Fragment nga romani i Erich Maria Remarque, “Thuamë se më dashuron”

E dashura ime, mora prej teje një letër që më ka lumturuar.
Në të thuhet çdo gjë që një njeri mund t’i thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund tëm’i thuash. Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund tëshkojnë këtu fare pak. E prapësëprapë çdo herë çuditem pa masëdhe jo për gjë, por nga fakti që në një kohë tërrëmujës sëmadhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqni dorënga këto kerkime, u bashkuan kokërr për kokërr.

Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund tëmbajë brenda zemra ime. Është e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë tërëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kerkoja, u zhytën në harresë.

E ç’mund të jetë më i mrekullueshëm se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa, çfarë mund tëlumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.

Si ka mundësi që për mua çdo gjë që ekziston në këtë botë, ndriçohet nga këto rreze, të njëndjenjësie të pafund! Sa larg e pa vlerë duket tani shkëlqimi i rremë i aventurave, shqetësimet, prirja fëminore për të prishur, shpenzim të parave pa kriter e harresë.
Nuk dua të harroj më, por të kujtoj që të mbledh sa me shumëpër ne të dy.

Ti je kupë, je zemër e hapur për të tjerët, ti që je gjithmonë e gatshme. Unë të dua dhe çdo gjë tek unë rritet e turret prapëdrejt teje.
Era fryn e lëkund kallinjtë që fëshfërijnë si krahë të mëdhenj. Përqafomë fort e dashur, përqafomë, sepse nganjëherë mëkaplon frika nga gjerësia e plotësia e ndjenjave, aq të reja janëato për mua. Mund të mendosh se malli i ngarkuar është më i rëndë se vetë anija dhe se tani po i çon era në det të hapur.

Kjo është një frikë e kotë dhe në përgjithësi nuk është fare frikë, vetëm se është grumbulluar aq shumë dashuri, saqë mbrëmjeve më erren sytë e çdo gjë mbulohet me hije; ja , pra, sa shumëpërulem e gjunjëzohem para asaj që ndiej.

Kjo është pjekuria e stinës së verës që ka mbjellë lulëzimin, megjithëse askush nuk ka mbjellë asgjë, kjo është një verë me bimë të egra e një dashuri e harlisur, nje lule e bukur dhe e fortëe jetës, lule qëka qëndruar shumë kohë e vetmuar… /KultPlus.com

Remarque: Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që e ke dashur dikur

Fragmente nga romanet e Erich Maria Remarque

“Jo”, tha ai me shpejtësi. “Kurrë. Të mbetemi miq? Pa mundohuni të rritni një kopsht të vogël me trëndafila, mbi hirin e ndjenjave të thyera? Jo, nuk do të funksiononte kurrë për ju, dhe as për mua. Kjo ndodh vetëm pas çështjeve të vogla, dhe duket çdo gjë e rreme. Dashuria nuk duhet të prishet nga miqësia. Fundi është fund”.

“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që e ke dashur dikur”.


“Sa me ngathtësi sillet një person, që ka rënë vërtet në dashuri! Sa shpejt zhduket vetëbesimi i tij! Dhe sa i vetmuar ndihet; të gjitha përvojat e tij të lavdëruara duket se janë zhdukur, ashtu si mjegulla, dhe ai ndihet kaq i dobët dhe i pafuqishëm”.


“Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij”.


“Një grua bëhet më e zgjuar kur ka rënë në dashuri, ndërsa një burrë thjesht e humbet toruan”.


“Vetëm njeriu i palumtur e vlerëson lumturinë. Një njeri i lumtur, nuk ndien më shumë gëzim sesa një manekin. Ai vetëm sa e shfaq, por nuk e zotëron atë. Drita nuk ndriçon në dritë; ajo shkëlqen në errësirë“.


“Sa më primitiv është një njeri, aq më shumë konsiderata të larta ka për vetveten”.


“S’ka asgjë më të lodhshme, sesa të shohësh se si një person e tregon intelektin e tij, veçanërisht nëse nuk ka asnjë të tillë”.


“Cinikët kanë karakterin më tërheqës, idealistët më të keqin. A nuk është e çuditshme?”


