Bashkëbisedim ndërmjet shkrimtarit Dinko Kreho dhe përkthyesit Qerim Ondozi

Dinko Kreho është pjesë e programit të rezidencave për autorë implementuar në bashkëpunim me dhe mbështetur nga Traduki. Përgjatë qëndrimit të tij një mujor në Prishtinë, Kreho ka punuar në përmbledhjen e tij me poezi „Dobri objekti“e cila pritet të botohet këtë vjeshtë.

Më 29 korrik, nga ora 18:00 në Project Space (Fondacioni 17) do të mbahet një bashkëbisedim ndërmjet përkthyesit Qerim Ondozi dhe shkrimtarit Dinko Kreho, ku do të diskutohet më shumë për punën e Dinkos si dhe do të lexohet edhe një pjesë nga libri i tij më i ri.

Dinko Kreho është shkrimtar si dhe me raste edhe gazetar, përkthyes e performues teatri. I lindur në Sarajevë më 1986, ai ka jetuar në Sarajevë, Bihaq, Zagreb, Paris dhe Rene. Ka mbaruar studimet për letërsi krahasuese në Universitetin e Sarajevës në vitin 2010. Tashmë jeton në Zagreb dhe është i angazhuar si shkrimtar. Kreho ka botuar tri përmbledhje me poezi, dy libra publicistikë, një përmbledhje me tregime të shkurtëra dhe një radio dramë të metrazhit të gjatë (kjo e fundit në bashkëautorsi me dramaturgun Dario Bevanda). Ai gjithashtu punon për së afërmi me kolektivin Qendra për Teatrin e të Shtypurve (POKAZ) në Zagreb, ku eksperimentojnë me shkrim kreativ në një ambient bashkëpunues. Përmbledhja e tij e katërt me poezi me titull Dobri objekti [Objektet e mira) do të botohet këtë vjeshtë.

„Objekte të mira“ merr titullin nga nocioni i ‘objekteve të përbrendësuara’ i zhvilluar nga psikoanaliztja Melanie Klein. Objekte të tilla, sipas Klein, janë përshtypje psikologjike dhe emocionale tonat dhe të të tjerëve, imazhe mentale të cilat i bartim në vete dhe drejt të cilave ndërtojmë raporte të caktuara.

Duke u nisur nga ky koncept, Dobri objekti synon të bëjë një hartëzim poetik të frikërave dhe anktheve tona bashkëkohore, por gjithashtu ndjenjave tona të shpresës dhe mallit. Si koncept, ndërtohet mbi teknikat surrealiste të shkrimit, në një përpjekje për të artikuluar përvojën e një bote tejet të rrjetëzu. Bashkëbisedim ndërmjet shkrimtarit Dinko Kreho dhe përkthyesit Qerim Ondozi. /KultPlus.com

Besa Kalaja promovon librin e saj të parë, Ondozi: Libri i Besës, një shtysë për letërsinë e re të Kosovës

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u bë promovimi i librit ‘Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve’, nga autorja Besa Kalaja, shkruan KultPlus.

‘Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve’ është libri i parë i autores Kalaja, i cili shpalos 16 tregime dhe novela shqipe.

Mbrëmjen e thirrur për këtë promovim e nisi moderatori Qerim Ondozi, i cili e cilësoi autoren si një person që flet pak, e ato që nuk i thotë, i thotë përmes shkrimit. Pa e zgjatur shumë ai ia dha fjalën Imer Topanicës për të lexuar një pjesë nga rencensioni i tij për librin me përmbledhje të Besa Kalajës.

“Kam pasë rastin me e lexu librin si dorëshkrim, Besa ka guximin me u marrë me disa tema shumë të rënda dhe me i trajtu me një mjeshtëri prej një shkrimtareje të pjekur. I takon me siguri atij tipit të shkrimtarit, i cili deri vonë lexon letërsi, konsumon letërsi, e pëlqen letërsinë dhe më vonë  e merr guximin edhe për të shkruajt letërsi” – tha ai Topanica.

‘Letërsia e post-indipedencës në Kosovë, që e kultivojnë autorët e brezave të vonë, është përballur me vështirësi të atilla, ndërsa me mund i ka ndërtuar kontaktet e saj brenda shoqërisë. Ky përbën një problem, të cilin ne s’kemi arritur ta shtrojmë as për diskutim. Por ana e mirë e kësaj historie është se, ndër breza autorësh, gjen vepra me varietete stilesh, zhanresh e vlerash, për të cilat ia vlen të humbësh kohë. Emrin e Besa Kalajës, mund ta rëndisim pa asnjë hezitim në listën e këtyre autorëve. Kjo përmbledhje me tregime e justifikon këtë’ – vazhdoi  Topanica duke lexuar një pjesë nga recensimi i tij.

Pas tij fjalën e mori, redaktorja e librit, Florie Xhemajli e cila foli për autoren Kalaja dhe për punën e përbashkët në botimin e këtij libri.

“Puna me Besën është shumë interesante. E para punës, ajo e din gjërat që i pëlqejnë, por në anën tjetër është aq e hapur për punë sa që krejt puna ka qenë një lloj rrugëtimi dhe aventure. Krejt kjo punë ka qenë interesante edhe për mua’ – tha Xhemajli e cila më pas lexoi para të pranishmëve një pjesë nga tregimi ‘Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve’.-

E krejt në fund fjalën e mori e vetë autorja e cila pa dashur të flasë shumë, falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan në botimin e këtij libri dhe ata që ishin  të pranishëm në këtë mbrëmje.

Pas promovimit, moderatori Ondozi foli për KultPlus rreth këtij libri, i cili e cilëson si diçka të mirë  për letërsinë e re të Kosovës.

‘’ E mira e kësaj në përgjiithësi është që Besa është një prozatore e re meqë është botimi i saj i parë, edhe pse ka shkrujt më herët, por tash po e shohim botimin e saj të parë e që është diçka shumë e mirë për letërsinë e re të Kosovës, sepse ka më shumë poetë e për prozë ka më pak. E ky është një plus i madh. Tjetër gjë e mirë është se pak nga pak, po bëhet bashkë një zi i ri, po vijnë disa zëra shumë të rëndësishëm për me kriju njëfarë mozaiku, me ditë çka ka prej kësaj krijimtarie të re letrare, sepse edhe nëpër librari shumë vështirë është të gjesh autorë vendorë, më shumë gjen përkthime dhe ndoshta Besa dhe të tillët si Besa i japin njëfarë shtyse që me pasë ne një kënd të letërsisë vendore.”- u shpreh Ondozi.

Për KultPlus foli edhe autorja Kalaja e cila dha informata të reja për librin dhe projektet e reja të saj.

“Botimi i këtij libri është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht, nga Drejtoria për Kulturë. Ai përmban gjithsej 16 tregime. Edhe pse në fillim dua ta shijoj suksesin e këtij libri, sigurisht që do të filloj të punoj edhe në botime të tjera’ – tha Kalaja për KultPlus.

Në përmbledhjen me tregime, “Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve”, mund të hasësh në tregime të shkurtra, mjaft të shkurtra, që pluskojnë ndërmjet prozës poetike dhe tregimit të njëmendët.Në këtë libër dominon drama individuale, drama shoqërore si dhe drama ndër-shoqërore./KultPlus.com