipëri drejt bregdetit Adriatik.

Rusia, në qendrat e saja të veçanta, formonte kuadro të profesioneve të ndryshme dhe më pas i dërgonte në shtetet që ajo ëndërronte të dominonte. Të përgatitur mirë, ushtarët rusë flisnin gjuhë të rajoneve ku ishin dërguar, kishin njohuri të mira të traditave dhe vishnin gjithashtu kostume tradicionale, në varësi të rolit që u ishte caktuar.

Në roman dëshmohet angazhimi i misionarëve rus në ushtrinë serbe, por edhe në forma të tjera të ndikimit në masë, siç janë qendrat fetare myslimane, xhamitë, për çka janë përgatitë rusët, siç është rasti i hoxhës në xhaminë më të madhe të Prizrenit i cili për njëzet vjet kishte kryer misionin fetar pa e ditë xhemati se ishte rus.

Në këtë libër, pos vuajtjeve e tragjedive që tejkalojnë imagjinatën e njeriut, e gjen vendin e saj edhe një humaniste e madhe angleze, Miss Durham, si edhe shumë të tjerë./KultPlus.com

Ibrahim Kadriu në edicionin e katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”

Në programin e edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë shkrimtari dhe prozatori i njohur shqiptar, Ibrahim Kadriu.

Ai u lind në Zhegër në janar të vitit 1945. U shkollua në Zhegër (filloren) në Gjilan (Normalen) dhe në Prishtinë e kreu Fakultetin Filozofik, Albanologjinë. Që nga ditët e fillores ka shprehur interesim për letërsinë, ndërkaq më 1962 i ka të botuara krijimet e para në revistën “Jeta e Re”, për të vazhduar më tutje me botime edhe në revista e gazeta tjera, ndërkaq më 1969 botoi librin e parë me poezi me titull “Netët e Karadakut”, për të vazhduar viteve tjera me botimet e librave (poezi e prozë), të shumtat për fëmijë. Më 1968 u punësua në të përditshmen e dikurshme “Rilindja”, fillimisht gazetar e reporter i lirë e më tutje redaktor i kulturës. Në këtë detyrë u gjet edhe kur forcat policore serbe e ndërprenë gazetën “Rilindja” dhe revistat e gazetat tjera që dilnin në gjuhën shqipe. Pas luftës në detyrën e redaktorit u caktua te gazeta “Zëri”, ku ishte i angazhuar edhe në fejtonistikë. Që nga 1968, kur botoi librin e parë e deri më sot, ka publikuar mbi tetëdhjetë vepra, poezi, prozë, humor, udhëpërshkrime, dokumentarë. Prej tyre 34 romane. Mbi veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut janë publikuar shtatë libra, kurse veprat e tij deri tash (përmbledhje poetike dhe romane) janë botuar në nëntë gjuhë: greqisht, turqisht, italisht, suedisht, serbisht, frëngjisht etj. Për arritje në fushën e letërsisë është nderuar me shumë çmime, në mesin e të cilave edhe me Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për veprimtari jetësore.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit 2’ përkujton shkrimtarin Ramiz Kelmendi, proza dhe drama e të cilit pasuroi letërsinë shqiptare

Era Berisha

Jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë, Ramiz Kelmendit, sonte u përkujtua në aktivitetin e pestë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare u shpalosën jo vetëm analizat e ndryshme letrare por edhe momentet nga më të përzemërta të të pranishmëve që kishin ndarë me shkrimtarin, shkruan KultPlus.

Fillimisht, moderatori Haqif Mulliqi, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e shkrimtarit e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.

“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar, ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkë skenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun, ka shkruar romane, profesor i Universitetit, pra njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.

“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinal dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.

Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.

“Duke lexuar Ditarin, duke shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte kaluar ai, më erdhi një si qortim për veten, se nuk e kisha njohur sa duhet, se pata fat (me këtë lexim) ta njihja më të plotë, sado që gjatë këtyre pesë dekadave prej kur këmbenim mendimet dhe përvojat, e kisha të qartë portretin e këtij krijuesi, si figurë komplete e letrave shqipe. Asaj njohjes sime paraprake, faqet e ditarit të tij, i erdhën si dëshmi për të deshifruar shumëçka biografike në veprat e shkrimtarit”, thotë Kadriu.

