“Trupi dhe politika” në një këndvështrim sociologjik nga Sibel Halimi

Sociologia, poetja, aktivistja dhe zëdhënësja e politikës, Sibel Halimi, shtjelloi një temë interesante dhe shumë atraktive të titulluar “Trupi dhe politika” mbrëmë në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Si një grua që mundohet t’i shtyjë gjithmonë përpara temat e problemet e ndryshme shoqërore e sidomos ato që lidhen me gruan, Sibeli edhe mbrëmë solli para publikut disa nga këndvështrimet e saj sociologjike mbi trupin dhe politikën.

“Trupi dhe politika” erdhi si një diskutim më ndryshe për politikën dhe trupin si konstrukt shoqëror dhe për politikën që mësyn kontrollin mbi trupin. Diskutim ky që kishte mbledhur një audiencë mjaft të larmishme të cilët ishin të interesuar për të njohur dimensione specifike të funksionit të shoqërisë dhe politikës në kontekstin e trupit.

Sibel Halimi është një grua që i ka tri botë të ndryshme brenda vetes: poezinë, sociologjinë dhe politikën. Këto tri sfera ajo arrin t’i gërshetojë në mënyrën më të mirë të mundshme me njëra tjetrën. Në sociologji identifikon problemet, merresh me çështje shoqërore, në poezi në formë poetike përmes figurave stilistike i përshkruan problemet shoqërore, ndërsa përmes politikës punon në rrugën se si përmes vendimeve të ndryshojmë jetën e njerëzve. Në pamje të parë, të tria këto janë botë të ndryshme por që arrijnë të bashkëveprojnë mirë me njëra-tjetrën.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, në epiqendër të temës ishte studimi i sociologes Halimi mbi trupin dhe shtetin. Sipas saj secili prej neve ka lirinë e plotë të vendimmarrjeve mbi trupin. Në disa dimensione, trupi dhe politika janë në bashkëdyzim.

“Trupi shihet si një vend i pushtetit, i regjimit dhe i negociatave. Në mënyrë indirekte kontrollon riprodhimin, kontrollon gruan, abortin, natalitetin. Sa i përket trupit duhet të dallojmë çështjen natyrore dhe shoqërore. Në sociologji përfshihen tri çaste. Në rastin e parë, trupin e sheh si parashoqërorë. Natyra feministe është se ne nuk duam ta shohim trupin e gruas në kuptimin biologjik. Qasja e dytë, mendja dhe trupi bashkëjetojnë dhe ne nuk mund t’i shohim si të ndarë. Dhe qasja e tretë ku trupi shihet si shoqëror. Pra nëpërmjet konstruktivimit shoqëror, trupi nuk shihet  vetëm në konotacionin biologjik por edhe shoqëror. Në femenologji, që është një drejtim fiziologjik, ekzistenca i prinë esencës dhe jo më esenca ekzistencës”, u shpreh Halimi.

Sipas Halimit, në qoftëse e shohim trupin në jetën e përditshme, shohim se çdo gjë lidhet me trupin. Se si dukemi, se si jetojmë, se si marrim vendime për jetën.

“Femenologjia thotë se trupi është vend i diskriminimit, vend i pushteteve. Është vend ku i gjithë konstrukti i një shoqërie të caktuar projektohet dhe formësohet përmes trupit. Por edhe në letërsinë shqiptare edhe filozofia popullore, gruan nëpërmjet nënës e kanë glorifikuar deri në atë nivel sa që e kanë humbur subjektivitetin e saj”, tha Halimi e cila shtoi gjithashtu se ka një poezi që shpreh dëshirën për ta parë lirinë e nënës.

Krejt në fund, sociologia, kërkoj mekanizma nga shteti për zhvillimin e trupit, lirinë e trupit dhe emancipimin e grave.

“Emancipim për gruan është kur ajo ka vetë vendimmarrjen mbi trupin e vet”, përfundoi Halimi. / KultPlus.com

Më 31 maj në librarinë ’Dukagjini’ Sibel Halimi mban diskutim të hapur për trupin dhe politikën

Më 31 maj, nga ora 18:00 – 19:00, sociologia, poetja dhe politikanja Sibel Halimi vjen në librarinë Dukagjini për një diskutim të hapur mbi trupin si konstrukt shoqëror, marëdhënien mes “trupit dhe politikës”.

