Konferenca e 7-të shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë

Dita e dytë e konferencës së 7-të shkencore të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, nisi me një takim me mediet në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe Lucian Brujan, koordinatori i Procesit të Berlinit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion (Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina).

Takimi u mbajt në zyrën e akad. Skënder Gjinushi, i cili theksoi se kjo konferencë mbahet një muaj përpara organizimit nga BE-ja të Samitit të 9-të të Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon.

“Kjo konferencë bashkëorganizohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë”, tha akad. Gjinushi, dhe theksoi se ky bashkëpunim vjen me rritjen e vëmendjes ndaj problematikave në zhvillim, me të cilat përballen vendet tona dhe rajoni në përgjithësi në fushë të shkencës e arsimit, si dhe nevojën e rritjes së peshës ende të ulët të financimeve për shkencën në raport me PBB-në, rritjen e mbështetjes së kërkuesve e shkencëtarëve të rinj nëpërmjet forcimit të statusit të tyre dhe frenimit të emigrimit të trurit dhe ndërlidhjes më të mirë me diasporat shkencore; forcimin e përmirësimin e cilësisë dhe etikës së kërkimit; administrimin e zbatimin sa më të mirë të arritjeve shkencore; rritjen e pjesëmarrjes aktive në programet e përbashkëta.

Lucian Brujan falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushin për bashkëpunimin dhe theksoi tri objektiva të rëndësishme të Procesit të Berlinit në rajon: transformimin e vazhdueshëm në fushat e shkencës, arsimit dhe inovacionit, zhvillimin dhe mbështetjen e qendrave kërkimore shkencore në Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë në Europën juglindore.

Në konferencë mori pjesë edhe Federica Mogherini, tashmë rektore e Kolegjit të Europës, në Brugge, e cila foli mbi integrimin europian të Ballkanit si dhe rolin e akademive, universiteteve e intelektualëve në këtë drejtim. Të pranishmit në konferencë kanë ndjekur edhe një koncert për harqe të dirigjuar nga Eno Koço./atsh/KultPlus.com

Regjistrimi i popullsisë 2023, ende nuk dihet nëse procesi do nis më 1 shtator

Kanë kaluar 12 vite që kur Kosova ka bërë regjistrimin e popullsisë për të fundit herë. Pas një vendimi të vitit 2022, është planifikuar që ky proces të mbahet gjatë këtij viti, nga 1 shtatori deri më 16 tetor.

Ndonëse procesi pritet të nis edhe dy javë, 1 shtatori është ende në vlerësim e sipër nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për t’u vendosur si datë përfundimtare. Kështu është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se në të njëjtën kohë, ASK-ja është duke bërë përgatitjet e nevojshme.

“Regjistrimi i popullsisë është proces i rregulluar me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Në bazë të këtij Ligji, Qeveria ka caktuar Komisionin Qendror të Regjistrimit si dhe periudhën gjatë të cilës do bëhet regjistrimi i popullsisë. Aktualisht, ASK është duke bërë vlerësimet nëse data 1 shtator do të jetë përfundimisht data e fillimit të procesit të regjistrimit, por në të njëjtën kohë është duke bërë edhe përgatitjet e nevojshme”, deklaroi ai për Teve1

Pjesë e regjistrimit të popullsisë janë edhe katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të cilat procesin e fundit të mbajtur më 2011, e kishin bojkotuar.

I pyetur se si do veprohet në këto komuna, nisur nga situata e tensionuar muajve të fundit në atë pjesë, Kryeziu deklaroi se regjistrimi do përfshijë gjithë territorin e Kosovës.

“Është me rëndësi të theksohet se regjistrim bëhet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë, duke mos përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Ky proces ishte paraparë të bëhet në vitin 2021, por që fillimisht ishte shtyrë për vitin 2022, e pastaj ishte vendosur për vitin 2023.

Regjistrimi i popullsisë konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pasi sigurohen të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë si dhe karakteristika të tjera./GazetaExpress/ KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: “Procesi”

Virusi kinez, Coronavirusi, ka izoluar pjesën dërmuese të shteteve dhe pjesë e izolimit tashmë është edhe Kosova, pavarësisht se jo në nivelet më ekstreme. Për ata që izolimin duan ta kalojnë duke lexuar ndonjë libër, KultPlus ju sjell rekomandimin e mbrëmjes në ‘epokën e coronavirusit’, dhe ky libër është “Procesi” nga Franc Kafka, shkruan KultPlus.com

“Procesi” është romani më i njohur dhe më i realizuar i shkrimtarit çek, Franc Kafka, i botuar në Berlin më 1926,dy vjet pas vdekjes së tij. Në analizën e romanit “Procesi”, vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.

Për arsye se Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij, personazhi përgjithësisht është njeriu i rëndomtë, jo heroi që bën diferencën, Portalb ua rekomandoni ta lexoni këtë roman të mrekullueshëm me plot mistere.

Maks Brod, një miku i tij që përgatiti librin për botim për librin në fjalë ka thënë: “Kur mora dorëshkrimin e “Procesit” e lexova me një frymë. Nuk kishte titull, por Kafka kështu e quante sa herë binte fjala për të. Këtë libër vetë Kafka e quante papërfunduar, pavarësisht se e kishte kreun e fundit. Ai mendonte se duhej të shtonte disa anë të tjera të atij procesi misterioz. Por megjithatë, po mos ta dija se Kafka ka pasur ndërmend ta vijonte punën me këtë roman,unë nuk do të gjeja asnjë mangësi në të”.

Romani flet për një qytetar të rëndomtë, nëpunës banke nga një qytet i panjohur, të cilin një mëngjes e arrestojnë dy policë, pa ndonjë arsye, për një krim që nuk i tregohet as atij dhe as lexuesit.

Në personazhin e “Proces”-it zotit “K.”, sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti “K.” nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi.

Gjatë kësaj kohe njihet me “mjegullinë” e gjykatave, absurdin, hierarkinë e posteve jo vetëm në gjykatë, por dhe në jetën e mirëfilltë.

Atëherë ai imagjinon marifete nga më të dëshpëruarat, që zbulojnë para tij ingranazhe të pakuptueshme dhe mbytëse. Duke mos ditur kujt t’i besojë dhe ku të kapet, ai ulet vetë të përpilojë mbrojtjen e vet, në të cilën kërkon falje për çdo gjë që ka bërë, duke firmosur kështu aktin e fajësisë dhe dënimin e vet.

“Procesi” i Kafkës është një ortek, që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. / KultPlus.com