ASK: Deri më tani janë regjistruar mbi 207 mijë qytetarë, ka interesim edhe nga serbët

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se gjatë 10 ditëve qëkur ka nisur procesi janë regjistruar 207 mijë e 462 qytetarë  dhe mbi 50 mijë e 888 banorë jorezidentë (që jetojnë jashtë vendit).

Në prezantimin e bërë, deri më tani gjithsej 112 mijë e 390 intervista, duke shtuar se ka interesim të të gjitha grupeve etnike për të marrë pjesë në regjistrim.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së Avni Kastrati, tha se edhe përkundër presionit të Listës Serbe, ka pjesëmarrje edhe nga komuniteti serb që jetojnë në veri.

“Për mospjesëmarrje në regjistrim, ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serbë, nga Lista Serbe, ne kemi bërë vet përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje, këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë edhe nga komunat veriore, kemi persona të regjistruar vullnetarisht përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit sepse jemi duke bashkëpunuar edhe me komunat edhe me institucionet tjera, presim. Një pjesë e komunitetit nga komunat veriore tashmë është duke u regjistruar”, ka deklaruar ai.

Procesi i regjistrimit të popullsisë ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Drejtuesit e ASK-së, për çdo javë deri në përfundim do të mbajnë konferencë për media për të njoftuar rreth ecurisë së këtij procesi/ Klankosova.tv/KultPlus.com

Të premtën fillon regjistrimi i popullsisë, Kurti: Përgjigjjuni, për herë të parë do të maten edhe dëmet e luftës

Kryeministri Albin Kurti nga mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës i ka ftuar qytetarët që “t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë”.

Kurti tha se shteti ka edhe shpërputhje të të dhënave, por edhe mungesë të tyre, ndërsa përmendi se kësaj here, në regjistrimin e popullsisë do të maten edhe dëmet e luftës, raporton Gazeta Express.

“Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit të vitit 1998, pra Qirezi e Likoshani, deri më 12 qershor 1999, pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës”, tha Kurti.

Ai tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do të sigurojnë edhe “një evidencë të së kaluarës”.

“Ky regjistrim që fillon të premtën, më datë 5 prill, përveç që do të na japë një pasqyrë të së tashmes, gjithashtu do të na e sigurojë edhe një evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta, dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dimë, sepse i kemi jetuar, përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti sot e kësaj dite”, tha Kurti.

Ai i ka ftuar qytetarët që në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë të dërgojnë sa më shumë dëshmi dhe i ka ftuar prokurorët që të punojnë me urgjencë në këtë drejtim.

Regjistrimi i popullsisë 2023, ende nuk dihet nëse procesi do nis më 1 shtator

Kanë kaluar 12 vite që kur Kosova ka bërë regjistrimin e popullsisë për të fundit herë. Pas një vendimi të vitit 2022, është planifikuar që ky proces të mbahet gjatë këtij viti, nga 1 shtatori deri më 16 tetor.

Ndonëse procesi pritet të nis edhe dy javë, 1 shtatori është ende në vlerësim e sipër nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për t’u vendosur si datë përfundimtare. Kështu është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se në të njëjtën kohë, ASK-ja është duke bërë përgatitjet e nevojshme.

“Regjistrimi i popullsisë është proces i rregulluar me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë. Në bazë të këtij Ligji, Qeveria ka caktuar Komisionin Qendror të Regjistrimit si dhe periudhën gjatë të cilës do bëhet regjistrimi i popullsisë. Aktualisht, ASK është duke bërë vlerësimet nëse data 1 shtator do të jetë përfundimisht data e fillimit të procesit të regjistrimit, por në të njëjtën kohë është duke bërë edhe përgatitjet e nevojshme”, deklaroi ai për Teve1

Pjesë e regjistrimit të popullsisë janë edhe katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të cilat procesin e fundit të mbajtur më 2011, e kishin bojkotuar.

I pyetur se si do veprohet në këto komuna, nisur nga situata e tensionuar muajve të fundit në atë pjesë, Kryeziu deklaroi se regjistrimi do përfshijë gjithë territorin e Kosovës.

“Është me rëndësi të theksohet se regjistrim bëhet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë, duke mos përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Ky proces ishte paraparë të bëhet në vitin 2021, por që fillimisht ishte shtyrë për vitin 2022, e pastaj ishte vendosur për vitin 2023.

Regjistrimi i popullsisë konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pasi sigurohen të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë si dhe karakteristika të tjera./GazetaExpress/ KultPlus.com