114 Vjet nga rizbulimi i Machu Picchu: Hiram Bingham zbulon qytetin e lashtë të Inkave

Më 24 korrik 1911, eksploruesi amerikan Hiram Bingham bëri një zbulim historik në Peru: Machu Picchu, qyteti i lashtë inka, që ishte harruar për shekuj me radhë, u rizbulua dhe bëhet një nga atraksionet më të njohura të botës.

Bingham, i cili udhëhoqi një ekspeditë nga Universiteti i Yale-së, e gjeti Machu Picchun të fshehur mes maleve të Perusë, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme të qytetërimit inka dhe historisë së tij të pabesueshme. Ky zbulim i dha botës një mundësi të jashtëzakonshme për të studiuar dhe kuptuar më mirë jetesën dhe arritjet e inkasve, transmeton KultPlus.

Machu Picchu është një nga vendet më të njohura dhe më të vizituara në botë, dhe konsiderohet një nga 7 Mrekullitë e Botës Moderne, një dëshmi e jashtëzakonshme e mjeshtërive arkitektonike dhe inxhinierike të qytetërimit Inka./KultPlus.com

Peruja zbulon një thesar antik, qyteti i ndërtuar para më shumë se 3.000 vitesh

Një qytet i lashtë që lulëzoi si qendër tregtare më shumë se 3.000 vjet më parë është zbuluar nga arkeologët në veri të Perusë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, vendbanimi i lashtë Peñico ndodhet në provincën Huaura, rreth 600 metra mbi nivelin e detit, në veri të kryeqytetit Lima. Zbulimi i këtij qyteti, i cili besohet se u themelua rreth vitit 1800 para Krishtit, ka hedhur dritë mbi një nyje të rëndësishme urbane që lidhte komunitetet bregdetare të Luginës Supe me ato të Andeve dhe Amazonës.

Në këtë sit janë identifikuar 18 struktura, përfshirë ndërtesa publike dhe banesa, që dëshmojnë për një organizim të avancuar urban. Veçanërisht e spikatur është një ndërtesë monumentale me funksion publik, ku studiuesit kanë zbuluar skulptura prej balte, mjete rituale dhe instrumente muzikore të punuara në formën e guaskave, elemente që tregojnë për funksione ceremoniale dhe kulturore të rëndësishme, përcjellë KultPlus.

Sipas arkeologëve, Peñico mori rëndësi të veçantë pas rënies së qytetërimit të Caral, një nga më të hershmit në kontinentin amerikan. Roli strategjik i qytetit e shndërroi atë në një pikë kyçe për shkëmbimet ndërmjet rajoneve të ndryshme të Perusë së lashtë.

Sot, zona arkeologjike e Peñicos është hapur për publikun, me një qendër moderne interpretimi, ambiente pritjeje dhe shtigje të posaçme që i lejojnë vizitorët të ecin mes rrënojave të ruajtura me kujdes.

Zbulimi përkon me organizimin e festivalit të parë publik “Peñico Reymi”, i cili do të mbahet të shtunën dhe synon të nderojë trashëgiminë kulturore të zonës përmes riteve tradicionale, ekspozitave artistike dhe një ceremonie dedikuar perëndeshës Pachamama./KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë vendbanim të madh gjatë gërmimeve në Peru

Vendbanimi, i zbuluar në rajonin Cajamarca të Perusë veriore, i përket kulturës Wari dhe daton nga shekulli 7 deri në 13 para erës së re.

Arkeologët që kryejnë gërmime në Peru kanë zbuluar një vendbanim të madh parahispanik, ku grupe të ndryshme etnike jetonin së bashku, raporton Anadolu.

Vendbanimi, i zbuluar në rajonin Cajamarca të Perusë veriore, i përket kulturës Wari dhe daton nga shekulli 7 deri në 13 para erës së re.

Në një deklaratë, Projekti i Hetimit Arkeologjik (PIA) tha se zbulimi, i cili zë 24 hektarë, përfshinte dy dhoma varrimi me një ndërtim të përpunuar nëntokësor.

Shinya Watanabe, një nga drejtorët e projektit, në një deklaratë tha se gjatë gërmimeve arkeologjike kanë gjetur copa qeramike, enë ceremoniale, instrumente frymore qeramike, armë të ndryshme dhe gjurmë që pasqyrojnë tradita të ndryshme.

Judith Padilla, drejtore kulturore e Qendrës Cajamarca, tha se ata kanë bërë përparim të rëndësishëm drejt mësimit të së kaluarës së Perusë.

“Për të kuptuar praktikat aktuale, është e nevojshme të hetohen mënyra e jetesës dhe ritualet e shoqërive antike që jetojnë në tokën peruane. Ne duam të zbulojmë sistemin sociopolitik të kulturës së Cajamarcas dhe marrëdhëniet e saj me Perandorinë Wari”, tha Padilla./ AA/ KultPlus.com

Zbulohet një mumje 3 000-vjeçare

Arkeologët kanë zbuluar një mumje burri, të ruajtur mirë brenda një varri prej guri, gjatë gërmimeve në distriktin Rimac të Limas, kryeqytetit të Perusë.

Mumja ishte e mbështjellë në një tufë materialesh varrimi, të përbërë nga pambuk me origjinë vendase, shoqëruar me sende të ndryshme si gjerdan, misër dhe fara.

Këto artefakte vlerësohen të jenë mbi 3 000 vjet të vjetra.

Zbulimi u bë gjatë punimeve të rikuperimit dhe ruajtjes që po kryhen në zonën arkeologjike “Huaca La Florida” nga bashkia e distriktit Rimac në bashkëpunim me Universitetin Kombëtar San Marcos.

