Restoranti i shqiptarit mbi qytetin Winterthur (FOTO)

Pren Kqira është “doajeni” i gastronomeve shqiptarë në Zvicër. Nga viti 1993 kur ka hapur restorantin e parë, ai ka drejtuar mbi 10 restorante. Tash drejton restorantin “Goldenberg” që rri si kurorë mbi kokë qytetit Winterthur.

Restoranti “Goldenberg” (Kodra e artë) i vendosur “në fron” të qytetit, shikon gjithë Winterthurin si në pëllëmbë të dorës. Nga kjo lartësi ofrohet pamja padyshim më e bukur e qytetit me mbi 100 mijë banorë. Vetë godina impozante është një vilë e dikurshme e madhe aristokrate që e e ka ruajtur të gjithë luksin nga koha e ndërtimit. Ndërsa ata që e kanë shndërruar në restorant e kanë pasuruar më tutje duke e bërë të qasshme për të gjithë. Statusin e veçantë të vilës-restorant e tregojnë edhe zbukurimet në mure dhe tavane të 4 sallave sa i ka gjithsej, pastaj një piano e madhe në korridor, vitrinat me shishe të verërave cilësore dhe çdo gjë tjetër që shkëlqen në dritën e luksit.

Në “Goldenberg” shkohet këmbë, përmes vreshtave që gjelbërojnë gjithë hapësirën nga qyteti deri te tarracat e restorantit, ose edhe me makinë, përmes një rruge gjarpërore që të sjell në restorant, nga ana e mbrapme.

Tarraca e gjatë 150 metra me pamje mahnitëse

Pren Kqira e udhëheq këtë restorant vetëm nga muaji mars i këtij viti dhe është shumë i kënaqur me punën. “Sidomos gjatë sezonit veror restoranti ynë është i vërshuar nga mysafirët. Ai gëzon edhe epitetin “restorant pikniku”, pasi që e frekuentojnë shumë ata që dalin shëtitje në kodrinat përreth. Për këtë arsye, tarraca me tavolina për 350 veta e gjatë rreth 120 metra është një cak i lakmuar për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqim të zgjedhur në një ambient ekskluziv. Me sa kam parë e dëgjuar kjo është tarraca më e gjatë dhe e gjitha me shikim, që ka një restorant në Zvicër”, thotë Preni për albinfo.ch. Gjatësia e saj ka imponuar që në mes të distancës të vendoset një bufe prej ku shërbehen pijet, për t`i kursyer kamerierët nga rruga e gjatë prej ndërtesës kryesore deri në skajin e tarracës.

Kaq e lakmuar është kjo pamje sa që edhe gjatë sezonit të dimrit, kur ka sadopak diell “na pushtojnë qindra mysafirë dhe ne na imponohet të fillojmë edhe shërbimin jashtë në mënyrë që ata ta shijojnë pamjen”.

Në tarracë për çdo të martë ofrohen mbrëmje me muzikë live (gjatë verës?) dhe këto mbrëmje janë shumë të frekuentuara.

Kuzhina dhe mikpritja, standarde të panegociueshme

Por nuk është vetëm pamja ajo që tërheq si magnet mijëra mysafirë në “Goldenberg”. Janë gjithsesi edhe kuzhina e nivelit të lartë dhe mikpritja – e cila te Preni është një standard i panegociueshëm – ato që “detyrojnë” qytetarët të ngjiten në kodrën e artë. “Ne kemi një kuzhinë kryesisht zvicerane por të plotësuar edhe me elemente mediterane. Mënyrat e veçanta të pjekjes së llojeve të ndryshme të mishit janë ndër specifikat e kuzhinës sonë”, thotë Kqira. Po ashtu një pjesë e mirë e stafit të restorantit janë shqiptarë. Ata janë punëtorë të zellshëm dhe mjeshtër të zanatit të tyre. Ndryshe nuk bën te Preni, pasi që qëllimi i tij suprem është kënaqësia e mysafirit, jo vetëm me cilësinë e ushqimeve por edhe me mikpritjen.

“Restoranti ynë është më shumë i destinuar për rezervime dhe për darka e dreka grupore se sa për vizita spontane. Këtu vijnë familje dhe rrethe shoqërore për të festuar dasmat dhe gëzimet tjera familjare të tyre, pastaj firma që bëjnë darkat e fundvitit etj. Kemi po ashtu edhe mysafirë prominentë. Kështu pak kohë më parë kemi pasur mysafir kryetarin e Parlamentit të Zvicrës, Jürg Stahl i cili për të darkuar këtu i ka sjellë kryetarët e parlamenteve të 6 shteteve të BE-së”, tregon Kqira. Por, nuk mungojnë as shqiptarët që këtu i bëjnë gazmendet e tyre familjare, shton ai.

Restorantet e Prenit, në pikat më të lakmuara

Deri tash ai ka udhëhequr ose ka pasur në pronësi mbi 10 restorante, disa prej të cilëve nga 2 e nga 3 në të njëjtën kohë dhe të gjithë në vendet më të lakmuara të qyteteve përkatëse. Preni mund të llogaritet ndër shqiptarët e parë, në mos edhe i pari, që kanë pasur në menaxhim restorante në Zvicër. Ka rreth 25 vjet që kur e ka nisur këtë rrugë dhe në secilin hap ka bërë nga një avancim. Kështu ai, në vitin 2003, pati marrë lokalin mu në “qendër të qendrës” të Winterthurit ku pati hapur restorant-picerinë me emrin “Stella del Centro”. Me po këtë emër ai ka mbajtur paralelisht 3 restorante: Veç atij në Winterthur edhe nga një në Uster dhe në Horgen. Afërsisht po në këtë kohë Preni ka menaxhuar edhe restorantin e madh në qendër të qytetit Wil (Stadtsaal). Ndërsa paralelisht ka menaxhuar edhe disa restorante tjerë në Winterthur e në rrethinë.

Ka filluar si pjatalarës…

Sikurse shumica e shqiptarëve, edhe Pren Kqira zanatin e ka mësuar duke e nxënë gjatë punës së bërë, fillimisht si ndihmës kuzhine e pastaj si kamerier. Ai, nga Kosova gjegjësisht nga Prizreni ka ardhur në Zvicër para rreth 35 vitesh.
Fillimisht ka punuar në një hotel në Disentis të Graubündenit. “Pasi që ende nuk e njihja gjuhën, normalisht, punoja në kuzhinë. Kam larë enë, kam ndihmuar në përgatitjen e ushqimeve”, thotë ai për albinfo.ch. Por, nuk ka vonuar shumë edhe hapi i parë i guximshëm i tij në rrugën e ngritjes në hotelerinë private. “Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”, thotë ai për albinfo.ch. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“.

Pren Kqira nuk harron të përmend meritat e familjarëve. “Për ta bërë gjithë këtë, kemi pasur mirëkuptimin e pakusht të familjeve tona. Për gjithçka i detyrohemi sakrificës sonë dhe të familjeve”./ KultPlus.com