Përkundër që trupi dhe politika duken fusha të ndryshme në pamje të parë, ekziston një lidhjendërvarësie në mes tyre. Marrëdhënia midis trupit dhe pushtetit politik, praktikave të politikës në lidhje me trupin, si dhe ndikimit të faktorëve politikë në perceptimin dhe përjetimin e trupit janë vetëm disa nga dimensionet e bashkëjetesës së ngushtë në mes politikës dhe trupit. Prandaj, diskutimi i lidhshmërisë në mes politikës dhe trupit përpiqet të zbulojë se si politika shpërndan, i vë në një lloj hierarkie dhe i rregullon trupat në një shoqëri.

Nën moderimin e Agon Rexhepit, diskutimi përqendrohet edhe në studimet sociologjike të trupit dhe politikës, duke u ndalur te çështjet si: kontrolli politik i trupit, çlirimi i trupit nga pushteti politik, shfrytëzimi i trupit në politikë, ndikimi i politikave të trupit në formimin e identitetit individual dhe kolektiv, trupi si fushë e protestave politike dhe simbolikat politike të trupit.

Marrëdhënia dinamike në mes biologjikes dhe ambientit social në të cilin gjendet individi kanë një efekt të fuqishëm në perceptim dhe krijimin e vetimazhit dhe respektit për veten.

Përtej shtjellimit teorik, diskutimi do të shpërfaq edhe rezultatet nga hulumtimi empirik i autores, i realizuar me gratë dhe vajzat në Kosovë lidhur me të kuptuarit e vlerësimit të trupit; qëndrimet e tyre rreth imazhit të trupit që do të ndihmojnë në dekonstruktimin e standardit të trupave të idealizuara të grave dhe vajzave në Kosovë.

Imazhi i trupit dhe vlerësimi i tij janë koncepte gjithnjë në ndryshim dhe kanë një efekt të thellë në përditshmërinë dhe mënyrën e të jetuarit në përgjithësi. Problematika e trupit, disiplinimi e kontrolli i trupit, ribërja e trupit nëpërmjet modifikimit si dhe portretizimi i trupave në kulturën e komunikimit masiv përbëjnë katër aspektet qendrore të diskutimit, drejt të kuptuarit të trupit dhe njohjes së konstruktit shoqëror mbi ‘trupin ideal’ të grave dhe vajzave në Kosovë./KultPlus.com

Halimi: Thelbi i të drejtave të grave është vendimarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre

Sot, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, u është drejtuar deputetëve që kundërshtuan ligjin për shëndetin riprodhues.

Bogujevci në fjalimin e saj u shpreh se gratë mund të zgjedhin rrugët e shkencës për t’u bërë nënë dhe sipas saj jo gjithmonë e determinon një lidhje apo martesë me një burrë nevojën për të marrë këtë epitet.

E në mbështetje të Bogujevcit ka dalë edhe anëtarja e LDK-së, Sibel Halimi, e cila u shpreh thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre

“Thelbi i të drejtave të grave është vendimmarrja autonome dhe e vullnetit të lirë për trupin e tyre, e në këtë kontekst edhe për amësi. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë të vërtetë, do të arsyetojë edhe dhunën në bazë gjinore”, u shpreh Halimi./ KultPlus.com

Sibel Halimi: Dita e vetëdijesimit kundër dhunës nisi me mëngjes të trishtë

Nga sot fillon “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, fushata ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor.

Gjatë këtyre ditëve, në çdo cep të botës bëhet thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, por në Prishtinë sot ndodhë e kundërta. Pikërisht në këtë ditë ka ndodhur një rast i rëndë ku një grua është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.

Për këtë rast ka reaguar edhe sociologia Sibel Halimi e cila është shprehur që kjo ditë do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për shoqërinë për të arritur barazi gjinore, por në fakt sot në Prishtinë ka ndodhur e kundërta.

Ky është reagimi i plotë i Halimit:

Dita e vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.

Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t’i ndryshojmë veprimet! / KultPlus.com

Hera

Sibel Halimi

Nuk të linda për t`u kujdesur ti
për mua
Kur unë s`do të mund të të shoh
Nuk të linda për ta plotësuar
amësinë time
Të kërkuar nga të tjerët…
Nuk të linda për ta kënaqë dëshirën
për puthjet
që sot të shumta i shkrep mbi ty…
Nuk të linda për ta projektuar veten
në kthjelltësinë e syve tu të
padjallëzuar
plot jetë e dashuri…
Nuk të linda për ta dhënë emrin
sipas diktatit
Të kushedi se kujt
Të linda HERA
Për ta parë lirinë tënde/ KultPlus.com

