Premiera e ‘1984’, regjisori Mendjisky: Shfaqja i është përshtatur Teatrit të Kosovës më shumë se kujtdo tjetër

Flonja Haxhaj

Më 30 shtator, Teatri Kombëtar i Kosovës, do të hapë dyert për sezonin e ri me premierën e shfaqjes ‘1984’. Përveç hapjes së sezonit të ri, kjo premierë shënon edhe një moment të jashtëzakonshëm për artin teatror në Kosovë, pasi do të jepet shfaqja e bazuar në një prej novelave ikonë të shekullit 20-të, ‘1984’, e autorit George Orwell, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘1984’ vjen në Kosovë e adaptuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez, Igor Mendijsky, një bashkëpunim ky që do të sjellë në hapësirat e teatrit një kryevepër të përmasave botërore.

“1984” e George Orwell flet për një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ‘1984’ do të jetë mbi historinë e dashurisë së çiftit protagonist, Winston dhe Julia. Një histori që ballafaqohet me fatin e tmerrshëm të shoqërisë së tyre.

Për adaptimin e novelës ‘1984’ për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus foli vetë regjisori Igor Mendjisky, i cili fillimisht tregoi zanafillën e këtij bashkëpunimi.

“Fillimisht, drejtori Kushtrim Sheremeti e ka parë punën time dhe ai ka kërkuar një shokut tonë të përbashkët që të na njoftojë dhe ashtu edhe bëri. Unë dhe Kushtrimi u njohëm dhe e patëm një diskutim se çka ka parë ai nga puna ime dhe më tha se dëshiron që unë të vij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.Unë isha shumë i emocionuar për këtë ide dhe pas kësaj unë e pyeta se çfarë shfaqje mund të drejtoj unë dhe ai më tha diçka nga Orwell. Kushtrimi më tha se nga ajo çfarë kishte parë ai nga puna ime, ai mendonte se unë mund të bëj një adoptim të tillë me aktorët këtu”, tregoi Mendjisky, për të cilin, kjo është hera e parë që punon me një shfaqje në Kosovë.

Duke qenë se ‘1984’ nga George Orwell flet për një shoqëri ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka, Mendjisky thotë se fokusi i kësaj shfaqje do të jetë historia e dashurisë në mes të Winstonit dhe Julias, megjithatë, e gjithë ajo që trajton kjo novelë, nuk do të mungojë as në skenën e teatrit.

“Fokusi në këtë shfaqje do të jetë në historinë e dashurisë, ajo në mes të Winstonit dhe Julias, por e gjitha satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë libër, janë gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje. Mendoj që adaptimi flet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie dhe për faktin se pse Orwell vendosi të shkruajë novelën ‘1984’, sepse Orwell është po ashtu në këtë skenë, në këtë adaptim”, theksoi Mendjisky.

Regjisori francez nuk la pa përmendur edhe potencialin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilët thotë se u është përshtatur kjo novelë më shumë se kujtdo tjetër.

“Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë të mrekullueshëm. Ajo që u them miqve të mi në Paris është se ky tekst, kjo novelë nuk do të ishte luajtur në këtë mënyrë në Francë. Ajo që nënkuptoj është se çka dini ju këtu, nga ajo që ju keni përjetuar nga lufta këtu është diçka që ju lidh më shumë me këtë novelë, më shumë sesa në Francë”, tha regjisori Mendjisky, duke nënvizuar ndërlidhjen e situatave në Kosovë, me ato që përmenden në këtë novelë.

Pavarësisht kohës së shkurtër të provave e shumë sfidave që përballet Teatri Kombëtar i Kosovës, Mendjisky thotë se beson se gjithçka do të realizohet me sukses dhe se publiku do ta pëlqejë këtë shfaqje.

“Shpresoj që publiku do ta pëlqejë sepse kur e shoh shfaqjen, e shoh si diçka shumë universale. Shpresoj që publiku do të dashurohet me shfaqjen dhe me historinë e Winstonit e Julias”, u shpreh Mendjisky për KultPlus.

Në shfaqjen ‘1984’, të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.

Në një intervistë për KultPlus, Latifi thotë se që në momentin kur i është dhënë ky rol, është ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi të mëdha mbi supe për të dalë sa më mirë që është e mundur.

“Julia është një nga protagonistet në veprën “1984” nga George Orwell. Ajo është një vajzë e re, plot jetë e gjallëri, intuitive e rebele e cila e njeh shumë mirë partinë. Që nga momenti i parë kur mora njoftimin se do jem pjesë e kësaj shfaqje dhe pikërisht që do të kem rolin e Julias, jam ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht me pergjegjësi të madhe për ta portretizuar këtë rol sa më mirë. Rëndësi të veçantë ka poashtu sepse ‘1984’ në Kosovë po punohet për herë të parë, andaj trajtimi, puna dhe përkushtimi duhet të jenë maksimal në mënyrë që publiku ta kuptojë qartë dhe ta ketë ndjesinë e ‘1984’”, tha Latifi.

Ajo më tutje shtoi se kjo shfaqje është duke u punuar brenda një muaji. Megjithatë, pavarësisht kohës së shkurtës, Latifi thotë se të gjithë po bëjnë më të mirën duke punuar ndonjëherë edhe me orar më të zgjatur, vetëm për të pasur rezultate e performancë të sukseshme.

“Unë dhe roli i Julias kemi disa të përbashkëta të cilat më ndihmojnë t’i kem më të lehta edhe dallimet. Deri më tani mendoj se jam duke u mishëruar çdo ditë e më shumë me rolin, shpresoj që shfaqja në premierën e saj ta ketë Julian e Orwellit dhe aktoren e Mendjisky”, tha ndër të tjerash aktorja Latifi.

Pavarësisht kohës së shkurtër të realizimit të kësaj shfaqje, aktorët  dhe regjisori Mendijsky po punojnë me ritme të shpejta. Për rezultatet e arritura deri më tani, Flaka Latifi meritat ia dedikon regjisorit, që sipas saj ka gjetur mënyrën e duhur për të punuar me secilin nga ta.

“Më pëlqen mënyra e punës së regjisorit, i cili në radhë të parë është i sinqertë me ne, është i hapur edhe për propozimet nga aktorët, punon dhe provon në skenë. Jam e kënaqur sepse kuptohem shumë mirë me të”, tha më tej Latifi, duke përmendur po ashtu se edhe bashkëpunimi mes aktorëve ka qenë i jashtëzakonshëm.

E për fund, Flaka Latifi tha për KultPlus se beson që qëllimi i regjisorit do të realizohet me sukses dhe audienca do ta pëlqejë këtë shfaqje.

“Shpresoj shumë që ata të cilët do vijnë ta shohin shfaqjen, të dalin nga teatri me citatin tim të preferuar nga George Orwell ‘Qëllimi nuk është që t’rrijmë gjallë por të mbetemi njerëzorë’”, përfundoi Latifi.

Edhe për aktorin Ylber Bardhi, të cilit në këtë shfaqje i është besuar roli i Winstonit, që po ashtu është një prej roleve kryesore, thotë se është një privilegj për të që është përzgjedhur të luajë këtë personazh kaq të rëndësishëm.

“Momentin kur e kam kuptuar që do të jem Winstoni kam pasur ndjenja të përziera sepse më është caktuar nje ‘barrë’ shumë e rëndësishme e shfaqjes. Rrallë të vijnë këto role në jetë. Besoj secili koleg i imi do të donte ta interpretonte personazhin e Winstonit”, u shpreh Bardhi.

Ai më tutje foli edhe për mbarëvajtjen e provave, të cilat kanë qenë goxha intensive, e tani janë pothuajse në përfundim meqë për pak ditë edhe do të jepet premiera.

