Rita Ora fotografohet nga Bryan Adams për kalendarin e famshëm ‘Pirelli’

Bryan Adams e ka fotografuar Rita Orën të zhveshur duke pozuar në një vaskë, në fotosesionin e krijuar për kalendarin e vitit 2022 të markës “Pirelli”.

Rok ylli kanadez i njohur edhe si fotograf, është angazhuar t’i fotografojë disa emra të njohur të showbizit, si Cher, Rita Ora, Grimes, Jennifer Hudson, Iggy Pop, Normani, Saweetie, Bohan Phoenix, Kali Uchis dhe St. Vincent, për edicionin e ardhshëm të kalendarit ikonik të titulluar, “On The Road”.

Dhe për ta zbuluar lajmin e realizimit të këtij fotosesioni dhe emrave të yjeve që do të jenë pjesë e kalendarit të ardhshëm, “Pirelli”, Adams e postoi një fotografi intime bardh e zi ku shihet këngëtarja 30-vjeçare, Rita Ora, e shtrirë në një vaskë hoteli, transmeton KultPlus.

Muzikanti 61-vjeçar, Bryan Adams, përmes një komunikate për media ka deklaruar: “Në rrugë është vendi ku i kam kaluar 45 vjetët e fundit, sepse jeta e një muzikanti përbëhet nga rrugët, udhëtimet, pritja nëpër hotele dhe orët e tëra në prapaskenë”.

Adams, fotografitë i ka realizuar për dy ditë në Los Angeles gjatë qershorit të këtij viti, dhe një ditë në Capri në muajin korrik.

Filiali në Britani të Madhe i markës italiane të gomave “Pirelli”, e themeloi kalendarin e famshëm në vitin 1964, me drejtorin artistik Derek Forsyth dhe fotografin britanik Robert Freeman, të cilin e kishin realizuar e edicionin e parë. Përgjatë vjetëve, yje të tillë si: Cindy Crawford, Miranda Kerr, Nicole Kidman, Hilary Swank dhe Uma Thurman, e kanë hijeshuar këtë kalendar.

Numri i ardhshëm me titull, “On The Road”, do të prezantohet në muajin nëntor dhe njëherësh e shënon rikthimin e kalendarit ikonik “Pirelli”, pasi publikimi i tij ishte pezulluar vitin e kaluar si pasojë e pandemisë COVID-19. / KultPlus.com