Arkeologët kanë marrë leje nga Ministria e Kulturës e Perusë për të vazhduar gërmimet e tyre dhe për të eksploruar më tej vendin historik, i cili njihet si një Trashëgimi Kulturore Botërore./ atsh / KultPlus.com

LIMA, PERU – DECEMBER 07: A view of pre-Incan “Mummy of Cajamarquilla” is seen as the University of San Marcos presents to the world in Lima, Peru on December 07 , 2021. The “Mummy of Cajamarquilla”, presumed to be between 800 and 1200 years old, found by archaeologists from San Marcos inside a burial chamber of about three meters long and a depth of 1.40 meters in the Cajamarquilla archaeological site, east of Lima. (Photo by Klebher Vasquez/Anadolu Agency via Getty Images)

Arkeologët identifikojnë muralin ku paraqitet një perëndi në formën e merimangës

Arkeologët në Peru kanë identifikuar një mural 3,200-vjeçar të pikturuar në anën e një tempulli antik që mendohet se paraqet një perëndi në formën e merimangës, perëndi ky që ndërlidhet me shiun dhe pjellorinë.

Murali u zbulua vitin e kaluar pasi zona ku ishte u shkatërrua nga fermerët lokalë duke u munduar t’i zgjeronin plantacionet, shkruan Guardian. 

Ekspertët besojnë se ajo u ndërtua nga njerëz që i përkisnin kulturës së quajtur “Cupisnique”, e cila ishte e zhvilluar para më shumë se 3,000 vjetësh.

Arkeologu Regulo Franco Jordan ka thënë se lokacioni strategjik i tempullit afër lumit, i ka çuar studiuesit të besojnë se ka qenë tempull i dedikuar për perënditë e ujërave.

Merimanga perëndi nuk është i vetmi art që u gjet në Peru muajt e fundit. Vitin e kaluar, u gjet forma e një maceje gjigante./ KultPlus.com

Zbulohet në Peru gjeoglifi antik

Një gjeoglif antik është zbuluar nga arkeologët në jug të Perusë. Bëhet fjalë për një figurë të madhe maceje, e cila mendohet se është gdhendur rreth 2,000 vjet më parë. Gjeoglifi është pjesë e linjës “Nazca”, një koleksion me qindra vepra arti misterioze të gdhendura në një pllajë 250 milje, në jug të Limës, transmeton Koha Jonë.

Macja e gdhendur në përmasa rreth 37 metra, bashkohet me një varg vizatimesh të tjera zoomorfe të gjetura në peizazhin e rajonit gjatë shekullit të kaluar, përkatësisht me figurën e një zogu, një majmuni dhe një pelikani. Zbulimi në pllajën që tashmë është destinacion turistik u bë nga punonjësit e mirëmbajtjes.

“Figura ishte e paqartë dhe do të zhdukej si rezultat i vendndodhjes në një shpat mjaft të pjerrët dhe efekteve të erozionit natyror,” thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Kulturës.

Pas procesit të pastrimit, arkeologët zbuluan një seri vijash që ndryshonin në gjerësi nga 30 në 40 centimetra. Stili i saj sugjeron që ajo u krijua midis vitit 200 dhe 100 p.K, në periudhën e vonë të Paracas.

Linjat “Nazca” u krijuan nga njerëzit para-hispanikë që hoqën shtresat e sipërme të shkëmbit dhe zhavorrit për të zbuluar një shtrat me ngjyrë më të çelët poshtë. Figurat e këtij lloji të familjes së maceve gjenden shpesh në ikonografinë e qeramikës dhe tekstileve në periudhën Paracas. / KultPlus.com

Në Peru zbulohet varreza me trupat e 220 fëmijëve, të therorizuar për “qejfin e perëndive”

Një varrezë masive me trupat e 220 fëmijëve është zbuluar në Peru. Të miturit dyshohet se janë sakrifikuar nga të rriturit rreth 5 shekuj më parë, për t’u bërë qejfin perëndive të asaj epoke.

Arkeologët në Peru kanë zbuluar atë që dyshohet të jetë sakrifica më e madhe e të miturve në histori. Trupat e 227 viktimave, fëmijë të moshave nga 5 deri në 14 vjeç, u gjetën në një varr masiv pranë qytetit bregdetar Huançako, në veri të kryeqytetit Lima.

Fëmijiët mendohet të jenë sakrifikuar rreth 500 vjet më parë. Arkeologët deklaruan për agjencinë e lajmeve “AFP” se disa nga trupat e rekuperuar kishin ende flokë dhe lëkurë pasi u zhvarrosën. Skeletet mbajnë shenja që tregojnë se të vegjlit janë vrarë në mot të lagësht dhe se janë varrosur duke qëndruar përballë detit, që do të thotë se janë sakrifikuar për t’iu bërë qejfin perëndive.

Viti i saktë i ekzekutimit të të miturve nuk dihet ende, por arkeologët dyshojnë se ai është kryer gjatë epokës së qytetërimit Çimu. Gërmimet ndërkohë vazhdojnë dhe specialistët deklarojnë se trupa të tjerë mund të gjenden në ditët në vazhdim.

“Është e pabesueshme kjo që u është bërë fëmijëve. Kudo që të gërmosh gjendet një trup tjetër”, deklaroi shefja e misionit të arkeologëve, Feren Kastijo. Zbulimi vjen thuajse një vit pasi skeletet e rreth 200 fëmijëve të tjerë u zbuluan në dy zona të tjera të vendit latin. /koha.net/KultPlus.com