“Bashkëpunimi me regjisorin ka qenë fantastik. Është një prej regjisorëve që kërkon shumë nga ty dhe nuk lejon të të ikë asnjë detaj. Jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti. Edhe bashkëpunimi me kolegët ka qenë shumë i mirë, duke qenë se kemi punuar edhe më herët bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri – tjetrin”, tha mes tjerash Bardhi, duke shtuar se beson shumë që kjo shfaqje do të pëlqehet nga audienca dhe secili do të gjejë një pjesë të jetës së tyre në këtë shfaqje.

Ndërkaq, ju rikujtojmë që premiera e shfaqjes ‘1984’ e regjisorit Igor Mendjisky, do të jepet më 30 shtator në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përveç Flaka Latifit dhe Ylber Bardhit në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët e tjerë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati dhe Xhejlane Godanci./ KultPlus.com

Tetori i tri premierave, Teatri Kombëtar i Kosovës zbulon repertorin e muajit që vjen

Teatri Kombëtar i Kosovës sapo ka zbuluar repertorin e muajit tetor, dhe vetëm në muajin e dhjetë të këtij viti do të prezantohen tri premiera, projekte teatrale që pritet të sjellin shumë publik, shkruan KultPlus.

Në fakt premiera e parë do të jetë më 30 shtator, për t’iu rezervuar edhe gjashte repriza në muajin tetor, e bëhet fjalë për shfaqjen “1984” e që vjen para audiencës prishtinase me regji të Igor Mendijsky.

Premiera tjetër është rezervuar për datën 13 dhe bëhet fjalë për shfaqjen “Best Europian Show” që vjen me regji të Haris Pashoviq, e që në muajin tetor do të vjen edhe me katër repriza.

Kurse premiera e fundit që do të vjen në vjeshtë, është shfaqje që nuk përkon me stinën. Është shfaqja “Ditë vere” që vjen me regji të Kaltrim Balaj e që premierën do ta ketë më 18 tetor.  Kjo shfaqje do të reprizohet edhe pesë herë brenda muajit, kurse në repertor ka edhe projekte të tjera teatrale që do të prezantohen brenda atij muaji./ KultPlus.com

“Udhëtimi i gjatë drejt natës”, nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës shfaq premierën “Udhëtim i gjatë drejt natës” nga Eugene O’Neill më 31 maj 2023.

Shfaqja portretizon familjen Tajron, udhëtimin e tyre emocional në sfidat e varësisë dhe pasojat e saj të thella. Xhejms Tajron, babai, lufton me alkoolizmin ndërsa gruaja e tij, Meri, përbal- let me varësi nga morfina. Djemtë e tyre, Xhejmi dhe Edmund, gjithashtu luftojnë me alkoolizmin dhe sëmundjen e tuberku- lozës. Në këtë shfaqje me emocione të fuqishme, familjarët përbal- len me njëri-tjetrin dhe demonët e tyre të brendshëm, duke i shpërfaqur veprimet, keqardhjet dhe gabimet e tyre të kaluara dhe të tanishme. Ndërsa mesnata afrohet përmes tiktakeve të orës, tensionet rriten, sekretet zbulohen dhe realiteti i thellë i situatës së tyre bëhet i pamohueshëm. “Udhëtim i gjatë drejt natës” shërben si një kujtesë prekëse për fuqinë shkatërruese të varësisë, jo vetëm për individin, por edhe për familjen. Poashtu shpërfaqë rëndësinë jetike të ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në përballje me varësinë, duke theksuar nevojën për komunikim të hapur dhe sinqeritet të palëkundur për ta mposhtur atë. “Udhëtim i gjatë drejt natës” ndriçon rrugën drejt shërim- it dhe ofron një mesazh të fuqishëm shprese në mes të netëve më të errëta.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre do të paraqiten aktorët: Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhudolli, Don Shala e Florije Bajoku.

Me autor rë Eugene O’Neill e me regji të Ilirjana Arifit kjo shfaqje vjen nën dramaturgjinë e Zoga Çeta Çitaku, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografe- Njomza Luci, kompozitor- Memli Kelmendi dhe ekipi tjetër përcjellës i shfaqjes./ KultPlus.com

TKK përkujton aktorin Istref Begolli në 90 vjetorin e lindjes dhe 20 vjetorin e vdekjes

Teatri Kombëtar i Kosovës organizon mbrëmjen ‘Një gotë për Istref Begollin’ në përkujtim të 90 vjetorit të lindjes dhe 20 vjetorit të vdekjes së aktorit Begolli, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Teatrit Kombëtar:

Një gotë për Istref Begollin

Me rastin e shënimit të 90-vjetorit të lindjes dhe 20-vjetorit të vdekjes së tij, Teatri Kombëtar i Kosovës, me mbështetjen e Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ju fton të bashkoheni për të kujtuar vepren e një prej aktorëve më të shquar në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Istref Begolli.

Së bashku me kolegë, miq dhe familjarë, do të nderojmë kujtimin dhe kontributin e tij në kulturë me “një gotë për Istrefin”.

Bashkohuni me ne për të kujtuar aktorin Istref Begolli!/ KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Teatrit, inaugurohen hapësirat e punës së TKK-së

Objekti i Tetarit Kombëtar të Kosovës tash e sa kohë është jashtë funksionit, pasi që ky objekt është në fazë të renovimit, dhe si rrjedhojë, ekipi i TKK-së është zhvendosë tash e sa kohë në hapësirën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, këto hapësira pune janë inauguruar, ku pjesë e ceremonisë ishte komuniteti artistik.

Këëto hapësira tashmë kanë dhënë rezultatet e para, pasi që në këtë objekt janë dhënë disa shfaqje që janë repertor i TKK-së./ KultPlus.com  

Teatri Kombëtar i Kosovës zhvendoset në Tiranë

Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës pjesë e Asociacionit të Teatrove Publike

Në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë është mbajtur takimi i Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve ka votuar unanimisht përfshirjen e institucionit më të lartë teatror në vend – Teatrit Kombëtar të Kosovës në këtë mekanizëm dhe nga sot ta ndryshoj emërtimin e tij në Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës.

Në këtë takim janë diskutuar tema të ndryshme si: forcimi i pozicionit të teatrove publike në vend, Projektligjin për Art dhe Kulturë (në diskutim publik), pozicionimin e krijuesve dhe performuesve të teatrit, forcimin e mekanizmit të Trupave Rezidente dhe të tjera.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e teatrove publike të: Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë, Teatri i Qytetit – Gjilan, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, Teatri “Dodona” – Prishtinë, Teatri “Istref Begolli” – Pejë, Teatri “Adriana” – Ferizaj, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë dhe Teatri “Avdush Hasani”- Podujevë janë dakorduar për formalizimin e Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës në Shkup

Teatri Kombëtar i Kosovës do të transferohet në Shkup për katër ditë ku do të shfaqen katër shfaqje, përcjell KultPlus.

Njoftimi është dhënë përmes një postimi në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

Teatri Kombëtar i Kosovës n’Shkup.

Nga 21 deri me 24 shkurt 2023 transferohemi në  Teatrin Shqiptar të Shkupit!

21 Shkurt – Gratë

22 Shkurt – Club Albania

23 Shkurt – Molly

24 Shkurt – Fausti

Shfaqjet fillojnë nga ⏰ 20:00

Biletat mund ti siguroni në biletarinë e Teatrit Shqiptar – Shkup, çdo ditë nga 12:00h – 20:00h./ KultPlus.com

“Fausti”, shfaqja e parë premierë për vitin 2023

“Fausti” është shfaqja e parë premierë për vitin 2023 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Autor dhe regjisor i shfaqjes është Fadil Hysaj.

