Një ‘Klithmë’, erdhi si lehtësim për meshkujt e dhunuar gjatë luftës në Kosovë

Alberina Haxhijaj

PriFilm Fest solli mbrëmë premierën e filmit “Klithma” me regji të Korab Lecaj. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë, si dhe kërkon që për këto tema të bisedohet duke i ofruar përkrahje njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.

Kanë kaluar 19-të vite pas luftës së fundit në Kosovë mirëpo, gjurmët që ka lënë pas kjo luftë janë akoma prezente. Pikërisht kjo luftë ka shërbyer si material për të realizuar edhe filmin “Klithma”, një klithmë e brendshme e shoqërisë sonë.

Sipas regjisorit të filmit, Korab Lecaj, “Klithma” shfaq një plagë që vazhdimisht ka kulluar pas lufte, por që ne si shoqëri jemi munduar ta kamuflojmë. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Dini, është personazhi kryesor në këtë dramë familjare. Ai ka pasur fatin e keq që në mesin e shumë të tjerëve, është përdhunuar seksualisht gjatë luftës. E vërteta tashmë ka filluar të dalë dhe kjo gjendje e përkeqëson emocionalisht atë, duke e pasur të vështirë të përballet me gruan dhe opinionin përballë këtij realiteti tragjik.

“Ideja e filmit “Klithma” ka të bëjë me atë që ka përjetuar shoqëria jonë gjatë luftës duke pasur parasysh atë që kam dëgjuar për herë të parë, që përveç grave ka të dhunuar edhe burra gjatë luftës në Kosovë”, tregoi regjisori.
Temë kjo e cila e ka sfiduar regjisorin Lecaj artistikisht, mund të konsiderohet edhe një mal i pashkelur në kontekstin artistik prej artistëve.

“Kam provuar që në një formë t’i tregoj botës një të vërtetë që i ka ndodhur shoqërisë sonë. Dilema kam pasur në fillim mbi mënyrën sesi do të perceptohet mirëpo asnjëherë nuk kam menduar që ta ndalojë procesin. Sigurisht tema që trajtojmë në film është një temë e ndjeshme dhe e rrezikshme për ta trajtuar pasi që është edhe një temë tabu në shoqërinë tonë”, tregon tutje regjisori Korab Lecaj.

Pikërisht fakti që filmi është motivuar nga ngjarje të vërteta dhe dialogjet janë të ndërtuara nga rrëfimet e burrave që janë dhunuar seksualisht, e ka bërë këtë film edhe më shumë sfidues për regjisorin.

Mirëpo 2 vite e gjysmë punë kanë qenë të vlefshme pas premierës së filmit e cila u dha mbrëmë në Teatrin Kombëtar në kuadër të PriFilm Fest. Filmi solli personazhe të stërmbushura me emocione të cilat kërkonin që këto emocione të dilnin në pah.

Detajet e zgjedhura nga ekipi i filmit dhe regjisori silleshin përqark këtyre emocioneve. Filmi i xhiruar me kamerë në dorë dhe jo me kamerë statike, përcjelltë përmes lëvizjes së kamerës gjendjen emocionale të personazheve, njëlloj si ambienti rrethues i tyre.

“Në fillim kemi ngjyra më të ngrohta mirëpo pastaj ato zbehen dhe vijnë ngjyra më të errët, pra fillon të rëndohet raporti. Pra përveç aktrimit dhe emocionit të aktorëve jemi munduar që t’i kushtojmë rendësi çdo detaji”, thekson regjisori Lecaj.

Mirëpo regjisori Korba Lecaj i cili njoftoi se përsëri do i përvishet punës për të sjellë edhe filma të tjerë, nuk e mohoi as mundësin që këtë film ta kthej në një film të metrazhit të gjatë.

“Filmi bart mesazhin për viktimat e luftës. Nuk është zgjidhje që ta lëndosh veten dhe rrethin ku jeton, por zgjidhje është që të flasësh, të përballësh. Vet përballja në fund të filmit është mesazhi i përballjes më të vërtetën. Nuk është turp të jesh i/e dhunuar, askush nuk e zgjedh këtë. Të gjithë kemi mundur të jemi në vendin e të dhunuarve pasi që kemi kaluar nëpër një luftë. Në anën tjetër mesazhi për publikun është që nuk duhet të paragjykojnë por t’i përkrahin viktimat e dhunimeve seksuale”, u shpreh regjisori.

Marrëdhënia në mes të një qifti ku gruaja duhet të përballet me traumën që bashkëshorti i saj e ka përjetuar në luftë, vjen më së miri pikërisht përmes punës së aktores Arjola Demiri. Ajo përmes shikimit, përmes lëvizjeve dhe përmbajtjes emocionale vërteton se dhimbja në këtë film është e brendshme.

“Unë nuk e kam përjetuar luftën siç e kanë përjetuar njerëzit në Kosovë, mirëpo e kam përjetuar përmes rrëfimeve që kanë sjellë refugjatë në Shqipëri. Unë jam munduar që të kuptojë se çfarë kanë përjetuar këta njerëz në thelb, në brendësi të tyre”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se ky ka qenë roli i parë si protagoniste për aktoren Demiri, në një film.

“Nuk kemi pasur nevojë për skena eksplicite për ta realizuar këtë film, por kemi pasur nevojë për ta shprehur dhimbjen e brendshme e që është si një brejtës që të gërryen pa e pa”, theksoi ajo.

Mirëpo ajo që e ka bërë më të lehtë realizimin e këtij filmi të shkurtër janë provat e shumta, u shpreh aktori Alban Zogaj. Ai në këtë film erdhi si Dani, shoku i ngushtë i Dinit, i cili vendos ta bëjë publike atë se çfarë u kishte ndodhur në luftë.

“Roli ka qenë i vështirë pasi që më është dashtë në një farë formë t’ia bëjë një biografi personazhit. Problemet që ai i ka pasur duke jetuar për më shumë se 15 vite pa u ballafaquar me atë që i ka ndodhur. Roli ka qenë i vështirë edhe për faktin se nuk kam pas informata shumë e as nuk kam pasur mundësin që të diskutoj me dikë që ka qenë i dhunuar, më shumë i kam imagjinuar gjërat. Sigurisht më kanë ndihmuar edhe udhëzimet e Korabit dhe të njerëzve të tjerë që kanë pasur më shumë informacione”, u shpreh ai.

Tashmë kanë mbetur edhe dy ditë nga përmbyllja e edicionit të 10-të të PriFilm Fest, festival ky i cili ka shndërruar Prishtinën në qendër të historive të ndryshme kinematografike./KutlPlus.com