Sot në mëngjes u zgjova me shi mbi qelq. Dhe kuptova se prej kohësh tashmë kam zgjedhur të kalburën kur mund të bëja tjetërsoj. A përndryshe, thjesht më të lehtën e mundshme. Përballë të virtytshmes. Apo të zorshmes. Mendime të këtilla më vijnë kur kaloj ditë me radhë në vetmi. Si tani. Orë që shpenzoj në shoqëri të vetes gojëkyçur. Orë e orë të tëra njësoj si një dhomë e vogël. Me veç një rrip tapeti ku mund të ecësh./ KultPlus.com
Dua të zgjohem herët edhe një mëngjes tjetër, para se të lindë dielli. Para zogjëve, madje. Dua të shpëlaj fytyrën me ujë të ftohtë dhe të ulem në tavolinën e punës kur dita të zbardhë dhe tymi nis të dalë nga oxhakët e shtëpive të tjera. Dua të shoh dallgët të plasen mbi këtë plazh shkëmbor, jo thjesht t’i dëgjoj tek plasen siç bëj unë natën në gjumë. Dua të shoh sërish anijet të kalojnë përmes Ngushticës, si vijnë nga çdo vend i botës që laget me det – transportues të vjetër mallrash që mezi lëvizin, si dhe lundrues të rinj dhe të shpejtë me ngjyra të llojllojshme nën diell që çajnë ujërat teksa kalojnë. Dua t’i mbaj nën vëzhgim. Edhe varkën e vogël që brazdon ujin mes anijeve si kapitenerinë e portit pranë farit. Dua të shoh ta zbresin dikë nga anija dhe të hipin dikë tjetër mbi kuvertë. Dua ta shpenzoj ditën duke parë gjithë këto të ndodhin dhe të nxjerr përfundimet e mia. S’më pëlqen të dukem i pangopur – më takon të jem mirënjohës për sa kam. Por dua të zgjohem herët edhe një mëngjes tjetër, të paktën. E të shkoj tek cepi im me një filxhan kafe dhe te pres. Veç të pres, që të shoh se ç’do të ndodhë.
Tani që do rrish larg pesë ditë, do tymos gjithë cigaret që m’i do qejfi, aty ku ma do qejfi. Do gatuaj biskota dhe do i ha me reçel e proshutë të dhjamosur. Do ngarritem. Do ia bëj qejfin vetes. Do shëtis në plazh nëse do ma ketë ënda. Fillikat, nëse do ma ketë ënda, e duke menduar për kohën kur isha i ri. Pastaj për njerëzit që më deshën tej mase. Dhe sa i desha unë më shumë se të tjerët. Përveç dikujt. Po them se do bëj gjithçka që ma do qejfi sakaq që je larg! Ama veç diçka nuk do bëj. Nuk do fle pa ty në shtratin tonë të përbashkët. Jo. Nuk më pëlqen ta bëj. Do fle aty ku dreqin të ma ketë ënda – atje ku fle më mirë kur ti je larg dhe ku s’mund të të shtrëngoj siç bëj unë: mbi divanin e shembur të dhomës sime të punës.