Për Kadriun, libri “Nga ditari im”, përkundër dilemës së autorit, të shkruhej apo të mos shkruhej, që e thotë në parathënie, është fat që, megjithëkëtë, është shkruar dhe, para lexuesve, del edhe si roman, edhe si dramë, edhe si tragjedi, por edhe si komedi. Për të gjitha këto zhanre ky ‘Ditar’ ka brumë të mjaftueshëm dhe, me atë brumë, i ndihmon teorisë mbi individualitetin e shkrimtarit si protagonist e veprave të veta.

“Kur e kemi parasysh Ditarin, na vjen keq që aq shumë tema të shtruara në faqet e këtij libri në mënyrë fragmentare, nuk janë realizuar si vepra (të tjera) të veçanta. Ndoshta për këtë ka ndikuar tërheqja, për një kohë të gjatë, e shkrimtarit nga shkrimi, e që mund të kuptohej si revoltë për shkak të ndodhurave politike përmes dhunës mbi shqiptarët. Largimi nga krijimi i këtij autori, prandaj, mund të kuptohet edhe si varfërim i letrave shqipe, por ja që, në moshë të shtyrë të autorit, na erdhi botimi: Nga ditari im”, përfundon Kadriu.

Tutje, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi foli rreth publicistikës tek shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit, Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.

Sipas tij,  “Letra prej Ulgini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.

“Është evidente se “Letra pre Ulqini”, tejkalon krejtësisht konturat e rëndomta gazetarore, e do të thosha edhe ato publicistike jo vetëm të kohës kur është shkruar, fundi i viteve të gjashtëdhjeta. Si e tillë ajo mbetet një dëshmi me interes për zhvillimet te shqiptarët në ish-Jugosllavi që nuk ishte veçse një Serbi e madhe me apetite të pashuara për kolonizim e mbisundim ndaj të tjerëve dhe në veçanti me aspirata të qarta antishqiptare. Në fakt, “Letra prej Ulqini”, është një kronikë me frymë e me shpirt e një periudhe katandisëse në Kosovë”, thotë ai.

Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.

“Kelmendi jo vetëm shkroi e bëri një kohë të gjatë gazetari. Ai e krijoi edhe shkollën e vet te gazetarisë me emrin “Faik Konica” e cila veproi deri pas çlirimit. Një kohë e botoi edh gazetën “Gazetari’. Ramiz është Rilindas i Edicionit ose i asaj që e njohim si Shtëpia Botuese e Rilindjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Edicion, si kryeredaktor, Ramizi theu murin e madh që ekzistonte ndaj librave të botuar në Shqipëri duke sjellë dhe ribotuar në Kosovë tituj që deri në atë kohë konsideroheshin mollë e ndaluar. Pavarësisht se pa prozën e tij, romaneske e tregimtare, pa udhëpërshkrimet e tij, pa dramat dhe pa publicistikën e tij, letërsia, kultura dhe arti ynë, do të ishin shumë më të varfër ”, përfundon Kelmendi.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.

“Mendoj se vendlindja e shkrimtarit është ka flitet gjuha e tij. Nëse flasim për art, duhet të flitet për magjinë e mençurisë së shkrimit. Nuk besoj se ka në letërsinë shqipe ajo idila erotike, ajo magjia e dashurisë, më shumë se sa në prozën e Ramizit. Ajo që më dhemb shumë, është se nuk po kemi fuqi institucionale e as të iniciativave të shoqërisë civile që të fshijmë pluhurin asaj gjenerate që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës me të gjitha. Kur e sheh Ramizin, e sheh madhështinë e një rruge që ka shtruar në një mënyrë shumë të bukur artistike. Vajza është më e bukur në jetën e vet kur bëhet nuse, e shkrimtari Kelmendi, gjuhën e ka pasur nuse”, thotë Demaku.

Sipas tij, promovimi i librave të tij për brezat e ri do të ishte një krenari serioze kombëtare ku secili do të thoshte: “I lumi unë që jam shqiptar se paskam pasur dikë para meje të këtij niveli.”

Krejt në fund, nën atmosferën e ngrohtë të rrethuar me muzikë shqiptare, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të tyre të cilat mbase edhe do të mbahen mend deri në frymën e fundit të qenies njerëzore.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit 2’ me mbrëmje letrare përkujton poetin e njohur, Enver Gjerqeku

Era Berisha

Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e  veprimtarisë së tij.

“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.

“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.

“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.

Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.

“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.

Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.

“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.

Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.

“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.

Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.

“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.

Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.

Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

Kjo është juria e konkursit “Letër Presidentes” organizuar nga KultPlus

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do ti lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet ditën e mërkurë, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

“Përtej binarëve” i Ibrahim Kadriut në Panairin e Librit në Emiratet e Bashkuara Arabe

Pas një ndërprerjeje të panaireve të librit nëpër botë për shkak të koronavirusit, të mërkurën e 4 nëntorit është hapur edicioni i 39-të i Panarit Ndërkombëtar të Librit në Sharje të Emirateve të Bashkuara Arabe, në prani të shumë mysafirëve të botës dhe ambasadorëve të shteteve pjesëmarrësve.

Sivjet dallohet edicioni i 39-të, që do të vazhdojë deri më 14 nëntor, me pjesëmarrjen e 397 botuesve nga të gjitha kontinentet e botës, si dhe me ardhjen e 37 shkrimtarëve e ekspertëve që do të diskutojnë në disa tema që kanë të bëjnë me fatin e librit në kohën e COVID-19, me perspektivën e botimit elektronik të librit e tema të tjera.

Në këtë panair prezantohet botimi arab i romanit të shkrimtarit nga Kosova, Ibrahim Kadriu, “Përtej binarëve” që u përkthye në arabisht nga Ibrahim Fadlulla dhe u botua sivjet nga shtëpia botuese jordaneze “Al-An” dhe Instituti për Studime Orientale në Prishtinë. Sipas drejtorit të Institutit, Muhamed Mufaku, romani “Përtej binarëve” u botua në Amman gjatë prillit dhe u prit mirë, por tani po prezantohet për herë të parë në këtë panair ndërkombëtar të librit, i cili konsiderohet ndër pesë panairet më të vizituara në botën arabe.

“Përtej binarëve” i botuar në shqip në vitin 2016 nga shtëpia botuese “Pena”, paraqet realitetin e ri të krijuar jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin pas ndryshimeve të njëpasnjëshme me rënien e regjimeve komuniste dhe me paraqitjen e euforisë nacionaliste deri tek ajo fetare në vendet e Lindjes së Mesme. Aty paraqiten rrëfime se si është promovuar radikalizmi islamik me thirrje për xhihad. Personazhet e Kadriut shpalosin anën organizative dhe emocionale të atyre që janë nisur për xhihad. Romani përfshin skenat e nxitjes së të rinjve duke zgjedhur rrugën ilegale përmes Shqipërisë, pastaj nga atje nëpër Turqi, e deri te “Shteti Islamik” në Siri, ku gjejnë një realitet krejtësisht të paparashikuar. Në disa kapituj paraqiten traumat dhe vështirësitë e tyre deri te sakrifikimi për të shpëtuar nga toka e xhihadit dhe për t’u kthyer në atdhe.

Pllakat për librin “Përtej binarëve” në Panairin e Ndërkombëtar të Librit në Sharje të Emirateve të Bashkuara Arabe./ KultPlus.com

Duartrokitjet në Shqipëri

Nga: Ibrahim Kadriu

Një paradoks: nuk mund të kuptohej kush kë e çmonte më shumë, këngëtarët e Kosovës kolegët dhe koleget e tyre në Shqipëri, apo e kundërta.

Vajtja e ansamblit “Shota”, me këngë dhe valle të “kombeve dhe kombësive” në Shqipëri, dhe paraqitja e këtij ansambli me koncerte në shumicën e qyteteve, ishte një, si i thoshin atje, surprizë, që në përkthim në gjuhën e thjeshtë tonën do të thotë – befasi. Ajo befasi, mbase, ishte e dyanshme: opinioni shqiptar bënte “hyxhym” drejt sallave të koncerteve ku do të paraqiteshin këngëtarët nga Kosova, bile në raste ai “hyxhym” nxiste edhe sjellje më të vrazhdë të policisë, sikur në Korçë, për shembull.

Ishte përmallja, apo vërtet pëlqeheshin këngët e interpretuara nga mysafirët e ardhur nga Kosova, nuk mund të kuptohej, por entuziazmi i publikut ishte tej mase, sidomos kur në skenë ishte Nexhmije Pagarusha. Edhe pa atë entuziazëm të tyre, Nexhmija ishte e pushtuar nga një ndjenjë malli për atë tokë shqiptare, për njerëzit e atjeshëm, për qytetet… prandaj, falë asaj ndjenje, Nexhmija krijonte afërsinë duke iu hedhur aderuesve në përqafim, herë-herë edhe duke qarë… por gjithnjë me këngën në prani të tyre, qoftë edhe jashtë skene, domethënë në ambient hoteli ku shtroheshin darkat, drekat… si në Berat, për shembull: në orët e mbrëmjes të asaj dite pranvere, që Berati e ka sharmin e veçantë, ndodhemi në hotel “Turizmi”, shkruan sot Koha Ditore.