“Gratë duhet të adhurohen ose të braktisen. Çdo gjë tjetër është vetëm një gënjeshtër”.


“Çfarëdo që ju nuk mund ta keni, duket gjithmonë më e mirë se çdo gjë që keni. Kjo është romanca dhe budallallëku i jetës sonë!”.


“Thonë se jeta është e vështirë 70 vitet e para. Pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.

“Pendimi është gjëja më e padobishme në botë. Asgjë nuk mund të kthehet pas, apo të ndryshohet. Asgjë nuk mund të fiksohet. Përndryshe të gjithë do të ishim shenjtorë. Jeta nuk do të thotë se që ne të jemi të përsosur. Ata që janë të përsosur, duhet të vendosen nëpër muzeume”.


“Ndonjëherë duhet të thyeni parimet tuaja. Përndryshe ato nuk do t’iu sjellin kurrë kënaqësi”.


“Është më mirë të vdesësh kur dëshiron të jetosh, sesa të jetosh kur dëshiron të vdesësh!”.


“Çfarëdo që ndodh me ju, mos e merrni kurrë si personale. Asgjë në këtë botë nuk është aq e rëndësishme”. /KultPlus.com

Sot është përvjetori i lindjes së Erich Maria Remarque, njërit prej shkrimtarëve më të shquar të shekullit 20

Erich Maria Remarque ishte romancier gjerman që krijoi shumë vepra rreth tmerreve të luftës. Romani i tij më i njohur, “Të gjithë të qetë në Frontin Perëndimor” (1928), për ushtarët gjermanë në Luftën e Parë Botërore, u bë filmi fitues i Oskarit. Libri i tij e bëri atë një armik të nazistëve, të cilët djegën shumë nga veprat e tij, shkruan KultPlus.

Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura. Dhe Erih Maria Remark, e dinte fare mirë këtë. Jo sepse ai ishte profet, por sepse përjetoi dy luftëra, pa t’i shuheshin një nga një shokët, prej çmendurive të nazizmit. “Gjithmonë besoja se çdo njeri ishte kundër luftës-derisa e kuptova se kishte edhe disa që ishin në favor të saj; në radhë të parë, ata që nuk kishin nevojë të shkonin në luftë !”, – shkruan në një prej veprave të tij shkrimtari. Në 25 shtator 1970,Erich Maria Remark vdiq në një spital të Lokarnos nga një atak në zemër . Një shkrimtar, vepra e të cilit nuk njeh moshë. Një vepër humane, prej të parit sukses “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e që vijoi si një fill lidhës në gjithë krijimtarinë e tij. Një vepër anti luftë, që do të bëhej shkak i përndjekjeve nga nazistët, të cilët pasi i morën vitet më të bukura të rinisë në luftë, e detyruan të largohej nga vendi, i konfiskuan dhe dogjën librat, e dënuan në mungesë, i vranë të motrën, madje i hoqën dhe nënshtetësinë. “Do të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta edhe dhjetëvjeçarë, dhe Remarku do të vazhdojë të lexohet nëpër botë, sepse, fatkeqësisht, breza të humbur, do të ketë në njëfarë mënyre gjithmonë”, – shkruan përkthyesi Robert Shvarc në pasthënien e romanit “Obelisku i Zi”, një ndër 5 veprat e përkthyera prej tij në shqip (“Tre shokët”, “Shkëndija jete”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” dhe “Obelisku i zi”) .

Remarku lindi në 22 qershor 1898 në Osnabryk të Gjermanisë. Një vit, pasi kishte filluar kolegjin si mësues, në nëntor të vitit 1916 shkruhet në ushtri. Plagoset nga një granatë në këmbën e majtë, krahun e djathtë dhe në qafë. Atëherë fillon të punojë për një roman mbi luftën. Del nga spitali, për të kaluar në batalionin e parë të këmbimit, në regjimentin 78 të ushtrisë në Osnabrück. I jepet medalja “Ylli i Ferrit”, klasi i parë, në Duisburg nga ana e Këshillit të Punëtorëve dhe Ushtarëve të Osnabrückut, por shkarkohet nga ushtria dhe heq dorë nga medaljet dhe dekorimet. Rifillon studimet e lëna për gjysmë dhe më pas punon për pak kohë si mësues filloreje.