Ndërkaq, “Fausti” vjen si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me Teatrin e Qytetit Gjilan dhe Teatrin “Bekim Fehmiu” Prizren!

Premiera e shfaqjes shpaloset të hënën (23 janar) duke filluar nga ora 20:00. / KultPus.com

Emërohet drejtor artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti shpalos për KultPlus vizionin e tij për të ardhmen e teatrit

Jeta Zymberi

U deshën më shumë se tri vite që Teatri Kombëtar i Kosovës të bëhet me drejtor artistik. Është regjisori Kushtrim Mehmeti ai i cili ditën e djeshme është emëruar në këtë pozitë udhëheqëse me një mandat katër vjeçar, shkruan KultPlus.

Drejtori artistik pritet që brenda këtij vendi që është si një pasqyrë që reflekton shoqërinë dhe përvojën njerëzore tek audienca, të sjell eksperiencën e tij, pasi ka punuar më parë si regjisor në teatro, ka sjell performanca dhe instalacione të ndryshme.

Si drejtor artistik, Kushtrim Mehmeti pritet të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe blerjen e veprave të reja për prodhimin e teatrit, si dhe udhëheqjen e ekipit krijues në zhvillimin e këtyre produksioneve. Ai do të punojë gjithashtu për të nxitur marrëdhëniet me dramaturgët, regjisorët, aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë dhe do të luajë një rol kyç në angazhimin dhe ndërtimin e një publiku të larmishëm për teatrin.

Takimi mujor i udhëheqësve artistik, ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare, identiteti teatror kombëtar, krijimi i kritikës teatrore, plotësimi i ansamblit rezident, skena alternative, prezantimi në çdo qytet të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e shumë e shumë pika të tjera tejet të rëndësishme janë pjesë e plan programit që Mehmeti synon t’i realizojë gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite.

Në një intervistë për KultPlus, Mehmeti shpalos vizionin e tij për të ardhmen e teatrit, duke u shprehur se marrja e kësaj pozite sa është privilegj është edhe përgjegjësi, por beson shumë në vullnetin e tij të madh për të mirën e teatrit.

“Pas një procesi të gjatë, një pune me teste e intervista, e lodhshme por e përballueshme, u mor vendimi për emërimin tim në këtë pozitë. Më shumë sesa privilegj është përgjegjësi, e sidomos kur Teatri Kombëtar i Kosovës që tri vite nuk ka Udhëheqës Artistik por funksionon me UD. Më pret një punë e madhe që të realizohet platforma ime, por kam vullnet e besim që do ta jap më të mirën për vendin ku që nga fillimi i studimeve kam besuar e ëndërruar për të”, shprehet Mehmeti për KultPlus.

Mehmeti kësaj detyre po i hyn me një mision të qartë, kultivimin e vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit”, thotë Mehmeti.

Sa i përket politikave artistike teatrore, Mehmeti shprehet se bashkërendimi i politikës artistike me të gjitha institucionet eminente kulturore është një nga nevojat e kamotshme të kulturës.

“Problemet shoqërore, temat, dukuritë dhe zhvillimi i përbashkët i artit për nga cilësia e niveli artistik është një hap drejt ngritjes të secilit institucion kulturor. Për ta arritur këtë duhet fillimisht të hartohet politika artistike në nivel vendi nga udhëheqësit artistik te institucioneve gjegjëse, pastaj ato të mirëmbahen në takime minimalisht mujore në të cilat trajtohen realizimi i politikes artistike, mangësitë e problemet që hasen gjatë realizimit, dhe gjetjet, të arriturat e dështimet që secili institucion i ka pasur gjatë kohës.”

Ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare

Një tjetër prioritet i Mehmetit pritet të jetë zhvillimi i dramës kombëtare. Sipas tij, teatri e merr formën si institucion kulturor kur fillojnë të shkruhen tekstet.

“Në rrethanat tona socio-kulturore sot me shume se kurrë kemi nevoje të merremi me Identitetin tonë kulturor e kombëtar të merremi me vlerat tona identitare ashtu siç ka bërë Teatri Klasik, të merremi me brendësin e njeriut shqiptar ashtu siç ka bërë Teatri Modern, pavarësisht që ka pasur disa tendenca te teksteve tona kombëtare t’i afrohet Teatrit Absurd, ne ende se kemi një tekst të tille ku flet për humbëtirën dhe për asgjënë tonë”, thotë Mehmeti i cili konsideron tutje që dramës shqipe i duhet edhe një Laborator i dramës.

Regjisorë botëror të konfirmuar

Brenda repertorit artistik vjetor të teatrit pritet të parashihet përzgjedhja e një regjisori të konfirmuar botëror i cili veç tjerash do të rriste edhe nivelin e ansamblit rezident duke sjell edhe forma të reja por edhe nivel artistik teatror.

“Regjisorët vendor kanë nivel të kënaqshëm dhe përballojnë edhe produksione të mëdha teatrore, por si nevojë e sjelljes së teknikave te reja teatrore por edhe e frymës së re teatrore. Freskimi vjetor i repertorit të teatrit me regjisor eminent do të krijonte një klimë gare më të madhe edhe tek regjisoret vendor, do te ishte një stimul për njohjen e formave te reja të punës me aktorin por edhe me shfaqjen dhe trajtimin e saj.”

Krijimi i kritikës teatrore

Që një shfaqje të jetojë gjatë e ndoshta përherë, i duhet me patjetër edhe një kritikë e mirëfilltë teatrore. Në këtë pikë, Mehmeti flet për nevojën e padiskutueshme të kritikës teatrore.

“Ka humbur interesimi që të shkruhet për teatër, kjo ka ndodhë pak edhe për faktin se ata që kanë bërë kritikë të mirëfilltë teatrore, i janë nënshtruar edhe një lloj trysnie nga regjisorët që kanë punuar shfaqje. Ne nuk guxojmë ndoshta që të porosisim kritikë teatri por ndoshta do të mund të stimulonim duke e krijuar Çmimin për kritikën më të mirë të vitit.  Do të mundohemi që të krijojmë një atmosferë tek komuniteti që kritika na ndihmon e nuk na kundërshton, do të krijonim një kulturë ballafaqimi me veten e punën tonë pas premierës.”

Plotësimi i ansamblit rezident

Teatri Kombëtar i Kosovës i ka së paku 30 aktorë në ansamblin rezident. Që disa vite TKK nuk ka arritur që të plotësoj numrin minimal që e parasheh ligji, statuti e rregullorja, ndaj një ndër punët që Mehmeti mendon se duhet bërë me prioritet, është edhe plotësimi i numrit minimal të ansamblit rezident.

“Sot kemi ndërrim të gjeneratave dhe në tregun artistik ka një kohë që ka aktor/e që do ti jepnin një freski dhe rritje të nivelit artistik teatrit me futjen e tyre brenda ansamblit rezident. Tutje, teatri viteve të fundit ka paguar shumë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe me plotësimin e ansamblit do të kursej edhe për nga ana ekonomike (financiare).”

Miratimi i orarit mujor të provave, plotësim ndryshim i rregullores për ansamblin rezident, prezantimi i regjisoreve paraprakisht, konferenca për media e recensioni për çdo vepër para hyrjes në repertorin vjetor dhe identifikimi i shijes së publikut, janë pikat tjera që Kushtrimi i paraqet në planin e tij udhëheqës.

Laborator teatror

Krijimin e Laboratorit teatror, drejtori i ri e sheh si një domosdoshmëri.

“Laboratori është i domosdoshëm jo vetëm si mënyrë për të krijuar shfaqje, por gjithashtu edhe si një vend pune i përditshëm ku aktorët mund të vazhdojnë të mësojnë dhe të rriten nga ana njerëzore, shpirtërore dhe profesionale.”