Është mbrëmje për relaksim shpirtëror, për “muhabet” me Nexhmije Pagarushën në ballë. Ajo i dha vetes të drejtë të furnizohet me emocione edhe duke i ngre disa gota, për të qenë në elementin e saj, jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Këndim dhe aktrim, njëherësh: këndim i këngës “Hava Nagila”, që për mesin shqiptar ishte diçka e rrallë, për çka ata ndiheshin jashtëzakonisht të lumtur që iu kishte rastisur të gjendeshin në atë ambient ku Nexhmija ia thoshte asaj kënge me një përjetim të rrallë.

Shtytje ishte edhe mjeshtëria e Ferdinand Dedës, duke e përcjellë me harmonikën e tij, duke i dhënë shkas këngëtares të shprehej në mënyrën më të përshtatshme …Ishte kënaqësi e dyanshme, për opinionin shqiptar që e shihnin drejtpërdrejt Nexhmije Pagarushën për të cilën kishin dëgjuar aq shumë, por edhe për ne, si mysafirë, tek përballeshim me prezantimin mjeshtëror të Ferdinand Dedës për të cilin mësuam, me atë rast, se kishte studiuar në konservatorin e muzikës në Pragë (në vitin 1961) dhe se ishte i detyruar të ndërpriste atje, për të vazhduar në Tiranë dhe se, që kur kishte qenë student, kishte udhëhequr orkestrën e RTSH-së dhe, nga ajo kohë e tutje, kishte udhëhequr sa e sa koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Greqi… Atë mjeshtër muzike e kishim para vete, derisa i ndihmonte Nexhmijes ta bënte mbrëmjen aq të këndshme. /KultPlus.com

Ibrahim Kadriu, laureat i Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne, ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi.

Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Ibrahim Kadriut, krijimtaria e të cilit përfshin më shumë se 50 vepra letrare, ndër të cilat bëjnë pjesë gjini dhe zhanre të ndryshme letrare dhe shkrimore, si: romane, novela, tregime, drama, poezi, kritike letrare, eseistikë. Ibrahim Kadriu si shkrimtar karakterizohet për origjinalitetin e tij, me tema shumë interesante, që në përgjithësi janë në frymën kombëtare, që e edukojnë brezin e ri. Ky çmim ka  vlerë financiare prej pesë mijë eurosh.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë ”Anton Pashku” për vitin 2018 iu ndahet autorëve Sali Bytyçi për veprën “Gjunjët” dhe  Florin Kelmendi  për veprën “Vrasje në kornizë”. Sali Bytyçi me veprën e tij në prozë “Gjunjët” shfaqet si një Kafkë i shekullit XXI, i cili lexuesit i jep një dëshirë të pangopur për t’i lexuar tregimet e tij. Romani “Vrasje në kornizë” e Florim Kelmendit karakterizohet për gjuhën, kompozicionin, mënyrën e përhapjes së karaktereve të personazheve, tematikën dhe mbi të gjitha mesazhet artistike që përçohen te lexuesit. Ky çmim shpërblehet me vlerë monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.

Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” u nda përgjysmë për shkrimtarët:

Merxhan Avdyli për veprën “As engjëll as djall”  dhe  Çun Lajçi  për veprën “Çakorr, ti vdekje e mirë”. Merxhan Avdyli përmes përmbledhjes me poezi “Si engjëll si djall” ka sjellë mënyrën e veçantë  të përjetimit, që e kalon kohën e kaluar në kohën e sotme si nostalgji, ndërsa përjetimin e tashmë si petkun poetik. Çun Lajçi me përmbledhjen poetike “Çakorr, ti vdekje e mirë” ka paraqitur shoqërimin e revoltës së procesit nëpër të cilën ka kaluar Kosova. Ky çmim ka vlerën monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.