Në vjeshtë takoj veten

Poezi nga Sibel Halimi

Rrobat e verës
i kthehen sirtarëve
valixheve pluhur – dheut të thërrmuar
që mund t`ia lëmë një emër

Nuk rritemi më
vjeshta kujton
jetën palë-palë të fjetur qetësisht
n`fytyrën e natyrës që bie në gjumë

Mikja ime më thotë
‘po plakemi
e po i sorollatemi vetes
rreth e qark’

N`vjeshtë
për çudi ndjej një mall për veten
sikur ta takoja për herë të parë / KultPlus.com

Vetëm gomarët e dinë të vërtetën

Poezi nga Sibel Halimi

Ka kohë që të
vërtetës
si lë vend
besoj të jetë vetëm
një sajesë
pushtetesh të
ngritura mbi mure

Mund të shtrojmë
qindra pyetje
vërteta në vrimë
çelësi
në halucinacion
shndërruar është

Nuk do të kemi më
hyjni rrotulluar mbi kokat
tona
Shtrirë janë në shtratin
e tempujve të boshatisur me shpirtrat e
lënguar
e vërteta më nuk ka
emër
e njeriu arratisur në birë të minit

Por gjithmonë do të
kemi një grumbull
gomarësh
që të vërtetën në samarë
do t`na sjellin. /KultPlus.com

Lëvizja është dritë

Poezi nga Sibel Halimi

E kaluara është sëmundje kronike
shtrirë në botën e përgjumur
të shfaqet hija shpartalluese
që s`i lë dot emër

Në luftën e njeriut
e sotmja kurrë nuk është kanë
pushtuar zbrazëtirat e së kaluarës
zgërdhirë me të pajetuarën
kështjellë ndërtuan kanë

Ikja
është dorëzim për pushtime
t`reja anonime
që zhurmën pullaz kanë

Më gjykoni,
është punë e juaja
kam një tokë t`krijuar
me pamje gruaje
pagane
n‘gji mbajë natën
yjet e hënën gëlltitur i kam

Ne të gjithë e dimë
shtëpitë mbajnë shpirtrat
e të ikurve
po e hape derën
janë aty
më pas korridoret avullohen
në pasqyrë; një fytyrë lirie
Megjithatë, lëvizja është dritë / KultPlus.com

N`përdishmëri 

Poezi nga Sibel Halimi

Rrugës së ecur
me këmbët kallo
dhembja nuk mund të hedhet
në kontejnerë
bota vazhdon ballon e marrëzisë

Kronikave të zeza
I shtohen gratë e mbijetuara
fjalët që plotësojnë
fjalëkryqet e jetës 
tjerat shtrirë në njërën prej divaneve   

Përditshmëria lëvizë
shumëzon veten

Diku ekziston një kuptim
që mund të krijohet
mbase duhet të mos ecim më
kështu do t’i shpëtojmë
bijtë nga përkulja
që përditshmëria ua fal /KultPlus.com

Copë

Sibel Halimi

Me mija fustana shtri në fushë jeshile
Sytë t’i marrin
N’kët fushë lodrue s’kemi
E jona kurrë s’asht kenë
Bojnat e fustanave pikturë jetën na e banë
Të mitë janë tetanë
Fatin e secilit unë e kam pasë
E zeza lindjen ma kujton
Mallkimin që bani edhe trajt’ me qa
Nji fustan i bardhë me nji kordele t’ndame n’dysh n’cep gjini, trishtim
Ah si e mbaj mend këtë ngjyrë, kur bardhësinë ma pshtetën për shpine
E shtrime përtoke në shpinë ku gjithnji derë e huej m’thanë
E huej mos kjofsha kenë
Shumë fustana po i shoh
Duhmë vuejtje si temjan
Të varun në vig që s’kputet kurrë
Se fati i tyne asht tanë kohën n’luhajë
Fustan
I gjatë, i shkurtë as mini as korset, mortajë
Krejt gratë çue n’kamë ka nji fustan me lanë në fushën e virgjënisë
Me vjerrë në vigun e heshtjes
Sepse ato të paprishuna kanë metë
Virgjëninë – tapi për një jetë të tanë
Edhe unë nji po e la
Nji pjesë timen vjerrun
N’përvuejtni
Fustanin e kuq t’dashnisë teme t’parë
E dhunueme po, virgjëneshë përjetësisht!

