Shpallen fituesit e festivalit “Rapsha 2022” në Tuz

Në Tuz të Malit të Zi është zhvilluar festivali mbarëkombëtar i folklorit “Rapsha 2022”.

Ky ishte edicioni VI i festivalit, i cili organizohet çdo 4 vjet. Të 3 netët e festivalit “Rapsha 2022” janë zhvilluar në ambient të hapur, në Vitojë.

Në këtë festival morën pjesë 24 shoqata e ansamble artistike nga të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarë. Shqipëria u përfaqësua me ansamblet folklorike nga Vlora, Elbasani, Berati, Tirana, Kelmendi, Laçi, Kukësi e Fieri.

Organizatorët e “Rapsha 2022” thonë se qëllimi i këtij eventi është ruajtja, kultivimi dhe trashëgimia e folklorit shqiptar.

Festivali i organizuar në Tuz, ka karakter garues dhe pjesëmarrësit vlerësohen nga një juri profesionale, për performancën e tyre e cila zgjat 15 minuta. Juria përbëhej nga prof. dr. Afërdita Onuzi (kryetare), dr. Bashkim Lajçi, prof. Dilaver Kryeziu, dr. Bekim Ramadani dhe Esat Ruka, të cilët u shprehën se nuk e kishin të lehtë përzgjedhjen e grupeve më të mira pjesëmarrëse.

Vendin e parë e fitoi ansambli “Çeta e profetëve” Krumë, Has, Kukës. Vendin e dytë, ansambli folklorik “Çipini” nga Vlora dhe vendin e tretë shoqëria kulturore artistike “Jahi Hasani” nga Gostivari. Ndërsa çmimin special të jurisë profesioniste e mori shoqëria kulturore artistike “Malësori”.

Përpara se të ngjiteshin në skenë, ansamblet pjesëmarrëse parakaluan në qendër të Tuzit, me veshjet e tyre folklorike shumëngjyrëshe. Edicioni i gjashtë i këtij festivali i solli gjallëri jo vetëm Vitojës, por krejt Malësisë, e sidomos qendrës së Tuzit. / KultPlus.com