Skena Alternative

Teatri vendoset gjithkund, nuk ka hapësirë që nuk bënë për teatër. Skena alternative është nevojë e kohës e kur marrim parasysh që Teatri Kombëtar i Kosovës tani gjendet në rinovim të plotë kjo nevojë shumëfishohet.

“Kemi shumë ndërtesa e hapësira të lëna në mëshirën e fatit, ndaj gjitha ato kanë potencialin të shndërrohen në ambiente kulture. Pastaj veç hapësirave të pa shfrytëzuara ka edhe hapësira që kanë nevojë për promovim dhe asgjë më mirë se një shfaqje e sidomos kur ajo vije nga Teatri Kombëtar nuk mund ta bëjë promovimin.”

Prezantimi në çdo qytet të Kosovës, prezantimi në shkolla për rolin dhe punën e aktorit, udhëtimet e teatrit, revista vjetore, monografi, kritika vjetore e shfaqjeve të TKK-së e lexime skenike, janë të tjera plane që Mehmeti parasheh t’i realizoj gjatë mandatit të tij të plotë.

“Disa nga këto pika janë punë imediate dhe rezultatet e punës shihen menjëherë kurse disa tjera janë politika afatgjata të cilat mund të kontribuojnë vetëm pas disa mandateve tjera. Gjithashtu gjatë punës mund të dalin ide të reja apo probleme të cilat duhet të trajtohen”, përfundon kështu Mehmeti i cili këtë fillim të ri po e pret me shumë entuziazëm dhe me vizon të qartë për punën që e pret. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti

“Gratë” si një binom i pathyeshëm me mëkatet krahas heshtjes dhe refuzimit të shoqërisë

Uranik Emini

Gratë bëjnë mëkate sapo të zgjohen nga gjumi. Në çdo lëvizje të tyre, në çdo mimikë të fytyrës dhe në çdo veprim që ato bëjnë, ekzistojnë mëkatet si një binom i jashtëzakonshëm. Pra, mëkatet dhe gratë në një vijë lineare, bashkëveprojnë sikurse të ishin një. Shfaqja “Gratë”, e cila medoemos mori duartrokitje të shumta nga publiku, shfaqi edhe një herë tjetër diçka për të cilën ndoshta edhe nuk bisedohet shumë, e shfaqi magjinë e teatrit dhe mënyrën se si ky i fundit mund të hy thellë në shpirtin tonë dhe të prekë vendet ku ftohtësia dhe e “keqja” ka kapluar gjithë atë pjesë, shkruan KultPlus. 

Aktoret Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili e Xhejlane Godanci me shkrime nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi e Ulpiana Maloku, shfaqen përpara publikut dhimbjet e përditshme të grave dhe diskriminimin e vazhdueshëm që ato përjetojnë. Fuqi, zë kumbues, lëvizje të shumta dhe këngë të ndërthurura bashkë, e plotësuan shfaqjen e mbrëmshme, që pati premierën në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Që nga kohërat më të lashta, ato greke e antike, teatri ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Megjithatë, sikurse në shumë sfera të jetës, një problem në këtë fushë ishte edhe pjesa ku gratë paraqiteshin si inferiore ndaj burrave, e sikurse në ditët e sotme, roli i gruas në shoqëri ishte shumë i kufizuar në disa mënyra.

Edhe pse sot, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ekziston një grup i madh i grave që aktualisht punojnë aty dhe janë pjesë e teatrit dhe shfaqjeve të ndryshme, paraqitja e këtyre të fundit në skenë; vite më parë konsiderohej si diçka e “rrezikshme”. 

Pavarësisht normave dhe traditave që u thanë grave jo, prania e këtyre të fundit në teatër po përparonte vazhdimisht gjatë viteve. Kjo ndodhi edhe në teatrin e hershëm amerikan. Kishte një numër të madh të grave teatrore, aktoreve në skenë, shfaqje me role kryesore të grave dhe gra dramaturge.

Fuqia e gruas në teatër dhe absolutikisht jo vetëm kjo, u pa në shfaqjen “Gratë”

Si mund të ndërtojmë në këtë bërllog? “Gratë”, një udhëtim kaotik teatror, është provokim për shoqërinë që refuzon t’i pranojë problemet e veta. Një shoqëri e cila i detyron gratë të heshtin! Krijuar nga një ekip i grave, artiste të jashtëzakonshme të teatrit, “Gratë” është një bashkim i hidhërimit, butësisë dhe dhembjes. Është një thirrje, një protestë teatrore, një pyetje…

Në një intervistë për KultPlus, regjisorja polake, Naztazja Domaradzka, tregon se kjo shfaqje nuk do të ekzistonte në qoftë se nuk do të ishte publiku.

“Unë mendoj se kjo është një shfaqje që nuk mund të ekzistojë pa publikun, është një shfaqje e bërë për audiencën. Unë nuk jam nga këtu dhe nuk kam idenë se çfarë do të thotë të jesh një grua nga Kosova, mund të kem të përbashkët disa gjëra, por nuk e di jetesën e një gruaje në Kosovë. Megjithatë, në bashkëpunim me aktoret dhe gjithë ekipin u munduam ta shfaqim atë në mënyrën siç duhet”.

Bashkëpunim i jashtëzakonshëm për një punë të madhe

“Bashkëpunimi ishte i jashtëzakonshëm. Ne patëm kohë vetëm 4 javë që të punojmë bashkë dhe kjo e bën edhe më të veçantë. Kur ju vini për herë të parë në Kosovë ato përshtypjet e para janë se ky është një vend shumë liberal dhe ka shumë rini, por kur hyn më thellë e shihni se gjërat nuk janë ashtu siç duken. U ndjeva shumë e befasuar që në vitin 2022 është bërë ilegale që të kontrollohet virgjëria e grave në Kosovë. Ka një tollovi të madhe që njerëzit nuk po e ballafaqojnë dhe mendojnë se çdo gjë është mirë pasi nuk bisedojnë për këto gjëra”, thotë regjisorja.

Tutje, ajo shpjegon se shfaqja shërben si një thirrje për të ndryshuar gjërat, jo vetëm nga burrat por edhe gratë.

“Mendoj se është një thirrje për të ndryshuar gjërat. Për të treguar se ne flasim vetëm për disa gjëra të caktuara. Ne kemi menduar që ta vendosim përgjegjësinë e këtyre gjërave te publiku, jo vetëm te burrat por edhe te gratë dhe të tjerët. Unë do të doja shumë që kjo shfaqje të shkonte në festivale të ndryshme, dhe njëri prej vendeve është sigurisht edhe Polonia, aty prej nga vi unë”, thotë Domaradzka.

Ajo gjithashtu tregon se bashkëpunimi mes saj, si një regjisore nga Polonia, dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës erdhi natyrshëm. 

“Unë isha duke punuar me Fondacionin e Familjes Bogujevci gjatë verës, në një projekt të shkruar nga dramaturgja britanike Sarah Hehir dhe në fund të periudhës laboratorike bëmë një pushim të shkurtër. Aty rastisti të jetë edhe drejtori i TKK-së, ku folën për gjendjen e grave në art në Kosovë”, thotë regjisorja.

Një shfaqje tërësisht dhe vetëm me gra për gratë

“Mendoj se kjo është hera e parë që në TKK luhet një shfaqje vetëm me gratë e këtij institucioni dhe sigurisht që kjo është një ndryshim në vete. Unë mendoj se këto gra meritojnë më shumë projekte të tilla dhe shpresoj që kjo të jetë një nxitje për artistet kosovare që të fillojnë të punojnë së bashku më shumë dhe të fokusohen në solidaritetin femëror”, shprehet mes tjerash.