Nga libri me poezi “Me ekzistu është vetë kuptimi”./ KultPlus.com

Hera

Sibel Halimi

(Variant)

Mos u tremb nga hijet kudo
Ato janë aktore n`teatrin e territ
Me i prekë s`mundesh, sall prapa të vijnë
Mos u tut, se trishtimi ma i madh ditën a`
Hera, mos u tut as prej insekteve që banue me neve kanë
Janë picirruke, të pickojnë sall për ta kujtue
Ndjesinë e t`voglit, që sherr të madhit s`mund i ban
Mos u tut, as kur njerëzit britma lëshojnë
Ata janë të trishtuem nga vetja
E frika jote i ban me mendue se bota e tyne asht
Madje, Hera, tutë aspak mos ki
As kur n`agun e mëngjesit
Psalme kushtue zotit dëgjon
Kot marrin mundin për t` lidhë me ta
Sepse ti veç nji gjaje që shihet i beson
Tuta mjet kontrolli e njerëzia gogolë
Hera ime, mos u tut as atëherë kur na s`jemi aty
Shiko vërdallë, ndiej, merr frymë…
N`bebëzat tua jemi
Mos u tut nga zhurma e hapave të tu
Krejt njisoj asht
Njerëzit janë gjeodetë
I masin rrugët sa t`gjata e ku t`çojnë
Ti marsho sigurt
Kryenaltë!
Mos u tut as nga mësueset
Dhe detyrat që t`i japin ato
Bani si të duesh, siç ma së miri i kupton
Se obligimet shpesh bajate janë
Por të tilla që duhet me i ba
Thithe gishtin si biberon, rrëshqit me gishta flokëve t`arta
Mendo qetë për gjanat që t`pëlqejnë
Vafshin n`djall
Krejt ata që duan tjetrit
T`i bahen busullë
Mos u tut nga frika
Se ethet n`bark hi i kanë
Gogol s`asht


Nga Libri “Qenia nuk banon këtu”./ KultPlus.com

Testament njerëzie

Poezi nga Sibel Halimi

Babai im jetoj
në të nesërmen time
u njoh pas vdekjes
si njeri i mirë

N`testament
kishte shkruar
rastësinë e jetës
e një grumbull shkronjash
pa kuptim

Babain tim e njohën
fqinjët e mi
e rastësisht më treguan
se si atë ditë që vdiq
kishte blerë një kuti bosh
për t`ma dhuruar mua

Sot mbaj në sirtarët e mi
të nesërmen e sime bijë
dhe një fije shprese
për njerëzinë e saj
një grumbull shkronjash
mbase sot mund të
duken të pakuptim / KultPlus.com

Me e dashtë lirinë e Nanës

Shkruan: Sibel Halimi

Me e dashtë lirinë e Nanës

Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

po

Nën pullazin e absurdit

Nën pullazin e absurdit

Krahët mund të të gërvishten rrugëve
e ta humbasësh orientimin
është sall çast
mundësi takimi me veten

Buzët mund të të bëhen shkrumb
ca pikla ujë diku pikojnë
dëftim të shohësh

Matanë gjithmonë
në pritje të humbjeve
për t’i shndërruar në fitore
e më pas për të lëvizur
nën strehën e absurdit – n’liri /KultPlus.com

Fati i gruas nuk është anonim

Poezi nga Sibel Halimi

Ne jemi vazhdimësia e braktisjes
Strehuar në njërën prej çative
Këndet fshehin shikimet
Divanet pagjumësitë e dashurive të pa jetuara
Nën shkallë
Botën marrim në gji
E të nesërmen
ecim tutje mbi kalldrëmet e historisë
Me qafën mbuluar
në shall
valëvitur si vetë liria
Presim lindjen e njërës
Pasnesër varrosim bardhësinë
E mbase e harrojmë veten
Në fjalën e pathënë
Fati i gruas nuk është anonim./KultPlus.com

Kori i Grave ‘Lira’ jep premierën e këngës ‘Shtati’ në KultPlus Caffe Gallery

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, Kori i Grave ’Lira’ dha premierën e këngës ‘Shtati’, këngë kjo me mesazhe të forta e shkruar nga Sibel Halimi dhe kompozitore Pranvera Badivuku, shkruan KultPlus

E pranishme në këtë mbrëmje ishte Sibel Halimi e cila ka shpjeguar arsyen e kësaj poezie, e që është shndërruar në këngë për korin ‘Lira’.

