Liderët e G7 për sulmin rus në qendrën tregtare të Ukrainës: Krim lufte

Të paktën 18 persona kanë vdekur nga një sulm rus me raketa në një qendër tregtare në qytetin ukrainas Kremenchuk.

Rreth 1000 civilë vlerësohet se ishin brenda qendrës në kohën e sulmit rreth orës 15:50, tha presidenti Volodymyr Zelensky.

Udhëheqësit e grupit G7 të shteteve më të pasura – të cilët janë duke u mbajtur takim në Gjermani – e dënuan sulmin si “të neveritshëm”.

“Sulmet pa dallim ndaj civilëve të pafajshëm përbëjnë një krim lufte”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

Rusia është fajësuar për sulmin, i cili gjithashtu la të plagosur të paktën 59 persona dhe ka frikë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet.

Pamjet që u publikuan në rrjete sociale shfaqen ndërtesën të kapluar nga flakë të mëdha dhe tym i zi i dendur, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Presidenti i Ukrainës Zelensky e përshkroi sulmin si një nga “aktet terroriste më të pacipë në historinë europiane”.

Ai tha se qendra tregtare nuk kishte asnjë vlerë strategjike për Rusinë dhe nuk përbënte rrezik për forcat e saj – “vetëm përpjekja e njerëzve për të jetuar një jetë normale, e cila zemëron pushtuesit”.

“Vetëm terroristët krejtësisht të çmendur, të cilët nuk duhet të kenë vend në tokë, mund të godasin me raketa një objekt të tillë”, shtoi ai.

Zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, e quajti sulmin “provokim ukrainas”, por nuk përmendi asnjë provë që sugjeron se sulmi me raketa ishte organizuar.

Guvernatori lokal, Dmytro Lunin, e përshkroi sulmin si një krim kundër njerëzimit, duke shkruar në Telegram se ishte “një akt i dukshëm dhe cinik terrori kundër popullatës civile”.

Autoritetet thonë se 440 persona nga shërbimet e urgjencës po punojnë në vendndodhje, duke përfshirë 14 psikologë të sjellë për të mbështetur të prekurit. / KultPlus.com