Në 29 janar të vitit 1929, publikohet si libër “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” në Berlin. Ndërkohë punon për dy vepra paralelisht. Në 29 prill vjen shfaqja e parë e filmit “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” me regji të Lewis Milestone, i cili për herë të parë shfaqet në Gjermani në muajin dhjetor. Ka reagime nga nacional-socialistët e Gjermanisë të udhëhequr nga Joseph Goebbels. Fimi ndalohet dhe çohet për kontroll në Berlin. Në vitin 1931 propozohet për Çmimin Nobel për paqen. Një vit më vonë fillon punën për një nga kryeveprat e tij “Tre shokët”. Në 10 maj ndalohen të gjitha librat e Remarkut në Berlin dhe në nëntor policia konfiskon “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Në vitin 1938 publikohet në gjermanisht “Tre shokët” në Amsterdam dhe në 20 maj vjen shfaqja e parë kinematografike e këtij romani me regji të Frank Borzage.

Në 4 korrik çatdhetarizohet nga Gjermania dhe disa muaj më vonë edhe bashkëshortja e tij Ilse Jutta Zambona. Nis punën për “Harkun e Triumfit”. Në shtator të vitit 1939 shkon në Los Angelos ku do të nisë një histori dashurie me Marlene Dietrich. Atje njihet me Greer Garson, Orson Welles, Igor Straëinsky, Arthur Rubinstein, Lion Feuchtwanger, Emil Ludwig, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Cary Grant, Luggi Wolff e Brigitte Neuner-Wolff dhe shumë artistë të tjerë emigrantë. I jep fund lidhjes së ngushtë me Marlene Dietrich dhe disa muaj më vonë do të krijojë një lidhje të shkurtër me Greta Garbo. Në shtator të vitit 1942 zhvillon një takim me zv/ presidentin amerikan Wallace për të diskutuar mbi një aksion të mundshëm anti-fashist. Në tetor të vitit 1943 vendoset përfundimisht në New York. Në 15 dhjetor: Elfriede Remarque (e motra) dënohet me vdekje nga Gjykata Naziste për “sabotim” dhe vritet në Berlin, lajm të cilin shkrimtari e mësoi dy vjet më vonë. Në 25 gusht 1944 përfundon versionin e parë të “Harkut të Triumfit”, i cili botohet në muajin dhjetor në Neë York dhe disa muaj më vonë edhe në gjermanisht.

Shumë shpejt fillon të punojë mbi romanin “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Është koha kur shëndeti i tij fillon të lëkundet. Fillon mjekimet dhe mëson se ka diabet. Në janar të vitit 1952 botohet romani “Shkëndijat e Jetës” në New York, ndërsa në gjermanisht botohet në muajin korrik. Në dhjetor fillon punën mbi romanin tjetër “Obelisku i Zi”, i cili botohet në vitin 1956. Interpreton rolin e mësuesit në filmin e bazuar mbi romanin e tij “Kohë për të jetuar, kohë për të vdekur”. Në vitin 1962 boton “Qielli nuk ka preferenca”, ndërsa dy vjet më vonë “Një natë në Lisbonë”. Në 25 prill të vitit 1967 i jepet “Großes Verdienstkreuz”, Medalia e vlerave më të larta nga Republika Federale e Gjermanisë. Në 25 shtator 1975 vdes në klinikën Sant’Agnese në Locarno. /KultPlus.com

Antipode të luftës, Remarque dhe Jünger

Ata e dënuan shpirtin e luftës në veprën e tyre. Erich Maria Remarque-n e brohoritën, Ernst Jüngerin për këtë e kritikuan, me të padrejtë. Një vështrim tek dy shkrimtarët dhe letërsia e tyre plot kontradikta.

Në përvjetorin e 100-të të Luftës së Parë Botërore dy klasikët e letërsisë u ribotuan. Jüngeri u plagos 13 herë në luftë dhe u nderua më vonë me medaljen më të lartë prusiane të trimërisë. Remarque e botoi romanin e tij fillimisht në një gazetë. Bomba me erë të keqe dhe minj, në prezantimin për herë të parë të romanit të Remarque, NSDAP (partia naziste e Hitlerit) bëri skandal.