“Unë shkruaj që një kohë të gjatë, por jo gjithmonë poezitë e mia janë shndërruar në këngë. Ka qenë poezia ime e parë e cila është shndërruar në këngë. Ideja është që gjithmonë gratë janë identifikuar me biologjikën, janë identifikuar me trupin dhe pothuajse ato kanë  qenë të burgosura në trupin e tyre dhe vështirë e kanë pasur që të marrin një veprim për të ndryshuar jetën dhe për të ndryshuar këtë botëkuptim tradicional që të gjitha formacionet shoqërore e kanë bërë që gruaja të identifikohet vetëm me trupin, me bilogjikën. Arsyeja apo motivi kryesor i poezisë është që pavarësisht që ne rrënjët i kemi në trup, në natyrë, ne gjithmonë kemi një arsye edhe për të qarë edhe për t’u arratisur, edhe për të krijuar një diell për vete.  Përpjekja ime përmes poezisë është që thjesht që gratë t’i zhveshim nga trupi dhe t’i shndërrojmë në një akt lirie.”-thotë Halimi.

Ajo tutje shton se është shumë e lumtur që kjo këngë po këndohet pikërisht nga gratë.

Ndërkqa, kompozitorja Pranvera Badivuku shpjegon mënyrën e kompozimit të kësaj kënge e që sipas saj përcjell mesazhe të forta.

“Fillimisht më është dukur që teksti nuk është shumë i përshtatshëm për komponim se zakonisht kënga kërkon tekste të rimuara më tepër strofike, e këtu ishin vetëm dy strofa. Por, duke e analizuar tekstin dhe duke parë përmbajtjen e tij dhe qëllimin e fuqia e vetë tekstit më duket se ia kam arritur me i jep melodi dhe me i fuqizu disa elemente të tekstit edhe përmes kangës.” – shprehet Badivuku e cila edhe e përgëzon korin për interpretimin.

Drejtoresha e Korit ‘Lira’, Valire Spahija Buza, flet për KultPlus, duke dhënë më shumë detaje rreth këtij kori dhe këgës që ato mbrëmë kënduan për herë të parë.

“Kori takohet 2-3 erë në javë, sepse në koret profesioniste që i njeh notat është më lehtë. Mirëpo, te këto këngëtare e kemi gjetë tjetër një mënyrë, që ndonëse nuk i dijnë notat, dijnë si me u gjetë, vetëm përmes ushtrimeve”- thotë Spahija – Buza.

“Këtë herë kishim këngën dy zërëshe të kompozuar nga Pranvera Badivuku, që u realizua me sukses me punën tonë dhe angazhimin e anëtareve të korit” – shton ajo.

Ndërkaq në lidhje me punën e saj në korin ‘Lira’, flet për KultPlus edhe anëtarja  Mirlinda Ahmeti e cila është pjesë e këtij kori që dy vit.

“Ky është një kor amater, ne kemi arrit me u kyq mjaft mirë, ndonëse pandemia pak na i ka vështirësuar punët por tash është më mirë. Ndiehmi jastëazakonisht mirë  që me korin ‘Lira’ po e interpretojmë këngën e një emri siç është Pranvera Badivuku. “- thotë Ahmeti.

Në mbërmjen e djeshme, Kori i Grave ‘Lira’ përveç këngës ‘Shtati’ interpretuan edhe këngë të tjera si ‘Dashninë që kam për ty’, ‘Këngën kushtuar Prishtinës’, ‘Ani ma ke shtatin’ dhe ‘Ani mori nuse’./KultPlus.com

Halimi kërkon monitorimin e këngëve të zhanrit “rep”: Tekstet e tyre tregojnë gratë/vajzat si objekt

Sibel Halimi ka thënë në emisionin Pressing në T7 se tekstet muzikore të artistëve të zhanrit rep e tregojnë gratë/vajzat si objekt.

Ajo thotë se këto tekste duhet të kenë monitorim.

“Në shoqëritë patriarkale ekziston një frikë drejt emancipimit. Edukata seksuale është e domosdoshme të përfshihet nëpër shkolla por është çështja se sa do të jenë të gatshëm profesorët të flasin për këto gjëra. Kemi raste kur në librat e sociologjisë dhe biologjisë i kalojnë këto faqe. Është çështja më komplekse se sa që ne e orientojmë. Mediat duhet të jenë më aktiv në monitorimin e disa zhanreve muzikore.  Duhet të bëjmë më shumë dhe të shikojmë cfarë po shkruhet në tekstet muzikore. Rinia drejtpërsëdrejti merr mesazhin nga aty se gratë duhet të trajtohen si objekte seksuale. Edhe fëmijët kur i shohin ato pamje ndikohen. Tekstet e tyre tregojnë femrën si objekt. Duhet të jemi më vigjilent si shoqëri ndaj dukurive negative. Shqetësimi është shumë dimensional. Nuk duhet të presim shumë nga sistemi arsimor pasi është patriarkal”, thotë ajo./ KultPlus.com

