Pazari i Grave, të martat dhe ardhja e janjevalive (FOTO)

Pjesë e kësaj lagjeje asokohe ishte edhe Pazari i Grave ose pazari i plaçkave, që mbahej të martave, herë në hapësirat e garazheve të sotme të RTK-së e herë në brendi të lagjes në të djathtë të Muzeut Etnologjik, e herë në hyrje të sokakut.

Aty shitej gjithçka, që nga penjtë për qëndisje të ndryshme, rruazat e kërkuara, pëlhura e llojit të veçantë për këmishë, që shërbenin për përgatitje nusërie, deri te teshat e bajtura.


Pazari i Grave – Pejë

E, në mes të atij kallaballëku, rëndom qëndronte salepçiu me salepin e nxehtë, që nxirrte avull… po kështu shërbehej edhe kungulli i Misirit, i pjekur dhe i vendosur në tepsi, që mbahej lart me njërën dorë ose mbi kokë të shitësit.

Por, të ndalemi te dita e pazarit: karakteristikë e së martës ishte ardhja e janjevasve (ose janjevalive, siç u thoshin), zanatçinj të mrekullueshëm të punimit të bizhuterive, të cilët e ekspozonin mallin e tyre shtrirë në tezga. Jo vetëm për atë kohë punimet e tyre kanë qenë të njohura dhe të kërkuara. Mjerisht, tashmë janjevalitë dhe prodhimet e tyre nuk shihen të vijnë në këtë qytet e më gjerë, jo se malli i tyre u harrua, por pse, të rinjtë, si duket, nuk e ndoqën traditën e të parëve.

Burimi: Sanije Gashi


Pazari i Grave – Pejë, 1959


Pazari i Grave – Prizren, 1912