Presidentja Osmani, francezëve: Serbia me tendenca destabilizuese në Kosovë – s’po i zbaton marrëveshjet

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Gjatë takimit, Osmani u shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike.

“Ajo theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Francën dhe rolin e saj kyç në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, bëhet e ditur se e para e shtetit ka folur edhe në lidhje me dialogun me Serbinë, ku ka potencuar mungesën e vullnetit të shtetit serb për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë, sipas saj, si një pengesë serioze për përparim të dialogut dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces”.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani takohet me Blinken: Diskutim i rëndësishëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në New York ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Osmani ka treguar se me Blinken kanë diskutuar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët.

”Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar Osmani./21Media/KultPlus.com