Halimi për rastin e abuzimit seksual me të miturën: Në mungesë të vetëdijes, akte të tilla shndërrohen në akte trimërie

Gjatë ditës së djeshme u raportua për ngacmimin seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Sibel Halimi e cila ka thënë se një rast i tillë shpërfaq qartazi  gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të saj

Shkolla është vendi ku fëmijët duhet të edukohen për të drejtat e barabarta. Padrejtësitë, misogjenizmi, diskriminimi e abuzimi i shfaqur në shoqëri, në shkollë nxënësve duhet t`u jepet mundësia për t`i ndryshuar botëkuptimet patriarkale ndaj gjinisë.

Rasti i abuzimit seksual në oborrin e një shkolle në kryeqytet, incizimi i ngjarjes shpërfaq qartazi gjendjen reale me të cilin janë duke u ballafaquar fëmijët tanë. Në mungesë të informacionit dhe vetëdijes së nxënësve, aktet e tilla shndërrohen në akte “trimërie”. Andaj, ky rast, të jetë alarm, për shkollat dhe sistemin arsimor. Arsyetimi i shkollës, që kjo ngjarje ka ndodhur jashtë procesit mësimor, është vetëm vazhdimësia e problemit me të cilat ballafaqohet arsimi ynë. Derisa, publikimi i videos nga mediet është shkelje flagrante e të drejtave të fëmijëve./ KultPlus.com

Liria s’ka pas emër

Poezi nga Sibel Halimi

Emrat janë të marrë
Edhe rrugët qorre kanë emër
Në tokën ku dorë njeri s’mbjellë, një lule çelë
Natyra s’e harron
E ajo fillikat shijon vetminë
Bota ka një kufi
Aty ku ti s’mund të shkosh
Për çfarëdo arsye
Mit është heroi
Që kur ecën rrugëve të sheshit
Të del pa asnjë organ
Heroit dhe zotave s’i përcaktohet seksi
Barrë e jonja është
Të kontrollohemi nga ti
Të na tërheqë si gravitet
Si molla kur pikën mbi kokë
Forca ka një emër
Por liria ekziston
Emër s’dua t’i jap. / KultPlus.com

Qendra Multimedia promovon tre libra, Halimi: Poezia është shumë më atraktive se cilido zhanër tjetër

Era Berisha

Promovimi i librave si: ‘’Me ekzistu është vetë kuptimi” nga Sibel Halimi dhe “Mjegulla” nga Dhurata Hoti, si dhe promovimi i punës së rezidentes Katarina Saric, e cila është pjesë e programit të shkrimtarëve në rezidencë “Prishtina nuk ka lumë”, erdhën pikërisht në Teatrin Oda me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Librit, ngjarje kjo e organizuar nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.

Në një ditë kaq të rëndësishme nisi edhe diskutimi rreth letërsisë, prozës dhe poezisë, diskutim ky i moderuar nga Aurela Kadriu, e cila shprehet e kënaqur që sot do të diskutonte me tre gra të cilat sipas saj janë shumë të suksesshme, qoftë në punën letrare e poashtu edhe në profesionet e tjera të tyre.

Fokusi kryesor në këtë mbrëmje ishte edhe krijimtaria letrare e autoreve, që ngjalli emocione për dashamirësit e librit dhe artit në përgjithësi e për të cilën qetësia totale gjeti vend në sallën e mbushur plot me pjesëmarrës.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth këmbënguljes për zhanrin e poezisë, prozës dhe tregimit të shkurtër, e pranishme ishte vetë autorja Sibel Halimi. 

“Sa herë që diskutohet për poezinë, i atribuohet nocioni i tregut që nënkupton se poezia ik nga ideja që thjesht ne shkruajmë, jo për të përfituar në kuptimin klasik se si kapitalizmi e sheh materializimin e një rezultati të krijuar. Thjesht, po të ishte ashtu atëherë nuk do të kishte ekzistuar as talenti, pra kur talenti krijohet nuk mendohet as fama e as tregu, por thjesht poezia brenda vetes ka një botë të brendshme të shqetësuar”, tregon Halimi.

