‘Quo Vadis, Aida?’ vlerësohet me Çmimin Evropian të Filmit të Audiencës LUX 2022

Këtë vit filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, për masakrën e Srebrenicës, u nderua me çmimin tradicional të kinemasë, i cili jepet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe Akademia Evropiane e Filmit.

Ceremonia e Çmimit të Filmit Evropian LUX u zhvillua gjatë Asamblesë së Përgjithshme të PE-së, në Strasburg, Francë.

Regjisorja boshnjake Zhbaniq, e cila iu dorëzua çmimi nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, tha se gjatë përgatitjes së filmit për masakrën e Srebrenicës, luftën në Bosnje-Hercegovinë e kishte konsideruar si luftën e fundit në Evropë.

“Unë nuk e kuptoj sesi evropianët po e lejojnë luftën në Ukrainë. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të gjeni një mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha ajo duke iu drejtuar eurodeputetëve.

Presidentja e PE-së, Metsola tha se filmi ishte një thirrje e fortë për drejtësi për gratë dhe nënat në Srebrenicë. Ajo theksoi se një krim i tillë kundër njerëzimit nuk duhet harruar kurrë.

“Quo Vadis, Aida?”, është një bashkëprodhim i Bosnje-Hercegovinës, Austrisë, Holandës, Francës, Polonisë, Norvegjisë, Gjermanisë, Rumanisë dhe Turqisë. Filmi tregon historinë e Aidës, e cila ishte përkthyese për paqeruajtësit në Srebrenicë në verën e vitit 1995.

Ngjarjet në Srebrenicë tregohen përmes syve të mësueses Aida, familja e së cilës ndodhet në kampin e OKB-së./ KultPlus.com

‘Quo Vadis’, ekspozita që paraqet revoltën përmes organit femëror

Së fundi në Galerinë e Fakultetit të Arteve është hapur ekspozita ‘Quo Vadis’ e artistes Adriana Marku Sejdaj, ekspozitë kjo e cila tenton të hedh dritë mbi abuzimet seksuale dhe mbi mendësine patriarkate që dominon në shoqërinë kosovare, shkruan KultPlus.

‘Quo Vadis’ përmban gjithsej 21 piktura, dy instalacione dhe një skulpturë, në të cilat artistja ka shfaqur kryesisht organin femëror, i cili shpaloset si një formë revolte e proteste kundër abuzuesëve dhe mendësisë që dominon në vendet dhe shoqëritë primitive.

‘Duke parë realitetin në shumë vende të botës, poashtu edhe në vendin tim, dukuria e abuzimeve seksuale, mos respektimi i femrës si një qenie e rëndësishme për një shoqëri të shëndoshë, nuk e ka kursyer as atë! Duke dashur ta prekë, këtë fenomen, pra abuzimin, por edhe të shfaq kundërshtinë time si artiste, zgjodha pikërisht organin femërorë si semiologji’, deklaroi Marku Sejdaj për KultPlus.

Adriana Marku Sejdaj ndër të tjera për KultPlus ka treguar se artistin e konsideron si një kategori të ndjeshme, i cili në shoqëri pa marrë parasysh se sa e zhvilluar është ajo, nuk mund të rrijë indiferent kundrejt dukurive negative shoqërore.

Duke konsideruar gruan, dashurinë dhe jetën si një trinomi që e fisnikëron shoqërinë, artistja konsideron se abuzimi me gruan përbënë vrasjen e shoqërisë.

‘Pra, pikërisht edhe protestoj për shenjtërinë e saj dhe abuzimit që i bëhet, duke e dhunuar, fatkeqësisht shpesh e në emër të dashurisë’, tregoi tutje ajo për KultPlus

‘Jeta është me dashtë, pa dhunë, pa abuzim, pa kushtëzim. Jeta është lule, bimë, e saj është vagina, që falë frymë e zgjim’, shprehet artistja.

‘Quo Vadis’ pritet të qëndrojë e hapur deri më 15.03.2020, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com