Qeveria e Kosovës miraton propozimin e Dumoshit për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes

Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e qeverisë ka miratuar propozimin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi për Planin e veprimit dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes.

MKRS pasi e ka analizuar gjendjen e tre sektorëve ka përgatitur metoda konkrete dhe kritere specifike për zbatimin e këtij vendimi për të siguruar ndarje korrekte dhe racionale të mjeteve financiare në përputhje me nevojat në terren.

 Ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

 Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj.

Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive.

Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.

 Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë me zbatimin e këtij plani. Vendime të mira dhe shumë të rëndësishme për qytetarët, në veçanti për kulturën, sportin dhe të rinjtë e Kosovës. / KultPlus.com