“Prishtina lexon” argëton fëmijët me aktivitete të ndryshme

3 Qershor, 2019 - 3:12 pm

Me moton ‘Prishtina m’jep dashni’, është duke u mbajtur këndi i leximit për fëmijë në sheshin “Zahir Pajaziti” në kuadër të festivalit ‘Prishtina lexon’. Fëmijët e mbledhur në tendat e ndara, ishin aktivë me leximin e veprave, pastaj në këndin për pikturë, këndim, dhe lexim në gjuhë të huaja.

Të pranishëm ishin edhe artistët kosovarë Xhejlane Tërbunja dhe Alban Rexhaj, të cilët lexuan copëza të veprave për fëmijë, gjithashtu bashkëpjesëmarrës ishin filloristët, të cilët lexuan poezi dhe patën mundësi interaktiviteti gjatë festivalit, në fokus të të cilit janë temat si miqësia, loja, piktura, kënga, shkolla, shkruan KultPlus.

Organizatorët shprehen për KultPlus, se janë të kënaqur me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe aktivitetet.

“Në këndet e festivalit ‘Prishtina lexon’, nuk po mungon argëtimi i fëmijëve dhe kënaqësia e leximit. Qëllimi ynë kryesor është kultivimi i shprehisë së leximit te moshat e reja”, thanë ata.

Aktivitetet për fëmijë kanë filluar nga ora 10:00, dhe po vazhdojnë ende. Ato do të zgjasin deri në orët e mbrëmjes, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit nga Komuna e Prishtinës.

Nga ora 16, aktivitete do të ketë edhe për të rriturit në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të shohin edhe film, teatër dhe slam poezi.

Me “Book Character Party”, që nis nga ora 21:00 do të përfundojnë të gjitha aktivitetet në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”. / KultPlus.com

????????????????????????????????????

Të ngjajshme