Edhe aktorja Shengyl Ismaili, thotë për KultPlus se puna në këtë shfaqje është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë.

“Këtu janë gjashtë histori që flasin për diskriminimin e gruas ndër shekuj, e unë luaj njërën nga historitë. E trajtoj dhunën e burrave ndaj grave”, thotë ajo.

“Të punosh vetëm me gra për gra është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë. Duke filluar nga ne aktoret e deri te regjisorja, ndriquesja, kompozitorja, skenografia, dramaturget, koreografia, pra të gjitha jemi gra dhe kjo e bën edhe më të veçantë”, shprehet Ismaili.

Laborator teatër – teksti i ndërtuar gjatë provave

Ismaili gjithashtu tregon edhe pjesën se si kjo shfaqje dhe procesi i provave ka qenë shumë i vështirë

“Procesi i provave ka qenë shumë i lodhshëm, sepse kjo shfaqje është një laborator teatër, që nënkupton se teksti është ndërtuar gjatë rrugës (pra, provave) si dhe ka pjesë autoriale të vetë aktoreve”.

Aktorja beson se ato kanë dhënë maksimumin për këtë shfaqje, derisa pret që publiku të vazhdojë ta vlerësojë atë.

Aktorja tjetër, Xhejlane Godanci, thotë për KultPlus se kjo shfaqje ka qenë një sfidë në vete, por beson që ato ia kanë dalur suksesshëm ta paraqesin atë siç duhet në skenë.

“Kemi punuar për tri javë. Jemi angazhuar bashkë edhe me dramaturget në përpunimin e tekstit që të dalë teksti shumë më i mirë. Është edhe regjisorja polake që e ka bërë tekstin dhe sigurisht është një sfidë për neve që të bëjmë shfaqje të tilla, edhe pse kam punuar edhe në të kaluarën që ishin si rrëfime. Por në këtë shfaqje u paraqiten edhe pjesa vizuele për ta kompletuar më shumë. Secila kemi qenë e angazhuar për diçka dhe mendoj që së bashku ia kemi dalë”, thotë ajo.

Thirrja që elektrizoi të pranishmit dhe shfaqi madhështinë e gjithë shfaqjes, ishte pak para fundit, kur trupa e aktoreve, po bërtisnin “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë” nën përcjelljen e duartrokitjeve të fuqishme nga publiku.

Përpos aktoreve, edhe gra të tjera kanë marrë pjesë në këtë shfaqje, si konsulente e dramaturgjisë Doruntina Basha, skenografe Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi Lucia Sanchez Roldan, kompozitore Rona Berisha Castrioti, koreografe Behije Murtezi, asistente regjie Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike Zoga Çeta Çitaku.

“Gratë” do ta ketë reprizën sonte më 22 dhjetor dhe një tjetër më 23. /KultPlus.com

‘Molly’ – aftësitë e kufizuara të ndërthurura me feminizmin për të sjell një “realitet” imagjinar

Uranik Emini

Për shkak të lidhjeve të ngushta me politikën, filozofinë, psikologjinë dhe artet e shumë periudhave të jetës, teatri ka qenë gjithmonë një komponent i rëndësishëm i proceseve historike. Një histori interpretohet në skenë para një audience duke përdorur një sërë teknikash interpretimi, duke përfshirë fjalimin, gjestin, muzikën, kërcimin, efektet zanore dhe spektaklin. Ky njihet si teatër. Secili prej këtyre komponentëve – ose një kombinim i tyre – është një art performance. Teatri shpeshherë përcjell mesazhe të jashtëzakonshme, duke ndikuar në të mirën e shoqërisë, duke rritur ndërgjegjësimin e njerëzve dhe sigurisht duke përcjellë emocione tek publiku, si një nga pjesët më thelbësore të tij, shkruan KultPlus.

Edhe pse këtë vit, Teatri Kombëtar i Kosovës iu është nënshtruar renovimit të objektit, ai pritet që të kthehet te publiku gjatë këtij muaji, derisa pritet shumë shpejt që të sjellë edhe premiera të tjera, siç është shfaqja “MOLLY”.

Përgjatë historisë, “aftësia e kufizuar” është konsideruar si një temë tabu, temë e cila nuk duhet të flitet në publik, e aq më pak të luhet në teatër. Me kalimin e viteve, sigurisht një gjë e tillë ka ndryshuar. Së fundmi, Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 3 dhjetor, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar, do të luhet shfaqja “Molly’, me regji të Sibel Abdiut dhe aktorët Verona Koxha, Afrim Muçaj dhe Bujar Ahmeti.

Regjisorja Abdiu në një intervistë për KultPlus, ka shpjeguar detajisht se shfaqja “Molly”, në qendër të saj ka një grua të verbër që në foshnjëri, e cila i nënshtrohet një operacioni për ta rikthyer shikimin.

“Molly është një shfaqje me dy akte e cila tregon historinë e personazhit të titullit, Molly, një grua e verbër që në foshnjëri, e cila i nënshtrohet një operacioni për të rikthyer shikimin. Shfaqja tregon historinë e Molly-t përmes monologjeve të tre personazheve: Molly, burri i saj Frank dhe kirurgu i saj, zoti Rice. Historia e nënkuptuar interpretohet rrallë dhe na mbetet neve, audiencës, ta bashkojmë atë. Është sikur hyjmë në botën e Molly-t dhe rikrijojmë një realitet që është produkt i imagjinatës sonë. Është një realitet kaq i mbushur me dashuri dhe besim, saqë do të duam ta mbajmë atë kur të dalim nga teatri. Në këtë shfaqje simpatizojmë Molly-n dhe dëshirën e saj për një botë përtej realitetit, të zbukuruar nga iluzioni”, thotë Abdiu.

Tutje, regjisorja na njofton se në këtë shfaqje, përpos trajtimit të çëshjtes së aftësisë së kufizuar, do të përfshihet edhe tema e feminizimit, se si një grua për të kënaqur apetitet absurde të bashkëshortit të saj, ajo humb shikimin e saj.

“Përveç trajtimit të çështjes së aftësisë së kufizuar, kjo shfaqje do të trajtojë edhe aspektin feminist ku kemi një personazh gruaje që është viktimë e botës së dominuar nga meshkujt. Për të kënaqur apetitet apsurde të bashkëshortit të saj dhe ambiciet e doktor Rice-it, ajo humb rehatinë dhe vizionin e saj personal. Kjo shfaqje sensuale dhe e nënshtruar, me një dizajn skenik minimalist do të krijojë disponimin dhe atmosferën që është shumë në harmoni me botën e hidhur dhe melankolike të vetë tekstit”.

Abdiu njofton se kjo është hera e parë që punon në një shfaqje në Kosovë dhe është ndarë e kënaqur me punën e bërë gjatë procesit të provave, proces i cili sapo ka filluar dhe do ta ketë vazhdimësinë e saj, me aktorët në këtë shfaqje.

“Sa i përket bashkëpunimit, teatri kombëtar kishte konkurs të hapur ku unë aplikova me projektin dhe isha e zgjedhur. Aktorët i kisha parë më përpara nëpër shfaqje dhe filma të ndryshme dhe në atë mënyrë vendosa t’i marr për rolet e caktume. Për herë të parë jam duke punuar shfaqje në Kosovë dhe jam shumë e knaqun nga bashkëpunimi me aktorët. Përgjithësi ka një atmosferë shumë profesionale, aktorët janë proaktivë, krejtësisht e kuptojnë stilin e punës dhe bashkëpunojnë pa rezerva”, thotë ajo.