Me sa duket ata nuk e duronin dot njëri-tjetrin. Kështu të paktën i përshkruajnë bashkëkohësit ata të dy. Ernst Jünger, djalë nga familje borgjeze e ka parë nga lart Erich Maria Remarque-n, duke e quajtur atë “playboy snob me ambicie dhe pa talent”. Remarque aq i bënte për prejardhjen e tij nga shtresat e ulëta dhe thoshte për Jüngerin, se “shkruan thatë si ushtar” dhe e ka zili konkurencën.

Kohë kthese


Librat e tyre janë ribotuar me rastin e 100 vjetorit të luftës së parë botërore

Kjo në një kohë, kur ishin të dy, që ofruan dy prej dëshmive më të rëndësishme për Luftën e Parë Botërore. “Asgjë e re në Perëndim” nga Erich Maria Remarque konsiderohet sot si romani i mirëfilltë “antiluftë”. Eshtë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe është shitur më shumë se 20 milionë herë në të gjithë botën. Ernst Jüngeri i përpunoi përvojat e tij të luftës në ditarin e tij “Në stuhi çeliku”. Përshkrimet e tij të sakta me detaje bëjnë që njerëzit të debatojnë deri sot. Disa e akuzojnë se ka estetizuar dhunën, të tjerët e lëvdojnë, që është treguar i pamëshirshëm.

Dy klasikë shumë të ndryshëm të letërsisë, dy autorë të ndryshëm në themel, kështu duket të paktën në vështrim të parë. Në të vërtetë Ernst Jünger dhe Erih Maria Remarque kanë qenë më të ngjashëm, se sa kujtohet. Të dy lindën në fund të shekullit të 19-të, në kohë shndërrimesh. Përparimi teknologjik ecte me ritme të shpejta, ekonomia botërore përjetonte zhvillime të vrullshme. Për të drejtat e tyre gratë dilnin në rrugë, ndërsa psikonanalistët ndriçonin nënndërgjegjen e njeriut. Ky ndryshim solli një pasiguri të madhe në të gjithë Evropën.

Jeta e Jüngerit në llogore
Jünger u plagos 13 herë në luftë dhe më vonë u nderua me urdhërin Prusia të trimërisë

Si shumë prej bashkëmoshatarëve të tij Ernst Jüngeri i ri iu fut më 1914 vullnetarisht aventurës së madhe të luftës. Por në vend të një lufte heroike blic, atë e priti pamja e ndyrë e hendekut. Deri në fund ai luftoi në vijën e parë të frontit, u plagos disa herë dhe u nderua pas luftës me medaljen më të lartë ushtarake, Urdhërin Pour le Mérite.

Gjatë viteve të luftës, Jüngeri mbante ditar të hollësishëm. “Stuhitë e çelikut” nuk iu ndanë më. Ai e përpunoi tekstin në vitet në vazhdim dhe la shtatë versione, të cilat dallohen në forcën e tyre shprehëse. Në shënimet e para të ditareve, Jüngeri i ri i lodhur nga lufta pyet në mënyrë paralajmëruese “Çfarë kuptimi kanë këto vrasje, gjithmonë të vrasësh? Kur do të marrë fund kjo luftë e ndyrë.”

Më vonë këto dyshime ia lënë vendin pa pushim përshkrimeve metaforike. Pafuqia autentitike ia lë vendin një gjuhe artificiale.

“Fusha moderne e betejës i ngjan një makine përbindësh, që pushon. Pastaj si uverturë e zjarrtë shkrehet në ajër një fishek i vetëm gjurmëlënës dhe menjëherë vepra fillon.”

Përpunim manjak

Kjo ngritje lart e luftës e bëri Ernst Jüngerin një figurë kryesore të konservatorëve të djathtë në një kohë, kur vetë autori e sheh veten më tepër si pjesë të avantgardës dhe vepra e tij ka më shumë paralele me futurizmin. Edhe përvetësimi i saj i mëvonshëm prej nazistëve nuk i pëlqeu Jüngerit, për sa qe gjallë. Për më tepër, mania e përpunimit, që ai i bën veprës së tij, tregon se sa e thellë ishte tek ai trauma e luftës.