Juria ka vlerësuar se për këtë vit Çmimi për fëmijë dhe të rinj ”Vehbi Kikaj” t’i ndahet autorit Avdush Canaj për veprën “Planeti i buzëqeshjes”. Vëllimi poetik “Planeti i buzëqeshjes” i poetit Avdush Canaj është një prurje e suksesshme e këtij autori, zotërimi i të cilit është në nivel për t’u lakmuar. Çmimi shoqërohet me një shpërblim në vlerë financiare prej dymijë e pesëqind eurosh.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” për  vitin 2018  iu ndahet autorëve Sali Bashota për veprën “Enigma e shkrimit” dhe Haqif Mulliqi për veprën “Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë”. Sali Bashota përmes veprës me kritikë letrare “Enigma e shkrimit” synon trajtimin e temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe kriterit estetik për të evidentuar dhe konceptuar veçoritë e reja të kuptimit mes krijimit të letrës dhe mendimit kritik. Haqif Mulliqi përmes veprave kritike “Teatri, dramat dhe identiteti kulturor në Kosovë” para lexuesve sjell një gjini letrare gati të harruar nga krijuesit shqiptarë. Autori i librit, si studiues i teatrit dhe dramës, vë në pah zhvillimin e dramaturgjisë te ne, por edhe mangësitë e kritikës së artit dhe gjendjen e vështirë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky çmim shoqërohet me shpërblimin prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.

Kurse Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” iu nda autorit Alfred Beka për veprën e përkthyer ”Peizazh me rënien e Ikarit”. Kjo vepër është përkthimi i parë i tij dhe pikërisht për këtë të le të përshtypje të madhe si për njohjen e thellë të gjuhës që ka, si për ruajtjen e realitetit. Edhe ky çmim shpërblehet financiarisht në vlerë prej dymijë e pesëqind eurosh.

Me këtë rast ministri Gashi tha se çmimet e ndara i ka cilësuar si një mirënjohje të institucioneve për punën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe autorëve tanë dhe përkrahja e Ministrisë konsiderohet edhe si një nxitje për rritjen e vlerave të mirëfillta artistike.

“Unë si ministër e vlerësoj lart ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, tha ministri Gashi.

MKRS-ja çdo vit ka rritur përkrahjen për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e librit si një politikë kulturore e cila ka për synim avancimin dhe intensifikimin e artit letrar në vendin tonë. 

Fituesit e këtyre çmimeve e falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme karshi shkrimtarëve./KultPlus.com

Libër mbi një dramë individuale

Shkruan Ibrahim Kadriu.

Mbresa nga “Rrugëtimi i një jete të dhuruar” të dr. Ramadan Myrtajt

Është një botim interesant, i rrallë për nga përmbajtja, i jashtëzakonshëm për nga përkushtimi, shumë i veçantë për nga qasjet të cilat ngërthejnë në vete konglomerat aspektesh me dedikim te jeta e njeriut buzë vdekjes. Njeriu si qenie natyrore e ka lindjen pastaj jetën, hapësirën jetësore të ngarkuara me sfida të ndryshme dhe, natyrisht – vdekjen e cila, në një moment të caktuar, ushtron pushtetin mbi të gjallin, duke ia mbyllur të gjitha rrugët… Disi kësisoj mund të definohet historia e lindjes dhe vdekjes, por kur kjo e fundit, domethënë vdekja, afrohet përmes sëmundjeve më të rënda nga të cilat (thuhet) nuk ka shpëtim, individit të rrezikuar nuk i mbetët tjetër pos të pajtohet me fatkeqësinë dhe të kërkojë hallallëkun nga më të afërmit. Në këtë gjendje të përshëndetjes me të afërmit në prag të vdekjes, ishte edhe dr. Ramadan Myrta, meqë e kishte kancerin e mëlçisë, por e kishte edhe bindjen e ekspertëve të mjekësisë që i thoshin se do të vdiste. Fundja, edhe vetë e kishte atë bindje, por nuk deshi të dorëzohej dhe nuk u dorëzua.

Lufta e dr. Ramadan Myrtës për t’i ndihmuar jetës të shkelte mbi vdekjen pati gjatësi kohore dhe gjithë atë periudhë kohore, gjithnjë i shoqëruar me atë kancer në mëlçi, e përshkroi me aq detaje në librin e rrallë “Rrugëtimi i një jete të dhuruar”, rrugëtim ky “i gjatë, i mundimshëm dhe shpesh me tmerre, duke filluar në Kosovë dhe vazhduar në Shqipëri, Beograd, Zvicër, Turqi, Suedi… duke e pasur mbështetje të bijën, studenten e mjekësisë Arnisen, e cila ia dha pjesën e mëlçisë dhe shpëtoi babën.

