Petro Nino Luarasi, martir i gjuhës shqipe

Petro Nino Luarasi lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht të vitit 1911, ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit. Lindi në Luaras të Kolonjës në një familje muratori.

Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues.

Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).

Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.


Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. /KultPlus.com

108 vjet nga vdekja e Petro Nini Luarasit, martirit të gjuhës shqipe

Figura e shquar e kombit Petro Nini Luarasi, lindi më 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht të vitit 1911. Ai ishte prift, shkrimtar, mësues.

Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë më 1887. Në vitin 1904, emigroi në Shtetet e Bashkuara ku qëndroi disa vite si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Petro Nini Luarasi ishte delegatë në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908. Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro u përndoq si nga turqit e rinj, ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.

 Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere.

Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ish presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën./ rtv21 / KultPlus.com

Kundër mallkimit të Gjuhës Shqipe

Poezi nga Petro Nini Luarasi (1865-1911)

Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer./KultPlus.com