‘Një Muaj’ premierë botërore në Cairo International Film Festival

Filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla është pranuar në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër – International Cinema of Tomorrow Competition në festivalin e kategorisë ‘A’ ku do të garoj për çmimin ‘Filmi më i mirë i shkurtër’ dhe për çmimin special të jurisë.

Cairo International Film Festival është themeluar në vitin 1976 dhe njihet si festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe gjithashtu bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garuese të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP). Edicioni i këtij viti fillon me 21 deri 30 nëntor 2017.

‘Një Muaj’ është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha, Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike ‘Broken Branch Production’, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com