Sipas saj, poezia ka një kompleksitet prapa vetes që lidhet me shqetësime të brendshme, prandaj akumulohet dhe ndryshohet dialektika duke bërë që komunikimi i shqetësimeve në mënyrë poetike me publikun, për të është vetë vlera. Prandaj, të shkruash poezi në një kohë kaq dinamike është një kohë e distancuar mes lexuesit dhe librit në kuptimin klasik të fjalës sepse në këtë kohë kanë ndërhyrë mjetet teknologjike duke pasuar në strukjen e poetit në një mënyrë komplekse.

“Poezia gjithmonë është konsideruar nga shumë filozofë si niveli i parë i njohjes imagjinative por që nuk ka të bëjë me njohjen por është thjeshtë një reaksion i brendshëm i komunikimit që bëhet me një kategori të caktuar të shoqërore. Por që me kalimin e kohës, poezia është kthyer në zhanër të nivelit të lartë të njohjes, prandaj të shkruash poezi kur ekzistojnë çasje të ndryshme është një karakteristikë që duhet komunikuar”, shpreh Halimi.

Tutje ajo ka folur edhe për problemin që poezia nuk lexohet shumë ose i takon një grupi të caktuar ku sipas saj kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me sistemin arsimor, me ç’rast poezia është një zhanër jo atraktiv, e lidhur me nacionalizmin dhe elemente të figurave historike dhe e cila nuk promovohet shumë në kurrikulën e arsimit, prandaj që poezia të gjallërohet e kultivohet, sipas Halimit duhet të ndryshohen mënyrat se si kremtohen ngjarjet e ndryshme kulturore duke ofruar lexuesve poezinë moderne që i dedikohet përditshmërisë, subjektit grua dhe njeriut.

“Sa më shumë që ne e shkëpusim poezinë nga historia dhe turma dhe e afrojmë afër individit, e shohim që poezia është shumë më atraktive se cilido zhanër tjetër”, potencon ajo.

Për Halimin, përkthimi i aktivizmit në poezi nuk mund të jetë një lidhshmëri e thjeshtë sepse ka elemente tematike të dekonstruktimit të gruas në sistemin patriarkal në poezitë e saj por që poezia duhet të shihet përtej aktivizmit, grupeve dhe lëvizjeve moderne që duhet të kenë elemente kritike sepse historia gjithmonë e ka parë gruan vetëm nga elementi i të qenurit ‘nënë’ e për çka në poezi zhveshët komplet elementi ‘nënë’ duke i dhënë liri nënës përmes rolit të plotësuar ndaj vetvetes.

“Ajo çfarë më ka shqetësuar gjithmonë është portretizimi i gruas në dy dimensione, thurja e himneve për të bukurën si kategori estetike, prandaj kur poezia përdoret për dekonstruktimin e normave të krijuara nga shoqëria atëherë konsiderohet një mesazh i rëndësishëm dhe emancipues” përfundon ajo.

Ndërsa, dramaturgia Dhurata Hoti, ka folur për vështirësinë e të shkruarit nëse do të ekzistonte varësia për përfitimet e shitjeve

“Nevoja për të shkruar ka lindur si nevojë për të thënë gjëra që shpesh nuk kanë qenë të përshtatshme ose nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm shprehja e vetme ndaj njerëzve. Por që në përgjithësi nuk do të kishin pasur vlerë artistike nëse do të ekzistonin vetëm shkrimet me porosi”, tregon Hoti.

Sipas saj, zhanri i tregimeve të shkurtra erdhi si nevojë për të shprehur skena e momente intensive dhe emocione të skajshme, por që pa pasur nevojë të qëndrohet brenda rregullave të shumta të skenarit dhe dramës, ajo ka shkruajtur për të argëtuar veten, diçka që ka pasur qejf ta lexoj vetë. Prandaj, janë diçka poetike që i përshtaten kohës e jo diçka konsumuese.

Natyra e shkrimeve të Hotit, është cilësuar si një realitet magjik që është i bazuar në gjëra të kohës të tanishme por karakteret kalojnë në gjendje emocionale absurde e sureale dhe që mënyra e perceptimit të saj ndaj karakteristikave të personazheve si ankthi, një cregullim emocional ka bërë që përjetimet e detajuara të ndjehen në lëkurën e çdo kujt, prandaj kjo ndjenjë është përcjell gjatë gjithë librit të saj ku tingujt, ngjyrat, emocionet të ndjehen shumëfish.

