Rrugë e pagjetur

  

Nga Albulenë Krasniqi

Si shkëndija e zjarrtë u nisën atë ditë,
Ejani, thërret zëri!
Me gjysmë hapi fërkonin tokën, sytë kthyer nga ne.
Ulkonjës së Romës djemtë nga gjiri iu shkëputen, në rrugën pakthim, në vendin pa vend.
Ejani, thërret zëri!
U shqye trupi e mishi e shpirti, por s’e di nëse shpirt mbeti.
S’e di nëse Ulkonjës së Romës, djemtë i gjetën rrugën, e rrugët i gjetën vajzat.
Vajzat e bardha si borë e akullt, flokëlëshuara në trupin e njomë.
Ejani, thërret zëri!
Si akrep ore dekadat lëvizin, si shi vjeshte e ngricë dimri, mbesin lotët e shtjerrur në gjirin e Ulkonjës së
Romës.
 Ejani, thërret zëri!
Pranverë e re po vjen, zëri i vjetër bërtet.
Ejani.

(Poezi për të pagjeturit) / KultPlus.com

Albulenë Krasniqi

Jam i gjetur edhe unë

Poezi e shkruar nga Teuta Haxhimusa.

I pagjetur nuk jam,
pse një gur varri se patëm fat të çmallemi të dy,
babë e bijë!

Në ankthin e pritjes tënde të pafund,
udhëtar i lirisë edhe unë gjëllijë!
Në qurgun e lotëve të lumturisë sate,
isha aty kur linde secilin fëmijë, o bijë!

Oh, ta dish se në grimcën e fundit të shpresës tënde kapem fort bashkë me ty, i paepur!
Në ambicien e çdo beteje të drejtë, jam i gjetur!
Ta dish se në ballin tënd krenar prehem qetësisht!
Në emrin e nipit dhe sytë e mbesës – jam i gjetur!

Hej, jam i gjetur, jam i gjetur edhe unë!
Unë dhe ti takohemi çdo tik-tak të zemrës sate!
Kalorës i përjetësisë jam i gjetur dhe unë, aty!
I pagjetur nuk jam, pse një gur varri se patëm fat të çmallemi të dy!

(Këto vargje shprehin dhimbjen dhe mirënjohjen e përjetshme për sakrificën e të gjithë atyre kosovarëve që regjimi vrastar serb nuk ju dha as edhe një varr! Gjithashtu, shprehin bashkëndjenjën për të gjithë familjarët e këtyre martirëve të lirisë së Kosovës, e në veçanti këto vargje ia përkushtoj veprimtarit të dalluar, Alishefik Spahiut dhe bijës së tij, Arjetës!)