Libri, edhe pse është nisur si autobiografi dhe ai rrugëtim “shpalon” ngjarjet që nga fëmijëria (dhe varfëria e skajshme) e autorit, i prirë nga vullneti për shkollim, është një dramë e shkuar dramave, i konceptuar me shumë aspekte përmbajtjesore qoftë nga ana morale e filozofike, nga aspekti psikik e sociologjik, me aq shumë premisa medicinave e historike, duke ofruar çdo gjë relevante për mëlçinë dhe mbi të dhënat për këtë organ delikat dhe përvoja që, në mënyrë teorike e praktike, është ushtruar mbi të që nga antika e deri më sot. Libri (me 650 faqe) i këtij autori me përvojë të gjatë në mjekësi, i ngritur me subspecializim nga gastroentero-hepatologjia dhe kardiologjia në Zagreb, përveç dramës psikologjike të përjetuar,shtron aspektin teorik mbi mëlçinë, por edhe mbi medikamentet që janë të përdorshëm për raste të tilla. Përgjithësisht libri e ka rolin edhe të një leksikoni që mund t’iu hyjë në shërbim personelit mjekësorë, por edhe studentëve të mjekësisë. Lidhur me këtë mendim, ia vlen të shënohet edhe qëllimi i autorit, kur thotë “jam përpjekur të pasqyroj dhe ta trajtoj në mënyrë më të gjerë të mundshme gjendjen psikologjike të të smëruëve nga kanceri që nga momenti kur atyre u kumtohet se janë të goditur nga kjo sëmundje shpesh fatale për jetën. E gjithë këtë e kam bërë duke u nisur nga përvoja ime dhe qëllimet më fisnike dhe humane, për t’iu ndihmuar të tjerëve…”

Dr. Ramadan Myrta , pas gjithë atij rrugëtimi nëpër vite, duke kaluar nga një shtet në tjetrin, nga një klinikë në tjetrën, që nga qendrat ekzaminuese fillimisht te KFOR-i gjerman në Prizren, për të vazhduar tutje, duke arritur në Izmir (ku e bëri transplantimin) dhe duke arritur edhe në Suedi e Amerikë për rishikim, e deri te kthimi në Kosovë, i shëruar tërësisht./ KultPlus.com

“Njeriu me pelerinë” vepra më e re e Ibrahim Kadriut

Shkruan: Makfire Hajdari Kurteshi

Në panairin e sivjetmë të Prishtinës, në fillim të qershorit, doli edhe një roman i ri i Ibrahim Kadriut. Në këtë roman, botim i “Rozafës” autori ka shtrirë ngjarje nga vitet e hershme të sistemit të kaluar komunist, kur prania e shqiptarëve në tokat e tyre urrehej nga nomiklatura shtetërore pjesën më të madhe të së cilës e përbenin serbët ose përulësit e tyre.

Me titullin “Njeriu me pelerinë” autori që në fillim këtë roman e bën të mistershëm; hulumton përmes tipizimit të karaktereve njerëzore të humbur për ushqim të interesave personale. Në plan të parë është dhuna, ajo e reflektuar tek të pa krahët të cilëve nga çdo aspekt iu ngushtohen rrugët dhe mbesin si peshqit në rërë e që do të detyroheshin t’i gjenin rrugët e ikjeve nga vendlindja e cila, në roman, përfaqësohet me Katundin e Kalasë.

“Njeriu me pelerinë” merret me ndërgjegjen njerëzore e cila humbet para planeve ogurzeze shtetërore ku janë të sistemuara projektet për gjenocid, bartësit e të cilëve paraqesin tmerrin e katundit. Për ta bërë romanin tërheqës autori rrëfen mistershëm, kurse deshifrimi i tërë ngjarjes merr kuptimin e plotë në përfundim. Romani është realizuar me dinamikë tërheqëse, në vazhdën e romaneve të mëparshme që, pikërisht me dinamikën e sforcuar, janë bërë të kërkuar dhe të lexueshëm.

