Nëse duhet të jetoj

Poezi nga Julio Cortazar.

Nëse duhet të jetoj pa ty, le të jetë ashpër e mizorisht,
supa e ftohtë, këpucët e prishura,
apo në mesin e bollëkut le të ngrihet dega e thatë e kollës,
që gërthet emrin tënd të deformuar, zanoret prej shkume, e nëpër gishtërinj
le të më ngjiten çarçafët e asgjë mos më dhëntë paqe.
Jo se për këtë do mësoj të të dashuroj më fort,
por i braktisur nga lumturia
do të di sa më jepje ndonjëherë vetëm
duke më ndenjur pranë.
Këtë dua të kuptoj, por gënjej veten:
do jetë e nevojshme bryma mbi arkitra
që ai që zë vend nën strehë
të ngulitë në mendje
dritat e sallës së ngrënies, mbulesat e qumështa, dhe aromën
e bukës që kalon nga dora e saj e zeshkët derës së paputhitur.
Shumë larg tashmë nga ty,
aq sa njëri sy nga tjetri,
nga kjo fatkeqësi që po hamendësoj
do lindë tani
shikimi që për fund e meritoj./KultPlus.com