“Ky është realiteti im sepse personalisht ekziston tendenca që unë ti shoh gjërat në këtë mënyrë prandaj qëllimi kryesor që nga fillimi për këtë libër ka qenë një emocion i caktuar”, përfundon ajo.

Kurse për anën perspektive rajonale mbi shkrimin e poezisë, ka folur edhe Katarina Saric e cila ka shprehur se ajo shkruan nga rrokullimi i brendësisë shpirtërore.

“Shkrimet i mbaj gjatë në vete derisa i përpunoj në fazën finale, pra në hedhjen në letër. Puna profesionale si shkrimtare është shkrimi nga ndjenjat e brendshme, një rrëfim i brendshëm sidomos kur ajo transmetohet në publik duke zbërthyer kështu shtresat e mia më intime në krijimtarinë dhe përvojën time”, tregon Saric.

“Poezia e angazhuar e shpreh shpirtin e një kombi”, potencon ajo.

Krejt në fund, pas këtij diskutimi për tema nga më të ndryshmet, një larmi mendimesh dhe zërash që portretizuan fuqinë artistike të gruas, ngjarja gjeti fundin me leximin e fragmenteve nga puna e këtyre shkrimtareve duke përmbyllur kështu identitetin e zhanreve diversive në një frymë sa poetike aq edhe thumbuese për secilin që përjeton tërësisht ndjenjën e të dëgjuarit të poezisë. Po ashtu, pas promovimit të librave të pranishmit patën mundësi të marrin nënshkrimet e autoreve për librat e promovuara. / KultPlus.com

‘Me ekzistu është vetë kuptimi’ nga Sibel Halimi promovohet në Teatrin Oda

Nesër në Teatrin Oda promovohet ”Me ekzistu është vetë kuptimi”, libri i fundit i Sibel Halimit, shkruan KultPlus.

”Me ekzistu është vetë kuptimi” botohet në kuadër të aktiviteteve të organizuar nga Qendra Multimedia për të shënuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit.

Ndërkaq, promovimi i këtij libri pritet të fillojë në orën 18:00.

Vepra “Me ekzistu është vet kuptimi” është botuar nga Qendra Multimedia, projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.

Sibel Halimi është sociologe dhe njëherit autore e librave poetik “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore. / KultPlus.com

Sibel Halimi për Kastratin: Botëkuptimi i tillë duhet dënuar, gjuha seksiste është metoda për dekurajimin e grave

Pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, deputeti Ardian Kastrati publikoi një status ku përmes fjalëve të Konicës, ironizoi me peshën e Osmanit, gjë për të cilën kanë reaguar komentues të shumtë e figura publike të cilët kërkonin dënimin e Kastratit, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, sociologja Sibel Halimi ka theksuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook se gjuha seksiste është njëra prej metodave kryesore të dekurajimit të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën publike.

”Botëkuptimi dhe shprehja e tillë e artikuluar duhet dënuar, e sidomos kur vije nga përfaqësuesit e shtetit, ku prej tyre pritet që një mentalitet i tillë të luftohet”, është shprehur tutje Halimi. / KultPlus.com

Sibel Halimi zgjidhet anëtare e re e Kryesisë së LDK-së

Sociologja Sibel Halimi i është bashkuar LDK-së, me ç’rast sot është zgjedhur anëtare e re e kryesisë së partisë qe udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, bëjnë të ditur burime të portalit Front Online, transmeton KultPlus

Sibel Halimi ka mbaruar studimet MA në departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është e angazhuar si ligjëruese në lëndën “Studime gjinore”, në Departamentin e Filozofisë si dhe asistent profesore për grup lëndësh në departamentin e sociologjisë në Fakultetin Filozofik.

Gjithashtu, është e angazhuar në Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC në programin e granteve.

Sibel Halimi, njihet si aktiviste për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. Me angazhimin e saj, ka arritur që disa çështje që kanë të bëjnë me gratë t`i vërë në fokus të debatit publik. Ajo është aktive edhe në fushën e publicistikës. / KultPlus.com

Nesër mbahet diskutimi “Raporti mes trupit dhe gjinisë” me sociologen Sibel Halimi

“Raporti mes trupit dhe gjinisë” do të jetë tema e përzgjedhur për diskutim nesër në Qendrën Libart.

Për të diskutuar rreth kësaj teme, e pranishme do të jetë sociologia Sibel Halimi.

Diskutimi do të zhvillohet nesër më datë 28 janar, duke filluar nga ora 16:00, nën moderimin e Liridona Sijaina. / KultPlus.com