Në fjalën shtesë, përmbyllëse, të këtij romani është edhe mendimi i prof.dr.Mahmud Hysës, që thotë se zgjedhja e temave dhe trajtimi i tyre, ndërtimi kompozicional, figuracioni i matur dhe i zgjedhur, ndërtimi, përshkrimi dhe fleksibiliteti i personazheve, pasazhet e jashtëzakonshme të natyrës me vegjetacionin dhe konfiguracionin të lënë përshtypje të veçante, thua se je në mesin e një parajse tokësore që mund t’i përshkruaj vetëm një njeri që ka jetuar gjatë në atë ambient. Të gjitha këto faktorë të poetikës letrare të Ibrahim Kadriut të bëjnë të jesh i lidhur me romanin e tij./ KultPlus.com

Dimensione mbresëlënëse

Ekspozita e Merita Malokut në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë

Ibrahim Kadriu

Ditë më parë në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë u hap ekspozita e piktores Merita Maloku, hapjen e të cilës e bëri shkrimtari Ibrahim Kadriu. Po sjellim tekstin nga hapja e ekspozitës.
Çdo rrëfim arti ka dimensionet e veta me të cilat i afrohet artdashësit që, në qaste të përjetimit, gllabëron me shikim e ndjenja.; përvetëson reflekset që ia zënë pritën, në rastin konkret – nga format shprehëse në pëlhurë që i kemi përpara. Këtë formulim e sajova derisa, në atelienë e Merita Malokut, qëndroja para pëlhurave të veshura me ngjyrat e shpërndara të cilat i kanë dhënë shkas autores të komunikojë artistikisht në mënyrën më të përshtatshme. E cilësoj mënyrën si të përshtatshme duke pasur parasysh se, kjo autore e zellshme, i ka rrumbullakuar këto vepra figurative me domethënie universale, që domethënë se çdokush do të kënaqet në mënyrën e vet derisa qëndron para tyre, si në rastin e sotshëm që i kemi përpara.

Këto vepra, siç shihen, përmes shprehjeve subtile krijojnë imazhe të një bote imagjinatave, e cila zanafillën mund ta ketë në shprehjet poetike, të kushtëzuara nga përjetimet reale. Kjo mënyrë e komunikimit artistik shfaqet nga përjetimet shpirtërore të autores, e jo nga imitacionet që na janë servuar nga krijues të varfër shpirtërisht.

Merita Maloku na bind me argatinë që ia bën frymëzimit vetjak. Prandaj veprat e saja na dalin origjinale, të shtrira në pëlhurë vetëm si produkte të frymëzimit real dhe si të tilla na imponohen dhe bëhen të pëlqyeshme. Motivet të cilat e kanë nxitur autoren të jetë krijuese, si thuhet, me marifet, janë intime, të shprehura me panel të sigurt, pa dridhje dore. Kjo përshtypje krijohet sapo ndeshesh me veprat e saj,sapo e shikon me vëmendje perceptimin e ngjyrave të shtrira, shpesh në përngjasim të hapësirës qiellore, herë të kthjelltë, herë të ngarkuar me vranësira, por përgjithësisht të mbështetura në bazën emocionale dhe që janë mbresëlënëse.

Këto vepra të ekspozuara definohen edhe me një lloj karakteri sugjestiv,që domethënë se ofrohen mundësi interpretimi sipas ndjesive personale. Zakonisht këtë mënyrë komunikimi e kanë krijimet që i përkasin modernitetit, të tilla çfarë na ka falë vullneti krijues i autores, me një stil unik origjinal . Kjo autore, me sa mund të kuptohet nga veprat e krijuara, ka ndjeshmëri të pazakontë, një butësi shpirtërore e shprehur përmes ngjyrave të lehta që reflektojnë botën e brendshme. Ngjyrimet fluide bindin edhe për subtilitetin e autores e cila, ka kujdes të mos e rëndojë pikturën me nuanca të ashpra. Kjo butësi shprehëse i bën pikturat më të afërta, të pëlqyeshme./KultPlus.com

Një libër si një bibliotekë e tërë

Fjala është për librin e Rifat Hoxhës me titull “Kadareja, Nobeli dhe Letërsia e braktisur”, Botimet Jozef, Durrës 2017

