“Kundër mallkimit të gjuhës shqipe”

Poezi nga Petro Nini Luarasi

Si shqiptarë që jemi

Shqip ne duhet të mësojmë

Dhe Zotin, të drejtë kemi,

Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë

Doni ta humbisni fare

Dhe me mallkim e me nëmë

Shprehni ta shpini në varre.

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë

Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,

I urdhërojnë të zinjtë

Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre

Nëkëmbës t’ orthodoksisë

Shumë punë prej mynxyre

Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë

Të nëmosin gjuhën tonë,

Të përçajnë Shqipërinë,

Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip

Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,

Vetëm në gjuhën greqisht

Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,

Që dëgjon në kishë brenda

Dhe na mallkojnë për hera

Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen

Që përçmojnë Perendinë,

Po mburren edhe lëvdohen

Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë

Të vjetër dhe të vyer,

Nga Perendia ish thënë

Që ta ruajmë të çkëlqyer./KultPlus.com