Pse Shkruaj!

 Rrona Jaka

E dashur, Liza! Kjo letër nuk do të mbërrijë te ti nëse, fillimisht, s’i kam dhënë fund karrierës sime tokësore, për të filluar një pavdekësi të lumtur. As që do të mundohem ta shpjegoj dhimbjen që ndjej, se vet ideja e largimit dhe e ekspozimit ndaj një ankthi që e di që do ta ndjesh, do të ma thyente edhe më shumë zemrën. Prandaj ngushëllohu me fjalët e mia të fundit. Unë do të ushqehem me idenë se mund të jemi bashkë në një kohë dhe një botë tjetër.

Liza, shpresoj shumë që kur të kem vdekur njerëzit të thonë “Gabimet e saj janë të pafalshme, por librat e saj janë lexuar”. Sepse kjo është e gjitha që do një shkrimtar, që veprat e tij të lexohen. Të besohet apo jo, disa herë e kam imagjinuar vetën teksa laurohem me çmimin Nobel, ndonëse nuk jam aq naïve sa të mendoj që një gjë e tillë do të ndodhë ndonjëherë. Ata thërrasin emrin tim, më ftojnë në skenë dhe në fund mbreti ma dorëzon çmimin. Në fakt, e vërteta është që shumë pak njerëz i kanë lexuar historitë e mia. Po get Lizë që gjithçka do të mbetet mes nesh.

Në një nga shfaqjet e mia të preferuara teatrale thuhet “Ne nuk kemi kontroll mbi atë se kush jeton, kush vdesh dhe kush e tregon histroinë tonë.” Kurse për mua kjo nuk ka aspak vlerë pasi që pavarësisht mohimeve, të gjitha historitë që kam shkruar flasin drejtpërdrejt për mua. Sepse ju e dini që fjalët nuk kanë fuqi t’na hipnotizojnë pa e mbartur me vete peshën e hidhur të realitetit.

Vetëm përmes personazheve më të urryera kam arritur ta lëshoj zërin tim të vërtetë. Ndoshta kjo është e vërtetë për të gjithë shkrimtarët, ja pse unë e gjej Tolstoin më shumë te Anatoli se sa te Natasha, te Ana apo te Vronski.

I shkreti ai që do të duhet t’i lexojë e t’i studiojë të gjitha shkrimet e mia, të mirat e të këqijat. Ndoshta ai do të jetë i vetmi që do të mund të kuptojë gjithçka që unë them përmes personazheve. Në dorëshkrime do të gjejë fjalë të shkruara në shpejtësinë e dritës, fjalë që mezi lexohen dhe do ta kuptojë që kurrë nuk mund të rrija shumë gjatë në një vend. Kurse lapsuzet dhe gabimet e padashura drejtshkrimore do t’i tregojnë për disleksinë time.

Në një ese të George Orwell, me po të njëjtin titull, ai thotë “Kur ulem të shkruaj një libër, nuk i them vetes ‘Po shkruaj një vepër arti’. Shkruaj sepse ka një gënjeshtër që dua ta zbuloj, disa fakte të cilat dua t’i vë në dritë dhe shqetësimi kryesor është të gjej një audiencë sa më të madhe” që do të thotë se e konsideronte të shkruarën si mjet për të arritur ndonjë qëllim.

Kurse unë s’mendoj që letërsia bën që të ndryshohet bota. Po deshe ta ndryshosh botën hyri politikës. Kam përshtypjen që njerëzit që veç kritikojnë, pa bërë asgjë tjetër, janë tepër të cekët për të qenë filozofë e tepër dembelë e të pazgjuar për t’u marrë me politikë.

Tek e fundit luftërat janë vetëm si një buton për ta rifilluar lojën. Vetëm luftërat, (luftërat: në kuptimin më të gjerë të fjalës) kanë mundësi ta çiltërsojnë dhe ta nxjerrin në pah humanitetin dhe dëshirën e njerëzve për ta përmirësuar vetveten.

Shumë shpesh na bëjnë këtë pyetje, sidomos neve shkrimtarëve: Pse shkruani?

Rishtas edhe unë vendosa t’ia bëj këtë pyetje një mikut tim.

“Pse shkruan” i them.

“Me laps, sigurisht” m’u përgjigj ajo.

“Jo me çka, por pse” insistoj unë.

“Që ta përdor lapsin” m’u përgjigj dhe e kuptova që nuk do të merrja një përgjigje pasi, nganjëherë, jo që s’duam të përgjigjemi, por s’kemi një të tillë.

Kur e kanë pyetur Charles Pierre Baudelaire, ai u kishte dhënë përgjigjen perfekte, “Që t’i paguaj faturat”. Pastaj e pyesin se cila do të ishte puna ideale, ai thotë “bujk, s’dua të bëj para duke përdorur tragjeditë dhe ppasiguritë e mia, ato janë veç të miat, dua ta fitoj para me nder”

Mbase ai ishte i vetmi që e kuptonte se e shkruara është një punë dërrmuese e cila të shterron mendërisht e emocionalisht dhe di të bëhet e mërzitshme kur nuk arrin t’i gjesh fjalët e duhura. Shumë shpesh të ndodh të rrish krejt e vetme duke pritur për një frymezim hyjnor, dhe sapo të vjen ideja të kujtohet mallkimi që i ke vënë vetes duke provuar të shkruarsh në pentametër jambik.

Lizë, a do të të trgoj cili është tingulli më i trishtueshëm? Është ecja e lirë në një bibliotekë të thatë ku nuk shqetësohesh që po e pengon dikë. Zhurma që bën një libër që s’është hapur e lexuar asnjëherë dhe britma e një fëmije që më shumë do të  preferonte të blinte një karamel se sa një libër. Kjo është mënyra se si përfundon bota, jo me zhurmë por me psherëtimë

E vërteta është se mua më duhet t’iu gjej një shtëpi personazheve që jetojnë në kokën time. Gjithsesi Liza, duket sikur s’ka rëndësi. Të paktën të kam ty e mund të flasin bashkë herë pas herë. Kështu që ti vazhdo të luash rolin e Lizës kurse unë do të jem kapuç-bërsi i çmendur. Sepse s’ka rëndësi ku jetojmë, të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, jetojmë.             

Adieu, best of wives and best of women.

Ever yours

Rrona./KultPlus.com