Elia Zaharia dhe Princ Leka, me lot në sy shpërndajnë dhurata për fundvit (FOTO)

Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit angazhohet për të shpërndarë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme në Shqipëri.

Njëjtë ka ndodhur edhe këtë fundvit, ku Princ Leka dhe Princesha Elia Zaharia Zogu kanë udhëtuar për në fshatin Bruç dhe në Mat, duke dhuruar dashuri dhe duke iu bashkuar festës së organizuar nga nxënësit në këtë vend.

Po e sjellim poshtë postimin e Elia Zaharias të plotë, dhe disa fotografi nga ky angazhim i radhës bamirës në prag të festave të fundvitit.

Një ditë në Mat

Tashmë është kthyer në traditë që Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit të shpërndajë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme! Këtë herë bashkë me Princ Lekën ndaluam në fshatin Bruç dhe iu bashkuam festës së organizuar nga nxënësit e talentuar të shkollës, që na pritën me këngë, vjersha dhe valle tradicionale! Është një bekim i vërtetë të festosh me ta, ti shohësh aq të dashur, energjikë dhe të lumtur…Më pas ndaluam në shkollën e Burgajetit, ku pastor Ylli Doci na bëri pjesë të iniciativës së tij për të shpërndarë dhurata për femijët e shkollës.

Por këte vit nuk ishim vetëm! Ftuam në Mat edhe Fondacionin Fundjavë Ndryshe, të cilët me përkushtim ju bashkuan festimeve tona. Më pas së bashku ndaluam në disa familje të fshatrave perreth, ku skamja dhe realiteti migjenian nuk përshkruhen me fjalë…Arbri dhe aktivistët iu gjendën këtyre familjeve duke shpërndarë ndihma, për ti mundësuar një Vit të Ri me ushqime mbi tryezat e improvizuara, me batanije për tu ngrohur sa munden në “shtepizat” e tyre pa çati e pa dritare…Nderkohë që më kishte pushtuar trishtimi duke parë lotët në sytë e Lumes, e cila me 2000 L te reja (20 të vjetra) duhet te përballonte muajin vet i pestë, me bashkëshort dhe dy djem me aftësi të kufizuara, dhe një vocërrak që vraponte këmbëzbathur në të ftohtë, mendoja me vehte të gjithë ata fëmijë që i gëzoheshin dhuratave dhe lodrave të Vitit të Ri, çfarë dite i pret të nesërmen! Kjo familje nuk është e vetmja…A mundemi ta ndryshojmë realitetin e tyre? Te vetëm jo! Por nëse të gjithë bashkë do kemi pak më shumë dashuri, atëherë mund ta përmirësojmë këtë dhimbje të madhe!