Teatri Kombëtar në renovim, aktiviteti nuk ndalet, punohet për sigurimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillohen aktivitetet

MKRS ka njoftuar se ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbyllet për renovim të tërësishëm nga data 1 korrik 2022, përcjellë KultPlus.

Arsyeja pse ka ardhur deri te kjo kërkesë është gjendja jo e mirë fizike e objektit tash e sa kohë. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i profesorëve të universitetit “Hasan Prishtina” të angazhuar nga MKRS me titull: “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (ToR) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”. 

Gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për renovim edhe më urgjente. 

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar sot se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. 

“Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit  gjatë periudhës së renovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intenziv me MKRS është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet.

 Shpresojmë që ky proces do të përfundojë shpejt dhe pa pengesa!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës, i nënshtrohet renovimit të plotë

Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës, përcjellë KultPlus.

 Si rrjedhojë, analiza e gjendjes e kryer nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konkludon shkallë të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës.

MKRS, duke vepruar në përputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të inicuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK, në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofrimin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në përfundim të këtij procesi, MKRS është e bindur se kryeqyteti do të rifitojë një institucion teatror me hapësira funksionale, moderne dhe të përshtatshme për të zhvilluar veprimtarinë e dy nga institucionet kryesore të artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Nënshkruhet projekti për renovimin e fasadave të soliterave në lagjen “Ulpiana”

“Kryetari Shpend Ahmeti dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit në Kosovë Petrit Selimi nënshkruan sot Marrëveshjen e Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projektit për renovimin e fasadave të soliterave në lagjen “Ulpiana”.

Synimi i Marrëveshjes është promovimi dhe bashkëpunimi i dy institucioneve në implementimin e projektit për Efiçiencë Elektrike në ndërtesat kolektive si pjesë e projektit për Peisazh të Besueshëm Energjetik (Reliable Energy Landscape Project (“RELP”).

Ky investim do të ndihmojë dukshëm reduktimin e energjisë që duhet shpenzuar për amviseri dhe funksionalizimin e të gjitha instalimeve në këto ndërtesa, dhe me këtë edhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kryeqytet.

Komuna e Prishtinës ka falënderuar Fondacionin e Mileniumit të Kosovës (Millennium Foundation Kosovo) dhe Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC) për mbështetjen dhe bashkëfinancimin e projektit në vlerë prej € 1,758,085.55.” / KultPlus.com