Pas stilizimit të Jüngerit qëndron një proces psikologjik përpunimi, i cili është unikal nga ana letrare. Vetëm krahasimi i botimeve të ndryshme të “Stuhive të çelikut” tregon se çfarë gjurmësh la tek ai lufta, të cilat nuk u shëruan me të vërtetë.

Brezi i humbur i Remarque


Erich Maria Remarque e botoi fillimisht romanin e tij në një gazetëNë mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë e përshkroi Erich Maria Remarque Luftën e Parë Botërore. “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” është portreti i një brezi, i cili shkoi që nga bankat e shkollës me eufori në luftë dhe që u vra në fund nga makina vrastare e luftës.

“Ne mësuam se një kopsë, që shkëlqen, është më e rëndësishme se katër vëllime të Shopenhauerit. Në fillim të habitur, pastaj të hidhëruar dhe më në fund indiferentë, ne pranuam se me sa duket se nuk është mendja vendimtarja, por (…) stërvitja e disiplinuar.”

Përleshjet në llogore, nata në breshërinë e granatave, mërzia midis sulmeve, të gjitha këto rekruti i ri i Remarque, që tregon në vetën e parë, i përjeton shumë afër. Nxënësi fin kthehet në gjysmëqënie të shurdhët.

“Një tetar (…) tërheq pas vetes gjunjtë e thërrmuar; një tjetër shkon të ndërrojë fashot dhe mbi duart që i mbajnë derdhen zorrët. (…) Tmerri durohet po të strukesh e të mos e vështrosh; po ai vret, po të mendosh për të.”

Trupat e policisë para kinemasë, ku shfaqej filmi “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, realizim i Holivudit

“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” u botua në vitin 1929 dhe u bë brenda natës një nga librat më të suksesshëm të letërsisë gjermane. Kritikë në të gjithë botën e brohoritën romanin si “aktakuzë pacifiste kundër luftës.” Pak më vonë librin madje e filmoi edhe Hollywood-i.

I djegur dhe i ndaluar

Qarqe të djathta në Gjermani, nga ana tjetër, thanë se është ndotur kujtimi i ushtarëve të tyre. Në vitin 1933, pas ardhjes në pushtet të nazistëve, libri i Remarque-t u dogj publikisht dhe u ndalua. Autori i librit në këtë kohë kishte emigruar prej kohësh në Zvicër.

Derisa vdiq, Remarque gëzoi imazhin si pacifist dhe jetonte me lavdinë e dikurshme. Vepra të tjera të ngjashme ai nuk shkroi dot më. Vite më vonë ai pranoi se kishte qenë gjithmonë njeri apolitik. dw /KultPlus.com

Brenda kampit të pëqendrimit – pjesë nga libri “Shkëndija e jetës”, Remarque!

“Në jetën e tij e pati njohur shpeshhere frikën dhe ankthin: pati njohur frikën e burgosjes së pafund, një frikë gri që kishte formën e moluskëve; pati njohur frikën e mprehtë e zemërcjerrëse që të pushtonte perpara torturës; pati njohur ankthin e thellë e kapërthyes që të shkaktonte dëshpërimi për shpresën e humbur – i pati njohur të gjitha dhe i pati kapërcyer;, i pati njohur vërtet, por ai e dinte se ekzistonte edhe ajo frika tjetër, e fundmja; e dinte se ajo po i trokiste tani në prag: ankthi i të gjithë anktheve, frika e madhe përpara vdekjes.

Ai nuk e kishte ndier më qysh prej vitesh atë lloj frike, dhe kishte pandehur se nuk do t’i kthehej kurrë më, se nuk do të mund ta ndiente kurrë më, duke kujtuar se atje e kishte thithur përfundimisht mjerimi, prania e vazhdueshme e vdekjes dhe mospërfillja e plotë.

As kur kishte shkuar bashkë me Buherin në sekretari, nuk e kishte ndier atë frikë – por tani pikat e tij të akullta po ia ngrinin vertebrat, dhe ai e dinte pse po ndodhte kështu: sepse i qe ngjallur përsëri shpresa, sepse e ndiente atë shpresë me të githa shqisat – një shpresë që ishte kthyer tani në akull e zbrazëti e shpërbërje e klithmë të shurdhër. Ai mbështeti të dyja duart mbi tokë dhe i treti sytë diku në largësi.

