Për dyert që mbyllen

Poezi nga Sibel Halimi.

(Këshillë për timen bijë)

Në vetmi mësohu ta dëgjosh veten
Të gjërmosh në skutat e errëta e t’i rrish ball
Mësohu të ecësh vet
Edhe ashtu ishe gjithmonë
Por, heret a vonë do ta kuptosh
Mos e ndjek askend
Nëse së paku njëherë nuk e kthen kokën
E të sheh në sy
Për të kuptu nëse je në këmbë apo në gjunjë
Nëse je rrëzua njëherë
Ngrihu ngadalë
Është imazhi im e fjala “kici i mamit” që do të ndjek gjithmonë nga pas
Mësohu ta duash qetësinë tënde
Edhe atëherë kur nuk i beson
Nga kjo qetësi
Do të dalësh ti
Ecja nuk nënkupton gjithmonë lëvizje
Mësohu ta mbash kokën lart
të ndjekësh një yll edhe kur retë e mbulojnë
ajo do të ekzistoj për ty
Mësohu të duash
Të përqafosh
Të falësh buzëqeshje
Kur jeta të rrëzon e të përplas për toke
Vetja, të shpëton! /KultPlus.com