Ibrahim Kadriu

Mbi autoritetin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare janë shkruar aq shumë libra dhe vazhdojnë shkrimet e autorëve të ndryshëm. Portreti i këtij shkrimtari me reputacion aq të madh botëror, varësisht nga autorët dhe qasjet e tyre, na del shumëdimensional, shpesh edhe enigmatik, misterioz kur vështrohet jeta e tij nëpër dekada. Portreti i tij na del pro et contra, sidomos pas nominimit për çmimin Nobel, tash e para njëzet vjetësh. Jemi dëshmitarë të shumë vlerësimeve, të kritikave dhe të mehamendjeve të autorëve të ndryshëm, një pjesë e të cilëve Kadarenë e shikojnë me një dioptri tjetër, e jo me atë konkreten e cila i ka dimensionet e veta me të arriturat kulmore në fushën e letërsisë, e që në botë ia ka dhënë vulën e afirmimit jo vetëm autorit, por edhe përgjithësisht kulturës shqiptare. Një vistër librash e shpërfaqin figurën e autorit dhe e bëjnë biografinë e tij të qëndrueshme, jetëgjatë; biografi e cila do t’i qëndrojë kohës denjësisht . Por ka edhe të tillë autorë që dëshirojnë të bëhen të mëdhenj, duke duke gjurmuar në pluhurin e kohës për të gjetur mangësitë e këtij shkrimtari. Në shumësinë e këtyre librave gjen hapësirën e vet edhe libri më i ri “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur” e Rifat Hoxhës (nga Kavaja) i cili deri tash ka botuar disa libra monografikë, eseistikë, botime historike dhe romane.

Libri i fundit për Kadarenë, dhe jo veç për Kadarenë, merret në shqyrtim sepse është i veçantë, sepse kur i shkon në fund, ke përshtypjen se ke lexuar një bibliotekë të tërë, sepse, pra, pavarësisht se personazhi kryesor është Kadareja dhe aferat rreth çmimit Nobel, ofrohen shumë të dhëna që përbëjnë mozaikun e portretit të shkrimtarit. Muaji i tetorit gjatë këtyre dy dekadave të fundit, sdiç e dimë, gjithherë ka qenë një lloj arene ku janë thyer shpatat pro e contra për Kadarenë, të atyre q kanë sulmuar dhe kundërshtuar ndarjen e këtij çmimi pretencioz dhe të atyre që kanë lobuar vazhdimisht, por, siç dihet çmimi Nobel nuk iu nda. Autori i librit, Rifat Hoxha, tërë librin me afro 230 faqe e bën në formë kolazhi, duke i ofruar lexuesit të gjitha aspektet të cilat e bëjnë emrin Kadare të diskutueshëm. Me fjalë të tjera, ky autor është përpjekur, dhe ka arritur të heq mjegullën që i mëveshët shkrimtarit , atë mjegull të të mjegulluarve që i fusin duart në bërllokun komunist për ta nxjerr shkrimtarin hiq më pak se diktator, sepse, siç shkruajnë ata “ishte i përkëdheluri i Enver Hoxhës”. Rifat Hoxha i nxjerr në pah të gjitha të palarat, kjo domethënë se nuk i jep krah shkrimtarit, por e nxjerr të vërtetën, duke u mbështetur edhe në postulatin se “Shqiptari çdo gjë ta fal, vetëm suksesin jo!” Në këtë frymë merret me të gjitha reagimet, shkrimet, letrat dhe intervenimet në adresë të Komitetit të Akademisë kundër ndarjes së çmimit Nobel shkrimtarit tonë. Në libër u jepet hapësirë edhe shumë shkrimeve që vijnë nga të huajt, shkrime që i ndihmojnë propozimit, por edhe të tjerat që ia mohojnë. Në faqet e librit radhiten edhe shembujt konkretë të autoriteteve letrare botërore, që kishin të njëjtin fat si Kadare, kur refuzoheshin ose etiketoheshin.

Ky libër, lirisht mund të thuhet i rrallë, i ka dhënë shkas autorit të hulumtojë për t’i shtruar në një vend (siç është ky libër) aq shumë të dhëna jo veç për Kadarenë, por edhe për shumë shkrimtarë të tjerë duke i përfaqësuar me mendimet e tyre mbi letërsinë dhe mbi raportet në shoqërinë që i takonin./KultPlus.com

Libri poetik i Ibrahim Kadriut edhe në greqisht (FOTO)

Në Greqi, këto ditë u botua libri poetik i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, me titull “Κλεμμενος Χρονος” (Kohë e vjedhur), shkruan KultPlus.

Librin e ka përkthyer Iliaz Bobaj, shkrimtar dhe përkthyes i njohur i cili jeton dhe krijon në Greqi, i cili njëkohësisht ka bërë edhe përzgjedhjen. Libri ka 144 faqe, shqip dhe greqisht dhe përcillet me shënime mbi autorin, ndërkaq redaktore e këtij vëllimi është Panajota Hristopullu Zalloni, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve Grekë. Botues është :Shoqata e Shqiptarëve “EMIGRANTI” Patra – Greqi. /KultPlus.com

“Fidani”, seriali që mbërthente krejt fëmijët në vitet e 80-ta (VIDEO)

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=j23Gcko6Mck