“Prishtina lexon” argëton fëmijët me aktivitete të ndryshme

Me moton ‘Prishtina m’jep dashni’, është duke u mbajtur këndi i leximit për fëmijë në sheshin “Zahir Pajaziti” në kuadër të festivalit ‘Prishtina lexon’. Fëmijët e mbledhur në tendat e ndara, ishin aktivë me leximin e veprave, pastaj në këndin për pikturë, këndim, dhe lexim në gjuhë të huaja.

Të pranishëm ishin edhe artistët kosovarë Xhejlane Tërbunja dhe Alban Rexhaj, të cilët lexuan copëza të veprave për fëmijë, gjithashtu bashkëpjesëmarrës ishin filloristët, të cilët lexuan poezi dhe patën mundësi interaktiviteti gjatë festivalit, në fokus të të cilit janë temat si miqësia, loja, piktura, kënga, shkolla, shkruan KultPlus.

Organizatorët shprehen për KultPlus, se janë të kënaqur me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe aktivitetet.

“Në këndet e festivalit ‘Prishtina lexon’, nuk po mungon argëtimi i fëmijëve dhe kënaqësia e leximit. Qëllimi ynë kryesor është kultivimi i shprehisë së leximit te moshat e reja”, thanë ata.

Aktivitetet për fëmijë kanë filluar nga ora 10:00, dhe po vazhdojnë ende. Ato do të zgjasin deri në orët e mbrëmjes, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit nga Komuna e Prishtinës.

Nga ora 16, aktivitete do të ketë edhe për të rriturit në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të shohin edhe film, teatër dhe slam poezi.

Me “Book Character Party”, që nis nga ora 21:00 do të përfundojnë të gjitha aktivitetet në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”. / KultPlus.com

????????????????????????????????????

“Prishtina Lexon” me aktivitete të shumta për grupmosha të ndryshme

Sot për herë të pestë organizohet festivali “Prishtina Lexon”, përmes së cilit synohet nxitja e kulturës së leximit dhe ndërgjegjësimi social rreth rëndësisë së librit për fuqizimin intelektual të individit.

Manifestimi 20/20 shënon 20-vjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe nën ombrellën e tij do të përfshihen shumë organizime, ndër të tjera edhe festivali Prishtina Lexon në kuadër të të cilit spikasin leximi, teatri, filmi dhe performanca tjera artistike, që krahas karakterit edukativ, mëtojnë të kenë edhe atë socializues dhe argëtues.

Edhe kësaj radhe për organizimin e festivalit janë bërë bashkë institucione dhe organizata joqeveritare, Komuna e Prishtinës, ETEA, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Termokiss, Libraria Dukagjini, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Aleanca Franceze, Social Creativity, Kino Armata dhe Virtual Sophists, si dhe institucionet edukativo-arsimore të zonave urbane dhe rurale.

E veçanta këtë vit është se aktivitetet i dedikohen fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave.

Gjithçka fillon me aktivitete për fëmijë që nga ora 10:00 me këndet e leximit dhe program artistik të fëmijëve në Sheshin “Zahir Pajaziti”, aktivitete këto që do të zgjasin deri në ora 16:00, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit të Komunës së Prishtinës. Nga ora 16:00 fillojnë aktivitetet për të rritur të lokalizuara në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të përcjellin film, teatër dhe slam poetry.

Ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” gjithçka përmbyllet me Book Character Party. / KultPlus.com

Me “Silent Reading Party” përfundoi “Prishtina Lexon”

Aktiviteti “Silent Reading Party” ka shënuar përfundimin e festivalit të leximit “Prishtina Lexon”, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit te nxënësit dhe shoqëria.

Kryeqyteti për një javë rresht ka qenë nikoqir i shumë aktiviteteve, të cilat janë organizuar në kuadër të këtij festivali, ndërsa aktiviteti i fundit i festivalit të leximit “Silent Reading Party” është organizuar nga “Etea” dhe “Termokiss”.

Drejtori i organizatës “Etea”, Agon Ahmeti bëri të ditur se organizimi i fundit në kuadër të festivalit të leximit ka mbledhur të rinj, të cilët bashkërisht do të lexojnë dhe në fund do t’i ndajnë mbresat e tyre për librin të cilin e kanë lexuar. “Siç po shihet, është një numër i kënaqshëm, normalisht dëshira e organizatorëve gjithmonë është me pas më shumë e më shumë. Por, që këtë vit “Prishtina Lexon” ka qenë shumë e ngarkuar me aktivitete dhe mendoj që ka pasur një numër të madh të përfituesve pasi që janë përfshirë të gjitha grup moshat.

