Përmendorja e Skënderbeut në qytetin arbëresh, ruajtje e trashëgimisë kulturore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës që po zhvillon në Itali, është takuar të dielën me komunitetin arbëresh në Contessa Entellina.

Meta shprehet se kjo vizitë përkoi me përfundimin e përmendores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Contessa Entellina.

Thellësisht i lumtur dhe krenar, që vizita ime në bashkinë arbëreshe Contessa Entellina, përkoi me përfundimin e përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Vincenzo Muratore”, tha Meta.

Presidenti i Republikës u shpreh se, “vendosja e kësaj vepre në sheshin kryesor të qytetit, do jetë një thirrje e përhershme për të gjithë dhe një mesazh kujtese edhe për brezat e rinj, për të mos i harruar kurrë rrënjët dhe për të bërë gjithçka për ruajtjen e trashëgimisë tonë të vyer historike e kulturore”.

Mirënjohje Kryebashkiakut, Leonardo Spera dhe të gjithë komunitetit të dashur arbëresh të Contessa Entellina, që mbajnë gjallë figurën e Skënderbeut, simbolit të identitetit tonë kombëtar, mbrojtësin e vlerave dhe traditave të qytetërimit evropian, që frymëzon në çdo kohë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale me popullin dhe Italinë mike”, u shpreh Meta. / KultPlus.com