Pullë postale me portretin e Shaban Polluzhës, reagon artisti: Punimi është i imi, askush s’më ka pyetur

Filatelia e Postës së Kosovës ka kohë që përmes imazheve të pullave postare afirmon vlerat tona kulturore dhe kombëtare, shkruan KultPlus.

Personalitete të ndryshme janë bërë imazh i pullave postare e një ndër ta është edhe patrioti Shaban Polluzha.

Por portreti që është përdorur për këtë pullë postale, del të jetë i artistit Agim Morina i cili nuk është pyetur fare për përdorimin e punës së tij.

Morina, këtë gjë e ka kuptuar krejt rastësisht dhe ka reaguar menjëherë përmes një statusi në Facebook ku është shprehur se ky portret është puna e tij dhe se për përdorimin e tij në pullë postale nuk është pyetur fare.

Ky është reagimi i plotë i Morinës:

Posta e Kosovës paska nxjerrë një pullë postare me portretin e Shaban Polluzhës. Ky portret asht punimi jem. E kam punu në vitet ’90 të shekullit të kaluem. Ndërsa miku im, Ylber Durmishi, e pati shtypë dhe e pati shpërnda.

Leje që kurrkush nuk më ka pyetë e nuk më ka kërku leje, por as s’e ka marrë mundin, së paku, me më njoftu.

Ky shpërdorim edhe kishte pasë njëfarë arsyetimi, nëse ky portret do të ishte shpërnda falas. Por, jo! Posta po e shet një pullë 1.30 euro. Ndërsa unë po e shoh krejt rastësisht që ka dalë në qarkullim. / KultPlus.com