Hapësirë e “improvizuar” për të risjellë teatrin

Abdiu tregon për KultPlus se Amfiteatri i ri i TKK-së, është si një joker, pasi që i përshtatet shumë stilit të cilin ajo e posedon.

“Amfiteatri ishte një joker i paparë për këtë shfaqje për shkak që unë punoj një stil eksperimental të teatrit. Skena e amfiteatrit krejtësisht i përshtatet stilit dhe konceptit të shfaqjes, shumë ma shumë se sa vetë skena e vogel e teatrit”, përfundon regjisorja.

Aktorja me rolin kryesor, atë të Mollyt në shfaqje, Verona Koxha, thotë për KultPlus se ky është një prej roleve më sfiduese që ka pasur ndonjëherë në karrierën e saj si aktore.

Bashkëpunimi, teksti, faza e hershme dhe e “ardhmja”

“Regjisorja Sibel Abdiu, e cila është përzgjedhur për të bërë regjinë e shfaqjes “Molly” në Teatrin Kombëtar të Kosovës më ka kontaktuar për t’u angazhuar në këtë rol dhe natyrisht pas konsultimit të tekstit dhe bisedave me regjisoren në lidhje me konceptin e saj regjisorial për këtë shfaqje, unë kam konsideruar që është rol të cilin do të mund ta realizoja dhe kështu kam pranuar. Ne ende jemi në fazë të hershme të provave, por teksti është i bukur e i veçante, ndërsa roli për mua tejet sfidues. Prandaj, me shumë deshirë e kam pranuar këtë sfidë nga e cila besoj do të dal më e pjekur si aktore dhe me mësime të çmuara për karrierën time”, thotë Koxha.

Ajo gjithashtu njofton se sikurse në çdo shfaqje tjetër, procesi i provave gjithmonë i ka karakteristikat, sfidat e kënaqësitë e veta.

“Ajo çka mund të them është që procesi është intensiv, po e analizojmë tekstin dhe po mundohemi bashkë me regjisoren të gjejmë mënyrën më të përshtatshme për të komunikuar me publikun ashtu që mesazhi i tekstit por edhe leximi ynë i tekstit të mbërrijë sa më qartë dhe lehtë edhe tek publiku”, shprehet ajo.

Një rol i vështirë e sfidues që kërkon përgjegjësi të plotë, e gjen Koxhën të gatshme që të gjejë metodat e të luajë e ta përcjellë atë te publiku pa u përjetuar më parë.

“Shfaqja flet për një grua të verbër – Mollyn, të cilen e luaj unë. Secili rol i ka sfidat e veta, por ky rol për mua është ndoshta më sfiduesi për shkak se në skenë do të me duhet të gjej metodën të luaj një përvojë të cilën është shumë veshtirë ta përbrendësosh pa e përjetuar. Natyrisht, kjo kërkon përgjegjësi të madhe. Mendoj që në bashkëpunim edhe me regjisoren dhe kolegët e mi në shfaqje do të mbërrijmë që këtë ta transmetojmë në mënyrën e duhur te publiku”, shton ajo.

Punë “larg” teatrit nuk e minizon rolin e aktorit për t’i shërbyer publikut

Koxha përmend për KultPlus edhe faktin që ata janë duke punuar një hapësire larg teatrit, por duke mos e minizuar asnjëherë rolin e aktorit, që është komunikimi me audiencën, pamarrë parasysh platformën ku ofrohet ky komunikim.

“Ajo çka mund të them është se aktorët dhe profesionistët e teatrit në Kosovë në pergjithësi, punojnë me shumë zell e vullnet pavarësisht kushteve të cilat tashmë i dijmë të gjithë. Ajo çka është e rëndësishme për ne si artistë është që punën tonë t’a trajtojmë me përgjegjësi, platformën që na ofrohet për komunikim me audiencën ta shohim si diçka shumë të shtrenjtë dhe ta bëjmë më të mirën që t’i bejme nder publikut i cili vjen për të na parë”, përfundon aktorja.

Teatri i drejtpërdrejtë inkurajon ndërveprimin social, bisedën dhe fenomnet e ndryshme shoqërore. Fenomeni kulturor i teatrit kërkon një vetëreflektim nga shoqëria dhe në këtë shfaqje audienca ka për qëllim ta bashkojë këtë histori. /KultPlus.com

Në TKK fillojnë provat për shfaqjen “Molly” me regji të Sibel Abdiut

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e shfaqjes “Molly” me koncept dhe regji të regjisores Sibel Abdiu, përcjell KultPlus.

Në këtë shfaqje do të luajnë aktorët: Verona Koxha, Bujar Ahmeti dhe Afrim Muçaj.

Premiera e shfaqjes planifikohet të jepet në Amfiteatrin e TKK-së në Prishtinë me datë 3 dhjetor – në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara meqenëse kjo shfaqje ju dedikohet atyre. / KultPlus.com

“Gratë”, tema e shfaqjes më të re që vjen premierë në TKK

GRATË – është tema e shfaqjes së re e cila do të ketë premierën në dhjetor 2022 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Sot, regjisorja polako-britaneze, Nastazja Domaradzka, mbajti takime/audicione me aktoret e Trupes Rezidente të TKK-së per këtë projekt i cili është duke u shkruar nën përkujdesjen e Doruntina Bashës nga dramaturget e reja Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi dhe Ulpianë Maloku.

Një shfaqje e punuar totalisht nga gratë dhe e bazuar në ngjarje të vërteta të grave lidere të Kosovës. / KultPlus.com

Shfaqja e parë e luajtur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Morina rikthehet në TKK, së shpejti ri-fillon punën në hapësira alternative

Teatri Kombëtar i Kosovës së shpejti ri-fillon punën në hapësira alternative deri sa të përfundoj procesi i renovimit të objektit aktual!

Një prej këtyre hapësirave është edhe Amfiteatri në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në të cilin sot u takua ekipi i i shfaqjes së re që do të punohet në TKK e bazuar në komedinë “Pas vdekjes” e A.Z. Çajupi me regji të Fatos Berishës!

TKK është e lumtur që me këtë projekt po ri-kthehet pas 16 vitesh në skenen tonë, aktori Armond Morina!

Premiera e shfaqjes do të jetë së shpejti, sapo të përfundohen adaptimet e nevojshme të kësaj hapësire.

Së shpejti edhe lajme tjera të mira nga TKK! /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës hapë konkurs për regjisor

Teatri Kombëtar i Kosovës ka hapur sot konkurs për regjisor për Skenën e vogël të TKK-së për vitin 2022.

Skena e Vogël e TKK, si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore, është krijuar për të mbështetur dhe nxitur idetë dhe format e reja kërkimore teatrore duke synuar të jetë strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin si mjet të shprehjes.

Gjithnjë duke synuar realizimin e këtyre që u thanë më lartë, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shpallur konkurs publik për regjisor të projektit.

Ky është njoftimi i plotë nga TKK:

Në bazë të Ligjit për Teatrot Nr. 04/L – 106 Neni 10 paragrafi 1.9, Statutit të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 10, si dhe të Rregullores Nr. 04/2016 për Punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtarë Kosovës Neni 3 dhe Neni 12, në bazë të Rregullores Nr. 03/2019 për skenën e vogël të Teatrit Kombëtar; dhe vendimit të KD të TKK të datës 2 Qershor 2022, Drejtori i përgjithshëm i TKK merr vendim për shpallje të konkursit publik për Skenën e vogël:

Konkurs publik për përzgjedhjen e regjisorëve për projekte të Skenës së vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës për vitin 2022:

Shfaqje autoriale me temën “ Personat me aftësi të kufizuar”

Kushtet për aplikantët:

1. Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ si dhe propozon qasjen dhe platformën regjisoriale

2. Regjisori nuk ka të drejtë të konkurroj për dy projekte në të njëjtin vit.

3. TKK organizon intervistë me regjisorët me rastin e përzgjedhjes.

4. Regjisorët përzgjidhen për idenë dhe vizionin më të mirë nga një komision profesionist i cili përbëhet prej tre deri pesë (3-5) anëtarë.