Ka pasur aktivitete për fëmijë, të rinj dhe po besoj që kemi bërë një punë pozitive, por me shpresën që “Prishtina Lexon” ka me pas program vjetor. Në kuadër të këtij programi sot përfundon java e “Prishtina Lexon” me këtë aktivitet dhe po besoj që vikendin e ka bërë më të bukur dhe më të mirë”, bëri të ditur ai. Aktivitetit të fundit të festivalit “Prishtina Lexon” iu ka bashkangjitur edhe studentja Donjeta Bajraktari, e cila ka përzgjedhur librin “Dritarja ruse” të autorit Drafan Velikiq. “Arsyeja se pse iu kam bashkangjitur sot këtij aktiviteti është se më ka pëlqyer shumë me qenë pjesë e një organizimi të tillë dhe po më pëlqen shumë ideja e festivalit “Prishtina Lexon”, pasi që edhe sot e diel, pak relaksim për ne si studentë”, tha ajo.

Ndryshe, ky edicion ka shënuar për herë të parë bashkëpunimin në mes të Komunës së Prishtinës dhe 10 organizatave të shoqërisë civile, të cilat merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore, ku këto të fundit e kanë përbërë pjesën kryesore të programit.

Festivali i leximit “Prishtina Lexon” ka filluar më 28 maj, ku janë mbajtur aktivitete të ndryshme në tërë Prishtinën./ KultPlus.com

Sot fillon “Prishtina Lexon”

Festivali “Prishtina Lexon” këtë vit po vjen me plot aktivitete që synojnë të nxisin dhe kultivojnë kulturën e leximit te të gjitha grupmoshat.

Komuna e Prishtinës së bashku me organizatat joqeveritare organizojnë festivalin e leximit “Prishtina Lexon”, festival ky që synon ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e leximit tek nxënësit dhe e gjithë shoqëria. Në edicionin e sivjetmë festa do të zgjasë 7 ditë dhe përfshinë të gjitha moshat.

Në organizim marrin pjesë 8 organizata joqeveritare që merren kryesisht me lexim, dije, filozofi dhe aktivitete rinore. Kjo është hera e parë që krahas Komunës së Prishtinës, organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë pjesën kryesore të programit, që fillon me 28 maj dhe përfundon me 3 qershor. Në këtë edicion, Prishtina Lexon do të shtrihet në tërë Prishtinën dhe jo vetëm në sheshin kryesor.

Aktivitetet e para fillojnë të hënën gjatë ditës, nëpër shkollat e Prishtinës, për nxënësit e klasave VI deri në IX nga organizata TOKA. Aktiviteti i radhës, në po të njëjtën ditë, është “Nata e letërsisë dhe poetikës”, që njëherësh shënon hapjen e festivalit, do të mbahet në Degën “Përkujtimore” (Taukbashçe) të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në ora 20:30, nga ETEA, Termokiss dhe TOKA. Festivali “Prishtina Lexon”, që nga viti 2014, është iniciativë e Komunës së Prishtinës me qëllim të promovimit të leximit, nxitjes dhe kultivimit të kulturës së leximit te fëmijët. Për dallim prej viteve të kaluara, edicioni i pestë i “Prishtina Lexon”, po vjen me format më të ndryshëm duke u fokusuar në aktivitetet e mbajtura së bashku me organizatat joqeveritare, si: ETEA, TOKA, Termokiss, SOS Fshati i Fëmijeve, Virtual Sophists, KYC dhe Alliance Française.

Në anën tjetër në këtë partneritet u përfshinë edhe institucionet edukativo-arsimore, si: Biblioteka “Hivzi Sulejmani” me të gjitha degët e saj, Qendra Kulturore e Fëmijeve, shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës, Xixëllonjat, Evolution Dance, etj. Si rrjedhoje e këtij bashkepunimi të gjere “Prishtina Lexon” këtë vit do të zgjatë shtatë ditë me aktivitete të shumta, por me e veçanta është se këtë vit aktivitetet i dedikohen fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave. Po ashtu, në këtë edicion “Prishtina Lexon” do të shtrihet në tërë Komunën e Prishtinës, pra duke përfshirë edhe fshatrat. Hapja zyrtare e “Prishtina Lexon” bëhet me datë 28 maj 2018 në degën përkujtimore të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për shkak të simbolikës që kjo pronë e ka. Prona e shkrimtarit Hivzi Sulejmani u la me testament për t’u shndërruar në shtëpi të dijes – bibliotekë.

“Prandaj, ju njoftojmë se, me fillim të javës, të hënën në mbrëmje në ora 20:30, e hapim Festivalin “Prishtina Lexon” në oborrin e shtëpisë së librit, me diskutime miqësore për letërsinë, me lexime të veprave të krijuesve letrarë, e krejt këto, nën përcjelljen e tingujve të muzikës së mirë. Mos harro, mbledhe krejt dashninë gjatë vikendit, ruaje të hënën gjatë ditës dhe eja shpërndaje atë në mbrëmje. Veçse jo të tërën, e hëna është vetëm fillimi”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com