Ky nuk ishte më qiell, ky tmerr thithës e vdekësor aty permbi kokën e tij! Ku ndodhej jeta nën atë qiell? Ku mbeti ajo fëshfërimë e ëmbël e bulëzimit? Ku mbetën gonxhet? Ku mbeti oshëtima, oshëtima e butë shpresës?”

***

“Lart, në dhomën e djegies, Bergeri po shtirej sikur ndihmonte për të ngarkuar dy barrela me kufoma.  Zakonisht atë nuk e fusnın kurrë në punë të tilla, sepse ishte tepër i dobët.  Por, kur të burgosurit e përzënë erdhën aty lart, kryepunëtori i furrave i kishte urdhëruar me të bërtitura që t’i përvisheshin punës; prandaj, gjeja më e thjeshtë ishte të bëje sikur po e zbatoje urdhrin.  Njëra prej kufomave të barrelave ishte ajo e gruas me floket e gjatë e të lëshuar, tjetra ishte e një burri, i cili dukej sikur qe i tëri prej dylli të ndotur.

Bergeri ngriti krahët e gruas dhe ia futi flokët nën sqetulla që ata, kur ta shtynin kufomën në furrë, të mos merrnin zjarr menjëherë nga afshi i prushtë dhe t’ia përcellonin duart atij.  Ishte vërtet çudi që asaj nuk ia patën prerë ata flokë; më parë ua prisnin rregullisht flokët të gjitha grave dhe i grumbullonin. Me sa dukej, nuk ia vlente me barra qiranë, sepse në kamp kishin mbetur shumë pak gra.

– Gati! – u tha Bergeri të tjerëve.

Ata hapën dyert e furrave. Një valë nxehtësie i goditi në fytyrë. Me një të shtyrë i futën barrelat e sheshta prej hekuri në zjarr.

– Mbyllini dyert! – Thirri Dikush. Mbyllini!

Dy të burgosur i përplasën dyert me furi, por njëra prej tyre u hap prapë. Bergeri arriti të shihte se si gruaja e vdekur u ngrit brenda furrës, thua se po zgjohej nga gjumi. Flokët, që i kishin marrë flakë, ia qarkuan edhe për nje çast kokën si nje brerore gjuhësh të zjarrta – pastaj dera, të cilën e pati penguar nje copë e vogël kocke, u mbyll për të dytën herë dhe zuri.

Po kjo ç’ishte? – Pyeti njëri nga të burgosurit, i trembur tejmase. Ai gjer tani ishte marrë vetëm me zhveshje kufomash dhe nuk kishte qenë kurrë aty lart, te furrat.

– Akoma gjallë ishte ajo? – Jo… Kufomat lëvizin gjithmonë nga nxehtésia e madhe, u përgjigi Bergeri me zë të ngjirur. Gulshet e nxehta të zjarrit ia kishin tharë grykën. Edhe sytë i dukeshin si të përcëlluar.

– Nganjëherë kërcejnë edhe vals,- shtoi një burrë i fuqishëm, që bënte pjesë në repartin e krematorit.”/filozofia.al

– Erich Maria Remarque“Shkëndija e jetës”

Erich Maria Remarque: Ajo buzëqeshi dhe për një moment m’u duk se bota u ndriçua

“Një spital i vetëm mjafton për të kuptuar luftën. Vdekja e një njeriu është thjesht vdekje; e 2 milionë njerëzve është statistikë”.

“Qëllimi i jetës nuk është të na bëjë perfektë. Kushdo që është perfekt e ka vendin në muze”.

“Pushteti është sëmundja më infektuese në botë”.

“Jeta është një sëmundje, vëlla. Vdekja nis që në lindje. Çdo frymëmarrje, çdo rrahje zemre është një moment vdekjeje”.

“Nuk jemi më të rinj; nuk duam më ta kapim jetën për brirësh. Ishim 18-vjeçarë që e donim jetën dhe na u desh ta bënim copash”.

“Ajo buzëqeshi dhe për një moment m’u duk se bota u ndriçua” / KultPlus.com