5. Komisioni përzgjedhës përbëhet ekskluzivisht nga profesionist të teatrit, autor të njohur dhe të verifikuar të kësaj lëmie

6. Regjisori i përzgjedhur nga komisioni ka të drejtë ekskluzive të përzgjedh ekipin kreativ të projektit.

7. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë regjisorët vendës dhe ndërkombëtar

8. Për inskenim do të përzgjidhen dy platforma regjisoriale.

9. Aplikimet mund të bëhen përmes e-mailit [email protected] ose edhe duke i dorëzuar fizikisht në TKK tek asistentja e Drejtorit të TKK -së.

Konkursi është i hapur deri më 15.09.2022. Të gjitha aplikacionet pas kësaj date nuk do të pranohen. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar në renovim, aktiviteti nuk ndalet, punohet për sigurimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillohen aktivitetet

MKRS ka njoftuar se ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbyllet për renovim të tërësishëm nga data 1 korrik 2022, përcjellë KultPlus.

Arsyeja pse ka ardhur deri te kjo kërkesë është gjendja jo e mirë fizike e objektit tash e sa kohë. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i profesorëve të universitetit “Hasan Prishtina” të angazhuar nga MKRS me titull: “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (ToR) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”. 

Gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për renovim edhe më urgjente. 

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar sot se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. 

“Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit  gjatë periudhës së renovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intenziv me MKRS është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet.

 Shpresojmë që ky proces do të përfundojë shpejt dhe pa pengesa!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

‘FemArt’ solli performancën “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda, shpaloset motivi i një kënge të vjetër arbëreshe

Era Berisha

Dita e katërt e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” solli performancën artistike me titull “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës arriti të krijojë një frymëzim të gjallëruar përbrenda motiveve të paqarta të cilat u grumbulluan dhe morën formë atëherë kur trupat e tre balerinëve bashkoheshin për të formësuar një imazh të ngurtë që ngjallte kuriozitete të shumta, shkruan KultPlus.

Mbrëmë salla e Teatrit Kombëtar po mbushej dalëngadalë me prezencën e të pranishmëve të cilët fillimisht u përplasën me një mjegull në atmosferë e cila veçse po tregonte pak për formatin e kësaj performance. Ndonëse numri në publik nuk ishte edhe aq i madh, kjo megjithatë e bënte këtë mbrëmje edhe më të veçantë ngase ajo që pas pak do të shpalosej mbi skenë, do të ishte aq speciale dhe e mjaftueshme për të pranishmit që sytë i kishin të drejtuar me padurim drejt skenës.

Fiks në orën 20:14, nisi gjithçka. Terri zgjoi krahët sipër vendit dhe mbuloi gjithë hapësirën derisa drita rrethore mu në mes të skenës e përndjekur nga mjegulla e vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes, shoqëroi lëvizjet, hapat dhe kërcimet e balerinëve si: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Të tre këta trupa shpalosën një mori intensitetesh që në thelb kuptimi i tyre ishte i fshehur por gjallërohej kur trupi i ndonjërit prekte një trup tjetër, kështu dhe rikrijohej lidhja e këputur mes tyre, me ç’rast evokohej një ndjenjë, një emocion dhe një fotografi nostalgjike.

Muzika origjinale nga kompozitori Çezar Aliaj vjen e frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe andaj dhe rrjedh lehtësisht nëpër gjymtyrët e tri balerinëve që mbi skenë krijonin përfytyrimin se po transformoheshin vazhdimisht e po merrnin formë të ndryshme nga çasti në çast. Ndërkaq, muzika si pjesë e pandashme e vallëzimit, i përngjante ‘tik-takut’ të një ore që po kalonte dhe ndërkohë ndjehej nevoja për ndërveprimin e performuesve në skenë.

Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa shfaqën në pah një punë të fortë dhe mjaft të kontrolluar të këmbëve dhe krahëve, duke vënë fokusin mbi tkurrjen dhe lirimin e trupit në momente të paparashikueshme por jashtëzakonisht të bukura. Në anën tjetër, dalloheshin ndryshimet drastike në ritëm, shpejtësi dhe drejtim të cilat shpalosën karakteristika unike jo vetëm të lëvizjeve në këmbë, por edhe në dysheme, e sidomos në rëniet e tyre improvizuese.

Po ashtu, vetë koreografi Gentian Doda ka arritur të krijoj baraspeshën midis një tradite të lashtë arbëreshe dhe kërcimit bashkëkohor e lëvizjeve që erdhën në një nivel shprehës tejet të lartë. Talenti i tij krijues solli mbi skenën e Teatri Kombëtar të Kosovës një vepër që në esencë është sa tradicionale aq edhe moderne. Vetë shkëputjet e emocioneve dhe disponimit përbrenda teknikave të balerinëve ndërlidheshin në një mënyrë mbresëlënëse me stilin muzikor të përzgjedhur.

Gjetja e mënyrave për të kërkuar angazhimin moment pas momenti të të pranishmëve brenda një mjedisi siç është teatri, është bërthama kryesore para krijimit të një vepre. Koreografi Doda me këtë krijim të veprës siç është “Vals i këputun” ka hyrë brenda qosheve të zemrës së njeriut dhe ka ngjallë një ndjeshmëri të pakrahasueshme e cila ka lënë gjurmë që as koha nuk do të mund t’i fshijë dot.

Për të treguar më shumë rreth kësaj shfaqje, për KultPlus foli koreografi Gentian Doda i cili konsideron se folklori pa artin bashkëkohor dhe modern, nuk do të kishte jetëgjatësi.

“Është një festival shumë i rëndësishëm për vetë aktivizmin dhe socializmin e këtij qëllimi që ka si festival. Për mua është një kënaqësi e madhe sepse është hera e parë në Prishtinë por më vjen keq ngaqë nuk kishte publik shumë. Por ishte shumë interesante sepse po ndanim së bashku këto ndjenja”, thotë Doda.

Sipas tij, vepra është komplet e frymëzuar në motive shqiptare, më konkretisht në motivin e një kënge të vjetër shqiptare arbëreshe, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Çezar Aliaj i cili jeton në Spanjë.

“Këtë vepër kemi që një vit që po e lëvizim. Zana Hoxha e ka parë para një viti në ‘Za Fest’ dhe ishte shumë e interesuar, andaj dhe më kontaktoi. Shpresoj që edhe këtij pak publiku, t’i ketë interesuar vepra e të ketë ndjerë diçka”, shpalos ai.

“Arti kontemporan dhe arti modern është shumë i rëndësishëm t’i japi jetëgjatësi, traditës dhe folklorit. Folklori pa artin kontemporan dhe pa artin modern nuk do të ketë jetëgjatësi, për shkak se duhet të ketë një zhvillim.”

Ndërsa, balerini Elton Cefa e cilëson këtë shfaqje si shumë të vështirë në realizim por tejet të bukur në pamje. Ai për KultPlus, koreorgrafin Doda e cilësoi si “shkollë më vete”.

“Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kthehem pas pesëmbëdhjetë viteve në këtë skenë pasi kam punuar me trupën e Baletit të Kosovës gati shtatë vjet. Kam shumë kujtime të bukura këtu dhe shpresoj të kem lënë ndjesi dhe shije shumë të mirë tek spektatorët. Shfaqja është shumë e bukur për t’u parë por shumë e lodhshme për ne sepse kemi gati një vit e gjysmë që punojmë në këtë proces shumë të vështirë por aq edhe të bukur. Kur punohet me koreografin Gentian Doda është si të bësh një shkollë më vete nga të gjitha anët dhe shpresoj shumë që edhe trupa e Baletit të Kosovës të ketë një bashkëpunim të tillë me Gentian Dodën, sepse do të ishte një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë”, thotë Cefa.

Kurse, balerina Rosella Pellicciotti për KultPlus tha se shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike prandaj e gjithë shfaqja është një përpunim i kujtimeve.

“Kjo shfaqje është vendosur për herë të parë në muajin gusht të vitit 2021, në Shkodër ku pati premierën, ndërkohë që procesi ka filluar që në janar të 2021-tës. Pastaj është vendosur edhe në Tiranë dhe tani për herë të parë në Prishtinë. Mund të them që shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike apo ngjarje por kompozitori ka krijuar një muzikë origjinale për shfaqjen dhe është bazuar në motive shumë të vjetra arbëreshe, kështu që e gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve që vinë bashkë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, thotë Pellicciotti.

Gjithashtu, balerini Fjorald Doci foli rreth lëvizjeve që sipas tij vinë të bazuara në kujtime, fotografi apo imazhe.

“Lëvizjet janë të bazuara në kujtime, foto, imazhe të cilat mundohemi t’i rikthejmë nga një kohë e shkuar por që janë të ngrira në fragmente. Kjo sjell një qasje shumë interesante gjatë procesit dhe na ka bërë të eksplorojmë në fusha të cilat i kishim të reja”, thotë Doci.

Koreografi Robert Nuha për KultPlus tregoi se këso shfaqje janë shumë të nevojshme në Kosovë, ngase janë në një mungesë të madhe.

“Shfaqja ishte padyshim e nivelit evropian. Është një shfaqje e dansit bashkëkohor e cila tek ne në Kosovë, megjithëse ka tendenca, akoma mungon. Kështu që kjo që sonte e pamë këtu është shumë e mirë për artistët, artdashësit dhe kërcimtarët që duan të zhvillohen në dansin bashkëkohor. Ishte një shfaqje tejet mbresëlënëse dhe unë për vete kam pasur fat që të punojë me kërcimtarët që ishin në skenë por sonte ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Kur vjen një shfaqje nga një koreograf si Gentian Doda, sigurisht që pritshmëritë janë të tilla. Më bëhet qejfi shumë që FemArt po sjell shfaqje të tilla sepse na duhen shumë”, thotë Nuha.

Performanca “Vals i Këputun” vjen nga realizimi i ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). / KultPlus.com

FemArt 10 sjell performancën “Vals i këputun” në TKK

FemArt 10 sjell nesër sjell performancën “Vals i Këputun” nga ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Vals i këputun” është frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe, e cila ka mbetur në kujtesën tonë kolektive prej shekujsh, si një motiv i mjegullt. Kjo reminishencë e turbullt zgjoi interesin për të hulumtuar dhe krijuar në lidhje me kujtime të paplota, imazhe ‘të balsamosura’ nga burime të panjohura. Me valsin ‘e këputun’ si fill lidhës për këto evokime të papritura, thelbi i tyre mbetet i fshehtë, por i gjallë.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). 

Data: 17 QERSHOR, 2022 / E PREMTE

20:00 – 20:45

Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë

Regjia dhe koreografia:  Gentian Doda

Muzika: Çezar Aliaj

Luajnë: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci, Elton Cefa

Kostumografia dhe dizajnimi i ndriçimit: Gentian Doda

Produksioni: ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’

Menaxher: Fabrice Edelmann / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës, i nënshtrohet renovimit të plotë

Për vite me radhë, ndërhyrjet renovuese në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk e kanë zgjidhur në tërësi problemin me strukturën, instalimet dhe funksionalitetin e përgjithshëm të ndërtesës, përcjellë KultPlus.

 Si rrjedhojë, analiza e gjendjes e kryer nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konkludon shkallë të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës.

MKRS, duke vepruar në përputhje me përfundimet profesionale e shkencore të ekspertëve, është vënë në veprim për të inicuar e zhvilluar një proces tërësor të ndërhyrjeve renovuese që do t’i adresojë të gjitha nevojat e revitalizimit, të projektimit, ekzekutimit të ndërhyrjeve dhe funksionalizimit të plotë të ndërtesës së TKK, në të cilën po ashtu ushtron veprimtarinë e vet edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Për këtë qëllim është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike për ofrimin e ekspertizës profesionale për QRTK në Prishtinë në procesin e hartimit të projektit të konservimit/restaurimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në përfundim të këtij procesi, MKRS është e bindur se kryeqyteti do të rifitojë një institucion teatror me hapësira funksionale, moderne dhe të përshtatshme për të zhvilluar veprimtarinë e dy nga institucionet kryesore të artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Problemet me ujërat e zeza, aulohet shfaqja e baletit në TKK

Shfaqja e baletit “Concerto Con Brio & Untitled”, që ishte paraparë të shfaqet sonte nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës është anuluar.

Shiu që ka rënë pasditen e sotme në Prishtinë, ka rishfaqur problemet me ujërat e zeza që i ka Teatri Kombëtar tash e sa vite.

Përmes një njoftimi në Facebook, Baleti Kombëtar bën të ditur se “në skenën ku do të mbahej shfaqja, kundërmon erë jashtëzakonisht e rëndë dhe është e pamundur për balerinët tanë të kryejnë punën e tyre. Shëndeti i balerinëve është i rëndësisë primare, prandaj edhe njëzëri u morr vendimi për anulimin e shfaqjes!”.

Ndryshe, premiera e shfaqjes “Concerto Con Brio & Untitled” është dhënë më 2 qershor./ KultPlus.com

Ceremoni në Ditën Botërore të Vallëzimit, Kajtazi: BKK tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite

Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.

“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.

Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.

“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.

Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com

Nesër në TKK vjen shfaqja mysafire “Que du bonheur (?)”

Shfaqja mysafire “Que du bonheur (?)” nga Franca vjen nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Kjo shfaqje e cila nesër fillon nga ora 21:00, paraprakisht do të shfaqet në kuadër të Festivalit “Dance Fest” në Shkup.

“Que du bonheur (?)”, -që mund të përkthehet si: “Çfarë lumturie(?)”, është pjesë e studimeve të një triptiku që zbërthen dhe zbërthen lëvizjet e trupit.

Tre pjesët e Triptych eksplorojnë lëvizjen e trupit në dekompozim, përsëritjen dhe disa mjete të marra nga kinemaja eksperimentale.

Çfarë do të thotë të jesh grua? Cilat kode, çfarë presioni social duhet t’i nënshtrohen gratë?

«Tomeo Vergés ka gjetur një metaforë të bukur skenike për të gërmuar në pyetje dhe për të vënë në dyshim imazhet e pritshme ose të kërkuara që i mbajnë gratë në një rrugë të caktuar.»

Dhe në një rrugë është vendi ku e gjen veten interpretuesja Sandrine Maisonneuve: në ritmin e një metronomi hipnotik, kadencën e të cilit ajo e detyron veten ta ndjekë, ajo përsërit dhe transformon një sërë lëvizjesh të përditshme. Një e burgosur pavarësisht vetvetes, ajo përfshihet në një betejë mbrapa dhe mbrapa, luan me klishetë dhe gjuhën e trupit duke filluar nga kompozimi i imazhit të një gruaje të përsosur deri tek shndërrimi i saj në një luftëtare stërgjyshore. Komike, thumbuese dhe çliruese! / KultPlus.com