Shkëlqimi i këngës së Shpresës

(Kultura e interpretimit artistik)
Gjuha e saj ka një theks melodik që karakterizohet me një ngritje dhe ulje të pahetueshme të zërit që të bën për vete. Znj. Shpresë, ka një repertor të zgjedhur e të pasur muzikor, i cili dallon nga të tjerët. Këngëtarja e nderuar, vepron si pjesëtare e një shoqërie të emancipuar tradicionalisht të edukuar prej kohësh. Ajo qëmoti e ka tejkaluar fazën embrionale dhe është shndërruar në një profesioniste më zë të shkolluar që tashmë reflekton rreze të veçanta në fushën e të kënduarit me një vokal artistik.

Shkruan: Remzi Limani

Kur mendojmë për fjalët e ngrohta të këngës së bukur shqipe, muzikën e lehtë që rrjedhë si kroi i kulluar me interpretimin e zërit të ëmbël, të dashur, të shtruar, të butë e të pjekur – atëherë patjetër do të na kujtohet kënga dhe zëri i artistës sonë të mirënjohur, Shpresa Gashi, e cila, me përkushtim e shpirt nostalgjik, nxjerr një zë me të gjitha ngjyrat e timbrit shqip. Kënga e saj i shpirtëzon të tjerët, u jep jetë dhe e vënë në lëvizje shpirtgjerësinë e adhuruesve të saj. Pra, kënga e saj vë në veprim dhe ringjallë ndjenjat dhe dëshirën për të luftuar jetën…

Zëri i saj, prirë nga një dhunti unike, posedon një tonalitet të veçantë melodik, ngase e karakterizon personalitetin artistik. Interpretimi i saj është i pëlqyer dhe i këndshëm, me tinguj harmonishëm të lidhur, të cilët të rrethojnë dhe të rrembejnë me dashuri e lurtim, të kënaqin në shpirt bashkë me imazhin e saj. Mënyra e të kënduarit dhe interpretimi i këngës së lehtë që shkëlqen në mes traditës dhe modernes, ka një vijë melodike e të ëmbël, për veshin dhe për zemrën e trazuar – gjithmonë qetëson dhembjen shpirtërore, zbut hidhërimin e monotonisë së kohës dhe jep ngushëllimin e duhur…Dhe, siç thot, Hegeli: “Muzika është art i zemrës dhe, si tillë, ajo i drejtohet drejtpërdrejt zemrës”.

Gjuha e saj ka një theks melodik që karakterizohet me një ngritje dhe ulje të pahetueshme të zërit që të bën për vete. Artistja jonë. Shpresa Gashi, ka një repertor të zgjedhur e të pasur muzikor që dallon nga të tjerët. Këngëtarja e nderuar, vepron si pjesëtare e një shoqërie të emancipuar tradicionalisht të edukuar prej kohësh. Ajo qëmoti e ka tejkaluar fazën embrionale dhe është shndërruar në një profesioniste më zë të shkolluar e cila me vite të tëra ndrit në skenën e këngës shqipe me të cilën edhe sot reflekton rreze të veçanta në fushën e të kënduarit me një vokal artistik. Tek ajo, herë-herë, vërehet një shprehtësi dalluese e fjalëve të dalura nda teksti i këngës dhe të interpretimit që i japin një pasqyrim e rrjedhë refleksi e cila lëvizë vlerën dhe rëndësinë e fjalës së bukur shqipe, emocionalisht të lidhur me një ndjeshmëri të lartë artistike të shprehjes poetike. Shpresa, ka një veti natyrore, një dhunti e aftësi për të bërë çudira dalluese, në formë e krijim, në fushën e artit që ngushtësisht lidhet me karakterin e saj të një talenti të lindur, i cili shpërthen në kohën e duhur… Shpresa Gashi, tanimë e stolisur me shumë mirënjohje të merituara për kontributin e saj në fushën e interpretimit, pa dyshim ia doli të bëhet emër dhe figurë e veçantë, shumë e lakmueshme në profesionin e vet – gjithmonë këndshëm të befasuar nga zëri, nga kënga dhe nga interpretimi i saj me një origjinalitet burimor të cilin e kultivoi me kujdesin e veçantë dhe respektin e duhur për këngën dhe traditën.

Nëse arti dhe kultura flasin për të kaluarën dhe të sotshmen tonë, atëherë kënga e saj ka një zhvillim dialektik artistik në mbështetje të një bazamenti vlerash të përditshmërisë sonë të pasur, sepse kënga e lehtë vazhdimisht lartësohet në shkallë kombëtare me një evoluim artistikisht shqip. Shpresa Gashi, pra, në vazhdimësi, e ruan, e zhvillon dhe e pasuron trashëgiminë tonë artistike. Muzika dhe kënga e saj, me një përputhje të plotë, korrespondojnë njëzëshëm me njëra – tjetrën të bashkuara e të ndërthurura bashkë dhe në mënyrë koherente, ndërtojnë kulturën e një fryme të re të interpretimit artistik me ngjyrime lirike që puqen e shkrihen në një tërësi harmonike. Kënga e saj, për shumë raste përjetohet me emocione të këndshme, krejtësisht të veçanta nga artistët tjerë të këtij lëmi…
Në këtë kuptim, artistja jonë e nderuar, ka një përcaktim gjenealogjik ngase rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është kultivuar dhe trashëguar dashuria për muzikën dhe artin në pëgjithësi. Gjyshja e Shpresës, Nicë Gashi, shkëlqyeshëm ka luajtur në intstrumentet harkore. E ëma, Gjina Nduelleshi – Gashi, ishte këngëtare, kurse tezja, Jozefina, po ashtu kushërira e parë e qujtur Gonxhe, ishte soprane e njohur që kishte bërë emër në trojet kosovare, ndërsa babai i saj – Kristë Gashi, e kishte pasion jetësor mjeshtërinë e fotografisë. Prandaj, Shpresa Gashi – nuk hyri rastësisht në botën e artit muzikor – ajo vazhdon të jetë degë e lidhjes së një trungu familjar me traditë artistike e trashëgimi kulturore.

Shpresa Gashi (1950) u lind në Pejë. Aty mbaroi shkollimin fillestar, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës e kreu në Prizren. Pas shkollës së mesme, një kohë punoi mësuese e muzikës në qytetin e lindjes. Në vitin 1970, fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Zagreb, ku edhe mbaroi shkallën e parë të studimeve në Degën e Teorisë së Muzikës. Më pastaj, transferohet në RTP, në cilësinë e bashkëpunëtores të muzikës seriose, si ilustratore dhe drejtuese e emisioneve muzikore. Vitin e tretë të studimeve, i mbaroi në Akademinë e Muzikës në Shkup, kurse studimet përfundimtare, me sukses të lakmueshëm, i mbaroi në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, më 1974. Ajo këndoi në shumë festivale të hapësirës shqiptare dhe jashtë saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe në Australi. Gjatë karrierës në profesionin e saj, ka realizuar 60 incizime, shumë prej të cilave, falë zërit të një sopranoje lirike, është vlerësuar me çmime të ndryshme. Shpresa, është edhe kantautore e tetë këngëve të tjera. Ajo ka edhe disa këngë në duet me Bashkim Paçukun, Xhelal Bakraçin dhe me të birin e saj – Edmondin.

E tërë kjo është vetëm një pjesë e disa karakteristikave më kryesore për veprimtarinë e begatë të kësaj artisteje të merituar./KultPlus.com